(Rikujtesë): Kisha sllave i hodhi benzine zjarrit te luftes ne Kosove
Rasti i dhunshëm në SH.M. “ 25 Maji” në Tuz, sinjal i alarmit për edukimin e nxënësve
Gjekë Gjonaj
Fillimi i këtij viti të ri shkollor në Shkollën e Mesme “ 25 Maji” në Tuz nuk ishte i gëzuar, sikur do të duhej të ishte, as për mësimdhënësit, as për nxënësit e as për prindërit. Bukurinë dhe kënaqësinë e një fillim viti të mbarë e të suksesshëm shkollor e shëmtoi një video ( incizim) shokuese e publikuar në rrjete sociale. Supozohet se videoja në fjalë është krijuar në fund të vitit të kaluar. Në video shfaqen dhjetëra nxënës të ulur në klasë dhe disa prej tyre sillen në mënyrë të papërshtatshme. Hedhin karrige, stola, bërtasin… Në një të shtënë, njëri prej nxënësve hedh një objekt ndaj mësueses, e cila qëndron pranë karriges dhe mban një ditar në dorë. Objekti fluturon pranë saj. Videoja tregon gjithashtu sesi një nxënës hidhet drejt murit dhe e godet me atlete…
Këto pamje trishtuese sjellin një imazh të keq jo vetëm për shkollën e Tuzit, shkollën shqipe në përgjithësi, por edhe për mbarë shoqërinë dhe shtetin. Ato pasqyrojnë realitetin e sotëm të edukimit dhe arsimimit të nxënësve tanë , të cilin nuk duam ose nuk kemi guxim ta pranojmë. Këtë e dëshmon edhe heshtja e këtij incidenti për të cilin, siç deklaruan për media drejtuesit e shkollës, nuk është raportuar në administratën e shkollës dhe se administrata ka qenë në dijeni të rastit vetëm dhjetë ditë më parë. Ndërkohë edhe Ministria e Arsimit ka njoftuar se nuk di asgjë për këtë.
Njohësit e mirë të fushës së arsimit, të cilët dëshiruan të mbeten anonim, thonë se raste e tilla nuk duhet të mësohen nga mediat, por shkollat duhet të jenë të parat që reagojnë në mënyrë më adekuate, dhe duhet të jenë të vetëdijshme se po përballen me një problem të madh, shumë më të thellë. Pavarësisht se vërehet se shkollat po përpiqen të mbulojnë dhunën që ndodh në institucionet e tyre, nuk duhet të jetë praktikë , sepse nëse nuk raportohen rastet e dhunës, atëherë ato mbeten të pazgjidhura. Raportimi i sjelljes së papërshtatshme të nxënësve është hapi i parë i detyrueshëm për të shtypur këtë lloj dhune. Nxënësit nuk duhet të gjuajnë e as të godasin mësuesin ( mësimdhënësin) me karrige edhe sikur larg qoftë t’i fyej apo t’i godasë mësuesi. Sikurse edhe mësuesi , i cili duhet të jetë model për nxënësit, e di se nuk mund të përgjigjet me të njëjtën monedhë.
Kjo ngjarje shqetësuese është një kambanë e alarmit për edukimin e nxënësve jo vetëm në Malësi, por edhe në Mal të Zi, pasi ky nuk është rasti i vetëm i izoluar i dhunës. Raste të tilla janë raportuar edhe në disa shkolla të tjera. Rasti i dhunës në këtë shkollë po ashtu është problem shqetësues që duhet të punohet më shumë në edukimin e fëmijëve dhe prindërve të tyre, stafit mësimor dhe profesional, por edhe publikut të gjerë dhe se duhet të intensifikohen masat parandaluese. Kjo i vë përpara të gjithë ata që punojnë në sektorin e mbrojtjes së fëmijëve dhe sociale, sistemin arsimor, detyrën që puna e tyre duhet të jetë më intensive dhe që si sisteme të jenë shumë më të lidhura. Aty ku ka një lidhje të sistemit, do të ketë një reagim në kohë.
Në këtë shkollë, e në të gjitha shkollat e tjera, duhet ndërhyrë menjëherë. Duhet ndërhyrë me profesionistë dhe duhet marrë shumë seriozisht, nëse me ose pa vetëdije nuk duam ta shkatërrojmë krejtësisht misionin e shenjtë që ka shkolla dhe mësuesi, që është e papranueshme për çdo shoqëri normale.
Drejtori i ri ka një sfidë të madhe për të organizuar, rregulluar dhe zbatuar drejt kurrikulën e Shkollës së Mesme të Tuzit për faktin se mësimdhënia dhe notimi në këtë shkollë është vlerësuar nga Shërbimi Mbikëqyrës i Entit për Arsim nga viti 2022 si problematike – “i kënaqshëm”. Ky është vlerësimi më pak pozitiv për një shkollë në Mal të Zi, dhe si i tillë në vetvete tregon se është shqetësim i madh përpara një rreziku të papritur.
“Mri Dedja e Mërrnaçajve, zoja e hekurt me shpirt florini”
(Historia e rrefimeve të përjetuara të “Mri Dedja e Mërrnaçajve, zoja e hekurt me shpirt florini”, me autor shkrimtarin dhe studiuesin e talentuar dhe brilant Jozef Radi)
“Nga biseda me autorin Jozef Radi meson, se për realizimin e këtij libri janë zbardhë mbi 120 orë regjistrime në manjetofon, për të ju afrue sa ma shumë të vërtetës e për t’i sistemu e perpunu ato në laboratorin e shkrimtarit e sjellë lexuesit në menyrën ma të kandshme. Një punë vërtetë e madhe dhe kjo do të shihet nga çdo lexues i këtij libri.” – Marjana Naçaj, ish mësuese dhe reçensuese e librit
“Tre burra të familjes bashk me dy pleqt e tyne vendosin të arratisen, meqense ishin lajmërue se tehu i thikës po i afrohej edhe familjes së tyne. Ishin një familje e njohun me kushte të mira ekonomike. Në Kelmend kishte mjaft njerëz të mir n’at periudh. Por si duket begatia që kishin Merrnacajt, ishte si pluhur në sytë e shtetit shqiptar. Nuk u mjaftonte, që një vlla e kishin në burg, por donin ta shkatërronin familjen… Libri për Mri Merrnaçajn, është libër kushtuar gruas shqiptare. Çdo grua do të gjejë pjesë të vetvetes aty dhe gjithë shoqëria shqiptare, përballë veprës së Mri Merrnaçajt e cila në moshën 84-vjeçare ndërmori me një kurajo të admirueshme rrëfilim e gjithë hetës së saj, që di të shërbej si model që e vertata, kujtesa dhe krimet nuk duhet të harrohen. Kanë kaluar 33 vjet dhe burgu i Spaqit është katandisur në një karakatinë. Shteti shqiptar mund të kishte vepruar me kohë. Ka ndërtuar të gjitha këto institucionet, që kanë qenë të krimit. Është bërë shtëpija me gjethe, bunkerët, tunelet e ministries së brendshme. Ata që e kanë bërë diktaturën i kanë muzetë, kurse ata që e pësuan diktaturën nuk i kanë muzetë e tyre. Kjo është e verteta e shtetit shqiptar. Ju bën muze atyre qe bënë diktaturen dhe jo atyre qe e pësuan nga diktatura. Unë protestën time e kam manifestuar edhe me librin tim.”
– Jozef Radi shkrimtar, tregon për Zërin e Amerikës
“Me Marash dhe Mri Mërrnaçaj dhe të gjithë vëllezërit patriotë Mërrnaçaj, jam njohur shumë vite më parë, kur unë për herë të parë kam ardhur në vitin 1978 në Neë York, SHBA. Unë kam qenë disa herë mik i familjeve të tyre. Qysh nga ai vit dhe deri më sot me kemi qenë miq shumë të mirë. Kjo familje gëzon respekt shumë të madh në komunitetin tonë këtu, sepse Marnaçajt patriotë, kanë qenë gjithnjë mikpritësa, ndera, lavdia dhe krenaria e vendlindjes së tyre të dashur Kelmendit, trojeve etnike shqiptare dhe shqiptar-amerikanëve. Ne të gjithë aktivitetet antikomuniste dhe demostratat me motivin për lejimin e lirisë fetare në Shqipërinë e cila po vuante nën komunizmin e zi, të gjithë Mërrnaçajt dhe familja Marash dhe Mri Mërrnaçaj, kanë qenë të parët përkrah bariut tonë shpirtëror dhe intelektualit të shquar prelatit mons. dr. Zef Oroshit, Themeluesit të Kishës së Parë Katolike Shqiptare “Zoja e Këshillit t’Mirë” (sot Zoja e Shkodrës”), në shumë protesta të vazhdueshme në New York, Washington D.C., SHBA, duke kërkuar nga Qeveria dhe presidentët amerikanë, për mbështetjen e popullit të vuajtur shqiptarë të martirizuar dhe për rrëzimin e komunizmit në Shqipëri etj.”
– Tomë Mrijaj, New York, studiues dhe publiçist
Klajd Kapinova,
editor i revistës “Jeta Katolike”, New York
Në Qendrën Kulturore “Nanë Tereza”, pranë Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale, New York, u bë promovimi i librit luksoz me kopertina të trasha dhe voluminoz me 400 faqe, me titull sinjifikativ: “Mri Dedja e Mërrnaçajve, zoja e hekurt me shpirt florini”, të autorit dhe njëherazi mikut tim, shkrimtarit, studiuesit të palodhur dhe skrupuloz Jozef Lazer Radi.
Promovimi i librit bashkoi shqiptarët e Amerikës në shenjë respekti, vlerësimi dhe mirënjohje të madhe për familjen zëmadhe të Mërrnaçajve, qendresën e madhe dhe të vazhdueshme burrërore të tyre, nën shembullin pozitiv, për gjithçka që ata i kanë dhënë komunitetit shqiptar në SHBA.
Kopertina e librit, është vepër e mirëfilltë artistike mjeshtërore e piktorit të talentuar Antonio Perdoda, i cili mrekullisht paraqet në ballinë portertin e skalitun të personazhit real të nënës heroinë dhe stoike Mri Mërrnaçaj.
Vepra e re, u mirëprit shumë mirë nga komuniteti shqiptaro-amerikanë, përmes një pjesëmarrje të rrallë masive të miqëve, familjarëve të Mërrnaçajve, Klubit të Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë (2001), dashamirësve të librit, përfaqësuesëve të Kishës e mediave të komunitetit në shtetet New York, New Jersey, Michigan, Connecticut, Ohio, etj., miqët e ardhur nga Kelmendi (Shqipëria), Shkodra, Lezha, etj.
FOTO
Eshtë e rëndësishme të theksohet, se jetëshkrimi narrativ si orijginal në llojin e vet, është ofruar këndshëm përmes gjuhës gegnishte të latuar me kujdes, midis stilit të shkodranishtes së përpunuar të rrymës koliqiane ose më saktë të Ministrit të Kulturës shkrimtarit dhe prozatorit modern prof. Ernest Koliqit dhe astilit fin të gjuhës gegë të përdorur gjerësisht në veprat e tij shkrimore nga malcori dhe patrioti i denjë prof. Martin Camajt, e cila tregon se është një vepër e shkëlqyer e rrëfyer në vetën e parë mbi shqiptaren e shquar burrneshë, stoike dhe fisnike Mri Mërrnaçaj, përfaqësuese e dy prej familjeve më të shquara, nderuara dhe respektuara në krahinën e famshme të Kelmendit të Malësisë së Madhe, Nilaj dhe Mërrnaçaj.
Ky botim dinjitoz, është një nderim i madh e i veçantë për vuajtjet, qëndresën dhe sakrificën heroike të femrës apo nanave të pamposhtura stoike antikomuniste shqiptare.
Tek i hedh një vështrim të shpejtë përmbatjes dhe titujve të përzgjedhur të veprës reale jetësore, del se vepra në fjalë është gjithashtu në vetvete një homazh nderimi dhe përkujtimi për prindërit e Mrisë, djalit Nik Mërrnaçaj e bashkëshortit të ndjerë atdhedashës Marash Mërrnaçaj, ku fletë pas flete plot dhimbje dhe dramë mbas drame, penda e zhdërvjedhtë brilante geg e shkrimtarit bashkëkohor Jozef Lazer Radit (një pinjoll i denjë i vijimsisë së familjes zëmadhe dhe të shquar të Radëve dhe posaçërisht i babait të tij, enciklopedistit të nderuar, respektuar dhe paharruar intelektualit erudit dhe shkrimtarit të spikatur prof. Lazer Radit), paraqet hap mbas hapi qendresën heroike të vijueshme antikomuniste të familjes, historinë e guximshme të arratisjen nga ferri komunist, kalvarin e pambarim të emigrimit të tyre drejtë Malit të Zi… e më pas rrugëtimin drejt ëndrrës së madhe në vendin e bekuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ajo që suprizoi dje pjesëmarrësit ishte vajza e re si moderatore e kulturuar dhe elegante Mikela Nonaj, e lindur dhe rritur në SHBA, e cila duke qenë mbesë e Mërrnaçajve, bëri një paraqitje dinjitoze, me fjalë të përzgjedhura me kujdes dhe efekt pozitiv gjatë gjithë takimit model, që pa e ndjerë tubimin e bukur dhe të larmishëm kaloi tre orë të këndshme. Gjuha e ëmbël gegë, që ajo fliste me një rrjedhshmëri të pastër, bëri që të merrte here pas here buzëqeshje respekti dhe duatrokitjet frenetike nga të gjithë të pranishmit, që kishin mbushur si asnjëherë tjetër auditorin tonë.
I Përndershmi famullitari ynë dom Pjetër Popaj, në fjalën përshëndetëse rrëfei udhën e tragjedisë plot kalvare dhe vuajtjeve, të cilat i dinte më përpara me detaje dhe sapo i kishte rilexuar me endje sërisht, përmes përshkrimeve të spikatura brilante të mendjes dhe pendës fine të Jozef Radit, duke e quajtur me të drejtë personazhen e librit Mri Mërrnaçajn një heroinë të vërtetë.
Në vijim të mesazhit të tij, bariu shpirtëror dom Pjetër Popaj u ndal në përkushtimin e vijueshëm fetarë të saj, si dhe cilësitë e spikatura kelmendase, si: bujarinë dhe mikëpritjen familjare, fisnikërinë, mirësinë dhe vlerat e jashtëzakonshme pozitive të familjes Mërrnaçaj e në veçanti të nënës stoike Mrisë.
FOTO
Sipas programit të parashikuar me shumë kulturë dhe kujdes deri në detaje më të imta nga organizatorët, u bë paraqitja për herë të parë e një dokumentari historik, i përgatitur me nivel të lartë profesionalizmi nga kanali televiziv “TV Albanian Culture New York”, dhe paraqitur denjësisht para publikut nga regjizori dhe drejtuesi i saj Adem Balliu.
