VËMENDJE E VOGËL PËR NJË VDEKJE TË “MADHE”

0
196

(Kushtuar 82 vjetorit të vdekjes të At Gjergj Fishtës)

NGA  NDUE  BACAJ

82 Vite më parë, me 30 dhjetor 1940 në spitalin civil të qytetit të Shkodrës do të ndërronte jetë Át Gjergj Fishta. At Fishtën do ta zinte vdekja ndërsa kishte ndër duer përkthimin e Petrarkës në gjuhën shqipe, sikurse kishte përkthye kaherë “Hymnet e shenjta” dhe “Pesë Maj” të Manzonit, disa nga ariet e Metazit dhe lirika nga shumë poetë të tjerë italianë. Pak para se të vdiste At Gjergj Fishten  e  viziton Arqipeshkvi i Shkodres, Imzot Gasper Thaçi. Këtë  vizitë  Arqipeshkvi e bënte  edhe per  t’i  kryer  sakramentet (e fundit) të rrëfimit e vajimit , por  At Fishta edhe pse në çastet e fundit të jetës ai do të thoshte :  “ Nuk po më vjen keq se po vdes , mbasi të gjithë atje do të shkojmë , por po më  vjen e randë se të tanë  jeten e kam shkri për të pa nji Shqipni të  lirë e në vedi , ndersa sot po e lâ të shkelun prej ushtrive te hueja.”.1.  Po ditën e vdekjes do të perhapej si rrufeja lajmi i ndarjes nga jeta i njerit prej koloseve më të medhenjë të fjalës e vepres. “Yndyra” e intelektualizmit , nacionalizmit , por edhe i qytetarisë  së thjeshtë të Shkodres , Malesisë e  Shqiptarisë do të “vishej” në zi , për  humbjen e  njëres nga mendjet më të ndritura të letersisë , artit , historisë ,filozofisë , enciklopedisë , publicistikes , satirës , diplomacisë e mbi të gjitha të atdhedashurisë… Arkivoli me trupin e tij u vendos në Kishën e Gjuhadolit prej nga u përcoll në banesën e fundit nga pothuaj i gjithë qyteti si dhe autoritetet ma të nalta të kohës. Meshën e përmotshme e mbajti Imzot Gasper Thaçi, Arqipeshkëvi Metropolit i Shkodrës. Arkivoli i përmotshëm i At Fishtës ishte mbuluar me Flamurin autentik të Dedë Gjon Lulit të pa shenja robnie…2.  Telegrame të shumta ngushëllimi muer Provinçiali Atë Çiprian Nika. Më 31 janar 1941 edhe Akademia Mbretnore e Italisë mbajti nji Meshë Drite në kishën artistike të saj të Shën Lukës dhe Shën Martinit, meshë të cilën e udhëhoqi Gjenerali i Urdhnit Françeskan At Leonard M. Bello, këndue nga Schola Cantorum e Vatikanit, ndërsa pjesën muzikore të saj e drejtoi muzikanti i njohurn Akademik Don Lorenzzo Perosi, ndërsa një tjetër ceremoni përkujtimore u mbajt Reale Accademia d’Italia më 9 mars 1941. Përmbledhim këtu tue ba tonin vlerësimin e bamë nga Ernest Koliqi se: “… tek Fishta u shkrinë në nji, tana cilsitë e tij prej murgu, oratori, edukatori e politikani, ndërthurun në mënyrë të shkëlqyeme në përkushtimin e lindun ndaj poezisë.” Pranë i rrijnë shumë nga Franceskanët e mëdhenj që bënë epokë, në mes të cilëve edhe At Viktor Volaj, studiuesi i njohur i krijimtarisë letrare të Fishtës. Fjala e fundit u mbajt nga Prof. Aleksander Xhuvani (31 dhjetor 1940),  i cili ndër të tjera do të thoshte:

Zotnij të ndershëm!

