Fjala, si nevojë për komunikim

0
263

Marash Gilaj **

                   ( ese )

Fëmija i sapolindur, fillimisht, qan. Kjo është mënyra e vetme e tij për t’u ankuar  dhe mjeti që ka në dispozicion për të komunikuar. Është nevoja për të treguar se ndjen dhimbje diku, se ka uri, se ndodhet në një ambient me temperaturë tjetër nga ajo që është mësuar etj. I duhen tre javë për t’u ambientuar e përshtatur. Ai do të flasë, por nuk di, nuk mundet. Nevoja dhe dëshira për komunikim, me kalimin e muajve dhe viteve, sa vjen e rritet, bëhet  domosdoshmëri dhe kureshtje. Për një fëmijë të zgjuar 3-4 vjeçar, kureshtja është pasioni i parë. Askush si gjyshërit e gjyshet që i mbajnë afër nipërit dhe mbesat e veta, nuk ka dëgjuar më shumë pyetje, disi të çuditshme e kureshtare prej tyre. Disa prej të cilave i kanë vënë në siklet, sa nuk kanë ditur se si t’u përgjigjen. Pra, përveç qarjes, fëmija përpiqet dhe komunikon me sy, me gjeste, kur nuk mund të flasë ose duke buzëqeshur.

Sytë flasin në të gjitha gjuhët e botës. Kur gjuha thotë një gjë e sytë diçka tjetër, atëherë njeriu i zgjuar u beson më shumë syve se fjalëve, na mëson urtësia. Diçka tjetër që kërkon përgatitje dhe shkollim të veçantë për ta kuptuar është

(body language), që do të thotë, gjuha e trupit. Njeriu reagon duke ndryshuar mimikën, duke kryqëzuar duartë, ndonnjëherë, duke kafshuar buzët dhe kruar kokën, kjo e fundit, është shënjë që tregon se personi është i shqetësuar dhe nervoz.

Buzëqeshja quhet gjuha universale, pasi është e kuptueshme nga të gjithë, kudo nepër botë, (nuk ka nevojë për përkthyes), është muzika e shpirtit, gjuha magjike dhe konsiderohet si arma më e fuqishme e komunikimit. Është mënyra më ekonomike për të përmirësuar pamjen e jashtme të fytyrës nga të gjithë njerëzit e kësaj bote pa përjashtim. Ajo na bën më simpatik/e. Me buzëqeshjen fillon paqja. Prite tjetrin me një buzëqeshje dhe i ke falur jetë, lumturi, i ke rrit besimin, ndersa vetes i ke shtuar suksesin. Buzëqeshja na lidh me njerëzit, na çlodh dhe është stoli e mirësjellje, që tregon edhe urtësi.

Ti mund ta kesh stolisur fytyrën me bizhuteri të shtrenjta prej ari e diamanti, por askush si buzëqeshja nuk e zbukuron pamjen tënde, nuk e ngroh zemrën as nuk e zbut dhimbjen. Ajo është sistemi ndriçues i çehres tënde.

Ai që nuk buzëqesh sikur na frikëson, na irriton e na  largon.

Duke komunikuar me tjetrin, pëcjellim ndjenjat, idetë tona dhe japim e marrim informacione. Kjo e bën  jetën më të bukur. Komunikimi është shkencë dhe art që mësohet në shkollë dhe në praktikë. Përdorimi dhe shtrirja e fjalës nuk njeh kufi. Ajo shpreh mirësjellje dhe njohje, dashuri dhe urrejtje, nevojë dhe kërkesë, kuptim dhe keqkuptim, besim dhe dyshim, zgjuarësi dhe injorancë, afërsi dhe distancë, takt dhe harbutëri. Me anë të fjalës pyesim dhe marrim përgjigje, Në një bisedë me tjetrin, tregojmë vëmendje, dëgjojmë me kujdes dhe heshtim, kur duhet, nëse jemi të kulturuar. Nga fjalët që themi kuptojmë njëri – tjetrin se sa kulturë e njohuri kemi në fusha të ndryshme. Aty thuhen të vërteta dhe gënjeshtra, kritika dhe lavdërime, opinione dhe analiza, diskutime, prej të cilave nxirren mësime. Nuk përjashtohen as lajkat, shpifjet, thashethemet dhe hipokrizia, si shfaqje negative. Me fjalën ne bëjmë humor, qeshim e argëtohemi. Këto të fundit janë cilësi e njerëzve të zgjuar. Dikush me fjalën bën llafazanin e spiunin, agresivin dhe të turpëruarin. Shtrirja dhe pëdorimi i fjalës gjëndet tek librat, këngët, në premtime e betime. Lista e përhapjes së fjalës dhe e përdorimit të saj zë hapsirë të madhe, të gjithanshme.