Pikërisht këtë detaj fisnikërie e ka theksuar profesionalisht dhe artistikisht producenti i dokumentarit Adem Belliu dhe familja e tij mediatike, e cila për më tepër ka pasur një lidhje e miqësi vllazërore me familjen Mërrnaçaj, që dokumentohet sot me foto edhe në dokumentarin e ri.
Aty pjesëmarrësit e shumtë mësuan disa detaje të veçanta mbi jetën e vështirë me plot sakrifica dhe mbijetese dinjitoze të nënës malësore sypatrembur Mri Mërrnaçaj dhe familjes së saj me gjashtë fëmijë.
Kush nuk e njeh dhe kush nga ne nuk ka shkuar për t’a takuar Marash dhe Mri Mërrnaçaj në shtëpinë e madhe të tyre, e cila gjithmonë ka qenë e hapur dhe mikëpritese, për të gjithë ne këtu. Kjo Derë e Madhe fisnike tipike etnike shqiptare, ka disa dekada në shërbim të panderprerë ndaj komunitetit shqiptaro-amerikanë pa dallim feje, krahine dhe ideje.
Kryetari i Bashkisë së qytetit të vogël Yonkers-it Mike Spano, falënderoi të pranishmit dhe organizatorët e tubimit. Ai u shpreh edhe nga përvoja e tij jetësore, duke thëne se: “Mësimet e historisë, kalojnë nëpërmjet dhimbjeve e vuajtjeve tona dhe tuajave...”
Ish drejtuesja e shkollës së fshatit malor Tamarë (Malësi e Madhe), mësuesja Liza Pllumbi shpalosi në detaje aspekte jetësore të familjes Mërrnaçaj dhe u ndal te vlerat e larta të Mrisë, në përballje me vuajtjet dhe fatin e jetës.
Është i rëndsishëm fakti se ligjeruesja me origjinë kelmendase zj. Pllumbi, është inisiatorja kryesore e palodhur, që Shkolla e Mesme e Bashkuar në Kelmend të marrë emrin “Nik Mërrnaçaj”.
Prek Ndue Meri (Pllumbaj), foli rreth jetës së Mrisë, historisë së luftës në Sukë së M’kushtit dhe si ai u bë pjesë e librit në fjalë.
Ai më tej apeloi me një mesazh për bashkëatdhetarët e tij shqiptaro-amerikanë, që të mos harrojnë historinë e lavdishme ndër shekuj të krahinës me emër të madh të Kelmendit në Malësi të Madhe dhe gjithë Shqipërinë.
E veçanta e takimit, ishte edhe pjesa klasike muzikore me violinë e luajtur nga dyshja Rozeta Ujkaj dhe Mimoza Lleshaj, e cila në vetvete shërbeu si një moment meditimi dhe reflektimi, paqeje e qetësimi shpirtëror.
I mirënjohuri i komunitetit tonë, studiuesi, publiçisti, ish-gazetari veteran i radios Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe Idriz Lamaj, në kumtesën e tij esenciale, u ndal në disa aspekte shpirtërore të rrëfimit të heroinës Mri Mërrnaçaj dhe njohjes së hershme, që ai kishte ndër dekada me këtë familje fisnike, qysh kur ato për herë të parë zbresin në tokën e bekuar të SHBA-së dhe vendosen përfundimisht në shtetin metropolitan të New York-ut.
Studiuesi dhe vatristi veteran Lamaj, kishte sjellë me vete si suprizë një libër të vogël uratësh, duke ia treguar publikut pjesëmarrës të tubimit dhe ia ofroi për t’a parë më pas edhe famullitarit tonë dom Pjetër Popaj, në shenjë nderimi dhe respekti të thellë ndaj të paharruarit monsinjor dr. Zef Oroshit (1912-1989), që ai vetë ia kishte dhuruar mikut të tij të hershëm dhe bashkëpunëtorit të revistës fetaro-kulturore “Jeta Katolike” (New York, 1966) Idriz Lamajt, 52 vjet më parë.
FOTO
Lindita Harizaj Dema, si një ndër lexueset e para të veprës në fjalë, foli për librin, duke hequr paralele persekutimi edhe me jetën e familjes së saj, që kaloi asokohe një kalvar të gjatë dhe pambarim vuajtjesh nën regjimin komunist të Dullës…
Ajo e pikëdhuar, u shpreh se në libër gjejmë pjesë nga dramat tona, gjej shumë personazhe dhe femra të përvuajtura shqiptare.
Ky është një libër i dhimbshëm e heroik, ku në çdo faqe historike brenda saj, kam gjetur dhe veten time, ku sikurse dihet Mria është model i nënës, motrës e gruas shqiptare, tha ndër të tjera ish e pëndjekura politike dhe e persekutuara për shumë dekada, në kohën e komunizmit në Shqipëri zonja Harizaj-Dema.
Për të marrë pjesë në tubimin kulturorë kishin ardhur nga shteti ekzotik i agrumeve të Floridës Zef Naçaj bashkë me bashkëshortën e tij zonjën Marjana Naçaj.
Ajo si mike e hershme e familjes Mërrnaçaj, ish mesuesja Marjana Naçaj është njëherazi edhe reçensuese e librit “Mri Dedja e Mërrnaçajve, zoja e hekurt me shpirt florini”.
Ligjeruesja Naçaj, në fjalët e saja plot elokuencë, paraqiti refleksione dhe fakte interesante mbi jetën dhe figurën e Mrisë, duke e cilësuar librin e ri si një rrëfim i nevojshëm e i domosdoshëm për të njohur më mirë historinë kombëtare shqiptare dhe të trevave kreshnike të Kelmendit në veçanti.
Ajo ndër të tjera tha se: “E gjithë përmbajtja e librit mbështetet mbi rrefimet e Mri Mërrnaçaj, që së bashku me pendën e dashtun të shkrimtarit të mirenjohur Jozef Radi e bajnë këtë libër mjaft interesant për lexuesin e gjanë. Për ne, që e njofim në detaje të gjithë jetën e saj dhe kemi lexue gjithçka asht shkru nga autorë të ndryshëm, përfshi edhe librin e autorit Ndue Ukcamaj “Lotët e Françeskut dhe rrefimet e Mrisë”, bindemi plotësisht se sa i nevojshëm asht kenë ky libër i plotë, i shoqnuem me të gjithë dokumentet e sigurume nga arkiva të ndryshme. Ngarkesa emocionale, që vjen nga njohja me rrugëtimin jetësor të Mri Dedjes, i kalon të gjitha parashikimet e një lexuesi të zakonshëm. Rrëfime të nevojshme për t’u arshivu në kanalet e historisë. Për ne, që e jetuem pjesën ma të madhe të jetës tonë në atë rregjim, kuptojmë se si zhvilloheshin ngjarjet e rrethanat, por kurrsesi nuk arrinë t’a kuptojnë brezat e mavonshëm e aq ma tepër këta të sotmit, që kujtojnë se gjithçka ka kenë ashtu siç është në ditët e sotme…”
Reçensuesja e kujdeshme Naçaj, tregon se këto rrëfime të sistemuara aq bukur, duke ruajtur me fanatizëm shprehjet origjinale të personazhit kryesor të veprës Mrisë, në përshtatje me të folurin e zonës heroike të Kelmendit “e pasunojnë dukshëm librin dhe e ban atë të dashtun për cilindo që e lexon, qoftë ai me njohje apo në farefisin e saje deri tek lexuesi i gjanë. E pamë në këtë aspekt, libri rrjeshtohet pa frikë në naltësinë e librit legjendë të At Zef Pllumit “Rrno për me tregue.”
Më poshtë, ajo rikujton bisedat mbi proçesin e hartimit të librit në fjalë, me autorin e veprës së re me shkrimtarin Radi, duke theksuar se: “Nga biseda me autorin Jozef Radi mëson, se për realizimin e këtij libri janë zbardhë mbi 120 orë regjistrime në manjetofon, për të ju afrue sa ma shumë të vërtetës e për t’i sistemu e perpunu ato në laboratorin e shkrimtarit e sjellë lexuesit në menyrën ma të kandshme. Një punë vërtetë e madhe dhe kjo do të shihet nga çdo lexues i këtij libri.”
Ajo si lexuese e parë e librit falënderoj me gjithë zemër nga podiumi, aktivistin e palodhur të komunitetit tonë zotin Mark Marrnaçajn, që është njëherazi edhe inisiatori i këtij aktiviteti nga fillimi dhe deri tani, duke theksuar, se: “Ke ba një punë fisnike, që koha do t’a diftoj gjithnji e ma tepër e bekimi i Zotit do të bjerë mbi ju e mbi familjen tande, se je pjesë jo e vogël e vuajtjeve të familjes së Mërrnaçajve.”
FOTO
Zonja Naçaj, duke përshkruar punën e madhe voluminoze dhe të palodhur të shkrimtarit me përvojë Jozef Radi, theksoi se: “Autori i librit, nuk ka për qëllim të analizojë veprimet e diktaturës së re që po instalohej, por trajton pasojat e traumat që krijoj në popullin e pafajshëm të Vuklit e Kelmendit në përgjithësi e në veçanti atë të Bajraktarit të Vuklit, që ishte edhe Dera prijëse e flamurtarëve asokohe. Nuk mund t’a imagjinojsh, që krime të tilla të jenë të pa ndëshkueme historikisht. Asht koha që historia të zhveshet nga politika dhe të thonë fjalën e saj mbi këto të vërteta. Të vërtetat vijnë në këtë formë prej kontributeve si ky që Mri Mërrnaçaj sjellë nëpërmes autorit Jozef Radi, në këtë libër me shumë vlera. E gjithë shtrirja e librit, me pasazhet që kalojnë para lexuesit, të jep përshtypjen e një romani, ku në qendër të të cilit asht Mri Mërrnaçaj. E vështirë me e mendu, e vështirë me e lexu, që një njeriut t’i ndodhin në një jetë kaq ngjarje të randa e kaq lëvizje në jetën e saj. Kujtoj, kohën kur im shoq Zef Naçaj, po shkruente librin “Forca e Kelmendit”. Unë hyna në studion e tij dhe e gjeta me lot në sy: Unë e shqetësuar e pyeta: Ç’ka ka ndodhë!? -Asgja më tha, por po shkruej pjesën e Mrisë!”
Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro Amerikanë poeti Mhill Velaj, në kumtesën e tij e cilësoi librin si burim historik, dokumentar e letrarë, i shkruar me një gjuhë të ëmbël, me rrëfime e përjetime autentike. Vepra e re përjetëson një figurë të veçantë heroike të femrës tipike etnike shqiptare.
Poeti Velaj, ndër të tjera në kumtesën e tij tha se: “Jo rrallë ndodh që monografitë bëhen edhe si një lloj burimi historik i rrjedhave sociale, por edhe atyre kombëtare. Të tillë do e kisha trajtuar edhe këtë monografi të shkruar me mjeshtëri nga Jozef Radi “Mri Dedja e Mërrnaçajve, Zoja e Hekurt me Shpirt Florini – Rrëfime t’nji jete”. Vepra i paraprin një parathënie e protagonistes së librit, e cila me një thjeshtësi e madhështi të fjalës së shkruar jep pasqyrimin për motivet e fillesave të kësaj monografie. Ajo ruan modestinë deri në qiell, kur i drejtohet lexuesve, por në anën tjetër tregon edhe vlerat e fisnikërinë e një gruaje të hekurt, e cila zemrën e vizionet i ka plot dashuri e mirësi, ku përmes një gegërishteje të bukur, të ëmbël e të kulluar, pushton mendjet e zemrat e lexuesve… Këtu ipen të dhëna interesante për Shpinë e Bajraktarit të Vuklit, ku në sfond hynë shumë personazhe, emra, ngjarje e përplasje historike ku si nëntemë e këtij libri zë vend edhe pjesa ”Kelmendi përballë komunizmit”, ku përmes rrëfimesh e përjetimesh autentike ipen të dhëna të shumta për ngjarjet historike, heroizmin, qëndresën dhe orientimet properëndimore të kësaj krahine të dëshmuar në shekuj për rrënjët e tij identitare, ku theks të veçantë i ipet pjesës historike “Fati i dhimbshëm i familjes së Bajraktarit të Vuklit”. Libri i ngjan një kronologjie e balade të pafund familjare ku në to ndërfuten personazhe të shumtë, përvoja, guxim, pasoja dhe mbijetesë titanike. Pjesa tragjike e përshkruar në këtë libër si rezultat i rezistencës ndaj ideologjisë komuniste “Familja e Bajraktarit internohet n’Tepelenë” shpërfaq dramën kombëtare të kësaj familjeje desidente që në fakt përjetoi ‘Golgothën shqiptare’.”
Dhe më poshtë poeti shqiptaro-amerikanë Velaj saktëson: “Me një fjalë, është tablloja e jetës së një gruaje fisnike e malësore me rrënjë guri që rrëfen, për jetën e saj si një kronikane e historisë dhe e përjetimeve familjare, që nga lindja e saj deri në moshën e shtyer, ku ndërthur situata sa krenare po aq dramatike, sa të dashurisë po aq të sfidave e dilemave ekzistenciale, por mbi të gjitha karakteri i saj mbetet i pathyer dhe me çdo mjet arrin t’i jap kuptim jetës familjare farefisnore dhe asaj shoqërore. Mri Dedja përmes këtij libri e rrëfimi letrar është shndërruar në Orakullë dhe vetëfarkëtuese e fatit të saj. Ajo të mahnit me memorien e saj dhe elegancën madhështore për t’i rrëfyer ngjarjet krejt natyrshëm dhe me baza reale, pa fryerje e imponime. Në pjesën “Mërrnaçajt në kurthin e Sigurimit”, rrëfehet saga familjare e kësaj familjeje e cila përjetoi torturat nga më të ndryshmet për t’i qëndruar besnik traditës, fesë, kombit e idealeve stërgjyshore.”
Në mbyllje të kumtesës së tij, është i saktë dhe i qëlluar përkufizimi i poetit Velaj se ky libër i ngjan një mozaiku apo pikture që në vete ngërthen shumë imazhe apo pamje jetësore që në thelb kanë etnikën, kulturën dhe ngadhënjimin e brezave përmbi sfidave ideologjike dhe të mirat e rrëzimet që na i ofron jeta.
Ish ushtaraku i lartë shqiptar në pension Asllan Bushati, lexoi kumtesën e poetit Sami Milloshit, i cili e quajti librin enciklopedi.
Autori Jozef Radi, në fjalën e tij përshëndetëse shpjegon se si shkak për të shkruar këtë libër, u bë Mark Mërrnaçaj, një njohës i gjithë situatës së vuajtjeve dhe bashkëvujtës e pjestar aktiv i familjes së Mërrnaçajve të Pshatanit.
