Kreu Blogu Faqe 123

Katër kandidatë në garë për kreun e PD-së

0

Janë përcaktuar katër kandidatët që do garojnë për kreun e PD-së në zgjedhjet e 13 qershorit.

Ata janë kreu i tanishëm Lulzim Basha, Edit’h Harxhi, Fatbardh Kadilli dhe Agron Shehaj. Nga gara janë përjashtuar pesë kandidatë të tjerë, Ibsen Elezi, Admir Muja, Edmond Vrapi, Sabri Hoxha e Mirjan Jashanllari.

Fushata nis të hënën ndërsa në mbledhjen e mbrëmjes së sotme të kryesisë, janë përcaktuar edhe rregullat e procesit. Grupi Për PD-në ka kërkuar më herët shtyrjen e datës së zgjedhjeve, pasi sipas tyre kjo kompromenton garën.

Më poshtë udhëzimi i shpërndarë nga selia blu për procesin zgjedhor.

Udhëzimi

Partia Demokratike e Shqipërisë

KRYESIA E PARTISË

Draft

UDHËZIM

Nr.______Prot.

Tiranë, më 23 Maj 2021

RREGULLORE E BRENDSHME MBI MODALITETET E PROCESIT ZGJEDHOR PËR KRYETAR TË PARTISË DEMOKRATIKE

Në mbështetje të pikës 6, të nenit 10, neneve 22, 51, 53, dhe 65 të Statutit të PDSH-së, si dhe në zbatim të vendimit nr. 86, datë 16.05.2021 të Kryesisë së PDSH-së, me propozim të Komisionit Zgjedhor të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Kryesia e Partisë në mbledhjen e datës 23 Maj 2021,

VENDOSI:

Të përgjithshme

  1. Zgjedhjet për Kryetar të Partisë garantojnë parimin e konkurrimit të lirë dhe shanseve të barabarta midis kandidatëve, të cilëve u garantohet e drejta e barabartë në procesin zgjedhor dhe kontrollin mbi mënyrën e realizimit të tij.
  2. Zgjedhjet bëhen me votim të lirë, të fshehtë, të barabartë dhe të drejtpërdrejtë, sipas modaliteteve të parashikuara në këtë udhëzim. Anëtarët e partisë me të drejtë vote e ushtrojnë lirisht të drejtën e votes dhe kanë të drejtën e vetëm një vote.
  3. Kandidatët janë të lira të paraqesin programine tyre në çdo formë dhe mënyrë të ligjshme, përpara strukturës së partisë dhe anëtarëve të partisë. Drejtuesit e strukturave të Partisë, në qendër dhe në bazë, kujdesen që procesi të jetë i lirë, i ndershëm dhe i barabartë për këdo, duke i mundësuar çdo kandidati akses të barabartë në garë. Drejtuesit e strukturave të Partisë, në qendër dhe në bazë, duhet të qëndrojnë asnjanës në procesin zgjedhor. Ata ushtrojnë të drejtën e tyre si anëtarë partie, duke shmangur çdo formë tjetër ndikimi mbi anëtarët e tjerë të Partisë.
  1. Procesi zgjedhor drejtohet nga Komisioni Zgjedhor i Partisë. Ndjekja, drejtimi dhe organizimi i procesit në nivel Dege bëhet nga Kryesia e Degës në mënyrë kolegjiale. Kryesia është përgjegjëse për mbarëvajtjen e procesit në nivel Dege. Në Komisionin Zgjedhor, secili kandidat brenda datës 25 Maj 2021 cakton nga një vëzhgues të tij të përhershëm. Vëzhguesi ka akses të plotë në të gjithë veprimtarinë e Komisionit. Ai njoftohet dhe merr pjesë në çdo mbledhjen të Komisionit dhe merr fjalën sa herë e kërkon, për të parashtruar kërkesa, propozime apo për të paraqitur ankesa. Në Komisionet e Votimit dhe të Numërimit secili kandidat cakton nga një anëtar vëzhgues.
  1. Fushata zgjedhore fillon më datë 24 Maj 2021 dhe përfundon 24 orë para datës së zgjedhjeve. Dita përpara datës së zgjedhjeve dhe data e zgjedhjeve, deri në orën e mbylljes së votimit, formojnë periudhën e heshtjes zgjedhore. Në periudhën e heshtjes zgjedhore nuk lejohet asnjë lloj fushate zgjedhore nëpërmjet organeve të medias, si dhe zhvillimi i takimeve ose i veprimtarive të tjera zgjedhore të kandidatëve. Degët e Partisë janë përgjegjëse për organizimin e takimeve me anëtarësinë të kandidatëve sipas një grafiku që dërgohet paraprakisht nga Sekretariati Organizativ i Partisë. Stafi i secilit kandidatit harton grafikun e takimeve dhe e koordinon atë me Sekretariatin Organizativ të Partisë përpara se tu dërgohet Degëve për zbatim.
  2. Gjatë fushatës zgjedhore çdo kandidatë ka të drejtë të bëjë propagandë zgjedhore në çdo mënyrë të ligjshme. Zyra e Shtypit e Partisë Demokratike bën pasqyrimin në mënyrë të barabartë të aktivitetit të secilit kandidat gjatë fushatës zgjedhore, duke shpërndarë zyrtarisht çdo njoftim të kandidatit apo çdo përmbledhje të takimeve të tij. Zyra e Shtypit e Partisë Demokratike merr masat për pasqyrimin e barabartë të fushatës zgjedhore të secilit kandidat. Secili kandidat ka të drejtë të përdorë ambientet e selisë qendrore të Partisë Demokratike apo selitë e Degëve të partisë në rrethe për aktivitete të tij gjatë fushatës zgjedhore apo për komunikimin me mediat. Sekretari i Përgjithshëm kujdeset që administrata e selisë qendrore dhe Degët e Partisë ti krijojnë kushtet dhe aksesin e barabartë të gjithë kandidatëve për realizimin e kësaj të drejte. Sekretari i Përgjithshëm, me kërkesë të secilit kandidat, vendos në dispozicion të tyre infrastrukturën dhe burimet njerëzore të nevojshme që garantojnë barazinë në mundësi të secilit kandidat gjatë fushatës zgjedhore.