Si vetëtimë u-perhap an’e kand të Shqipnisë lajmi i idhët i vdekjes së poetit t’onë kombëtar At Fishtës,  dhe e mahnitun mbetet sot mbarë bota shqiptare, tue kujtue emnin zamadh të autorit të Lahutës së Malcisë, që ka këndue, si dikur Omeri, burrnin’e besën e fisit tonë, që ka ndezë zemrat e Shqiptarvet, si dikur Tirteu i vjetërsisë. E me të drejtë i kanë thanë Fishtës Tirteu i Shqipnisë, se sikurse ai me elegjit’ e tij ndezi zemrat e Spartanvet për luftë, njashtu edhe epopeja e Lahutës, odet edhe elegjit’e Mrrizit të Zanavet e të poezivet të tjera kanë mbjellë në zemër të djelmnisë s’onë dashunin e pamasë për truellin e të parëvet dhe për gjuhën amtare. Nji këto dy ideale, atdhedashtënija dhe ruejtja e gjuhës si dritën e synit, lavrimi e përparimi i saj kanë qenë polet, rreth së cilëvet shtrihej gjithë vepra e çmueshme e Fishtës. E s’ka kush tjetër veç neve arsimtarëvet që kemi pasë e kemi nëpër duer edhe ua kemi mësue nxanësvet poezit’e tij, që e çmon mâ mirë veprën zâmadhe të Fishtës, e cila si nji far i madh dritëdhanës ka ndriçue mendjen e djelmënisë sonë, si nji Ungjill shkëndimath morali ka zbutë e ka edukue zemrën e saj…. Le t’i lutemi Fuqimadhit Perëndi, që t’i caktojë pranë fronit nji vend të meritueshëm, si në këtë dhê, prej kah të vijojë me i lutë për lumnin e Shqipnisë”. At Fishta Heshti, por këngët e tija do të tingëllojnë të gjalla deri sa të flitet shqip nën kupë të qiellit. 3.  Në këtë cermoni mortore një fjalë të shkëlqyer e domethënëse  mbajti edhe miku i Fishtës, kleriku i nderuem, publicisti e  patrioti Hafiz Ali Kraja, nga i cili citoj:

“Poet  kombëtar, o Patër Gjergj!

Një orator, tue dashtë me folë mbi veprat Tueja, rrin shtang e hutohet, sepse ata janë shumë, janë aq të mëdhaja e të madhnueshme, sa asht vështirë me caktue se mbi cilën aso veprash duhet me folë. Vepra Yte o Poet, ka për të formue nji  faqe të shkëlqyeshme në historinë politike të kombit shqiptar, pse, në aktivitetin që ke zhvillue ndër konferencat  politike  ndërkombëtare, nuk kje tjetër veçse me i sigurue kombit tonë të drejtat, qi ai i ka jetike e si ma i vjetri komb në Ballkan. Shkrimtarët e ardhshëm të historisë shqiptare jetën tande politike do ta gjykojnë në bazë të “Lahutës së Malcis”  kryevepra  jote monumentale. Të jesh i bindun o Poet i Madh, se shqiptari me “Lahutën e Malcis” ka për të qenë gjithmonë kryenaltë, siç janë helenët me Iliadën e persianët me Shahnamenë, mbasi, ti, me atë vepër të naltë i ke njoftue botës së qytetnueme psiqikën e karakteristikat ma të ndjeshme të popullit shqiptar. Sot djelmnia intelektuale me “Lahutën…” Tande në dorë të nep besën shqiptare tue t`u betue se idealin Tand të naltë që shprehe për kombësinë shqiptare, do ta ruejnë e do ta mbajnë si gja të shenjtë morale. Gjithashtu edhe populli  mbarë, i fushave dhe i maleve, anë e kand  në Shqipni sot nep besën, se “Lahuta…” e jote në shpirtin e tyne do të sundojë sa të jenë stinë e mote. Trima e gra, djelm e vajza, me fjalën shqiptare të napin besën, se vllaznimi kombëtar, që ti çfaqe në “Lahutë…”, do ta mbajnë me forcë të madhe… Me Ty, patër Gjergj, kombi shqiptar mburret, naltësohet dhe madhnohet para  popujve të tjerë, prandaj sot krejt populli shqiptar të përulet; djelmnia intelektuale vajton humbjen Tande e me lot në faqe të përcjellim me mallnjim e dhimbje në jetën e pasosun”.4.