Studiuesi dhe shkrimtari Radi, pas përshëndeti të gjithë të pranishmit në auditor, shpjegoi ecurinë e etapave të përgatitjes së librit dhe deklaroi për pjesëmarrësit se libri është një monument për femrën shqiptare. Ai falënderoi në mënyrë të veçantë familjen Mërrnaçaj, Mark Mërrnaçajn, Prek Pllumajn e Anton Përdodën etj.
Nëna heroinë Mri Marrnaçaj, së cilës i dedikohet kjo vepër, në fjalën e saj falënderoi dom Pjetër Popaj, atë Gazmend Tinaj o.f.m., Mark Mërrnaçaj, Jozef Radin, të gjithë folësit e të gjithë pjesëmarrësit në tubimin madhështor.
Atë Gazmend Tinaj o.f.m. në fjalën e tij deklaroi se rrëfimi i Mri Mërrnaçaj është shpallje, është simfoni e trishtë melankolike. Janë rrëfime zemre. Zemra, është memoria e ngjarjeve të trishta të njeriut. Libri, në të gjithë brendësinë e tij, është si një rrëfim për të mos harruar kurrë.
Aktivisti i komunitetit tonë shqiptaro-amerikanë Mark Gjonaj, në fjalën e tij theksoi se Marash e Mri Mërrnaçaj tragjeditë i kthyen në forcë e dhimbjen në fuqi për të ecur përpara me dinjitet e krenari.
Në përfundim të promovimit familja Merrnaçaj shtroi një koktejl për gjithë të pranishmit dhe të ardhurat nga shitja e librit ia dhuroi si gjithnjë Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale, New York.
Libri është paraqitje e një epoke
dhe një mënyrë për të folur për te
Libri i plagëve dhe dhimbjeve historike familjare dhe shqiptare: “Mri Dedja e Mërrnaçajve – Zonja e Hekurt me Shpirt Floriri”, është një botim që përshkruan në hollësi vuajtjet e një gruaje shqiptare, tragjeditë e së cilës nisën që në fëmijëri, kur Shqipëria ishte nën regjimin e egër ateisto-nazikomunist.
Ai është dëshmi e koleksionit të krimeve të përbindshme të nazi-komunizmit të zi, ku të rinjtë mund të mësojnë nga e kaluara e zymtë e histoirsë së Shqipërisë, që historia të mos përsëritet më në vendin martir të shqiponjave.
…Më 13 prill të vitit 1939, në familjen e Dedë Nilajt nga fshati Vukël i Malësisë së Madhe, lindi një vajzë, të cilën e pagëzuan në kishën e fshatit me emrin Mri Dedja. Asokohe ishte një jetë shumë e vështirë.
Qysh fëmijë 5 vjeçe ajo është dëshmitare e një sërë tragjedish të shkaktuar nga barbarët komunistë në familjen e saj.
Asokohe regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut i vrau ose më saktë i futi në dhe të gjallë babain, axhat dhe dy djem të rinj të axhave dhe më pas u dogji shtëpitë dhe mori e shkatërroi të gjithë pasuritë që kishin asokohe.
Mria sot 84-vjeçe, kujton shumë e emocionuar, se: “Baba im u dogj brenda n’shpi si Oso Kuka në Vraninë. Vëllain e madh t’babës e morën, e i thanë hapë një gropë. Ai e hapi varrin për së gjalli dhe e futën të gjall në dhe, e mbuluan aty. Pa kurrfar dënimi, pa i ba asgjë t’keqe, askujt. Kol Bajraktari u largua nga shpija, sepse ende nuk u kishte ra në duar. Ata morën djalin e axhes e ia nxorën dy sytë, e mbuluan me gurë dhe aty vdiq. Ai ishte djal i ri në moshësn 27 vjeç. Tuj mos mjaftue me kaq, komunistat morën djalin e axhës tjetër, që ishte 18 vjeç dhe e prenë me brisk në qafë, 18 vjeçar… Më thanë vishu mirë, se sonte mund të na vrasin. Në duar të tyne nuk do t’u lëmë, sepse nëse na kapin, nuk do t’u shohim ma kurrë. Ne nëpër burgje e ju në internime. Ne sot duhet të braktisim jetën në shtëpinë tonë. Vjerrin e vjerrën e kishim me vete. Edhe ata të shkretët vendosën të vinin pas djemve të vet. Kemi dalë bashk dhe na u deshën 10 orë që ta kalonim kufinin… Nuk ka drejtësi, nuk ka asgjë. Ne kemi vujt, e kemi la me gjak atë që ndodhi. Për ne ka kenë gja e madhe se na fiken shpinë. Amaneti për fëmijët tanë, për brezin e ri, asht që t’mos harrojnë gjuhën, besimin në të madhin Zot, sepse aty kemi besue dhe gjithmonë na ka ndihmue. Këtë libër e kam shkrue që të mos harrohen vuajtjet në shpitë tona dhe gjithë Shqipninë.”
Këto krime tragjike me vrasje barbare ditën për diell, janë ngjarje të ngjashme më ato që bënë vazhdimisht nazistët gjermanë ndaj popullit të pafajshëm ebrej, gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore.
Për shkak të kushteve të rënda, ajo humbi edhe dy vëllezër. Nëna e saj u kthye në shtëpinë e prindërve të saj, por vdiq pak vite më vonë.
Ende pa mbushur 16 vjeçe, vajza e brishtë malësore stoike Mri Dedja u martua me Marash Mernaçajn nga krahina e mirënjohur e Kelmendit, familja e së cilit ishte vënë po ashtu në shënjestër të asgjësimit dhe persekutimit nga regjimi komunist.
Pak vite pas martesës, në moshën 19-vjeçare ajo u detyrua larg dëshirës së saj që të braktisë me dhimbje Shqipërinë dhe Kelmendin, trojet e të parëve të saj.
Kjo histori e dhimbshme e mbushur me drame të njëpasnjëshme është pjesë e një libri të ri nga një ish bashkëvuajtës në kohën e regjimit komunist në Shqipni, me autor shkrimtarin dhe studiuesin e mirënjohur Jozef Radi, i cili është kujdesur që këtë histori ta sjellë edhe në variant elektronik dhe të regjistruar në audio.

NË PËRKUJTIM TË KËNGËTARIT NGA MALËSIA, LINDON GJETO CAMAJ
Shkruan, Gjokë Dukaj
Kohë më parë, Malësia i dha lamtumirën e fundit, këngëtarit të mirënjohur Lindon Camaj, këtij biri të Malësisë i cili me zërin dhe përkushtimin e vet kësaj fushe ishte i pranishëm, pothuajse, 30 vite me radhë në skenën muzikore gjithëkombëtare. Kuptohet se në raste të ngjashme janë shumë asish që kanë çka të flasin dhe të shkruajnë për ata që gjatë jetës së vet nuk janë kurësyer të jenë me bashkëvendësit e vet, me bashkëkombësit kudo duke u prezantuar me krijimtarinë e tyre, në rastin konkret përmes këngës. Lindoni ishte djalosh i ri kur filloi të paraqitet në skenën muzikore në këto hapësira dhe dukej qartë pasioni i tij për të kënduar këngën e bukur shqipe nën tingujt e njohur të muzikës shqiptare. Dashuria e flakët për të krijuar e shtynte Lindonin të konatktonte persona të cilët me përvojën e vet mund ta ndihmonin në rrugëtimin e tij të mëtejme, pasi ai gëzonte përkrahjen e madhe të familjes që të verponte në këtë drejtim. Një ditë u takuam rastësisht dhe, pasi ai ishte djalosh i ri, mu prezantua dhe më befasoi si ky djalosh aq i ri ishte këmbëngulës të ulemi në njërin prej lokaleve aty afër në qendër të Tuzit. Mora vesh se kush ishte, dëshirat që kishte për të kënduar si dhe prejardhjen e tij familjare dhe u kënaqa me kur vërejta pasionin e tij për këngën dhe menjëherë më kërkoi ndonjë tekst të ndonjë kënge të re, pasi kishte në plan realizimin e një albumi të ri, me këngë të reja sa më parë. Pasi ia premtova se së shpejti do ti sjelli disa tekste të reja e që i kisha të gatshme, Lindoni mes tjerash, më kërkoi të shkruaj një këngë për mërgimin dhe një tjetër për maturantët. Më tha; “mërgimi është shpirti i popullit tonë kurse maturantët, janë e ardhmja jonë. Kamë dëshirë t’i kemë këto dy tekste të reja.” Kështu filluam bashkëpunimin me këtë pinjoll të familjes së njohur të Gjeto Kolë Ucit Camaj, kësaj familje të nderuar në trevën e Malësisë, të njohur për virtytet më të larta njerëzore brez pas brezit. Babai i Lindonit, Gjeto Kolë dhe nëna e tij, Age, më përjetonin si një të afërm të tyre dhe dera e tyre bujare e hapur gjithmonë për miq dhe të njohur, më priti shumëherë zemërgjerë dhe me dashamirësinë më të madhe njerëzore. Rrugëtimi i Lindonit si këngëtar, e pati rrjedhën e vet dhe ajo, tashmë, është e njohur për dashamirët e këngës kudo. Ajo që e veçoi Lindonin, ishte dashuria e madhe për t’u kënduar virtyteve njerëzore, traditës, besës, atdhedashurisë dhe të gjitha vlerave kombëtare të trashëguara nëpër shekuj. Ai, me dashuri dhe guxim këndoi për virtytet kombëtare por edhe për hallet dhe brengat që rëndonin bashkëvendësit e tij kudo. I këndoi trimërisë dhe urtësisë, fjalës dhe besës, kulturës dhe historisë, padrejtësive dhe ngjarjeve të shumta nga e kaluara e largët dhe e afërt. Me guxim dhe përkushtim, këndoi për vepra dhe trashëgiminë kombëtare. Kënga e tij, zëri i tij i qetë dhe i dashur dëgjohej kudo; në dasma e gëzime, koncerte e argëtime, në ambiente të mbyllura e të hapura e, sidomos nga të rinjtë të cilët e donin dhe adhuronin këngën e tij. Ai, askurr nuk parashtroi çështjen e çmimit por dëshira e tij ishte të këndojë dhe të gëzoj bashkëkombësit e vet. Nga përvoja ime e dijë se Lindoni, në rrugëtimin e tij në fushën e muzikës, kishte përkrahjen më të madhe nga familja e tij, nga më të afërmit e tij të cilët bashkëudhëtuan me birin e vet, më vëllain e vet në dëshirat dhe pasionin e tij për muzikën. Sidomos e donin Lindonin bashkëvendësit tonë që jetojnë në mërgim ku jeton edhe pjesa më e madhe e familjes së tij. Atje e ftonin shpesh që të dëgjojnë këngët e tija por, edhe ta takojnë nga afër dhe të gëzohen së bashku. I tillë ishte Lindoni deri në ditët e fundit të jetës kur sëmundja e kishte rënduar dhe kur shpresat për shërimin e tij ishin gjithnjë e më të vogla. I rrethuar nga më të dashurit e tij; bashkëshortja, fëmijët, vëllezër e motra, miq e të njohur, Lindoni kujtonte çastet e bukura të jetës, vargjet e këngëve të interpretuara pothuajse 30 vite me radhë dhe të gjithë ata që iu afruan në rrugëtmin e tij të bukurr si këngëtar, si bashkëshort, prind, i afërm dhe mik e bashkëpunëtor i dashur, i përkushtuar, besnik i fjalës dhe vlerave të shenjta të trashëguara nga të parët e vet. Këngën e fundit që i shkrova, po ashtu në temën e mërgimit, Lindoni nuk arriti ta këndonte pasi sëmundja dhe vdekja e parakohshme ishin më të shpejta, por ajo do të publikohet bashkë me ndonjë material tjetër në përkujtim të këngëtarit, mikut tonë Lindon Camaj. Në shenjë respekti dhe vlerësimit në kontributin e dhënë në rrafshin më të gjerë, Bashkia Malësia e Madhe, në orën përkujtimore të mbajtur në Tuz, me rastin e vdekjes së këngëtarit Lindon Camaj, i ndau atij mirënjohje të veçantë pas vdekjes, për kontributin e dhënë në fushën e krijimtarisë muzikore. Shembull edhe për të tjerët se si duhet vlerësuar bashkëvendësit e vet të cilët kontribuojnë në kultivimin dhe afirmimin e vlerave të përgjithshme mbarëkombëtare. Urojmë që veprimtarët e këtillë, me traditë dhe prejardhje të njohur nëpër shekuj, të vlerësohen dhe të përkujtohen nga institucionet vendore dhe nga brezat e rinj.
“TAKIMI I DY ARMIQVE “
Aksioni famëkeq policor “ Fluturimi i Shqiponjës, një proces barbar dhe i dhimbshëm ndaj malësorëve
Gjekë Gjonaj
Mëngjesi i 9 shtatorit 2006 solli shqetësim, trishtim dhe torturë të frikshme te popullata e Malësisë. Pikërisht atë mëngjes, në ditën e themelimit të subjektit të parë politik të shqiptarëve -Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, një ditë para zgjedhjeve parlamentare dhe lokale në Mal të Zi, u krye aksioni famëkeq policor i pushtetit malazez “ Fluturimi i Shqiponjës”. Forcat policore të armatosura deri në dhëmbë bastisën shtëpitë dhe banesat e malësorëve. Në atë operacion policor u arrestuan 17 të dyshuar, në mesin e të cilëve ishin katër shtetas amerikanë me origjinë shqiptare, për planifikimin e “kërcënimit të rendit kushtetues dhe sigurisë së Malit të Zi”.
Keqtrajtime, tortura e fyerje
Sipas dëshmive rrëqethëse të të burgosurve, ata u rrahën dhe u prangosën, nga pjesëtarët e Njësisë Speciale Terroriste të Malit të Zi, befasisht në gjumë dhe tek të afërmit e tyre. Gjatë rrugës deri në bodrumet e policisë, në paraburgim dhe në burg, me rastin e sjelljes te gjyqtari hetues dhe në vetë hapësirat e gjykatës, kanë pohuar malësorët e pandehur, janë keqtrajtuar në aspektin fizik dhe psikik, janë fyer mbi baza nacionale dhe fetare, madje nuk kanë munguar as tortura ndaj familjarëve, personave të moshuar dhe të pafuqishëm dhe fëmijëve të tyre. Policia më pas pretendoi se terroristët e arrestuar dhe disa pjesëtarë të UÇK-së kishin planifikuar të hynin në territorin e Malit të Zi në ditën e zgjedhjeve dhe të kryenin aksione terroriste në Tuz dhe Malësi
51 vjet heqje lirie për 17 malësorë “ terroristë”
Pas gati dy vitesh, Gjykata e Lartë në Podgoricë ( gjykatësi Ivica Stankoviq) dënoi të gjithë malësorët të akuzuar për “përgatitje të aksioneve terroriste dhe shoqërim me qëllim të veprimeve antikushtetuese” me nga dy e gjysmë deri në gjashtë vjet e gjysmë, ose gjithsej 51 vjet burg. Sipas aktgjykimit, nga mesi i vitit 2004 deri në shtator 2006, ata kishin planifikuar dhe përgatitur aksione terroriste me qëllim krijimin e një rajoni të veçantë shqiptar në Mal të Zi.