Procesi i votimit

         7. Kryesia e degës së PD-së organizon dhe është përgjegjëse për procesin e votimit për Kryetar të PDSH-së që do të zhvillohet me datë 13.06.2021. Në çdo degë të PDSH-së ngrihet një qendër votimi. Përjashtimisht, në degët me më shumë se 2500 anëtarë ngrihen dy qendra votimi.

         8. Ambientet ku do të kryhet votimi miratohen nga Komisioni Zgjedhor me propozim të kryesive të degëve jo më vonë se data 07.06.2021. Në selinë qëndrore të PDSH do të ngrihet qendra e votimit për degën Tirana 2, në të cilën përveç votuesve të kësaj dege do të votojnë edhe anëtarët e Kryesisë së PDSH-së, anëtarët e Këshillit Kombëtar, anëtarët e Grupit Parlamentar ekzistues dhe deputetët e dalë nga zgjedhjet parlamentare të datës 25.04.2021, me banim në Tiranë.

  1. Komisioni i Votimit dhe Numërimit përbëhet nga 3 anëtarë titullarë, të caktuar nga Komisioni Zgjedhor i Partisë, me propozim të Kryesisë së Degës dhe anëtarë vëzhgues si përfaqësues nga secili kandidat. Komisioni i Votimit dhe Numërimit ka në përbërje 3 anëtarë si më poshtë:
  • Një nga Nënkryetarët e Degës – Kryetar;
  • Sekretarin për Çështjet Zgjedhore dhe Aksionin Elektoral në Degë – Sekretar;
  • Sekretarin Organizativ të Degës – Anëtar;

Secili kandidat ka të drejtë të caktojë një anëtar vëzhgues, që duhet të jetë anëtar partie i degës përkatëse. Në rastin kur në Degë funksion më shumë se një qendër votimi, Komisioni i dytë i Votimit dhe Numërimit ka në përbërje3 anëtarë si më poshtë:

  • Një nga Nënkryetarët e Degës – Kryetar;
  • Sekretarin për Mbrojtjen Politike dhe Ligjore të Kauzave Qytetare në Degë – Sekretar;
  • Sekretarin e Burimeve Njerëzore të Degës – Anëtar;

Secili kandidat ka të drejtë të caktojë një anëtar vëzhgues, që duhet të jetë anëtar partie i degës përkatëse. Në rast mungese të njërit nga përfaqësuesit e pozicioneve të mësipërme, Kryesia  e Degës vendos si përfaqësues një nga anëtarët e Kryesisë. Kryesia e degës përcjell përbërjen e Komisionit, sëbashku me të dhënat e kontaktit të secilit anëtar në Komisionin Zgjedhor, brenda datës 03.06.2021. Brenda kësaj date kandidatët për kryetar përcjellin në Komisionin Zgjedhor emrat, sëbashku me të dhënat e kontaktit, të anëtarëve vëzhgues në Komisionet e Votimit dhe Numërimit.

