SHIHEMI NË TIRANË…

0
222
-Aty ku “përleshen” kujtime dhe ëndrrat e bukura-
Shënim dekada shkuar për ata që duan Tiranën.
Ne të ikurit kemi një shprehje të mallshme: “Shihemi në Tiranë…”. Dhe lutemi sinqerisht që kjo të ndodhë. Planifikojmë muaj e vite që vërtet të shihemi me njerëzit e mirë në atë qytet në “preh” të Dajtit dhe pak larg detit. Pa dyshim për ju që takoheni me njëri tjetrin çdo ditë, kjo është një “marri e radhës” nga ikanakët e vendit. Por unë sinqerisht dua të qëndroj këtu, tek ky pohim i mrekullueshëm: “Shihemi në Tiranë!”… Është një dëshirë e madhe, që vjen nga
brenda si një moto kthimi tek vendlindja. Dëshiron një moment t’i kesh në një tavolinë të gjithë miqtë dhe shokët që bënë të shkuarën dhe të ardhmen tënde. Kur isha aty, midis zhurmës dhe rrëmetit, midis kafeve dhe cigareve, midis fjalëve dhe të sharave, kjo shprehje edhe mua më dukej një “lajthithje”. “Shihemi në Tiranë”?! Qeshja tamam si ju tani. Unë desha të ikja. Të largohesha larg, shumë larg ku të mos dëgjoja më shqip dhe të shara shqip. Larg dhe larg,sa më larg, ku të mos shihja fytyrë shqiptari. Aq larg sa të mund të mos kthehesha kurrë tek Tirana. (!!!) Ishte si një lloj vetmallkimi. Kjo është si ajo “lajthitja” e moshës ku fëmija nuk pyet prindin. Një ditë kthehet dhe thotë: “Më fal…”
Unë dhe shumë të tjerë ikëm. Dhe koha i përmbysi të gjitha alibitë. Sado që mu mërzit Tirana me llafet, të sharat, përçmimet dhe urretjet, sërish ajo ngeli Tirana e bukur. Tirana e kafeneve të qeta dhe takimive të befta dhe të paharruara. Tirana e bisedave gazmore dhe shëtitjeve në bulevardin e madh. Tirana e të qeshurave dhe të qarave tona. Tirana e frymëzimeve dhe dëshpërimeve…Nëse ne nuk do të kishim mundësi të shijonim bukurinë, hapësirën dhe bujarinë e Tiranës. Nëse nuk do të kishim prekur atë botë magjike të Tiranës, që ndryshonte aq shumë nga jeta në Korcë, Pogradec, Shkodër apo Vlorë, ne nuk do të kishim mundësi të ëndërronim më shumë. Ne pamë Tiranën, pamë rrugët e saj të gjëra, pamë lulishtet e bukura, pamë liqenin e aventurave rinore, pamë teatrin dhe estradën e Tiranës dhe u ngazëllyem. Sodisnim nga larg “bllokun e ambasadave” dhe nuk kishim guxim të pyesnim më shumë, por gjithsesi ndiheshim mirë, ishte ndryshe nga çdo qytet tjetër. Tirana kishte abasada. Ato ishin “mollë e ndalume” por të gjithë ne, por prania e tyre aty në “kërthizë” të kryeqytetit, sikur na jepti ndjesi ndryshe. Rruga e amabsadave, rruga e kangjellave që nuk mund t’i kapërcenim dot përveç fantazisë. Të gjitha ishin pjesë e Tiranës sonë. Dhe ne lumturisht thoshim në ato kohë : “Sa e bukur Tirana…Sa kot ajo jetë në provincë…” Tirana, qyteti që e deshëm të gjithë… Tirana që nxiti fantazinë dhe guximin tonë për ndryshim. Pa ardhur aty në Tiranë, pa qënë pranë asaj zonje të këndëshme, ne nuk mund të guxonim më shumë. Tirana na mbushi me ëndrra dhe na dha guxim që të kapërcenim kangjellat dhe muret… Tirana na burrëroi dhe mençuroi.