Disa parti shqiptare akuzuan qeverinë në atë kohë se po përpiqej të “disiplinonte” Malësinë dhe shqiptarët, sepse pasi votuan për pavarësinë e Malit të Zi në referendumin e 21 majit, ata vendosën të votojnë për partitë e tyre kombëtare dhe jo për koalicionin qeverisës, duke e vlerësuar këtë operacion si një proces të inskenuar politik. Pretendimet se aksioni i policisë ishte i lidhur me presionin ndaj votuesve u mohuan nga zyrtarët më të lartë malazezë, duke deklaruar se ishte “i domosdoshëm”. Gjykata e Strasburgut në vitin 2015 ka vendosur në favor të 7 malësorëve të arrestuar të cilët në atë aksion paditën shtetin e Malit të Zi dhe detyroi atë t’i dëmshpërblejë.
Kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, dhe deputeti i LDSH-së, Nikollë Camaj, duke përkujtuar 9 shtatorin e vitit 2006 , ditën e burgosjes së malësorëve në aksionin famëkeq policor “Fluturimi i Shqiponjës”, kërkuan që Këshilli Nacional për Siguri të hapë dosjet, që e vërteta të dalë në dritë , me shpresë se do të hapen mundësi të reja për të zbërthyer këtë enigmë që na e kurdisën dashakëqijtë.
Gjeloshaj: Do të vijë dita për drejtësi
“Malësia kurrë nuk do ta harrojë torturën që është bërë më 9.9.2006! Kurrë nuk do të harrojmë vendimin antishqiptar për gjykimin e bashkëvendësve tanë me burg, pa asnjë argument! Shqiptarët kurrë nuk do ta harrojnë këtë proces të montuar politik nga shteti i Malit të Zi! Ftoj Këshillin Nacional për Siguri që të hapë këtë dosje, dhe që e vërteta të dalë në dritë. Është koha që të procesohen ata që e montuan këtë proces! Është koha që në emër të shtetit të kërkohet falje për këtë proces të montuar, për ata që kishin vetëm një “faj”, se ishin shqiptar! Do të vijë dita për drejtësi!”, ka deklaruar Gjeloshaj.
Camaj: E drejta vonon, por nuk harron!
“ Nga 9 shtatori 2006 e tutje, vite të tëra, ishin kohë sprove e dëshmie të një kurdisje të pafytyrë kundër Malësisë. Na mbetet të bëjmë çmosin që ta zbulojmë kush rrinte pas këtij procesi të montuar politik. Asnjëherë nuk e kam kursyer veten në këtë drejtim; dhjetëra shkrime, dhjetëra tryeza e konferenca, qindra orë prezent në seanca gjyqësore, por tani, nga pozita e deputetit shpresoj se do të hapen mundësi të reja, për të zbërthyer këtë enigmë që na e kurdisën dashakëqijtë! E drejta vonon, por nuk harron!”, ka theksuar Camaj.
Këngëtari i talentuar Ilsi Ademi, lançoi video – klipin e parë në New York, “Flokëarta”
Nga Beqir SINA
Ademi : “Pas Shkodrës dua New York-un , Shkodra asht dashni”
Video clipi : https://www.youtube.com/watch?
New York : Ilsi Ademi, ka 5 vjet e katër muaj që po jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Komuniteti shqiptar, shkodranët e Amerikës, ndjejnë një kënaqësi, dhe e uruan përzemërsisht që talenti shkodran u bë pjesë e komunitetit të artistëve shqiptar në Amerikë. Mirëpo, aq sa ata u gëzuan, u ndjejnë në një keqardhje, që ky talent i spikatur shkodran “ e la Shqipërinë, Shkodrën, që e lindi dhe i dha famë, dhe erdhi në Amerikë. Pra, zgjodhi New Yorku-n, ta fusë në zemër ashtu si dashurinë për Shkodrën, që si thotë ai “Shkodrën, nuk e ndrronë me askendë.”
Ilsi, me të ardhur në Amerikë, “prej nga avioni nisi të këndojë dhe më të zbritur, ” ai nisi të marrë pjesë në shumë evente të komunitetit Shqipetar në New York, dhe jo vetëm.
“ Çka ka Qellu”, një restorant autentik shqiptar në Stamford (Ct), i showman Ramiz Kukaj, i cili ka mahnitur klientelën e tij, shqiptarët e Amerikës, por edhe amerikanët e turistët e huaj me një botë të re ushqimesh të traditës shqiptare për ta, shoqëruar me dekorime të stilit antik, dhe trashgmnisë e kulturës shqiptar, u bë qendra e koncerteve, çdo fund jave për talentin shkodran Ilsi Ademi .
Kështu ai u bë pjesë integrale e komunitetit shqiptar në SHBA, pjesemarres si kengetar në disa festa kombëtare në zonën e Tri-Shteshit. Ilsi Ademi ka marrë pjesë madje dhe ka preformuar edhe në Albanian Parade, që zhvillohet çdo vjet në zemër të New York-ut, nga shoqata “Albanian Roots” ose Rrënjët Shqiptare, e Marko Kepit.
Në një intervistë të shkurtër që dha për gazetën Bota sot, ai tregoi se kur erdhi në Amerikë, pse zgjodhi New York-un, dhe foli pak edhe për video-clipin më te ri, të tij të cilin e ka titulluar “Flokëarta”
Ilsi, thotë se : “Në Amerikë kemi 5 vjet e 4 muaj .. New York-un e zgjodhëm tha ai sepse kemi hallën që jeton këtu dhe halla ishte pikërisht personi që na tërhoqi të gjithë familjen përveç motres së madhe”.
Ai nuk i la vend vetes të humb kohë edhe në marrëdhëniet edhe lidhjet e tij me komunitetin shqiptar : “Kontributi im në komunitetin e shqipëtarëve, ka filluar që në muajt e parë kur unë kam ardhur .. Komunitetin e gjeta shumë të gjërë dhe gjithashtu mjaft të arrirë në shumë aspekte ..
Shkodrën apo New York-un? cilën do më shumë! Ilsi Ademi
Ilsi thotë “prerë” dhe pa asnjë hezitim “Pas Shkodrës dua New York-un . Kaq dua të them për këtë pyetje që ma bëjnë me qindra herë .. Shkodra asht dashni”
Në Staten Island jetojnë shumë shkodran.
“Në Staten Island jemi vendosur, që kur kemi ardhur ditën e parë në NY” (sepse siç e thashë dhe më lart kemi jetuar te halla për disa muaj), theksojë ai dhe vazhdon “Staten Island është nga ato qytete që edhe 100 apo 200 herë te më jepej shansi të jetoja në NY,do zgjidhja Staten Island për të jetuar gjithmonë .. “
Meqense Ilsi është beqar, “dyshuam” se kënga më e re e tij “Flokëarta” pra “Bjodina”, ishte ndonjë sekret dashurie i “shigjetuar”, pra dashuria e tij, dhe ai po i këndonte me tinguj zemre ndonjë të dashurës…….! së tij.
Ilsi tregon : Flokëarta është një projekt që mua mu prezantua nga kompozitori dhe autori i tekstit të këngës “Hermes” (gjithashtu një muzikant i shkëlqyer) para disa muajsh .. Sapo e dëgjova më pëlqeu shumë dhe normalisht ai duke e ditur origjinën time veriore (shkodrane) ai tha dëgjoje dhe sidomos tekstit nëse do t’i ndryshosh ndonjë fjalë mundesh .. Përgjigjia ime ishte jo ,nuk do ndryshoj asgjë,sepse kështu të ka ardhur ty frymëzimi dhe une ashtu dua ta ruaj ..
Po cili është sekreti?, Ilsi Ademi me “diplomaci” na tha : “Sekretin e dedikimit të kësaj kënge e di kompozitori .. Për sa i përket pjesës time une ia dedikoj të gjithë flokëarta-ve (edhe pse kam ra në hall me brunet)”.
Në ndërkohë, ku flet për arazhmin e këngës “Flokëarta”, ai thotë se “Aranzhimin e këngës ia kemi besuar kompozitorit dhe aranzhuesit të mirënjohur në Shqipëri dhe më gjërë,Marenglen Boja .. Boja është një nga kompozitorët dhe siç e thashë arranzhuesit on-top në Shqipëri sot për sot”
Ilsi na foli pak edhe për cast-in e video-clipit “Flokëarta”
Olsin Becin e kam zgjedhur si një ndër profesionistët në fushën e fotografisë dhe videos që kanë ardhur së fundmi në NY ..
Klea Rama është një vajzë e re që makeup-in e ka pasion dhe profesion që po e ushtron së fundmi në NY.
“Çka ka Qëllu” dhe Irios Watches janë dy kompanitë që me kanë mbështetur shumë gjatë këtij projekti Behlul Çoku dhe Alfons Ndokaj janë dy zotërinj të nderuar ( Behluli sipërmarrës i njohur nga Dibra e Madhe,Alfons Ndokaj nga Shkodra, gjithashtu sipëmarrës i zoti ) të cilët une pata fatin dhe kënaqësinë që të xhiroja në shtëpitë e tyre si personalisht por edhe me aktorët ..
Anna B. (Kosova) dhe Edjon Hysejnaj (Shkodra) janë dy aktorët e klipit të cilët në jetën e përditshme janë pjesë e pandarë e imja si shoqëri .. Për Anën ishte eksperienca e parë në një klip,ndërsa për Edjon-in ky ishte klipi i rradhës pasi ai në Shqipëri ai numëon disa vedeoklipe ku ka marrë pjesë edhe si personazh kryesor por edhe si aktor .
Lamtumirë shkencëtarit e Nobelistit, Ferid Murad
Gazeta “Illyria” ishte e para, që e zbuloi dhe ia prezantoi publikut shqiptar – mbeti deri në fund, Anëtar i Bordit të Nderit të gazetës, e miku ynë i mirë
Nga Gazeta Vehbi Bajrami, Illyria.com
Që prej themelimit, gazeta shqiptaro-amerikane “Illyria” ka zbuluar shumë figura të shquara amerikane me prejardhje shqiptare, në mesin e të cilëve shkëlqente si rrallëkush nobelisti shqiptaro-amerikan Ferid Murad.
Kur morëm vesh, pas gjurmimeve tona, se ai ishte shqiptar në redaksinë e gazetës patëm festë. Deri në atë kohë, ai ishte fare i panjohur te shqiptarët në Amerikë, diasporë e Ballkan.
Kam pasur fatin ta takoj shumë herë këtë shkencëtar të përmasave botërore dhe gjithmonë ai e shprehte krenarinë e prejardhjes shqiptare.
Na nderoi shumë kur pranoi që të bëhej Anëtar i Bordit të Nderit të gazetës “Illyria”, ku qendroi deri në fund të jetës, duke u bërë pjesë e një grupi të shquar personalitetesh që na ndihmuan në rrugën tonë.
Pasi ai mori çmimin Nobel, filloi të prezantohej edhe në komunitetin shqiptar, në takime ku shoqërohej nga gazetarë të “Illyria”-s. Po kështu vizitoi vendlindjen e babait në Maqedoni, e më pas vizitoi trojet e tjera shqiptare.
Unë e shoqërova në një nga udhetimet e tij, gjatë pritjes madhështore që i bëri në Tetovë biznesmeni e aktivisti i njohur Lazim Destani.
Ferid Murad është i dyti Nobelist shqiptar pas Nënë Terezës, duke i mbushur shqiptarët me krenari.
“Ferid Murad vdiq mbrëmë në moshën 87-vjeçare. Me këtë rast po ribotojmë – këtu më poshtë – një nga shkrimet më të plota për jetën e tij, marrë nga Gazeta “Illyria”, pjesë e librit tim “Shqiptarët e Amerikës”
Dr. Ferid Muradi, ose rruga e gjatë nga larja e pjatave tek Çmimi Nobel
Nga Vehbi Bajrami, NEW YORK
Kombi shqiptar përherë ka nxjerrë njerëz të shquar që ia kanë rritur krenarinë dhe e kanë radhitur përkrah kombeve të mëdhenj me njerëz të shquar. Njëri ndër shqiptarët me emër është pa dyshim edhe Ferid Muradi, fituesi i Çmimit Nobel në Mjekësi, më 1998. Ai përbën gjithashtu një nga figurat më të spikatura në radhët e shqiptaro – amerikanëve, shkencëtari që ka arritur të fitojë mirënjohjen më të madhe në botën akademike amerikane.
Ndoshta është rastësi por, një mik i nderuar i shqiptarëve, senatori Bob Dole, do të reklamonte në tele- vizionin amerikan produktin mjekësor të bazuar në zbulimin e tij, një koincidencë kuptimplotë.
Babai i nobelisit, Xhabir Murad Ejupi, emigroi nga Gostivari, në moshë të re, kur ishte 18 vjeç nga nevoja për të ndihmuar familjen e madhe, e cila u ndodh ngushtë pas vdekjes së nënës, që e la atë jetim në moshën 12 vjeç. Të ardhurat nga shitja e ëmbëlsirave nuk mjaftonin për të siguruar jetesën.
Vështirësitë ekonomike dhe mungesa e punës e detyruan djaloshin nga Gostivari të merrte rrugët e Evropës së turbulluar nga valët e Luftës së Parë Botërore, e cila sapo kishte filluar. Xhabirit iu dha mundësia që në vitin 1914 të marrë një anije dhe, nëpërmjet Ellis Island-it të fillojë jetën e re në Amerikë. Pas peripecive të para në New York, ai kursen para për udhëtimin në Ohio, ku punon në një uzinë të shkrirjes së çelikut. Shkëputet për një kohë në Detroit dhe më pas në Chicago, ku u vendos përfundimisht së bashku me gruan e tij, Henrietta Josephine Bowman.
Jetonin me të ardhurat e fituara nga një restorant i tij në veri të Indiana-s dhe më pas në Chicago. E gjithë familja, përfshirë nobelistin e ardhshëm dhe vëllezërit e tij, Abdurrahmanin dhe Turhanin, duhej të punonin për të siguruar jetesën dhe, mundësisht, të mbështesnin edhe të afërmit e lënë në vendlindje.
Ferid Muradi lindi më 4 shtator 1936, në Whiting, Indiana. Pas mësimeve në shkollë, Feridi i vogël duhej të lante pjatat dhe të ndihmonte në kuzhinë ose t’u shër- bente klientëve. Ndërkohë, pas punës, edhe pse i lod- hur në orët e vona, i duhej të përgatiste mësimet për të nesërmen. Ky regjim i ashpër ditor, që në fëmijërinë e hershme kaliti tek ai vullnetin, kultivoi respektin e thellë për punën dhe pasionin e rrallë për dijen.