Disa fjalë dhe mjete të tjera komunikimi quhen dhe janë vërtetë magjike, për nga vlera që marrin dhe rëndësia që kanë gjatë përdorimit, si për shembull: përshëndetja dhe buzëqeshja, kur takohemi me të tjerë, falnderimi, kur dikush na bën një nder, shfaq respekt për ne, na komplimenton për diçka që e meritojmë. Këtu hyn dhe kërkimi i faljes, kur shqetësojmë dikë ose gabojmë ndaj tjetrit, qoftë, edhe pa dashje. Nder fjalët magjike, latinët e vjetër konsideronin si shumë të rëndësishme edhe këto: të dish, të duash, të guxosh dhe të heshtësh, kur duhet. Po të mendojmë pak, secili nga ne, mund të kuptojë se sa me vlerë janë këto fjalë. Komunikimi, me të drejtë, pranohet si nevojë e parë e njeriut. Një njeri me shpirt e zemër të pastër bisedon ose kuvendon me tjetrin miqësisht, ndersa tjetër gjë është të flasësh. Thjeshtë, në rastin e dytë, tregon se ke aftësinë të flasësh, por kjo është larg bisedimit. Fuqia e fjalës është shumë e madhe. Nëse dimë ta përdorim si duhet e kur duhet, ajo na nderon e na mbron. Në të kundërtën, na poshtron e na rrëzon.

Është kënaqësi, kur takon dikë që ndihet i qetë gjatë bisedës, tregohet i vëmëndshëm, kur të dëgjon dhe di të hesht, kur duhet. Ata që dinë të flasin, flasin shkurt, na mëson urtësia. Po fole pa hesap dhe nuk ke durimin të dëgjosh e të mbash radhë, ky quhet defekt dhe shkakton bezdi në rrethe shoqërore, ndonjëherë, bëhet i paduruar.

Fjala duhet menduar mirë para se të thuhet. Ajo duhet peshuar, matur e numëruar që të zërë vend dhe të mos lëndojë dikë. Kjo ka lidhje edhe me kohën e tjetrit dhe tënden, sepse ai që nuk ia di vlerën kohës, nuk të vlerëson ty as veten. Dhe duhet gjetur mënyra për t’u larguar prej tij, kur thotë se ka kohë pa hesap ose flet broçkulla. Njeriu i kulturuar, fillimisht, e pyet tjetrin, nëse ka pak kohë për të shpenzuar me ty për një bisedë apo kafe dhe e falnderon në ndarje.

Në një film kam dëgjuar pyetjen shumë sinjifikative: “A po dëgjon se çfarë po thua?” Që do të thotë se ti duhet të bësh edhe rolin e dëgjuesit, duke e vënë veten edhe në rolin e tjetrit njëkohësisht. Mendo për një çast sikur këto fjalë po ia thua vetëvetes. Fjala ka forcë të shuajë edhe dashuritë, duke i kthyer në urrejtje. Me fjalën, mjeku ben terapi duke e përdoruar si mjet shërimi. Një psikolog mund të bëjë mrekullira tek i sëmuri në ankth, panik apo depresion. Kjo është fuqia e fjalës. Ndaj, fjala duhet zgjedhur siç zgjedh bujku farën që do të mbjellë për të marrë prodhime të mira. Si rregull, ata që dinë të flasin i bien shkurt, që të mos mërzisin të tjerët dhe t’u lënë radhë edhe atyre. Duket, se po të shtojmë dijen dhe urtësinë, të folurit fillon e pakësohet nga dita në ditë. Ata që i kursejnë fjalët e tepërta, na mësojnë të mendohemi më thellë, të gjejmë se çfarë ka dashur të thotë, të zbulojmë edhe nënkuptimet. Ndodh që gjëja më e rëndësishme është ajo që nuk është thënë, por i dituri shkon përtej asaj që thuhet ose duket. Dihet që fjalët, shpesh, i fshehin mendimet, por veprimet i zbulojnë. Një bisedë është e këndshme, kur ndihemi të barabartë, pavarësisht nga niveli kulturor. Disa njerëz kanë një dëshirë të pakontrolluar vetëm për të folur dhe nuk kanë zell për të dëgjuar. Kjo i bën ata të padëshiruar në shoqëri. Këta tipa duket sikur kënaqen duke dëgjuar veten.

Krejt ndryshe ndodh me njeriun e urtë. Ai ka prirje të dëgjojë më shumë se sa të flasë. Kjo ndodh sepse ai do të mësojë diçka më shumë. Dhe njeriu mëson nga çdo njeri sado i paditur qoftë ai. Dikush, për ta vërtetuar këtë ka thënë se më e pakta që mund të mësojmë nga një njeri i paditur është që të mos bëhemi si ai.

30 maj 2023

**Fragment nga libri im i katërtë me titull : “Komunikimi me njerëzit nuk është një fjalë goje” ( pjesë nga një ese).