  1. Fleta e votimit miratohet nga Komisioni Zgjedhor jo më vonë se 7 ditë para datës së zgjedhjeve. Renditja e kandidatëve do të bëhet me short në Komisionin Zgjedhor në prani të përfaqësuesve të kandidatëve.
  2. Kryetari i Komisionit të Votimit dhe Numërimit nënshkruan dhe vulos çdo Fletë Votimi. Komisioni është përgjegjës për tërheqjen e bazës materiale jo më vonë se 1 ditë përpara fillimit të procesit të votimit. Materialet e votimit terhiqen ne Seline Qendrore te PDSH-se brenda ores 16:00 te dates 12/06/2021, nga Kryetari i Komisionit, i cili mund të shoqërohet edhe nga anëtarët përfaqësues të kandidatëve, nëse këto të fundit dëshirojnë. Baza materiale përfshinë: fletët e votimit, procesverbalin, listat e votimit, dhomat e fshehta, kuti e votimit, materialet shpjeguese të procesit të votimit, materialet e nevojshme për zbatimin e masave anti-COVID, dhe cdo material tjetër të nevojshëm zgjedhor.
  1. Komisioni i Votimit dhe Numërimit paraqitet në Qendrën e Votimit (QV) një orë përpara fillimit të procesit dhe përgatit ambientin e QV për realizimin e rregullt të procesit të votimit. Ai hap zarfin me Fletët e Votimit dhe bën gati Komisionin për fillimin e procesit. QV duhet të garantojë votimin në mënyrë të fshehtë të çdo anëtari dhe pa asnjë ndërhyrje nga persona të tjerë. Komisioni i Votimit dhe Numërimit merr masa që procesi i votimit të realizohet në respekt të masave që dikton situata e krijuar me pandeminë COVID-19.
  1. Qendrat e votimit hapen në orën 08:00 dhe mbyllen në orën 19:00. Komisioni i Votimit dhe Numërimit merr masa për hapjen e QV në orën e përcaktuar. Votimi mbyllet në orarin e përcaktuar, duke u siguruar që në ambientet e QV nuk ka anëtarë që pret për të votuar. Nëse ka ende anëtarë të PD-së që presin të votojnë përtej orarit të caktuar për mbylljen e qendrës së votimit, Kryetari i Komisionit mbledh dokumentet e tyre të identifikimit dhe sigurohet që kushdo që është në rradhë për të votuar të ketë mundësi për të votuar. Qendra e votimit nuk mbyllet deri në përfundimin e votimit të tyre. Mbyllja e votimit shpallet më zë të lartë dhe pas atij momenti nuk lejohet asnjë person tjetër që të votojë.
  2. Komisioni i Votimit dhe Numërimit nëse e vlerëson të nevojshme i kërkon Kryesisë së Degës caktimin e dy apo tre anëtarëve të FRPD, që tëjenë përgjegjës për të siguruar që votuesit të mbajnë rradhën në mënyrë të rregullt, në distancë nga njëri tjetri dhe të paraqiten përpara komisionit në mënyrë individuale. Përpara paraqitjes tek Komisioni, votuesit udhëzohen që të lexojë materialin shpjegues të shpallur në një vend të dukshëm që tregon mënyrën e votimit, si dhe i kërkon që të bëjë gati mjetin e identifikimit përpara se të paraqitet tek Komisioni.
  1. Të drejtën për votim e ka çdo anëtar Partie që është i regjistruar në Regjistrin Bazë të Antarësisë në PDSH dhe plotëson kushtet e parashikuara në pikën 2, të nenit 22 të Statutit, me përjashtim të rastit të parashikuar në paragrafin e tretë të pikës 16 të këtij udhëzimi. Lista e votuesve miratohet nga Komisioni Zgjedhor jo me vonë se 5 ditë para ditës së zgjedhjeve. Listat e anëtarëve që kanë të drejtën e votimit përgatiten nga Sekretariati Organizativ i Partisë, të paktën 48 orë përpara ditës së miratimit nga Komisioni Zgjedhor. Secili kandidat ka të drejtë të caktojë një auditues për procesin e gjenerimit të të dhënave nga sistemi elektronik i antarësisë, i cili pa patur të drejtën për kopjimin e të dhënave, bën monitorimin e procesit të gjenerimit të të dhënave të antarësisë nga sistemi dhe verifikon nëse ka apo jo modifikime të papërshtatshme në sistem. Zyra e IT dhe Sekretariati Organizativ në Partinë Demokratike kujdeset për garantimin e kësaj të drejte.
  1. Votuesi paraqitet përpara Komisionit me mjet identifikimi (kartë identiteti, pasaportë, apo patentë) dhe ia dorëzon atë për verifikim anëtarit të Komisionit që është caktuar përgjegjës për administrimin e Listës së Votuesve. Pasi gjendet emri në listë, votuesi ftohet të nënshkruaj përbri emrit të tij dhe pas nënshkrimit, anëtari i Komisionit i heq vizë emrit përkatës. Në  rastin kur emri i votuesit është në Listën e Votimit dhe ai paraqitet me një nga mjetet e identifikimit të përcaktuara më lart, nuk është e nevojshme që ai të ketë me vete edhe Kartën e Antarësisë. Përjashtimisht, nëse një anëtar Partie, për arsye të ndryshme nuk është hedhur në Sistemin Elektronik të Antarësisë dhe për pasojë nuk është në Listën e Votimit, ai lejohet të votojë vetëm nëse paraqitet përpara Komisionit, përveçse me mjet identifikimi edhe me Kartë Antarësie të rregullt. Në këtë rast, të dhënat e tij, përfshirë numrin e telefonit, shënohen në fund të listës së antarësisë dhe në përfundim të procesit bëhet përditësimi i të dhënave të anëtarit në Sistemin Elektronik të Antarësisë.
  1. Kryetari i Komisionit pajisë votuesin me Fletën e Votimit dhe detyrohet, nën vëmendjen e të gjithë anëtarëve të Komisionit, që të bëjë edhe njëherë shpjegimin e formës së votimit, pa cënuar fshetësinë e votës. Një anëtar i Komisionit kujdeset që votuesi të votojë në dhomën e fshehtë dhe pa asnjë ndërhyrje të jashtme. Nuk lejohet fotografimi apo çdo formë tjetër e dokumentimit të mënyrës së votimit. Nëse anëtari i Komisionit konstaton se votuesi po fotografon apo dokumenton mënyrën e votimit, njofton menjëherë Kryetarin e Komisionit dhe vota e votuesit nuk hidhet në kutinë e votimit, konsiderohet fletë e dëmtuar dhe futet në zarfin e fletëve të dëmtuara. Në këtë rast votuesi humbet të drejtën e votimit. Pas hedhjes së fletës së votimit në mënyrë që nuk lexohet forma e votimit, votuesi udhëzohet të dal jashtë QV. Në ambientet e QV lejohet të qëndrojnë të ulur dhe pa penguar procesin e votimit anëtarët e Komisionit të Votimit dhe Numërimit, si dhe anëtarët e Komisionit Zgjedhor nëse kërkohet ndihma e tyre. Asnjë person tjetër nuk lejohet të qëndrojë në ambientet e brendshme të QV.
  1. Kutitë e votimit, fletët e papërdorura, të dëmtuara, listat e votuesve dhe procesverbali i mbylljes së votimit administrohen nga Komisioni i Votimit dhe Numërimit.