Sipas Ferid Muradit, i ati e kishte ndjerë gjithmonë mungesën e shkollimit. Për këtë arsye i shtyu fëmijët e tij që të edukoheshin sa më mirë por njëkohësisht, që të ndihmonin edhe familjen. Të njëjtën nxitje, Feridi dhe vëllezërit e tij e merrnin edhe nga e ëma, e cila kishte pasur një fëmijëri disi të ngjashme me të shoqin, ndonëse ajo vetë rridhte prej një familje baptiste, nga Alton e Illinois-it. Të parët e familjes, nga ana e nënës, ishin vendosur në Shtetet e Bashkuara rreth viteve 1700, ndërsa vetë ajo largohet nga shtëpia në moshën 17 vjeç për t’u martuar me Xhabir Muradin, i cili në atë kohë ishte 39 vjeç.
Në disa intervista e biseda publike, apo edhe me autorin e këtij shkrimi, dr. Muradi shpreh pasionin e tij të hershëm për t’u bërë mjek. Që në moshë ende të njomë, rreth 12 vjeç, siç tregon ai, e parandjente se do t’i përkushtohej mjekësisë. “Unë e dija që atëhere se do të bëhesha mjek”, thotë nobelisti ynë.
I shtyrë nga dëshira për të ndërtuar një të ardhme sa më të sigurtë, larg halleve të përditshme që po përje- tonte familja e tij, por i nxitur edhe nga një ndjenjë ende jo shumë e qartë humanizmi njerëzor, ai i përkushtohet me të gjitha energjitë realizimit të ëndrrës së kahershme. “Nuk mund ta përcaktoj qartë se çfarë më motivoi të zgjidhja këtë profesion. Por, kur isha në shkollë, më pëlqenin veçanërisht matematika dhe lëndët shkencore”, më tha ai gjatë një interviste.
Duke zgjeruar vazhdimisht dijet e tij në mjekësi, Feridi bindet se jo vetëm i kishte mundësitë për t’u bërë një mjek i zoti, por edhe një kërkues shkencor i kompletuar. Një nga pedagogët e tij, Earl Sutherland, edhe ai nobelist në mjekësi, e nxit dhe mbështet studentin me origjinë shqiptare në rrugën e kërkimeve shkencore.
– Puna në laborator, – tregon ai, – është e vështirë, metikuloze.
– Zbulimet shkencore vijnë vetëm pas një pune të gjatë e këmbëngulëse, ndonëse, nganjëherë, rezultati i zbulimit të kërkimit mund të jetë i rastësishëm, ashtu siç ndodhi me viagran.
Jo se zbulimi i viagras nga ai ishte i rastësishëm. Ai erdhi si pasojë e efekteve që u zbuluan tek pacientët e ndryshëm që vuanin nga zemra, pas aplikimit tek ata të një medikamenti të zbuluar nga ai. Sot industria farmaceutike amerikane siguron qindra milionë dollarë në vit nga shitja e viagras, pa llogaritur ilaçet e tjera të bazuara në oksidin nitrik, që përdoren nga të sëmurët që vuajnë nga zemra.
E përshkruar shkurt, jeta shkencore e Muradit në laborator filloi që në vitet e kolegjit. Ai gjithmonë ishte i pari i klasës. Ende sot ai vazhdon të studiojë e eksperimentojë me të njëjtin intensitet si 30 vite më parë. Si praktikant, Muradi me një grup kolegësh u përpoqën të zbulonin se si funksiononin dhe çfarë efektesh kishin ato që në mjekësinë laboratorike quhen sinjalizuesit molekularë dhe sistemet e transaksionit të sinjaleve.
Duke eksperimentuar për të identifikuar se si ndikonin ilaçet mbi hormonet dhe si reagonin këto të fundit ndaj tyre, Muradi dhe kolegët e tij, krejt rastësisht, gjetën që komponentë të tillë si nitroglicerina dhe ilaçe të tjera që përdoren për kurime kardiovaskulare të enëve të gjakut rrisin ndjeshëm hormonin e molekulës së quajtur “Cyclo GMP”.
Ndonëse nitroglicerina ishte përdorur për më se një shekull për kurim, askush deri në kryerjen e këtij eksperimenti nuk kishte mundur të identifikonte mekanizmin e funksionimit të molekulës së saj në trupin e njeriut.
Edhe pse efekti i nitroglicerinës në relaksimin e muskujve ka qenë i njohur për njerëzit, efekti i saj në zgjerimin e enëve të gjakut vetëm sa hamendësohej. Por, në laborator përmes eksperimentimeve të ilaçit, u zbulua se ajo shëronte edhe impotencën mashkullore.
Në vitet e para të botimit të rezultateve të kërkimeve të grupit të Muradit dhe kolegëve të tij, interesi nga qarqet shkencore ishte ende i pakët. Me kalimin e viteve, skepticizmi i la vendin prakticitetit deri në atë shkallë, sa sot, nuk ka revistë shkencore amerikane që të mos botojë në numrat e saj, të paktën një shkrim që ka të bëjë, qoftë edhe indirekt, me zbulimin e Muradit dhe kolegëve të tij, për oksidin nitrik.
Gjatë pushimeve verore të shkollës, më 1957, Muradi takohet në Fort Lauderdale të Floridas, me Carol Ann Leopold, me të cilën fejohet në prag të Krishtlindjeve të atij viti dhe martohet në verën e 1958-s. Sot, ata kanë pesë fëmijë.
Pas drejtimit të disa katedrave dhe laboratoreve kërkimore në universitetet më prestigjioze të Amerikës, sot Ferid Muradi drejton Departamentin e Biologjisë dhe Farmakologjisë Integruese në Fakultetin e Mjekësisë së Universitetit të Texas-it, në Houston.
Louis Ingarro, shoku i tij i shkollës, koleg në laborator dhe bashkëfitues i çmimit Nobel në Mjekësi për vitin 1998, është profesor në Universitetin e California-s në Los Angeles. Kolegu tjetër, i cili gjithashtu ndan nderin me Muradin dhe Ingarro-n, është Robert F. Furchgott, profesor i farmaceutikës në Univesitetin e Shtetit të New York-ut dhe punon në qendrën shëndetësore të këtij institucioni.
Dr. Muradi është modest. Ai nuk lë rast pa theksuar se burimi i çdo suksesi janë studimi dhe puna këmbëngulëse.
– Ka shumë faktorë që ndihmojnë për të arritur sukses, – thotë ai. – Ato përfshijnë këmbënguljen, punën e vazhdueshme, shkollimin e mirë, shmangien e trazi- rave, si dhe kolegë të mirë e të zotë, dhe në fund, pak fat.
Duke folur për momentin kur u njoftua se kishte fituar çmimin Nobel, dr. Muradi tregon:
– Isha shumë i entuziazmuar kur fitova Çmimin Nobel dhe kur pashë se kërkimet e mia shkencore u bënë kaq të rëndësishme për mjekësinë. Ishte një nder dhe kënaqësi tek shihja që kërkimet e mia u vlerësuan për rëndësinë e tyre dhe përdoren për kurimin e shumë sëmundjeve.
– Vazhdoj të punoj në të njejtën sferë të përgjithshme kërkimi, me ciklin e GMP-së dhe oksidin nitrik. Ndonëse ka rreth 50,000 botime, që nga zbulimi ynë më 1977, duhet akoma shumë punë për të krijuar ter- api të reja të rëndësishme për shumë sëmundje tjera, – thotë nobelisti ynë.
Ndonëse vetë ka lindur në Amerikë dhe shqip flet vetëm pak fjalë, Ferid Muradi është i pranishëm në komunitetin shqiptaro-amerikan dhe ka marrë pjesë edhe në festa të tilla si dita e flamurit shqiptar më 28 Nëntor. Gjatë një festimi të tillë, në restorantin e famshëm të Anthony Athanasit, në Boston, në vitin 2001, ai u foli me pasion të pranishmëve dhe theksoi se rruga e suksesit në Amerikë kalon nëpërmjet shkollës, punës së përkushtuar dhe ruajtjes së familjes. Si shembull ai solli jetën e tij: nga një fëmijë që duhej të lante pjata në restorantin e familjes, deri në kurorëzimin e punës me çmimin ndërkombëtar më të lakmuar nga të gjithë shkencëtarët e botës. Kjo rrugë është një vijim i pandërprerë përkushtimi ndaj shkollës, i një karakteri të fortë, bazuar në një familje të moralshme dhe këmbëngulje të pafundme në fushën e kërkimeve.
Ai thotë se mban lidhje me disa të afërm në Gostivar dhe gjetkë dhe shton se është mahnitur nga bukuria natyrore e Shqipërisë dhe trojeve të tjera shqiptare në Maqedoni dhe Kosovë, të cilat i ka vizituar tri herë gjatë viteve të fundit. Por, shton i brengosur, Shqipëria është ende një vend i varfër që i mungon infrastruktura moderne.
– Universitetet, spitalet, rrugët etj., kërkojnë investime të mëdha dhe përmirësime të thella. Krimi dhe korrupsioni po e dëmtojnë rëndë ekonominë shqiptare dhe turizmin e një vendi kaq të bukur, – thotë me dhimbje dr. Muradi.
Duke shprehur brengosjen për situatën e shqip- tarëve në Maqedoni dhe vuajtjet që kanë kaluar disa vite më parë shqiptarët e Kosovës, nobelisti shqiptar përcjell krenarinë që është i një gjaku me atë popull vital:
– Gjatë udhëtimeve të mia në këto vende jam kënaqur duke parë shpirtin dhe optimizmin e një pop- ulli në kërkim të përmirësimit të jetës së tij. Uroj që shqiptarët të kenë durim, sepse situata do të përmirësohet pasi bota tani është më e ndërgjegjshme për his- torinë dhe padyshim që do të ndihmojë në plotësimin e nevojave të tyre.
Midis gjërave të reja, të panjohura për lexuesin shqiptar, janë fotografitë që botohen për herë të parë, të cilat nobelsiti ynë, edhe pse aq shumë i zënë me punë, gjeti kohë t’ia dërgojë autorit të këtij shkrimi.
Dr. Ferid Muradi, i dyti nobelist shqiptar pas Nënë Terezes, me këtë çmim të lartë që ka fituar e me zbu- limet e tij në shërbim të njerëzimit na nderon sot të gjithëve ne. Shqiptarët edhe pse janë të ndarë e të copëtuar në disa shtete, mbeten krenarë për personalitetet e shquara të tyre. Kombi i Nënë Terezës, Ferid Muradit e Ismail Kadaresë, është ballëlartë që ka nxjerrë figura të tilla që e ngrejnë atë në lartësinë e kombeve të mëdhenj.
(Mars, 2003)
ALBANOFOBIA SERBE
Xhelal Zejneli
Albanofobia, përkatësisht ndjenjat antishqiptare, në Serbi janë tejet të përhapura. Urrejtja ndaj shqiptarëve më së shpeshti ndërlidhte me konfliktin serbo-shqiptar. Albanofobia manifestohet në stereotipat dhe në paragjykimet negative ndaj popullit shqiptar si dhe në diskriminimin e shqiptarëve.
Po qe se ndërlidhet me bindjen se shqiptarët janë një lloj race inferiore, atëherë albanofobia merr edhe formë racizmi. Ndjenjat antishqiptare manifestohen edhe në përdorimin e emrit “shiptar – shiptari” (šiptar – šiptari), formë e sllavizuar e etnonimit shqiptar, që për shkak të konotacionit negativ në gjuhën serbe, konsiderohet ofenduese.
Gjatë historisë, shumë intelektualë serbë kanë propozuar projekte antishqiptare të ndryshme. Midis tyre janë: Vlladan Gjorgjeviqi (1844-1930), Jovan Cvijiqi (1865-1927), Vasa Çubrilloviqi (1897-1990), Ivo Andriqi (1892-1975) e të tjerë.
* * *
Shkrimtari dhe analisti serb Mirko Gjorgjeviq* (1939-2014) vjen në përfundim: “Janë bërë qindra memorandume, plane për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Kur t’i shfletoni këto zgjidhje, qofshin ato komuniste, shtetërore apo kishtare, lehtë do të vëreni se të gjitha planet kanë qenë – çështja e Kosovës të zgjidhet në atë mënyrë që atje të mos ketë shqiptarë”.
Shënim: Profesori i letërsisë Mirko Gjorgjeviq kritikoi lidhjet e Kishës Ortodokse Serbe me nacionalizmin serb.
* * *
Albanofobia në Principatë e Serbisë – Fillimet e propagandës antishqiptare datojnë kah fundi i shekullit XIX. Kjo propagandë ndërlidhet me pretendimet e shtetit serb ndaj territoreve të Perandorisë Osmane të banuara prej shqiptarëve ose më saktë – ndaj territoreve të shqiptarëve që kanë qenë nën sundimin osman. Pas luftës ruso-turke dhe zgjerimeve territoriale të Principatës së Serbisë në vitin 1878, pasojnë: dëbimi masiv i dhunshëm i shqiptarëve nga territoret e aneksuara, nga qarku i Toplicës, dikur të banuar prej shqiptarëve; si dhe djegia e fshatrave shqiptare dhe e lagjeve urbane të banuara me shqiptarë. Disa autorë këtë e kanë quajtur: Dëbim i muhaxhirëve nga Serbia. Sipas disa të dhënave, ka pasur serbë prominentë që kanë qenë kundër dëbimit apo internimit të popullsisë shqiptare. Por, lidhur me këtë, kryetari i qeverisë serbe Millan Piroqanac (1837-1897) deklaron: “Po t’i lëmë shqiptarët këtu, do të na shkaktojnë kokëçarje”.
Shënim: Millan Piroqanac ishte shkolluar në Universitetin e Hajdelbergut (Heidelberg), në Universitetin e Parisit dhe në Beograd.
* * *
Shtimi i mëtejmë i ndjenjave antishqiptare ndërlidhet me pretendimet në politikën e jashtme të Principatës së Serbisë, të përvijuara në “Naçertanien” (1844) e Ilija Garashaninit (1812-1874), që kanë të bëjnë me rajonin e Kosovës, të Maqedonisë perëndimore dhe të Shqipërisë veriore, të banuara me popullsi shqiptare apo kryesisht me popullsi shqiptare. Autorët serbë i paraqesin shqiptarët si dhunues dhe si uzurpues, duke i potencuar “krimet e tyre ndaj serbëve gjatë periudhës osmane”. Popullsinë shqiptare në Sanxhakun e Pazarit të Ri (më vonë: Novi Pazar), në Kosovë dhe në Maqedoni ata e paraqesin si një lumë vërshues që ka dalë nga shtrati i vet, të cilin Serbia do ta kthejë në kufijtë e “Shqipërisë së vërtetë” (prave Arbanije).
Albanofobia në kohën e Mbretërisë së Serbisë – Akademiku serb Jovan Cvijiq mbronte qëndrimin e daljes së Mbretërisë së Serbisë në det nëpër territorin e Shqipërisë, që ndodhej nën sundimin e Perandorisë Osmane.
