Malësi/Me krenari e nostalgji i kujtoj mësuesit e mi

0
736

Gjekë Gjonaj

Brezi im dhe brezat e mëparshëm  në fshatin tim të lindjes në Triesh janë rritur me figurën e shenjtë të mësuesit, të cilën ne e kishim gati si perëndi, ngase  vetë mësuesit   ishin jo vetëm mësues, por  frymëzim dhe shembull ideal për ne, misionarë .

Gjithkush në  botë ka mësuesit e tij. Edhe unë  i kam regjistruar dhe i mbaj  në kujtesën time  mësuesit e mi  trieshjanë në SH.F. Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” në Triesh të cilët  i kujtoj me krenari e nostalgji dhe s’do t’i harroj kurrë , meqë ata janë mirënjohja e nderimi im.

Megjithëse këta misionarë të arsimit, fisnikë e atdhetarë, komisarë të dritës, edhe pse   punonin  në kushte të vështira ata vazhdimisht ishin njerëz të zotë,   të përkushtuar që  synonin të  përçojnë dijen tek  nxënësit. Ata  me gjithë qenien e tyre janë  angazhuar që nxënësit e tyre të jenë të suksesshëm. Vështirësitë e nxënësve bëheshin  vështirësitë e tyre, qeshnim dhe hidhëroheshim së bashku.  Klasa ishte   një familje e madhe e mësuesi herë ishte  në rolin e kryefamiljarit, herë të psikologut, herë të nënës, herë të shokut e herë të shoqes. Mësuesit nuk ai falnin  vetes asnjëherë nëse një nxënës nuk arrinte  të jetë i suksesshëm në jetë! Jam  me fat që kam pasur mësues të tillë, që çdokush do të dëshironte t’i kishte.

 

Jam i bindur  se  mësuesit e mi,  edhe pas  shumë dekadash   në arsim, ndjeheshin sikur ditën e parë të shkollës. Ka qenë ky një brez mësuesish që kanë punuar me pasion, sepse mësimdhënia është me të vërtetë jo thjesht profesion, por është pasion, dëshirë, është shpirti që kanë dhënë për vite të tëra për edukimin e brezit të ri.  Ata kishin shkumësin në dorë, buzëqeshjen, kishin dëshirën për të dhënë maksimumin e tyre. 

Unë sot  kujtoj  me mall kohën kur kam qenë nxënësi i tyre, kohë që për mua dhe mësuesit e mi, ka qenë një ëndërr,  ndër pjesët  më të bukura në jetë. Mësuesit e mi  edhe sot e gjithmonë do t’i  kujtoj me shumë nostalgji, gjithnjë ashtu të qeshur, me fjalë të ëmbla. Ata na kanë mësuar gjithnjë me atë mënyrën e tyre    të them  aktoriale.  Kanë qenë shumë të dhënë për arsimin.  Dashurinë e bukur të mësuesit   e shprehnin te ne nxënësit. Jemi të bekuar  që kaluam nëpër duart e tyre.  Mësimdhënia për ta ishte  gjëja më e jashtëzakonshme që mund t’i ndodhë  njeriut në jetë. Ata na thoshin  ta duam mësimdhënien, jo për të marrë një rrogë , por thjesht për të kuptuar se aty është zemra e tyre, pasioni i jetës së tyre.  Disa nga mësuesit e mi janë gjallë,  ca të tjerë nuk jetojnë më me ne, por  dëshira e tyre për mësimdhënien ka mbetur e përjetshme. Roli i tyre në procesin edukativo-arsimor ishte  shumë i rëndësishëm për zhvillimin e përgjithshëm të shoqërisë, andaj  ata janë  heronjtë tanë!