NË PËRKUJTIM TË KËNGËTARIT NGA MALËSIA, LINDON GJETO CAMAJ

0
581

Shkruan, Gjokë Dukaj

 

Kohë më parë, Malësia i dha lamtumirën e fundit, këngëtarit të mirënjohur Lindon Camaj, këtij biri të Malësisë i cili me zërin dhe përkushtimin e vet kësaj fushe ishte i pranishëm, pothuajse, 30 vite me radhë në skenën muzikore gjithëkombëtare. Kuptohet se në raste të ngjashme janë  shumë asish që kanë çka të flasin dhe të shkruajnë për ata që gjatë jetës së vet nuk janë kurësyer të jenë me bashkëvendësit e vet, me bashkëkombësit kudo duke u prezantuar me krijimtarinë e tyre, në rastin konkret përmes këngës. Lindoni ishte djalosh i ri kur filloi të paraqitet në skenën muzikore në këto hapësira dhe dukej qartë pasioni i tij për të kënduar këngën e bukur shqipe nën tingujt e njohur të muzikës shqiptare. Dashuria e flakët për të krijuar e shtynte Lindonin të konatktonte persona të cilët me përvojën  e vet mund ta ndihmonin në rrugëtimin e tij të mëtejme, pasi ai gëzonte përkrahjen e madhe të familjes që të verponte në këtë drejtim. Një ditë u takuam rastësisht dhe, pasi ai ishte djalosh i ri, mu prezantua dhe më befasoi si ky djalosh aq i ri ishte këmbëngulës të ulemi në njërin prej lokaleve aty afër në qendër të Tuzit. Mora vesh se kush ishte, dëshirat që kishte për të kënduar si dhe prejardhjen e tij familjare dhe u kënaqa me kur vërejta pasionin e tij për këngën dhe menjëherë më kërkoi ndonjë tekst të ndonjë kënge të re, pasi kishte në plan realizimin e një albumi të ri, me këngë të reja sa më parë. Pasi ia premtova se së shpejti do ti sjelli disa tekste të reja e që i kisha të gatshme, Lindoni mes tjerash, më kërkoi të shkruaj një këngë për mërgimin dhe një tjetër për maturantët. Më tha; “mërgimi është shpirti i popullit tonë kurse maturantët, janë e ardhmja jonë. Kamë dëshirë t’i kemë këto dy tekste të reja.” Kështu filluam bashkëpunimin me këtë pinjoll të familjes së njohur të Gjeto Kolë Ucit Camaj, kësaj familje të nderuar në trevën e Malësisë, të njohur për virtytet më të larta njerëzore brez pas brezit. Babai i Lindonit, Gjeto Kolë dhe nëna e tij, Age, më përjetonin si një të afërm të tyre dhe dera e tyre bujare e hapur gjithmonë për miq dhe të njohur, më priti shumëherë zemërgjerë dhe me dashamirësinë më të madhe njerëzore. Rrugëtimi i Lindonit si këngëtar,  e pati rrjedhën e vet dhe ajo, tashmë, është e njohur për dashamirët e këngës kudo. Ajo që e veçoi Lindonin, ishte dashuria e madhe për t’u kënduar virtyteve njerëzore, traditës, besës, atdhedashurisë dhe të gjitha vlerave kombëtare të trashëguara nëpër shekuj. Ai, me dashuri dhe guxim këndoi për virtytet kombëtare por edhe për hallet dhe brengat që rëndonin bashkëvendësit e tij kudo. I këndoi trimërisë dhe urtësisë, fjalës dhe besës, kulturës dhe historisë, padrejtësive dhe ngjarjeve të shumta nga e kaluara e largët dhe e afërt. Me guxim dhe përkushtim, këndoi për vepra dhe trashëgiminë kombëtare. Kënga e tij, zëri i tij i qetë dhe i dashur dëgjohej kudo; në dasma e gëzime, koncerte e argëtime, në ambiente të mbyllura e të hapura e, sidomos nga të rinjtë të cilët e donin dhe adhuronin këngën e tij. Ai, askurr nuk parashtroi çështjen e çmimit por dëshira e tij ishte të këndojë dhe të gëzoj bashkëkombësit e vet. Nga përvoja ime e dijë se Lindoni, në rrugëtimin e tij në fushën e muzikës, kishte përkrahjen më të madhe nga familja e tij, nga më të afërmit e tij të cilët bashkëudhëtuan me birin e vet, më vëllain e vet në dëshirat dhe pasionin e tij për muzikën. Sidomos e donin Lindonin bashkëvendësit tonë që jetojnë në mërgim ku jeton edhe pjesa më e madhe e familjes së tij. Atje e ftonin shpesh që të dëgjojnë këngët e tija por, edhe ta takojnë nga afër dhe të gëzohen së bashku. I tillë ishte Lindoni deri në ditët e fundit të jetës  kur sëmundja e kishte rënduar dhe kur shpresat për shërimin e tij ishin gjithnjë e më të vogla. I rrethuar nga më të dashurit e tij; bashkëshortja, fëmijët, vëllezër e motra, miq e të njohur, Lindoni kujtonte çastet e bukura të jetës, vargjet e këngëve të interpretuara pothuajse 30 vite me radhë dhe të gjithë ata që iu afruan në rrugëtmin e tij të bukurr si këngëtar, si bashkëshort, prind, i afërm dhe mik e bashkëpunëtor i dashur, i përkushtuar, besnik i fjalës dhe vlerave të shenjta të trashëguara nga të parët e vet. Këngën e fundit që i shkrova, po ashtu në temën e mërgimit, Lindoni nuk arriti ta këndonte pasi sëmundja dhe vdekja e parakohshme ishin më të shpejta, por ajo do të publikohet bashkë me ndonjë material tjetër në përkujtim të këngëtarit, mikut tonë Lindon Camaj.  Në shenjë respekti dhe vlerësimit në kontributin e dhënë në rrafshin më të gjerë, Bashkia Malësia e Madhe, në orën përkujtimore të mbajtur në Tuz, me rastin  e vdekjes së këngëtarit Lindon Camaj, i ndau atij mirënjohje të veçantë pas vdekjes, për kontributin e dhënë në fushën e krijimtarisë muzikore. Shembull edhe për të tjerët se si duhet vlerësuar bashkëvendësit e vet të cilët kontribuojnë në kultivimin dhe afirmimin e vlerave të përgjithshme mbarëkombëtare. Urojmë që veprimtarët e këtillë, me traditë  dhe prejardhje të njohur nëpër shekuj, të vlerësohen dhe të përkujtohen nga institucionet vendore dhe nga brezat e rinj.