Në fillim të shekullit XX, albanofobia në serbi filloi të shtrihet me të madhe. Ajo ishte e ndërlidhur ngushtësisht me politikën e jashtme të Mbretërisë së Serbisë që synonte daljen në detin Adriatik, d.m.th. nëpërmjet viseve shqiptare, në portin e Durrësit. Në atë kohë, “argumente” për daljen e Serbisë në det nëpër Shqipëri paraqitnin shumë politikanë dhe intelektualë serbë. Gjeografi i njohur serbomadh Jovan Cvijiq mbronte të drejtën e Serbisë ndaj Shqipërisë veriore, përkundër faktit se në ato vise s’kishte serbë fare. Ai thotë:
“Për shkak të pavarësisë ekonomike të vet, Serbia patjetër të ketë dalje në detin Adriatik dhe në një pjesë të bregdetit shqiptar: qoftë me marrje territoresh, qoftë duke fituar në atë rajon të drejta ekonomike dhe të drejta qarkullimi. Këtu kemi të bëjmë me marrjen e një rajoni që në pikëpamje etnografike vërtet është e huaj, por ky rajon medoemos të merret për shkak të interesave ekonomikë tejet të rëndësishëm, pikërisht për shkak të nevojës jetësore”.
Shqiptarët e Kosovës dhe të veriut të Shqipërisë Cvijiqi i përshkruan si përzierje, serbë të shqiptarizuar, përkatësisht serbë të kamufluar, të cilët vetëm me mimikri i imitojnë shqiptarët e vërtetë. Me këtë, ai e ka relativizuar përparësinë etnike të shqiptarëve dhe i ka mbështetur pretendimet e shtetit serb për rajonet e tyre. Në periudhën e viteve 1906-1918 ai krijoi një seri hartash me të cilat i arsyetonte pretendimet serbe në rritje ndaj rajoneve jugore.
Hartat etnografike të Cvijiqit, këtij antishqiptari të përbetuar, të botuara në vitet 1906, 1909 dhe 1913 dallohen ndër vete dhe i kanë përcjellë nevojat e politikës së jashtme të shtetit serb. Në hartën e viti 1909, në krahasim me atë të botuar në vitin 1906, dukshëm është pakësuar prania e shqiptarëve në Kosovë dhe në Maqedoninë perëndimore. Në hartën e viti 1913, prania e shqiptarëve është reduktuar në mënyrë dramatike, madje edhe në Shqipërinë veriore.
Propaganda serbe i ka dehumanizuar shqiptarët në mënyrë të vazhdueshme. I ka paraqitur si të paaftë për ta qeverisur veten. I ka paraqitur si element i egër të cilin duhet çrrënjosur.
Në përhapjen e paragjykimeve ndaj shqiptarëve printe kryetari i atëhershëm i qeverisë serbe Dr. Vlladan Gjorgjeviqi (1844-1930). Në librin e tij “Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha” (Arnauti i Velike sile, Beograd, 1913), ky i konsideron shqiptarët racë inferiore. Shqiptarët i paraqet si “njerëz të egër të cilët nuk kanë histori, lëkurëkuq evropianë që flenë nëpër dru me bishtat të lidhur për degë”. I propozon Evropës që mos ta humbë rastin “për t’i ndarë këta njerëz të padisiplinuar midis Serbisë, Greqisë dhe Malit të Zi”.
Qeveria e Mbretërisë së Serbisë mbronte pikëpamjen se shqiptarët “nuk janë kurrfarë populli; ata janë fise të ndara dhe në gjak midis tyre, pa gjuhë, pa alfabet dhe pa fe të përbashkët”. Ideologët dhe politikanët serbomëdhenj konsideronin se “vetëm me ndikime kolonizuese, përkatësisht duke i përfshirë shqiptarët dhe territoret e tyre në shtetin serb, do të bëhej e mundur përfshirja e tyre në jetën e qytetëruar”.
Shtypi serb përhapte stereotipa për shqiptarët si për “njerëz të egër, të paaftë për jetë shtetërore të pavarur”. Shumë dijetarë serbë, para shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, tentonin ta dëshmojnë paaftësinë e shqiptarëve për ta krijuar shtetin e vet, duke thënë se “fiset shqiptare nuk kanë nevojë për shtet, as kanë zotësi të konstituohen në komb, ndaj atyre u nevojitet tutori”.
Socialdemokrati serb Dimitrije Tucoviq (1881-1914), në librin e vet “Serbia dhe Shqipëria” (Srbija i Arbanija, 1914), pikëpamjen e këtillë të politikanëve serbë e sulmon në mënyrë kritike:
“Balkanicus-i (Stojan Protiqi – Xh. Z.) dhe Dr. Vlladani (Vlladan Gjorgjeviqi – Xh. Z.) kanë shkruar nga një libër me synimin e qartë për ta dërmuar të mjerin popull shqiptar dhe për ta dëshmuar paaftësinë e tij për jetë të kulturuar dhe kombëtare. Për të dëshmuar se ky popull si racë nuk ka kuptim për jetë të kulturuar dhe të pavarur, këta dy, çdo gjë primitive te ky popull, e paraqesin jo si shprehje e shkallës historike në të cilën ndodhet ai dhe nëpër të cilën kanë kaluar të gjithë popujt e tjerë, por si shprehje e papërshtatshmërisë racore të tij për një zhvillim kulturor në përgjithësi… Pasioni i Balkanicus-it (Stojan Protiqit – Xh. Z.) në nënçmimin e popullit shqiptar si racë shkon deri aty saqë rolin historik të Skënderbeut ia vesh prejardhjes së tij nga Voisava e cila paskësh qenë gjoja serbe”.
Shënim: Stojan Protiqi (1857-1923) ka qenë një prej themeluesve të Partisë Radikale Serbe; është përpjekur për krijimin e Serbisë së Madhe. Është i pari kryeministër i Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve. Historiani britanik Noel Malcolm (1956- ) u referohet kujtimeve të skulptorit kroat Ivan Meshtroviq (Vërpole, Kroaci, 1883 – South Bend, Indiana, ShBA, 1962) sipas të cilit Protiqi, si ministër në qeverinë serbe, në vitin 1917 kinse paska propozuar që problemi i myslimanëve të Bosnjës “të zgjidhet” me anë të një programi të kryqëzimit apo të kthimit në fenë e krishterë si dhe duke kryer masakër. Në kujtimet e veta Meshtroviqi e citon Protiqin: “Pasi ushtria jonë ta kalojë Drinin, do t’u japë turqve një afat prej 24 apo 48 orësh që të kthehen në gjirin e fesë të të parave të tyre. Ai që do ta refuzojë një gjë të tillë, do të masakrohet asisoj siç kemi bërë dikur në Serbi”.
* * *
Në vigjilje të Luftës së Parë Ballkanike, mbreti i Mbretërisë së SKS, Petar I Karagjorgjeviq (1844-1921), më 1912 ka nxjerrë një komunikatë në të cilën thotë se ushtria e tij do t’u sjellë “liri, vëllazëri dhe barazi jo vetëm serbëve por edhe shqiptarëve”. Pas kësaj, ushtria serbe është nisur për ta pushtuar Shqipërinë, duke kryer ndaj popullsisë shqiptare krime të rënda.
Dimitrije Tucoviqi thotë se shtypi shovinist në Serbi “muaj dhe vite të tëra ka përhapur për popullin shqiptar mendime tendencioze, duke mbjellë te populli serb urrejtje ndaj ‘arnautëve të egër’ dhe duke i fshehur si gjarpri këmbët, mizoritë që i ka kryer ndaj tyre ushtria serbe”.
Pas pushtimit të Kosovës nga Mbretëria e Serbisë, shqiptarët e Kosovës dhe të viseve të tjera jashtë Shqipërisë, u ballafaquan me politikën e serbizimit të dhunshëm. U ndalua përdorimi i gjuhës shqipe, u ndërmor kolonizimi i trojeve shqiptare dhe pastrimi etnik i tyre.
* * *
Shqiptarët nën Mbretërinë e Jugosllavisë; Serbizimi, kolonizimi i Kosovës dhe dëbimi i shqiptarëve – Gjatë periudhës së Mbretërisë së Jugosllavisë, diskriminimi i shqiptarëve ka qenë politikë zyrtare e shtetit. Qeveria e Beogradit me masa të ndryshme u përpoq ta ndryshojë strukturën etnike të Kosovës. Mijëra familje shqiptare u deportuan me dhunë për në Turqi. Njëherazi, qeveria e Beogradit zbatoi një program të gjerë të kolonizimit të Kosovës, duke sjellë aty serbë dhe malazezë, sidomos ish-ushtarë ose pjesëtarë të aradheve çetnike.
Akademiku dhe politikani serb Vasa Çubrilloviq, propozoi dëbimin masiv të shqiptarëve. Vendbanimet e shqiptarëve i përshkruan në mënyrë të figurshme si “pykë e ngulur thellë në tokat tona”. Në vitin 1937 shkroi një memorandum për qeverinë e Millan Stojadinoviqit (Çaçak, Serbi, 1888 – Buenos-Aires, 1961) me të cilin propozon që “problemi shqiptar” të zgjidhet me pastrimin etnik total të Kosovës prej shqiptarëve. Çubrilloviqi thotë: “Është detyrë imperative e shtetit që të mos lejojë që tokën e tij me rëndësi strategjike ta mbajë në dorë një element i huaj që për ne është armiqësor”.
Ai e kritikon kolonizimin serb joefektiv të deritashëm të Kosovës dhe propozon metoda më efektive të dëbimit fizik të popullsisë shqiptare. Ky gjakpirës thotë se “gabimi themelor i faktorëve përgjegjës për zgjidhjen e problemeve etnike ka qenë fakti se në Ballkanin e trazuar dhe të përgjakshëm, kanë tentuar të zbatojnë metoda perëndimore”. Në vend të kësaj, ai thotë se problemi duhet zgjidhur në mënyrë ballkanike: “Është e pamundur që arnautët të luftohen vetëm me kolonizim të shkallëshkallshëm. E vetmja mënyrë dhe i vetmi mjet është forca brutale e pushtetit të një shteti të organizuar, ku ne gjithmonë kemi qenë përmbi ta”.
Çubrilloviqi niset nga pikëpamja se e vetmja mënyrë efikase e zgjidhjes së “çështjes shqiptare” është “shpërngulja masive e arnautëve”. Për ta realizuar dëbimin masiv të shqiptarëve, ai propozon një sërë mjetesh trysnie. Së pari, të krijohet psikoza. Për këtë duhet gjetur agjitatorë të cilët do të agjitojnë për shpërnguljen. Po ashtu, “duhet bërë për vete klerin shqiptar si dhe njerëzit me ndikim, qoftë me para, qoftë me kanosje”. Mjet tjetër është trysnia e aparatit shtetëror i cili, “për ta bërë sa më të vështirë jetesën e arnautëve te ne, duhet t’i shfrytëzojë deri në skajshmëri ligjet”.
Për këtë qëllim, Çubrilloviqi i propozon qeverisë së Mbretërisë së Jugosllavisë: “gjoba, arrestime, zbatim të pamëshirshëm të të gjitha dispozitave policore, ndëshkim të kontrabandës, ndëshkim për prerjen e pyjeve, për lëshimin e qenve, angazhim në punë angarie dhe çfarëdo mjeti tjetër që mund t’i shkojë ndër mend një policie praktike”.
Krahas trysnive policore, Çubrilloviqi propozon edhe presione ekonomike: “mosnjohje të tapive të vjetra, pezullim të punës në kadastër, mbledhje të pamëshirshme të tatimeve dhe të të gjitha borxheve publike dhe private, marrja e kullotave shtetërore, e kullotave komunale, suprimimi i koncesioneve, i lejeve të punës për kafenetë, për tregtitë, për zanatet, konfiskimi i lejeve monopoliste, dëbimi nga shërbimi apo puna shtetërore, private dhe vetadministruese”, etj.
Propozon edhe masa sanitare, si: “zbatim të dhunshëm të të gjitha dispozitave nëpër shtëpi, prishje të mureve dhe të rrethojave të larta përreth shtëpive, zbatim rigoroz të masave veterinere me të cilat do të parandalohej nxjerrja e bagëtisë në tregje”, etj. Dr. Çubrilloviqi propozon edhe trysni fetare në formë “të prishjes së varrezave, ndalimit të poligamisë dhe zbatimit rigoroz të ligjit që vajzat detyrimisht të ndjekin shkollën”.
Përpos trysnisë shtetërore, Çubrilloviqi propozon edhe forma të tjera presioni dhe thotë: “Edhe nisma private mund të bëjë shumë. Kolonëve duhet t’u jepet armë dhe në Kosovë të fillojë aksioni i çetnikëve. Midis malazezëve dhe shqiptarëve duhet të shkaktohen dhe të inskenohen konflikte dhe rebelim lokal të cilat, me mjete sa më efektive, do të shuheshin në gjak”.
Përpos mjeteve të sipërthëna të trysnisë mbi popullatën, Çubrilloviqi propozon edhe një mjet tjetër: “djegien e fshehtë të fshatrave dhe të lagjeve të arnautëve nëpër qytete; këtë formë trysnie Serbia e ka përdorur në mënyrë tejet praktike, pas vitit 1878”.
* * *
Shkrimtari serb Ivo Andriq (Travnik, BH, 1892 – Beograd, 1975) ka qenë ambasador i Mbretërisë së Jugosllavisë në Gjermaninë naziste. Në janar të vitit 1939, me kërkesë të kryeministrit Millan Stojadinoviq hartoi një projekt për ndarjen e Shqipërisë midis Jugosllavisë dhe Italisë. Sipas këtij projekti, Serbia do të duhej ta merrte Shqipërinë veriore dhe portin e Durrësit. Elaborati i Andriqit mban datën 30.I.1939. U hartua si “doracak përkujtues” për çështjen shqiptare për përdorim të brendshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Në projektin e Andriqit thuhet:
“Me ndarjen e Shqipërisë do të eliminohej qendra tërheqëse për pakicën shqiptare në Kosovë, e cila, në rrethana atë reja, do të asimilohej më lehtë. Eventualisht, neve do të na shtoheshin edhe 200.000 – 300.000 shqiptarë, por shumica e tyre janë katolikë, marrëdhëniet e të cilëve me shqiptarët myslimanë kurrë s’kanë qenë të mira. Çështja e dëbimit të shqiptarëve myslimanë për në Turqi po ashtu do të realizohej në rrethana të reja, për arsye se nuk do të kishte kurrfarë rezistence të fortë që të parandalohet një gjë e tillë”.