III. Mbyllja e votimit dhe procesi i Numërimit

  1. Kryetari i Komisionit shpall me zë të lart mbylljen e procesit të votimit dhe menjëherë fillon procesin e përgatitjes së ambientit të QV për realizimin e procesit të Numërimit. Procesi i Numërimit të votave fillon jo më vonë se 30 minuta nga mbyllja e procesit të votimit.
  2. Pas mbylljes së votimit dhe administrimit të të gjithë dokumentacionit, Komisioni i Votimit hap kutitë dhe kryen numërimin e votave për secilin kandidat. Numërimi i votave kryhet nga Komisioni i Votimit dhe Numërimit. Numërimi bëhet në prani të të gjithë anëtarëve të Komisionit dhe është i hapur për mediat dhe për anëtarësinë e interesuar.
  3. Nëse ndonjë nga anëtarët e Komisionit ka kontestim apo vëren ndonjë problematikë në procesin e numërimit, ai kontakton Komisionin Zgjedhor dhe i shpreh shqetësimin. Komisioni Zgjedhor, nëse vlerëson se është rasti urdhëron Komisionin të pezullojë procesin e numërimit dhe i shpreh shqetësimin që ka marrë. Pas sqarimit dhe zgjidhjes së problematikës, Komisioni me urdhër të Komisionit Zgjedhor vijon procesin e numërimit dhe/ose rregullon mangësinë apo problematikën që është ngritur.
  4. Në përfundim të procesit të Numërimit, Komisioni i Votimit dhe Numërimit, harton procesverbalin e procesit të votimit dhe numërmit. Procesverbali nënshkruhet nga anëtarët e Komisionit të Votimit dhe Numërimit. Në këtë moment bëhet mbyllja e materiale në kutinë e votimit nga Kryetari i Komisionit dhe materialet dorëzohen pranë Komisionit Zgjedhor menjëherë pas përfundimit të procesit.
  5. Modalitetet për procesverbalin përfundimtar të rezultateve të votimit, për vlefshmërinë apo pavlefshmërinë e votave, si dhe cdo çështje tjetër teknike miratohet me vendim të Komisionit Zgjedhor dhe i përcillet çdo Komisioni Votimi brenda datës 08.06.2021.
  6. Me hartimin e procesverbalit përfundimtar të zgjedhjeve, Kryetari i Komisionit të Votimit dhe Numërimit, si dhe përfaqësuesit e kandidatëve, dorëzojnë në Komisionin Zgjedhor deri në orën 08:00 të datës 14.06.2021. Komisioni Zgjedhor pasi administron procesverbalet dhe materialet zgjedhore, në prani të mediave dhe përfaqësuesve të kandidatëve bën përmbledhësen e votave për secilin kandidat dhe shpall zyrtarisht brenda datës 14.06.2021 fituesin e garës për Kryetar të PDSH-së.

Dispozita të fundit

        25. Për çdo paqartësi lidhur me çështjet e trajtuara në këtë Udhëzim, ankimimet i adresohen Komisionit Zgjedhor i cili merr rast pas rasti vendimet përkatëse. Nëse gjykohet e arsyeshme Komisioni Zgjedhor organizon trajnime të anëtarëve të Komisionit të Votimit dhe Numërimit jo më vonë se 3 ditë përpara datës së zgjedhjeve.

  1. Shkelja e rregullave të parashikuara në këtë Udhëzim, nga cilido prej subjekteve të përmendura në të, passjell pasoja disiplinore sipas Statutit të PDSH-së.
  2. Ngarkohet Komisioni Zgjedhor, Sekretari i Përgjithshëm, dhe Kryesitë e Degëve të Partisë për ndjekjen dhe zbatimin e këtij udhëzimi.

Ky udhëzim hyn në fuqi menjëherë.

                                                     NËNKRYETAR

EDI PALOKA

EDMOND SPAHO

SEKRETARI I PËRGJITHSHËM

GAZMENT BARDHI

Këto janë shtetet që e votuan Shqipërinë në finalen e Eurovision

0

Anxhela Peristeri e përfaqësoi Shqipërinë këtë vit me këngën ‘Karma’ e cila arriti të zë vendin e 22-të, ndërsa fituese ishte Italia.Shqipëria arriti të jetë finaliste bashkë me 39 shtetet e tjera e cila përformoi e dyta më radhë

Ndërsa, shtetet të cilat e votuan Shqipërinë, pra Anxhela Peristerin me projektin e saj muzikor ‘Karma’ ishin Holanda e cila i ka dhënë 1 pikë, San Marino 2 pikë, 7 pikë Danimarka, kurse Malta ka dhënë vlerësimin maksimal me 12 pikë, prej të cilave grumbulloi gjithsej 22 pikë.

Këngëtarja shqiptare, po ashtu ka marrë edhe 35 pikë nga votat e publikut duke arritur vlerësimin final me 57 pikë.

Kadilli kërkon ngrirjen e Bashës deri në zgjedhje, 5 kërkesa kryesisë së PD

0

Kandidati për kryetar të PD, Fatbardh Kadilli ka kërkuar sot ngrirjen e kryetarit të PD dhe administratës deri në zgjedhjen e kryetarit. Kadilli bëri një deklatatë sot nga selia e PD ku theksoi 5 kërkesa.

Kërkesë Kryesisë së PD:

Duke qenë i qartë për gjëndjen ku ndodhet Partia Demokratike si forca kryesore e opozitës;

Duke mbajtur parasysh tronditjen që ka sjellë rezultati i zgjedhjeve dhe problematika e tyre;

Duke e ndjerë syrin mbikqyrës të publikut që do të vrojtojë mënyrën se si do i trajtojë zgjedhjet në parti forca që denoncon infrastrukturën e zgjedhjeve kombëtare apo lokale;

Duke qenë i bindur për peshën e madhe që ka procesi për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD;

Për vetë rëndësinë që ka përfshirja sa më e plotë e të gjithë anëtarëve të PD, dhe sensibilizimi i antarësisë për rëndësine garës;

Duke qenë i patundur në besimin se forca e PD vjen nga demokratizimi, hapja dhe energjizimi i saj;