PAK NGA JETSHKRIMI I AT GJERGJ  FISHTËS :

Siç është bërë traditë në këso rastesh edhe unë mendova të kujtoj sado pak nga jetshkrimi i At Gjergj Fishtës. At Gjergji lindi me 23 tetor te vitin 1871 në Fishtë  të Zadrimes , ose në Sapen e Shenjt historike , në shtepinë plot atdhedashuri e filiza të njomë (femijë) të Ndokë Simon Ndocit  dhe bashkeshortes së tij Prenda Lazri. Femijrinë e parë Zefi i vogel (apo famulltari i ardheshem At Gjergji)  e kaloi në  katundin e vetë Fishtë , në mes  tufave të bagëtive dhe luleshqerrave, në mes tregimeve , prrallave , por edhe në mes ninullave dhe kengeve të trimerisë ,që në pergjithsi mesoheshin pranë votrës, shkollës epike të trashigimisë historike nga njeri brez në tjetrin… Fishten e vogel e futen në seminarin e Shkodres, e pastaj në atë të Troshanit , që u hap nga austrohungarezet…Kuvendi Françeskan e dërgoi Fishtën në vitin 1886 për studime teologjike e filozofike, të cilat i perfundoi në  Manastirin e Livnos e të Sutiskes në Bosnje. Me 25 shkurt 1894 celebron meshen e parë ,dhe njëkohësisht fillon rrugën e bukur, por të veshtirë e me privime të meshtarisë në vendin e tij… At Gjergj Fishta sa ishte gjallë botoi mbi 20 vepra origjinale, si dhe ka  lënë në dorëshkrime dhjetra të tjera (që do të botoheshin më vonë). Por një kontribut të çmuar Fishta ka dhënë edhe në publicistikë, ku kjo është e pasqyruar në mbi 50 organe shtypi të kohës, madje disa prej tyre të themeluar e të drejtuar po nga ai vetë me në krye Hyllin e Dritës. Vepra madhore e Fishtës kishte marrë vlerësime të rëndësishme të kohës, ku u përfshin në “fondin e Artë” të leteraturës Botërore, duke vënë epitete “superlative” si për: “Lahutën e Malësisë” – Iliada e shqiptarëve, dhe ungjilli i shqiptarizmës, për “Mrizin i Zanave” e “Vallen e Parrizit” – Gëtja Shqiptar, për “Judën Makabe” e “Jorinën” si Shileri shqiptar, për “Anzat e Pernasit” e “Gomarin e Babatasit” u mbiquajt Juventali… “Lahuta e Malësisë” u përkthye në Italisht, Gjermanisht, Anglisht e tjerë duke u bërë kështu pjesë e pandarë e artit, kulturës e qytetërimit Europian e më gjerë. Duke e konsideruar si të tillë këtë vepër shqiptarie e më gjerë, Fishta nderohet nga institucionet shqiptare e të huaja me një sërë dekoratash, çmimesh e titujsh, kombëtar e ndërkombëtar… At Gjergj Fishta është shqiptari i Parë i propozuar për çmimin Nobel. Në vitin 1939 e bënë anëtar të Akademisë Italiane e tjerë… At Fishta ka qënë kryetari i komisionit të caktimit të alfabetit në kongresin e Manastirit 1908, ka perfaqësuar Shqipërinë në konferenca ndërkombëare , ka “ndërmjetësuar” vendosjen e mardhenieve diplomatike (me 1922) të Shqipërisë me SHBA-n, ka qënë deputet dhe njëri ndër zërat më të fuqishëm të parlamentit, dhe më kritik të qeverisë , ministrave të asaj kohe, dhe çdo fenemoni apo çfaqje autokratike e që ishte kundër interesave të shqiptarëve… Por për “çudi” kur vepra e Fishtës ndalohej në atdheun e tij që e kishin marrë në dorë dreqnit e kuq (komunistët) 1944-1991, nëpër universitetet e Europës  ajo studiohet përkrah veprave të Homerit, Dantes, Gëtes e tjerë, duke u realizuar kështu edhe fjalët e Gjonit, Apostull e Ungjilltarë që thotë: Vetë Jezusi tha se asnjë Profet nuk nderohet në vendin e vet”… Ndërkohë më e keqja do të ndodhte nga komunistet shqiptar kur perveç  ndalimit të vepres (per tu bërë qjefin Moskës e Beogradit), në vitin 1967 do ti tretnin edhe eshtrat e tij ,(thonë në lumin Drin…) së bashku me eshtrat e trimit të urtë Dedë Gjon Lulit e tjerë..