Në të njëjtën kohë me projektin e Andriqit, më 3 shkurt të viti 1939 u shfaq edhe një projekt për pushtimin dhe për ndarjen e Shqipërisë. Edhe ky memorandum iu dorëzua qeverisë së Mbretërisë së Jugosllavisë të kryeministrit Millan Stojadinoviq. Autor i këtij projekti ka qenë zyrtari i lartë i Ministrisë së Punëve të Jashtme Ivan Vukotiq. Sipas tij, Jugosllavia dhe Italia do ta ndanin Shqipërinë nëpër vijën Strugë-Librazhd-Elbasan-Durrës. Me këtë, Serbia do të fitonte mbi 300 km të bregdetit shqiptar të Adriatikut. Në fund të referatit të vet, Vukotiqi thotë: “Më mirë të kemi një dritare italiane në Ballkan sesa një shtëpi shqiptare”.
* * *
Urrejtja serbe ndaj shqiptarëve gjatë Luftës II Botërore – Gjatë periudhës së luftës, urrejtja midis serbëve dhe shqiptarëve arrin kulmin. Në raportin e Komandës së Korpusit II të Çetnikëve dërguar komandantit të ushtrisë çetnike, gjeneral Dragolub (Drazha) Mihajlloviqit (1893-1946), çetnikët deklarojnë: “Do të luftojmë kundër turqve (boshnjakëve – Xh. Z.) dhe shqiptarëve deri në shfarosjen e tyre. Urrejtja ndaj shqiptarëve dhe turqve i tërheq madje edhe ithtarët e komunizmit”.
Shumë çetnikë, pas amnistisë në gusht të vitit 1944, iu bashkuan njësive partizane, duke ruajtur ndaj shqiptarëve qëndrimin armiqësor.
Menjëherë pas çlirimit të Beogradit, më 3 nëntor 1944 Çubrilloviqi ua paraqiti pushtetarëve komunistë projektin e vet të ri me titullin “Problemi i pakicave në Jugosllavinë e re”. Këtë herë ai propozon shpërnguljen apo dëbimin nga Jugosllavia të të gjitha pakicave josllave. Kreut ushtarak dhe shtetëror më të lartë, Çubrilloviqi i propozon ekspatriimin (çatdhesimin) e miliona njerëzve. Sipas tij, kjo do ta kishte zgjidhur problemin e pakicave në Jugosllavi.
Ai thotë se “Jugosllavia Federative Demokratike mund të ketë paqe dhe prosperitet vetëm kur të bëhet etnikisht e pastër dhe po qe se me zgjidhjen e çështjes së pakicave, njëherë e përgjithmonë i eliminon shkaqet e fërkimeve midis vetes dhe shteteve fqinje”. Çubrilloviqi thotë se “grupet minoritare në Jugosllavi siç janë gjermanët, hungarezët, shqiptarët, italianët, rumunët vetë kanë hequr dorë nga të drejtat e tyre qytetare, duke dalë haptas me qëndrim armiqësor ndaj shtetit në të cilin jetojnë. Për këtë arsye, ata duhet të dëbohen nga shteti ynë, ngase një gjë të tillë edhe e kanë merituar”.
“Me rastin e zgjidhjes së problemit të pakicave, ne duhet me çdo kusht ta pushtojmë etnikisht Baçkën dhe Kosovën e Metohinë, duke flakur me këtë rast nga vendi ynë qindra mijë hungarezë dhe arnautë”.
Çubrilloviqi thotë: “Këto luftëra janë çasti më i përshtatshëm për zgjidhjen e këtyre problemeve. Për ta zgjidhur këtë çështje në kohë paqeje, nevojiten dekada dhe shekuj, ndërsa në kohë luftërash, çështja zgjidhet brenda ca muajve apo brenda ca vitesh”. Prandaj ai propozon: “Ushtria, qysh gjatë operacioneve luftarake, t’i pastrojë këto vise nga pakicat kombëtare, me plan dhe në mënyrë të pamëshirshme. Pas kësaj, në këto rajone do të vendosej elementi kombëtar yni”.
Sipas Çubrilloviqit, aleatët, me t’u bindur se pakicat janë fajtorë për miliona viktima jugosllavë gjatë Luftës II Botërore, do të pajtoheshin me këtë aksion.
Po qe se shpërngulja apo dëbimi i plotë nuk realizohet me sukses, Çubrilloviqi para shikon masa plotësuese, siç janë: “suprimimi i të gjitha të drejtave, çelja e kampeve të grumbullimit, konfiskimi i pasurive të tyre, shpartallimi i inteligjencies dhe i klasave të larta”.
Çubrilloviqi është i vetëdijshëm se për këtë projekt nevojiten mjete financiare dhe njerëz të besueshëm, por edhe organizim në shkallë institucionale. Për këtë arsye, ai propozon edhe themelimin e një ministrie të posaçme apo të paktën të një komisariati pranë Ministrisë së Bujqësisë.
Shënim: Në vitin 1987, në 90-vjetorin e lindjes, Vasa Çubrilloviqi u dekorua nga Kryesia e RSFJ-së me shpërblimin “7 Korriku”. Në cilësinë e Kryetarit të Kryesisë së RSFJ-së, shpërblimin e nënshkroi Sinan Hasani (Pozharan, Kosovë, 1922 – Beograd, 2010).
* * *
Albanofobia në Jugosllavinë komuniste – Pas rezolutës së Informbirosë të viti 1948, shqiptarët në Jugosllavi u trajtuan si element armiqësor dhe si spiunë të Shqipërisë së Enver Hoxhës (1908-1985). Qëndrim brutal ndaj shqiptarëve ka pasur sidomos Aleksandar Rankoviqi (1909-1983), i cili ishte shef i Drejtorisë Shtetërore të Sigurisë (Uprava državne bezbednosti – UDB-a).
Pas demonstratave të shqiptarëve në Kosovë në vitin 1981, në Serbi fillon një propagandë e organizuar për gjoja gjenocidin ndaj serbëve në Kosovë. Fabrikohen raporte për përdhunimin e serbeve, për shpërnguljen e serbëve etj. Shpërnguljen e serbëve nga Kosova, nacionalistët serbë e paraqesin si pasojë trysnie. Këtë e shfrytëzojnë si dëshmi se shqiptarët, serbëve që janë në shtetin e vet, u shkaktojnë padrejtësi të madhe.
Kah mesi i viteve 1980, diskursi i urrejtjes në mediumet serbe, përqendrohet ndaj shqiptarëve. Kah mesi i viteve 1980, pranë emrit shqiptar përdoren fjalët: “gjenocid”, “zullum”, “grabitje”, “përdhunim”. Përmendja e shqiptarëve edhe në diskursin privat mori një konotacion negativ.
Shënim: Duhet shtuar se asnjë serb i kohës së lartpërmendur nuk është shpërngulur nga Kosova për shkak të ndonjë trysnie të kryer prej shqiptarëve. Ka pasur ndonjë serb që ka shkuar nga Kosova për t’u vendosur në Beograd apo në Vojvodinë, pra aty ku standardi jetesës ka qenë më i lartë. E shfrytëzuar nga Serbia që nga viti 1912 e këndej, Kosova kishte mbetur rajoni më i pazhvilluar i Jugosllavisë. Si e tillë, kishte serbë që në një Kosovë të ngecur, nuk shihnin perspektivë, ndaj shkonin atje ku pandehnin se është më mirë.
* * *
Në vitin 1985 u botua vepra “Libër për Kosovën” (Knjiga o Kosovu). Autor i këtij libri është historiani serb Dimitrije Bogadanoviq (1930-1986). Teza themelore e këtij libri është “Shqiptarët zbatojnë ndaj serbëve gjenocid të planifikuar”. Në libër flitet për të kaluarën dhe për gjendjen politike në Kosovë. Libri ka një qëndrim tejet kritik ndaj politikës zyrtare të Jugosllavisë që nga fundi i viteve 1960. Në të vërtetë, autori akuzon autoritet e Kosovës – të mbizotëruar prej shqiptarëve – “për separatizëm shqiptaromadh dhe për politikën e ndjekur në dëm të popullatës serbe, e cila si pasojë po shpërngulet në Serbinë qendrore”.
Libri vjen pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë. Konflikti serbo-shqiptar pas këtyre demonstratave, ka qenë çështje politike kryesore në Jugosllavinë e asaj kohe. Libri i këtij pseudohistoriani është konsideruar si një prej veprave të para që i ka formuluar tezat “për pozitën e pabarabartë të serbëve në Jugosllavinë e atëhershme”. Tezat e tilla do të përpunohen në mënyrë më të hollësishme një vit pas botimit të librit të Bogdanoviqit. Ka autorë që thonë se libri i Bogdanoviqit, për shkak të stereotipave antishqiptare, qenkësh bërë objekt kritike.
Në vitin 1986 u botua anonim “Memorandumi” i Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve. Ky memorandum, demonstratat e Kosovës të vitit 1981 i quan “agresion neofashist”.
Pseudoakademikët serbomëdhenj, autorë të Memorandumit famëkeq, thonë: “Ndaj popullsisë serbe në Kosovë zbatohet gjenocid fizik, politik, juridik dhe kulturor”. Në këtë farë memorandumi, shqiptarët paraqiten si “zjarrvënës apo intrigantë, vrasës, përdhunues dhe nekrofilë”. Pas disa viteve, një komision ekspertësh i Kombeve të Bashkuara, këtë memorandum e vlerësoi si mjet i përhapjes së ndjenjave antishqiptare”.
Shënim: Demonstratat e viti 1981 në Kosovë janë një prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë së kombit shqiptar. Ndërkaq, sa u përket autorëve serbomëdhenj që thonë se pas vitit 1966, ndaj serbëve në Kosovë qenkësh bërë padrejtësi, trysni deri në gjenocid, kjo s’është veçse gënjeshtër e kulluar. Është pjesë e propagandës gebelsiane serbomadhe. Më 13 korrik 1966, Josip Broz Tito, në një plenum të mbajtur në ishullin Brioni, e shkarkoi nga të gjitha detyrat antishqiptarin e përbetuar Aleksandar Rankoviqin. Serbomëdhenjtë kanë dashur që rankoviqizmi të sundojë në Kosovë, me metodat çubrilloviqiane, deri në pafundësi. Serbët, barazinë e të tjerëve, e konsiderojnë pabarazi për veten.
* * *
Në vitet ’80 të shekullit XX, mediumet shtetërore, e sidomos Radiotelevizioni i Serbisë, qëllimisht përhapnin dezinformata apo informata të rrejshme për gjoja dëmet ndaj serbëve në Kosovë, duke përfshirë edhe përdhunimet e serbeve. Për të përhapur pasqyrë negative për shqiptarët, këto farë mediume nuk reshtën së zhvilluari fushatë antishqiptare.
Albanofobia në periudhën bashkëkohore – Prej viteve ’90 të qindvjeçarit XX, në saje të propagandës së regjimit të S. Millosheviqit (1941-2006), shqiptarët bëhen “armiq” më të mëdhenj të serbëve. Për përhapjen e ndjenjave antishqiptare, ka dhënë një kontribut të madh edhe Kisha Ortodokse – fashiste – Serbe. Kjo farë kishe, shqiptarët i quan, jo “albanci”, por “shiptari” (šiptari). Kur shkruajnë për shqiptarët, autorët kishtarë kryesisht i theksojnë anët e këqija të tyre, duke i përshkruar si përdhunues dhe keqbërës.
Gjatë viteve 1998 dhe 1999, pushtetarët serbë zbatuan fushatën e pastrimit etnik të shqiptarëve nga Kosova, të njohur si operacioni “Patkua”.
Në aktakuzën kundër udhëheqësve serbë për krime lufte në Kosovë, thuhet: “Policët, ushtarët dhe eprorët ushtarakë, vazhdimisht i kanë fyer shqiptarët, i kanë ofenduar si racë, i kanë nënçmuar, kanë përdorur masa fizike dhe forma të tjera të përbuzjes, të bazuara në përkatësinë racore, fetare dhe politike të tyre”.
Profesoresha e historisë në Fakultetin Filozofik të Beogradit Olivera Millosavleviq (1951-2015) thotë: “Intelektualët bashkëkohorë serbë për shqiptarët shkruajnë kryesisht në kuadër të stereotipave për urrejtjen ‘e lindur’ të tyre ndaj serbëve, që qenkësh produkt ‘i vetive’, ‘i primitivizmit’ dhe ‘i hajdutërisë’ së tyre”.
* * *
Shkrimtari dhe akademiku serb, kryetar i RFJ-së në vitet 1992-1993, Dobrica Qosiq (1921-2014) është konsideruar pater patrieae. Nuk figuron si një prej hartuesve të Memorandumit të ASShA-së të viti 1986. Megjithëkëtë, ai është ati shpirtëror i këtij projekti. Ka të kryer shkollë të mesme bujqësore si dhe kurs për komisar në Shkollën politike “Gjuro Gjakoviq”. Në vitin 1966 iu kundërvu shkarkimit të Aleksandar Rankoviqit nga Titoja.
Pushtetit të Titos iu kundërvu kah fundi i majit të vitit 1968, kur në seancën e Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë deklaroi: “Ndaj serbëve në Kosovë ushtrohet terror dhe dhunë. Këtë e bëjnë shqiptarët që marrin pjesë në pushtetin e Kosovës”. Pohimet e tij u dënuan prej Komitetit Qendror. Ai u largua vetë nga LKJ-ja dhe hiqej si disident kundër Titos.
Sidomos pas Kushtetutës së vitit 1974 të RSFJ-së, ky dhe akademikët e tjerë serbë filluan të vajtojnë “për fatin e rëndë të serbëve në Jugosllavi”. Qosiqi tha: “Atë që serbët e fitojnë me luftë, e humbin në paqe”.
Për shqiptarët Qosiqi ka thënë: “Kjo fundërrinë sociale, politike dhe morale e Ballkanit barbar tribal, e merr për aleat Amerikën dhe Bashkimin Evropian në luftë kundër popullit më demokratik, më të qytetëruar, më të arsimuar të Ballkanit – popullit serb”.
* * *
Pas hulumtimit të kryer “Pasqyrë e raportimit për Kosovën në mediumet e Serbisë”, Nisma e të rinjve për të drejtat e njeriut deklaron: “Për gjendjen në Kosovë, mediumet e shkruara raportojnë njëanshëm dhe në mënyrë jo të plotë. Me diskursin e urrejtjes, paragjykimet ndaj shqiptarëve, edhe ashtu të mëdha, i forcojnë akoma më shumë”.
Sipas hulumtimit të Strategjik marketing të viti 2009 për diskriminimin dhe distancën sociale në Serbi, shqiptarët, në krahasim me grupet e tjera etnike, në mënyrë konsekuente ndodhen në fund të listës.