Me vetëdijen e plotë se ajo që i përket PD, dhe e shqetëson atë, i përket gjithë shoqërisë dhe është shqetësim edhe i saj;

I kërkoj Kryesisë së Partisë Demokratike sa vijon:

1- Të miratojë sa më parë kandidaturat që kanë kërkuar të jenë në garë,

2- Të miratojë modalitetet për mbledhjen e aktiveve te degëve ku kandidatët me kohe te barabarte të paraqesin platformat e tyre dhe të komunikojnë me anëtarësinë;

3- Të procedojë me ngrirjen e administratës së PD deri në zgjedhjen e Kryetarit;

4- Të pajisjë menjëherë kandidatët me listat e plota të anëtarësisë;

5- Të organizojë tre debate televizive, të hapura për publikun dhe median, me pjesëmarrjen e të gjithë kandidatëve, në Tiranë, Shkodër dhe Vlorë.

Avokati francez i Berishës tregon pse mund të hapet çështja Berisha-Blinken në Francë

0

Avokati francez 71-vjeçari Jean Yves Le Borgne, i pajtuar nga ish kryeministri Sali Berisha për të ndjekur betejën ligjore në Francë kundër Blinken, e konsideron legjitime ngritjen e kësaj padie, ndërsa dha një intervistë për Balkanweb.

Pyetjes nëse përbën pengesë imuniteti i z.Antony Blinken, për dërgimin e dosjes për gjykim, avokat Le Borgne thotë se në padinë për shpifje, e ngritur në këtë rast nga ish-kryeministri Sali Berisha, nuk nevojitet që i pandehuri të jetë i pranishëm. “Ai mund të gjykohet në mungesë”- thotë Le Borgne.

Ai tha se nëse do të ketë dënim është vetëm i llojit të dëmshpërblimit financiar që në rastin e shpifjes në Francë janë dënime relativisht të moderuara, ndërsa thekson se aksioni juridik do të mbështetet mbi parimet e drejtësisë që operojnë në Francë.

Intervista e plotë:

Zoti Avokat, opinioni publik në Shqiperi është i interesuar të kuptoje fillimisht domethënien e hapjes se një padie për shpifje në Francë nga ana e zotit Berisha kundra Sekretarit amerikan të Shtetit Antoni Blinken.

Në Francë çdokush mund të hapë padi për shpifje ndaj çdokujt, me kushtin që akti i supozuar i shpifjes të ketë ndodhur në territorin francez. E meqënëse ajo që zoti Berisha konsideron si shpifje është botuar në uebsitin e Departamentit Amerikan të Shtetit, dhe meqënëse interneti e sjell këtë informacion dhe në territorin francez, akti i shpifjes rezulton të jetë konsumuar edhe në Francë. Nga ky moment është legjitime që klienti im nga Shqipëria, zoti Berisha të hapë padi në Francë meqënëse rezulton se ka pësuar shpifje dhe në Francë.

Zoti avokat, në bazë të kësaj llogjike juridike që interneti është i konsultueshëm kudo në botë, zoti Berisha mund të kishte hapur padi dhe në Spanjë, Gjermani, apo në Portugali për shembull.

Ndoshta po, por ndoshta dhe jo. Nuk mund t’i përgjigjem kësaj pyetje sepse nuk e njoh legjislacionin në këto vende nëse ato e lejojnë një lidhje të tillë territorialiteti nëpërmjet internetit. Për rastin në Francë jam i sigurt dhe e marr përsiper. Nëse shpifesh në Francë, drejtesia ta merr në konsideratë padinë dhe publikimi i një shpifje në internet është si publikim në territorin francez.

A e njihnit personalisht zotin Berisha?

Jo tamam. Kemi një mik të përbashkët dhe është ai që me kontaktoi dhe më shtjelloi rastin se ish -presidenti dhe ish-kryeministri i Shqipërisë është shpallur persona non grata nga Departamenti amerikan I shtetit , fare pa baza sipas tij, dhe më kërkoi se çfarë këshille mund të jepja unë si avokat. Dhe aty i propozova që unë mund ta merrja përsipër mbrojtjen e interesave të zotit Berisha mbi bazën e argumentimit juridik që jua detajova më parë. Publikimet në internet mbulojnë edhe territorin francez, ndaj është juridikisht e mundshme të konsiderohet se publikimi në fjalë ka ndodhur në territorin francez dhe si i tillë të gjykohet nga një gjykatë korreksionale franceze kur paditësi argumenton se publikimi që ai padit permban elemente shpifës.

A jeni optimist për suksesin e procedurës që po ndërmerrni?

Do të kemi një sukses të parë, kur padia të merret juridikisht në konsideratë në kuptimin që drejtësia franceze të caktojë një gjykatës hetuesi i cili do ta shqyrtojë dosjen dhe më pas t’ja paraqesë një trupi gjykues për gjykim në nivelin e gjykatës korreksionale.

Po imuniteti i Antony Blinken a nuk do të përbënte një pengesë serioze për çuarjen në gjykim të padisë?

Në parim po. Veçse padia për shpifje nuk nevojit që i pandehuri të jetë i pranishem. Ai mund të gjykohet në mungesë. Sido që të jetë, kemi të bëjmë në një aferë me vlerë më shumë të karakterit simbolik. Dënim nëse do të ketë, është vetëm i llojit të dëmshpërblimit financiar që në rastin e shpifjeje në Francë janë dënime relativisht të moderuara. Por simbolika më e madhe rezulton tek imazhi i një përplasjeje që në frengjisht e cilësojmë në mënyre fiugurative si poçi prej balte kundra poçit prej hekuri. Nderi duhet mbrojtur dhe kur përballë ke më të fortët. Ky është sensi i drejtësisë.