Asaj ja dedikojme ikjen dhe ardhjen në këtë shekull të 21të…
Tirana, kryeqendra e diktaturës së shkuar, ishte e bukur. Nuk guxonim ta shanim, por e deshëm si të marrë. E deshëm Tiranën aq shumë sa pas diplomimit në universitete ne “vdisnim për Tiranën”. E deshëm ne ardhanakët dhe aq më shumë lindacakët e Tiranës. Këtu fillonte edhe “përleshja” e brendshme për Tiranën. Kush do të shijonte atë Tiranë të bukur, ardhacakët apo lindacakët e saj? Ata që ishin lindur dhe rritur aty, apo ata që vinin larg saj dhe nuk lindën aty? Atëherë ky ishte “mejdani”: Kush fitonte Tiranën? Dhe mijra studentë me aq ëndrra dhe pasone, me aq shumë punë dhe studime, me aq rezultate dhe angazhime, kishin një qëllim të madh: “të merrnin Tiranën”. Tirana ishte një “ring” i një brezi të tërë. Tirana ishte një “dashnore” e të gjithëve dhe nuk dinim se me cilin do të “kurorëzohej” ky qytet lapidar i ëndrrave tona rinore. Ishte pakëz në moshë, por shumë e bukur. Kjo ishte Tirana jonë.
Brezi im dhe brezi jot, ka një shije dhe një memorje për Tiranën. Disa e shihnin thjesht si një liri për të shëtitur “nga liqeni”; plot të tjerë e shihnin si një “shans i fundit për të rilindur”. Dhe lufta fillonte aty për këtë shans. Dhëmb më dhëmb. Ca futën intrigën në lojë, shumë të tjerë thjesht aftësitë, punën, këmbënguljen, studimin pa ndërprerje“si pëshkopë”, të tjerë mbetën duke ledhatuar ëndërrat, miqtë dhe biogafinë… Ca u bënë spiunë, ca spiunuan, ca qëndruan stoikë dhe nuk bënë “krushqi spiunësh” dhe u degdisën larg, larg Tiranës edhe pse ishin yje dhe njerëz të mençur. Tirana e pikpyetjeve të mëdha, sërish mbetet e dashur. Tirana, si një mermer i ftohtë priste dhe përcillete breza të tërë. Trenat që vinin aty në shtatorët e fillimviteve shkollore, ishin plot e përplot. Plot njerëz dhe valixhe të drunjta, plot ëndrra dhe fantazi, plot punë dhe fantazi shpërndarë në mendjet e sa e sa krijesave që vinin aty me një mision fisnik: të mësonin dhe edukoheshin… Ne vinim aty dhe na dukej sikur vinim drejt parajsës. Ne vinim aty sikur vinim drejt “një bote tjetër” dhe ishim të dashuruar edhe pse ende nuk e njihnin mirë “mermerin e ftohtë” të Tiranës. Ne e deshëm verbërisht atë ftohtësi tiranase, me shi dhe me diell, me rrebesh dhe me ylberë… Të gjithë ishim të dashuruar pas atij qyteti aq të vogël, por me aq shumë ëndrra, me aq shumë drama, me koncerte, ,shfaqje teatrale, estrada, cirqe, ekspozita muzeume dhe shëtitje të bukura… Vinim dhe nuk donim të iknim kurrë. Vinim dhe deshëm të “pashaportizoheshim” në Tiranë… Sa shumë e deshëm atë kryeqytet të diktaturës… Sa shumë na skllavëroi ajo parajsë shëtitjesh të qeta dhe fjalë të ëmbla. Ato mbëmje me njeriun kudo dhe njerëzillëkun pranë, me skamjen kudo dhe bujarinë pranë. Me të shtypurin kudo dhe shpresën fare pranë. Ne jetonim një iluzion të bukur që mbarsej çdo ditë me pyetjen tonë të përçartë: Po andej, përtej, si jetohet? Pse s’na tregoni paksa të vërteta? Si?! Pse?! Pyesnim dhe heshtnin nëpër kafene apo pranë tavolivane me pjata të zbarzuara dhe shishe birre bosh… “Nuk ka më meze…As birra…” Dhe ne shtynim orë të tëra në tavolinat tona, ku flsinim aq shumë dhe mbeteshim të ngopur me fjalët tona… Flisnim për libra, filma, për histori njerëzish të mëdhenj, për shkrimtarë dhe artistë, për piktorë dhe skluptorë, për vajza të bukura dhe histori dashurie, për tradhëti dhe dashuri të reja. Ne flisnim për gjishka në birraritë e mbushura plot të Tiransë që mbante kudo aromë qoftesh dhe bërzolla të skuqura. Reth një tave tiransa ne kapërdinim kafshata të pafundme dhe gëlltisnim raki të ëmbël. Dhe flisnim e flisnim derisa vinte koha e urbanit të fundit…
“Shihemi në Tiranë…”- ky është një dëshirë e ikanakëve. Të shihemi aty, aty ku u ndamë dhe aty ku na ndanë. Aty ku ëndërruam dhe aty ku na vranë. Aty ku dashuruam dhe aty ku u pushaktuam. Aty, në Tiranë… Dhe nuk ka një qytet të dytë ta duash më shumë se Tiranën. Aty kam shëtitur së pari dorë për dore me të dashurën time dhe nënë e fëmijve të mi. Aty kam ardhur e mbeta i hutuar nga adhështia, aty së pari kam fjetur jashtë, rrëzë kullës së sëhatit, sepse nuk mund të paguaja hotelin, aty kam bredhur të kap “autobusin e fundit…” aty kam ndjerë së pari qytetërimin dhe jetën ndryshe nga fshati ku u linda… Tirana, kjo zonjë e dëshirave tona që hapi portat kanat më kanat. Tirana, ky “hibrid” i dëshirave tona mbeti si një momument kujtimi i pavdekshëm.