Në Serbi, gjeneratorë të urrejtjes ndaj shqiptarëve janë edhe shoqata të ndryshme të skajshme apo ekstremiste si dhe grupet e tifozëve. Urrejtje e skajshme ndaj shqiptarëve manifestohet haptas nëpër tribunat e stadiumeve të futbollit si dhe në tubimet e organizatave profashiste, siç është Lëvizja Atdhetare Fytyra / Nderi (Otaçastveni pokret Obraz) që dalin me parullat: “Vra, ther që shqiptari të mos ekzistojë”, “Serbia serbëve, shqiptarëve sëpata”, “Vraje shqiptarin”, “Vraje kroatin që shqiptari të mos ketë vëlla” (Ubij Hrvata da Šiptar nema brata).
* * *
Kah fundi i viteve ’80 të qindvjeçarit XX e më pas, rrugës së serbomëdhenjve të sipërthënë ecën Sllobodan Millosheviqi dhe Voisllav Shesheli. Rrugën e tyre po e ndjek me përpikëri pinjolli i tyre Aleksandar Vuçiqi. Politika destruktive e tyre është mbështetur fuqimisht nga Vlladimir Putini dhe Sergej Llavrovi. Ka bar për marrëzinë serbe – veçimi apo izolimi i plotë nga bota perëndimore. Edhe ashtu, Beogradi i ka sytë kah vendet e BRIKS-it.
MREKULLI N’KATROR: NJË LETËR DASHURIE PËR ZEMRAT E ARSIMUARA
Kopertina në 3D, kredit për Gjekë Marinaj!
[ Porosit librin online: Mrekulli n’katror nga Arben Çokaj]
Në sferën e poezisë bashkëkohore shqipe, përmbledhja poetike Mrekulli n’katror e Arben Çokajt qëndron si një manifestim triumfues i erudicionit ndërdisiplinor. Për syrin e tij erudit, poezia nuk është thjesht një përzierje fjalësh të lidhura bukur, por një ekspozim i strukturës më të brendshme të shpirtit njerëzor. Mrekulli n’katror është një ekspoze e tillë, një ndërthurje e kujdesshme e kërkimit filozofik, rezonancës emocionale dhe gravitacioneve të qarta intelektuale. Ky libër nuk është thjesht arti i një poeti, që në një moshë jo tradicionale del para lexuesit me librin e parë me poezi, por ai i një mendjeje të edukuar, që kërkon dhe gjen, humbet dhe rimëkëmbet, duke qëndruar gjatë gjithë kohës i palëkundur në angazhimin e tij, për zbulim dhe sofistikimin protonizmiatik në jetë.
Pothuajse çdo poezi në këtë përmbledhje mund të krahasohet me një prizëm, duke e ndarë rrezen monokromatike të përvojës njerëzore në një spektër ngjyrash emocionale dhe filozofike. Gjerësia e temave të trajtuara, nga paradokset e kohës në poezinë “Koha” deri tek prekja delikate e lidhjes njerëzore në poezinë “Çast”, tregon aftësinë e Çokajt për të trajtuar universalitetin përmes specifikave, një dëshmi e edukimit dhe njohurive të tij të gjera. Libri, në sinkron të plotë me kuptimin shumëdimensional të titullit të tij, është me të vërtetë një ndërthurje e mrekullueshme e ndjekjeve të ndryshme intelektuale të Çokajt.
Brenda këtyre kontureve mund ta shohim poezinë “E përsëri heshtim”, e cila thellohet në kompleksitetin e dëshirës njerëzore, duke e vënë atë përballë natyrës së pakapshme të lidhjes me realitetin. Këtu, Çokaj frymëzohet nga përshkrimi alegorik i Platonit, të natyrës njerëzore në shpellë, duke kërkuar hijet si zëvendësim për realitetin, por e bën këtë në sferën poetike, ku heshtja flet me zë më të lartë se fjalët.
Në përbërjen specifike në shqyrtim, prania e theksuar e “heshtjes” shërben si një testament bindës për zbatueshmërinë e saj, veçanërisht kur vihet përballë rolit të dyfishtë të poetit si shkencëtar. Ky dualitet nuk është thjesht një bashkim i identiteteve të ndryshme, por një mishërim i një ndërseksionaliteti të nuancuar.
Baza akademike e Çokajt në Fizikë i kapërcen kufijtë konvencionalë të një kualifikimi të thjeshtë; ai i jep një shtresë të thellë introspeksionit mekanikës universale në poezi. Kjo aftësi për të gërmuar thellë dhe për të artikuluar emocione të ndërlikuara manifestohet dukshëm në poezinë inauguruese të koleksionit të tij, “Dikur”, që ofron një kërcim inaugurues mes dy shpirtrave të ngatërruar në grahmat e dashurisë rinore.
Ai paraqet kalueshmërinë tragjike të emocionit, një kujtesë bezdisëse se ndonjëherë, lidhjet më të thella mund të lindin pasione të mëvonshme. Imazhet e Çokajt për “pluhurin magjepsës” të mbetur në pemën e shpresës, shërben si simbol i momenteve të humbura në kohë dhe i pashmangshmërisë së ndryshimit në marrëdhënie, qoftë nga rrethanat apo nga dekreti i vetë natyrës.
Ngjashmërisht, në veprën poetike të Çokajt, vërehen paralele të dallueshme që përputhen në mënyrë harmonike me parimet e Derridës për “dekonstruksionin”. Paralele të tilla nuk imponohen përmes ngurtësisë ideologjike, por duket se dalin organikisht. Disa kompozime, si “Sentencë” dhe “Çudi”, madje demonstrojnë një qasje sofiste ndaj kësaj paradigme dëkonstruktive.
Një tipar i spikatur i poezisë së Çokajt është procesi i saj përsëritës i zbërthimit të nocioneve të vendosura, duke i rindërtuar më pas ato në një mënyrë, që e detyron lexuesin të rivlerësojë interpretimet e tyre paraprake. Kjo pasqyron theksin filozofik, që Derrida vendos mbi përparësinë e gjuhës dhe rrjedhshmërinë e brendshme të kuptimit, një ndjenjë që kumbohet dukshëm në ndërthurjen e ndërlikuar të emocionit dhe introspeksionit të poezisë së Çokajt.
Ndaj Çokaj gërmon edhe më thellë në botën e tij shumë-këndëshe në poezinë “Është koha kur”, në të cilën paraqet një shqyrtim të thellë ekzistencial, që të kujton filozofitë e përqafuara nga mendimtarë të njohur si Jean-Paul Sartre dhe Albert Camus. Kjo pjesë shërben si një cri de coeur 1) therëse, duke artikuluar absurditetet dhe kontradiktat e qenësishme, që përshkojnë ekzistencën njerëzore.
Duke u thelluar në përbërësit e saj strukturorë, poezia ngjall elemente të korit klasik grek. Historikisht, kori grek jo vetëm që luajti një rol të rëndësishëm në teatër, por gjithashtu funksionoi si një medium për të ofruar komente, paralajmërime dhe vajtime, në lidhje me vuajtjet shoqërore. Rrjedhimisht, “Është koha kur” mund të perceptohet si një reflektim introspektiv mbi ekzistencën individuale dhe një koment më i gjerë mbi sfidat mbizotëruese dhe sëmundjet e shoqërisë.
Ky këndvështrim unik mbulon terren të njëtrajtshëm edhe në poezinë “Përsiatje”, ku përdor ambientin intim të një zyre për të eksploruar humnerën e madhe të introspeksionit njerëzor. Në një “dremitje” të drejtpërdrejtë ndaj rrëfimeve të rrymës së vetëdijes së Virginia Woolf-it, Çokaj, me finesë, thellohet në mendje, duke shfaqur lakueshmërinë dhe kaosin e saj të natyrshëm, në akord me firon shoqërore të kohës. Është një kujtesë elokuente e aftësisë së poetit, për të marrë të zakonshmen dhe për ta shndërruar atë në të thellë.
Por ndoshta kurorëzimi i librit të Çokajt është mënyra se si ai ndërthur eksplorimin intelektual me emocionin e papërpunuar e të shfrenuar. “Kush guxoi… Vdiq!” është një shtresë e hollë e dualitetit të ekzistencës njerëzore – etja jonë e pashuar për jetë, e ndërthurur me kërcimin tonë të pashmangshëm me vdekjen.
Në poezinë “Ringjallje”, natyra merr në qendër skenën si një metaforë për qëndrueshmërinë e qenësishme të jetës. Lulja e brishtë e poezisë, e rilindur nga kthetrat e shkretimit të dimrit, të kujton këmbënguljen e shpirtit njerëzor. Është një thirrje për t’u ripërtërirë mes vështirësive, duke treguar se si jeta, si uji që rrjedh nëpër lumenj, mbetet e pa vdekur, duke i bërë jehonë mendimeve filozofike të studiuesve të lashtë, të cilët e parashtruan jetën si një lumë që rrjedh gjithnjë.
Kjo poezi duket se bazohet në filozofinë e përhershme, që natyra shërben si pasqyrë për rilindjet dhe rëniet tona. Lulja, megjithëse e brishtë, ngrihet nga varri i saj dimëror, i ngjashëm me konceptin e Niçes për ‘përsëritjen e përjetshme’. Jeta, në të gjitha zbaticat dhe rrjedhat e saj, është një valle ciklike e rilindjes. Poezia ofron një këndvështrim optimist, i cili postulon se rinovimi, edhe pas fatkeqësive më të rënda, nuk është thjesht një mundësi, por një eventualitet.
Kjo kritikë e fuqishme e botës moderne, me fasadat dhe besnikërinë e saj kalimtare merr jetë edhe në “Sinqerisht”. Soditja e Çokajt mbi ndershmërinë, një virtyt gjithnjë i pakapshëm, rezonon me mendimtarët nga Sokrati te Foucault, të cilët edhe ata në kohën dhe hapësirën e tyre, u përballën me relativitetin e së vërtetës në një botë të mbështjellë me mashtrim. Në një të sotme të çuditshme, ku sinqeriteti bëhet një mall gjithnjë e më i pakët, soditja e Çokajt përkon edhe me nocionin e Kierkegaard-it për ‘veten’ dhe ‘të vërtetën’. Në kakofoninë e shoqërisë së sotme, ku shpesh maskat lënë në hije shprehjet e vërteta, kjo poezi mbetet një lutje e dëshpëruar për një kthim në autenticitet.
I sinqertë, gjithashtu, se perceptimi bashkëkohor e ka humbur disi ekuilibrin midis kuptimësisë së fjalëve “autenticitet” dhe modernitet, në poezinë e bukur titulluar “Një hiç”, poeti zhytet në përsiatjet ekzistenciale, duke ofruar një perspektivë përulëse mbi rëndësinë njerëzore. Në një univers kaq të gjerë, deklarata e mprehtë e poezisë, “unë jam një hiç”, i bën jehonë ndjenjave të filozofëve ekzistencialë si Camus dhe Sartre, ilustruar mençur me një përballje befasuese, ku një milingonë, që bën dashuri në kanale, kap shkëlqyeshëm absurditetin e qenësishëm të jetës. Poezia kap bukur dualitetin e ekzistencës – parëndësinë e qenieve individuale brenda teatrit të gjerë kozmik, megjithatë thekson edhe rëndësinë e thellë të çdo emocioni, çdo lidhjeje, brenda universit personal.
Natyrisht, një univers që kumbon me nota trishtuese për poetin, i cili në poezinë e ndjerë thellë “Jetoj me trishtimin e vendit tim” ofron një “vajtim” sa personal, ashtu edhe kolektiv për kombin tonë, ku pesha e tragjedive kombëtare dhe e vuajtjeve personale bashkohen në një valle të tmerrshme. Duke tërhequr paralele me njerëz si Tolstoi apo Solzhenicini, të cilët portretizuan ndërthurjen e dhimbjes personale me vuajtjen kombëtare, Çokaj krijon një qëndrim njerëzor gjithë-përfshirës elasticiteti melankolik.
Në kanavacën e këtyre poezive, Çokaj gërsheton me mjeshtëri thellësisht personalen me universalen, duke e përfshirë lexuesin në një dialog simfonik të emocionit dhe intelektit. Duke “jetuar me trishtim”, poezitë e tij nxisin një introspeksion soditës, duke e nxitur lexuesin të përshkojë thellësitë e psikikës njerëzore dhe hapësirën e parëndësisë sonë kozmike. Pra vargjet e Çokajt, të pasura me ngjyrime filozofike, nuk janë thjesht një ofertë, por një sfidë – një sfidë për të hetuar, reflektuar dhe në fund të fundit, për të kuptuar.
Ai e kulmon ketë ndjesi si pjesë e përgjegjësisë së tij si poet dhe njeri në poezinë “Një histori e shekullit të kaluar më bën të qaj” duke u bërë një bashkudhëtar, një përjetues direkt i ndërlikimeve dhe emocioneve njerëzore. Me këtë “strategji” të trajtuar me mjeshtri, Çokaj bën që dikotomitë e paraqitura – ndjenjat kalimtare të vendosura përballë të vërtetave të përjetshme, përballja e dashurisë dhe dhunës – ta shtyjnë lexuesin të përballet me natyrën e paparashikueshme, shpesh paradoksale të përvojës njerëzore.
Këto janë vetëm disa aspekte të poezisë së Çokajt, që na bindin se vargjet e tij nuk janë thjesht shprehje poetike, por kërkime të thella filozofike. Ato sfidojnë konventat, shtyjnë kufijtë dhe ftojnë për t’u introspeksionuar. Çdo poezi qëndron si një testament për shpalosje komplekse të jetës, duke endur së bashku fijet e dashurisë, humbjes, rilindjes dhe ankthit ekzistencial. Lexuesit nuk janë thjesht vëzhgues pasivë, por pjesëmarrës aktivë në këtë rrugëtim lirik, i cili premton zbulime të thella dhe rezonancë të thellë emocionale.
Një libër që duhet lexuar e studiuar me mendje të hapur, sepse në rreshtat e Mrekulli n’katror dëshmohet një përzierje e përvojave, interesave dhe zgjedhjeve të ndryshme të Çokajt. Kjo përmbledhje poetike nënvizon ndikimin e thellë të prejardhjes së tij eklektike, duke e bërë atë një lexim thelbësor për ata, që kërkojnë thellësi dhe shkathtësi në artin poetik. Ai shërben si një dëshmi elokuente për thellësitë, që mund të arrihen kur kufijtë midis disiplinave janë gati të tejdukshme. Vëllimi Mrekulli n’katror nuk është thjesht një përmbledhje me poezi; është një tour de force 2) e aftësive intelektuale dhe emocionale të autorit.
Është një dëshmi e madhështisë, që mund të arrihet kur bashkohen njohuritë, arsimi dhe talenti i pa kompromentuar. Ky vërtet është libri i parë me poezi i Çokajt, por në thelb është një letër dashurie për zemrat e arsimuara, një fener për ata që kërkojnë thellësi, si në emocion ashtu edhe në intelekt.
◼ Gjekë Marinaj, PhD
Kandidat për çmim Nobel në letërsi
1) një apel, ankesë ose protestë pasionante.
2) një performancë ose arritje, që është arritur ose menaxhuar me shumë aftësi.