Së fundi a keni hasur në një jurisprudencë në Francë të ngjashme me rastin e zotit Berisha?

Ende nuk kam filluar nga analiza e detajuar e dosjes. Sigurisht është e pjesë e punës sime të hulumtoj në anale për dosje të ngjashme. Por përtej egzistencës së rasteve analoge, aksioni im juridik do të mbështetet mbi parimet e drejtësisë që operojnë në Francë, shpifja në internet edhe nëse është kryer në një vend tjetër, asimilohet me një shpifje në Francë duke qenë se interneti e ka përhapur atë dhe në Francë. Marrë nga balkanweb

“Shqipëria bëhet!”, Agron Shehaj kandidon për kryetar të PD-së

0

Agron Shehaj kandidon për kryetar të PD-së. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Shehaj përmes një postimi në ‘Facebook’.

Shehaj thekson se konkurimin nuk e sheh si garë për një post, por si një përpjekje të përbashkët me të gjithë demokratët që dëshirojnë që partia të jetë partia e anëtarëve: një parti e vërtetë demokratike, moderne dhe e hapur.

REAGIMI I SHEHAJT

Shqipëria ka sot nevojë për opzitë të fortë, parimore dhe frymëzuese. Shqipëria ka sot nevojë për Partinë Demokratike!
Ne demokratët do ta kapërcejmë gjendjen e vështirë ku jemi dhe do ngrihemi më të fortë se më parë. Përballë autokracisë, korrupsionit dhe paaftësisë së qeverisë, ne do të ndërtojmë alternativën e lirisë, ndershmërisë dhe aftësisë. Për këtë duhen energji të reja, vizion i ri, drejtim i ri.

Me ketë bindje, kam vendosur të kandidoj për kryetar të Partisë sime. Konkurimin nuk e shoh si garë për një post, por si një përpjekje të përbashkët me të gjithë demokratët që dëshirojnë që partia jonë të jetë partia e anëtarëve: një parti e vërtetë demokratike, moderne dhe e hapur.

Unë besoj se çdo njeri duhet të luftojë duke dalë në shesh për atë që beson. Unë besoj se shërimi nga humbja vjen nga veprimi dhe jo nga apatia e ankimit për padrejtësitë, që sigurisht kanë ndodhur. Unë besoj se përparimi vjen përmes ndryshimit dhe jo ripërsëritjes së të njëjtave gabime.

Dua të shpreh mirënjohjen për të gjithë ju që më keni besuar e nxitur të marr përgjegjësinë e garës. Unë kam hyrë në politikë për të punuar për njerëzit, jo për t’u pasuruar dhe nuk do ju zhgënjej.

Every Senior Should Wear This $49 Fit Band

Flaken në rrugë ata që u punësuan para zgjedhjeve.

0

Ditën e entje, Ministrja e Financave, Anila Denaj, ka bërë gati urdhërin, që do t’i dërgohet aparateve të 7 ministrive, 32 bashkive e 15 enteve publike qendrore dhe rajonale, për të ndërprerë marrdhëniet financiare me punëtorët provizorë.

Bëhet fjalë për 2100 të rinj të moshave 23-30 vjeç, të punësuar në fillim të muajit tetor 2020 e në janar 2021, me 3 VKM të posaçme, për shtim kapacitetesh në administratën e shërbimet publike, gjoja “shtim kapacatitesh për nevoja pune, me të diplomuar ekselentë”.

Në fakt, ishin punësime të paramenduara elektorale, shtesë numri në stukturën dhe buxhetin e pagave; që siç rezulton tani, qenkan me kontrata pune të përkohshme 6 e 9 mujore.

Urdhëri që do shpërndahet ditën e hënë, zbulon se më 30 qershor përfundojnë kontratat e këtyre 2100 të punësuarve fiktivisht; të cilët janë bërë pjesë e shtabeve elektorale të PS, ministrave, drejtorëve e kryebashkiakëve.

Referuar vendimeve të qeverisë, shumica e tyre janë punësuar në administratat e ministrive të Bujqësisë, Financa-Ekonomisë, Rendit, Arsimit, Mjedisit, Infrastrukturë-Energjisë, Rindërtimit; të Bashkive Tiranë, Durrës, Kamëz, Fier, Dibër, Elbasan, Korçë, Vlorë, Gjirokastër, Sarandë dhe në OSHEE, ARRSH etj.

Përveç titullarëve të institucioneve, urdhëri i ministres Denaj, do t’i dërgohet dhe Thesarit të Shtetit, për ndalimin e pagesave të kësaj “ushtrie” punonjësish elektoralë, të cilët e kryen “misionin” për të cilin u punësuan.

Nuk dihet, nëse urdhëri i ministres Denaj, është diktuar nga kryeministri Rama, që firmosi dhe punësimin e tyre me vendime speciale, apo për të ndalur abzumin me fondin e pagave; por dihet fakti, se fondi për pagat 6-9 mujore të tyre, është marrë nga buxheti rezervë i shtetit për ministritë; dhe nga të ardhurat për bashkitë e entet publike.