Mos ma prekni Tiranën. Lereni atë monument të kombit që kombi të ketë memorje dhe lotë, që kombi të dijë të shkuarën dhe të nderojë të tashmen. Lereni Tiranën e nostaligjve tona të shkuara, ashtu siç është. Mbillni ca pisha dhe qiparisa aty ku mundeni dhe lereni Tiranën siç ka qënë, të pastër, të brishtë dhe me bulevardin e madh pa makina tymuese….Të derdhemi njëherë, vetëm një herë në atë bulevard unik që e pati vetëm Tirana. Do ta duan të gjithë. Do ta duan shumë. Do kemi më shumë turistë… Do të kthehen shumë të ikur…
Tirana. Ky qytet magjik i djeshëm dhe i sotëm. Tirana, kjo kështjellë e ëndrrave tona të bukura. Tirana e birrarive me këngë dhe muzikë shqiptare. Tirana, qyteti që përqafonte të rinjtë. Nuk ka një qytet të dytë në Shqipëri të ledhatojë ardhanakët dhe djemtë dhe vajzat nga çdo cep i Shqipërisë, më ëmbël se Tirana. Pa dallim se nga vije, të priste një dhomë në konvikt, një krevat, çarafë të bardhë dhe dy batanije ngjyrë gri, një latë, një shok dhome dhe shumë libra. Tirana aq e vockël, hapte një portë të madhe për të gjithë ne që vinim prej diku dhe deshironim të ishim dikush…
Tirana. Kjo sofër e madhe ku të gjithë pimë birrë dhe shijuam bërzolla e shishqqebab që nuk i gjejmë më dot kurrkund nëpër botë. Tirana kjo tribunë ku brohoritëm të gjithë. Tirana- qyteti ku demonstruam dhe sollëm të sotmen.
“Shihemi në Tiranë…” kjo dëshirë- klithmë mbase vjen nga Zelanda e Re apo Australia, nga Amerika apo Kina, nga Anglia apo Brazili, sërish është një klithmë dhe gëzim. Do shihemi. Do shtërngojmë duar aty, ku u takuam së pari. Aty ku ëndërruam guximshëm: Në Tiranë.
Kam ardhur dhe kam ikur nga Tirana. Do vij dhe do të ik sërish, por asnjë nga këto ardhje dhe ikje nuk krahasohet me ardhjen e parë në atë qytet të bardhë me plot shpresë dhe gëzim. Në atë qytet dritash dhe gëzimesh. Në atë qytet kur brenda një ore shtrëngoje durat m 10-15 miq të mirë. Nuk ka si Tirana jonë. Nuk ka si ai qytet i asfaltë dhe bujar, ku në çdo cep piste një birrari dhe mund të pije cigare gjithkund. Ai qytet i bukur më shtrydhi ëndrrat. Na rrëmbeu rininë. Na frymëzoi dhe dëshpëroi, por mbeti gjithsesi Tiranë e bukur.
Më tregoni një qytet të dytë në botë të hapë portat për çdo varfanjak si Tirana? Ne erdhëm aty si varfanjakë dhe pinim birrë në një lulishtë të gjithë. Ne erdhëm si varfanjakë dhe bibliotekat i kishim të hapura të gjithë. Biblioktekë tek “shkolla e Dakës”, bilbiotekë në qëndër të qytetit, bibliotekë në qytetin studenti, bibliotekë në lagje. Tirana e librave dhe debateve për librat. Tirana lidhjes së shkrimtarëve, e poezive dhe marsheve revolucionare, Tirana e paradave dhe kongreseve…Tirana jonë.