“Berisha non grata” Pyetjet janë të shumta:

0
1. Pse tani kur Berisha ka 8 vite jashtë funksioneve ekzekutive?
• Se ka peshë akoma në opinionin public?
• Se ka ndikim të madh në vendmarrjen e PD-së?
• Se ka influencë tek shqiptarët jashtë kufijve?
• Se po mundohet të prishë një marrëveshje të bërë më parë me struktura amerikane dhe jo vetëm?
• Se di shumë gjëra të kryera poshtë tavolinës nga amerikanët në rajon dhe diskretitimi i Berishës në public do bëjë të mundur që ai të mos flasë asnjëherë për to (po e bëri do jetë i pabesueshëm) ?
• Se tashmë është kundër disa vendimmarrjeve amerikane në Shqipëri e rajon dhe do duhet t’i ulet ndikimi ?
2. Pse Korupsioni i Berishën para 10 vitesh na minoka demokracinë tani?
• Korupsioni i para 10 viteve si ndikon në demokracinë e tanishme?
• Korupsioni i këtyre 8 viteve a nuk e minon demokracinë shqiptare?
• Lejimi i vjedhjes së zgjedhjeve ne disa palë zgjedhje a nuk e minon demokracinë?
• Krijimi i nje shteti fasade-demokracie, por stabil a nuk e minon demokracinë?
• Mosfunksionimi i pjesës më të madhe të institucioneve a nuk e minon demokracinë?
3. Pse Retorika e tij na pengoka hetimet tani?
• Sistemi i drejtësisë pothuajse është rindërtuar dhe Berisha tashmë nuk ka asnjë ndikim më në strukturat e reja
• Akuzat mund të dërgohen në sistem dhe nqs gjendet fajtor ai dënohet
• Retorika dhe demagogjia në Shqipëri bënë të mundur që:
 Në 2013 Edi të vijë në pushtet me “Fajin e ka Saliu”
 Në 2021 Edi vijoi pushtetin me “po nuk më votuat mua ju vjen ju ha Saliu”
 Në 2021 Vuçiç del hapur e thotë: “votoni Edin se po votuat Lulin vjen Saliu i cili do Shqipërinë e madhe”
4. Shpallja e Berishën kampion i korupsionit dhe e Dvoranit si kampion i antikorupsionit nga e njëjta dorë (secretary Blinken) kur dihet botërisht në Shqipëri që Dvorani është gjyqtar i mirë, por me antikorupsionin ska lidhje, lë pikëpyetje të mëdha.
• Gjyqtari Dvorani nuk ka kryer asnjë gjykim antikorupsion
• Gjyqtari Dvorani shërbeu me devotshmëri për krijimin e Gjykatës Kushtetuese (me disa shkelje të rëndësishme ligjore, por të pranueshme nga ambasada amerikane)
5. Përfundimisht nuk dimë se ku ta vendosim shpalljen non grata të Berishës dhe nuk po dimë me cfarë ta lidhim; me:
• Korupsionin (shumë larg nga periudha e lënies së pushtetit, tashmë ato vepra nqs janë kryer amnistohen nga ligji)
• Demokracinë (tani në Shqipëri kemi më pak demokraci- të gjitha raportet ndërkombëtare e thonë këtë)
• Reformën në drejtësi (Berisha deri tek miratimi i ndryshimeve Kushtetutese ishte ok me vone Jo, por nuk nuk e ka penguar reformën të ecë, megjithëse ngadale e me defekte –siç thotë ambasadore Kim)
• Shqipërinë (gjërat më të mira kombëtare dhe jo vetëm u kryen kur ishte Berisha në pushtet- Vizat. Nato, marrëveshja stabilizim asociimit, rruga Kombit etj etj)
• Rajonin (tashmë do të duhen ndoshta disa pesha të lehta dhe të bindura për projektet e së ardhmes në rajon)
• Sorros (Berisha ka bashkëpunuar shpeshherë me Sorros por dhe e ka kundërshtuar hapur në shumë projekte. Një gjë duhet thënë që shteti sot është i gjithi me drejtues nga fondacioni Sorros dhe nën ndikimin e plotë të tij, të Aleksit dhe strukturave këshilluese të Sorros në Botë)
• Opozitarizmin e Berishën pas 2013 (pak e besueshme se ndikimi i tij në politikë po binte në vazhdimësi. Ai po luante politikë për pasion dhe për interes public)
• Pandëshkueshmërinë e ngritur në system në Shqipëri (pandëshkueshmëria do ishte mirë të fillonte nga dosjet e mëdhaja të korupsionit aktual sepse atëhere do kishte vlerë, por me dosjet e para 10 viteve vetëm se do ngulisë më tej idenë se ndërkombëtarët përkrahin stabilokracinë aktuale)
BURIMI NE STATUSIN E FACEBOOK TE AMBASADES SHBA TIRANE https://www.facebook.com/usembassytirana

Promovohet libri “Mall më shumë vuajtje” (VIDEO…)

0

Në Rochester Hills Michigan është promovuar librit i autorit trieshan Shtjefen N.Palushaj Merrte pjese edhe redaktori i ketij libri Zija Vukaj,njekohesisht edhe Kryetar i Shoqates Shkrimtarve Shkoder. Programin te plote do ta ndiqni keto,por edhe ne AlbDreams TV në gjitha platformat shqiptare në Amerike dhe Kanada IPTV dhe në livestream  www.albdreamslive.tv

Jean-Yves Le Borgne avokati francez i Berishës që do mbrojë akuzën kundër Antony Blinken

0

Sali Berisha ka deklaruar sot se ai ka mërrë një avokat francez, Jean-Yves Le Borgne, për të paditur në rrugë gjyqësore në Francë sekretarin e shtetit Antony Blinken për veprimin e tij për shpalljen non grata të ish liderit të PD-së.

“Kam udhëzuar avokatin tim në një vend neutral siç është Franca që të ngrejë një padi direkte ndaj Blinken për shpifje. Z.Blinken mundet ndoshta të pretendojë imunitet, por sot ky koncept vlerësohet nga Gjykata në mënyrë relative, çka do të thotë se është ai mbrojtur kur ai kryen akte normale të pozitës së tij dje jo kur prek dinjitetin e një personi privat” tha ai.

Po kush është avokati francez i Berishës?