Cili është ai qytet në botë që hapi bujarisht portat e karrierës dhe lavdisë për secilin si Tirana? Askush. Ne shumica, ishim ardhanakë në Tiranë. Të ardhur të githë. Më thoni një të lindur në Tiranë që të ishte në “Byronë poltike”? Enveri Hoxha kishte lindur në Gjirkokastër. Ramiz Alia diku në Shkodër, Mehmet Shehu në Mallakastër, Adil Çarçani në Giroksatër… Dhe sot?! Më thoni kush nga figurat poltike ka lindur aty? Ku ka lindiur Sali Berisha? Po Ilir Meta? Po Ridvan Bode? Po Luzim Basha apo Myqerem Tafaj? Ku ka lindur Gramoz Ruçi apo Astrit Patosi? Thuhet se vetëm Edi Rama është i lindur aty. Dhe e shikoni? Ai shihet si rreziku dhe “antitiranasi” më i madh! Ky paradoks ndodhe vetëm aty, në Tiranën e Shqipërisë sonë të dashur.
Tirana ky qytet bujar dhe me kanata të hapura. Tirana, vendlindja e presidentit Topi që “mbeti pa top”. Tirana, aty ku flitet dhe peshtyhet mbi çdo vlerë. Tirana aty ku burrat shahen se fëmijë dhe njerëzit vriten sikur të jesh për gjah…
Shihemi Tiranë. Sa shumë shok e miq mund të shoh ndërsa pres ditën të vij. Kam qënë dhe kam ikur. Do vij dhe do të ik, por sërish do kthehem. Sepse nuk mund të gjej një qytet të dytë si Tirana, ku sapo hedh hapin e parë dhe dikush të përqafon. Dikush të thërret me emër. Dikush të fton për një birrë. Dhe ti kthen kokën dhe te cepi tjetër një tjetër shok i vjetër, pak i thinjur, pak i krrusur, por me atë atë vështrim të ngrohtë… Dhe shtrëngon duart, ndërkohë një tjetër mik të vjen nga pas dhe të ze sytë “më gjen dot kush jam?!…” Dhe ti humbet në detin e miqve të mirë. Që vuajnë, që përplasen me sa e sa të pavërteta e të padrejta, por shpresojnë sërish tek e mira dhe e nesërmja. Vite më parë me timbir 15 vjeçar shëtitja nëpër Tiranë. Në çdo cep një shok dhe një mik. Kudo një ftesë dhe një moment ngazëllues. Diku në një cep shtylle, gjej një nekrologji për njeriun që njoh. Im bir shokohet. I them se jemi në Tiranë. Ai habitet. Më thotë pa të keq: “Babi, kaq miq sa paske lënë në Tiranë nuk i bën dot për 200 vjet të tjera në Amerikë…Ke dollarë në Amerikë, por jo kaq miq sa në Tiranë…”
Im bir bën deduksionin më të dhimbshëm. Të gjesh një mik të mirë në Amerikë, duhet të udhëtosh 2-3 orë duke u “përgjumur” mbi timon. Në Tiranë i ke te cepi i rrugës. Ndaj jo më kot vazhdojmë të vijmë aty, ku “mbytemi” në “detin” e miqve dhe kolegëve të dikurshëm.
Gati 3 vjet më parë në Tiranë erdha dhe takova Valdimir Cicanin që vinte nga Las Vegasi dhe Thanas Sahatçiun nga Kolumbus. Aty u takova edhe me Ernest Gocajn që vinte nga shteit i Kënektikatit të Amerikës. Vite pa u parë. Shihnim për herë të parë njëri tjetrin disi me rrudha, por të qeshur. Të mrekulluar që shihemi në Tiranën tonë. Ishte bukur. Kishte diçka të veçantë. Tirana ishte një qytet ndryshe nga qytetet që vinim. Tirana ishte sërish e dashur. Nasho edhe pse erdhi tërë nerva te kafeja jonë për shkak të trafikut kaotik dhe tha tërë mllef “‘Më mirë me borxhe në SHBA se sa i pasur në Tiranë”, sërish u “deh” nga kujtimet dhe biseda e gjatë…
Tirana na ka skllavëruar të gjithëve. Ne të ikurve dhe ju të ardhurve aty. Ne qe vijmë e ikim dhe ju që rrini dhe nuk ikni, por gjithsesi erdhët prej diku, sërish e duam Tiranënë të bukur. Kaq.
Tirana është e jona. Ajo nuk është më e politikanëve që duan ta privatizojnë edhe ëndrrën tonë me emrin “Tiranë”…
“Shihemi në Tiranë…”- Kjo dëshirë e ndritshme dhe ëndër e bukur, shpërndarë allashqiptarçe nëpër Glob…
Shefqet Meko
Minapolis 22 Prill 2011