Jean-Yves Le Borgne, 71 vjeç kryeson Shoqatën e Avokatëve Penalë të Francës, dhe ka mbrojtur në gjykatat e këtij vendi shumë personalitete të larta politike si ish-kryetarin e Parisit Jean Tiberi, ish drejtorin e kabintetit të Jacques Chirac dhe biznesmenë të mëdhej si ish bosin e Renault, sipërmarrësin Carlos Ghosn.

Ai konsiderohet politikisht në Francë si një golist me prirje nga e majta, dhe disa herë a tentuar të hyjë në politikë. Ende nuk dihet se si ai do të mbrojë çështjen e një qytetari shqiptar që akuzon antërin e një kabineti amerikan, në një shtet të tretë si Franca.Lapsi.al

Një realitet i ri në shoqërinë shqiptare

0

Gjekë Gjonaj

Përmbysjet që s’kishin  fuqi t’i  bënin perandoritë më të mëdha të botës e as regjimet  më të egra të kohës i bëri një  sëmundje-virus   misterioz i frymëmarrjes me origjinë të panjohur  në qytetin Vuhan të provincës kineze Hubei, më 31 dhjetor 2o19.  Me shfaqjen për herë të parë  të këtij koronavirusi të ri  ( COVID-19) në të gjitha vendbanimet  me popullatë shqiptare në Malin e Zi, sikurse në gjithë botë, solli ndryshime të mëdha.  Pandemia çoi në një ndryshim të rregullave të sjelljes në marrëdhëniet shoqërore dhe kontaktet, kështu që në vend që të shtrëngonim duart dhe të putheshim, ne iu drejtuam disa formave të tjera të përshëndetjes, të tilla si prekja me bërryla ose një grusht i mbyllur.

Brenda një kohe të shkurtër ky virus i padukshëm, i cili ndryshoi krejt botën, bëri që edhe  ritet fetare, doket e zakonet tona  të trashëguara nga periudha e lashtë, të  përjetojnë thjeshtime e ndryshime ,  për të mos thënë zhdukjen e  tyre.  Këto pjesë të kulturës sonë tradicionale,   të  cilat i kishin  rezistuar  kohës  tashmë ,  u përulën përpara një virusi që, sot për sot, dihet vetëm se si quhet.  Të shpresojmë për një kohë sa më  të shkurtër.  Ajo që ishte e paimagjinueshme deri vitin e kaluar është bërë përditshmëri e jetës shqiptare.

Në këtë kohë pandemie jemi dëshmitarë të realitetit të hidhur të zhvillimit të ceremonive tona  në raste gëzimi e pikëllimi, siç janë lindjet, darsmat e vdekjet.  Deri dje pothuaj ishte e paimagjinueshme dhe e papranueshme që   të afërmit e familjes  të mos shkonin me dhurata në dorë në shtëpinë e çiftit të rinj për t’i uruar foshnjës  së posalindur jetëgjatësi.  Shqiptarët besonin se  data e dasmës  nuk mund të ndryshojë, sepse në rast  se ajo shtyhet sjell fatëkeqësi tek çifti i ri. Po ashtu për shqiptarët ishte e pabesueshme  që personi  që ka ndërruar jetë të shoqërohet  për në shtëpinë e përjetshme  vetëm nga familjarët. Masat për parandalimin e koronavirusit nuk lejuan asnjë përveç familjarëve të marrin pjesë në ceremoninë e varrimit. Gjithashtu u ndaluan edhe drekat mortore, pra një lamtumirë në distancë. Të gjitha këto rregulla zakonore të shqiptarëve  që  përmenda nuk besohen më. Ato  kalojnë pa zhurmë, në fshehtësi të plotë e larg syve të botës. Thënë shkurt e shqip, të gjitha ceremonive, qofshin këto për të mirë apo për të keq , në kohën e virusit korona, iu ka mbetur vetëm emri.  Dhe ky realitet krejt i ri  ndodhi   brenda një harku të shkurtër kohor.

Pandemia Covid-19,   përveç gëzimit të jetës dhe fatkeqësive njerëzore,  ndryshoi tek shqiptarët në  Malin e Zi    edhe shumë tradita të tjera që i kishin rezistuar kohës. Distanca fizike dhe  masat e   tjera që imponoi koronavirusi sollën  që ritet e festave, meshat dhe lutjet   të mos praktikohen  si në kohën normale. Ato u zhvilluan  në shtëpi për të shmangur grumbullimet e njerëzve. Meshat e lutjet  në shumë kisha e xhami  janë kryer online. Besimtarët kanë festuar vetëm me familjet e tyre.Ajo që, sipas psikologëve dhe  sociologëve,  duhet   të marrim  si shoqëri pas një viti e gjysmë   ne dhe e gjithë bota, është se  duhet të ndiejmë se njerëzimi është një tërësi e vetme dhe se një armik i përbashkët na bashkon globalisht dhe na bën të vetëdijshëm për përkatësinë e njeriut,  racës dhe civilizimit. Ne, siç  pohojnë   ata,  duhet të shohim se e vetmja rrugëdalje është një qëndrim bashkëpunues, si dhe  të mbështetemi  te shkenca dhe njohuritë e saj, e jo te  kategoritë e vlerave dogmatike  dhe retrograduese, duke përfshirë  këtu edhe të ashtuquajturat “ teori të  konspiracionit” të cilat janë  vetëm maja e Ajsbergut.   Pa marrë para sysh  këto vlerësime të sociologëve dhe psikologëve  mbetet e drejtë e secilit  person ( individ)  që  ritualet ( ngjarjet)  më  intime t’i vlerësojë  vetë.

 

POSTIMET E FUNDIT