“Kur të varrosen ,

edhe gurët kjanë!

Kur të zhvarrosen,

të shkelen e shanë!

Eshtnat rrugicave ,

prap i gëlltiti dheu,

dhe ti mbete pa vorr,

 si Skenderbeu!

Tashti dikun në qiell,

me shgun frati,

pret e shikon përposht

se ç’rrengje punon fati…”.5.

Me gjithë ndalimin e egër që i bëri diktatura komuniste dhe propoganda e  sherbëtorëve të saj (edhe pse disa nga këta letrar të njohur e me famë), At Fishta dhe vepra tij , në trojet shqiptare , kryesisht në ato Gegë , nuk u harrua e nuk ishte e mundur të ndalohej kurrë. Vepra  e At Fishtës e veçanarisht kryevepra e tij Lahuta e Malcisë lexohej e mësohej permendësh , sigurisht në fshehtësi absolute nga syri vigjilent i partisë (sigurimi i shtetit komunist dhe spiunëve të tij). Këtë e tregon më së miri një eveniment i perkujtimit të At Fishtës dhe veprës tij pas rreth 45 viteve  ndalesë, heshtje e harresë, kur me 5 janar 1991 në Shkodër (në teatrin “Migjeni”)  gjatë recitalit të parë publik nga vepra e At Fishtës , aktori recitues ngeci , dhe menjëherë u ndihmua spontanisht  nga spektatorët në sallë, të cilët ende i mbanin mend përmendësh  shumë pjesë të Lahutës së Malcisë…6.  Dielli  s’xëhet me shoshë – thotë një fjalë e jona e vjetër . Fishtën e shkrimtarët e mëdhenj të së kaluemes  s’pat si ti terratisë gjatë kohës së komunizmit  e aq më pak tani… as  s’pat  si t’i asgjesojë mënia që me hov të vet  të pakontrolluem helmoi mendje dhe u vuni lepë  syve të shumkuj në Shqipni e ndër Shqiptarë.  Drita shijohet ma tepër mbas territ , se sa përpara. Kurrë  s’duket aq shëndritshëm dielli sa mbas shtërngatës.7.  Këtu gjejnë vend fjalët e Zef  Palit (Flaka) , kur do të thoshte: “Shkrepsa staliniane , ndezi kryevepren epike të kombit t’onë , por nuk u dogj . Lahuta asht vetë zjarr. Zjarri me zjarr nuk shuhet”.8.  Fatkeqësisht ne malësorët  e Malesisë Madhe që duhet të ishim të parët në perkujtimin e pervjetorëve (të lindjes e vdekjes) të At Gjergj Fishtes , në promovimin e vlerave të vepres tij , si dhe në memorizimin e perjetsimin e emrit të ketij “Homeri” shqiptar , që perjetësoi  historinë tonë  në “Iliaden” Lahuta e Malësisë e në vepra të tjera , ne malësorët jemi ndër të fundit… Nuk kemi asnjë shkollë , shesh , rrugë apo institucion në Bashkinë e Malësisë së Madhe që të kenë emrin e At Gjergj Fishtes.  Gjithashtu nuk kemi asnjë bust  memorial apo diçka tjeter të këtij kolosi të mendimit e veprimit , që të jenë vendosur në  kryeqendren e bashkisë  apo në qendrat e njësive administrative të Malesisë së Madhe.  Kjo mungesë e pajustifikueshme,  mjerisht  sot  duket se na thotë : “ se  ata  trima të urtë e atdhetarë  malësorë, të cilëve u këndon At Gjergji nuk paskan lanë  kurrkënd  mbrapa…”. Në vitet e demokracisë  (ish) presidenti i Republikës së  Shqipërisë (Alfred Moisiu) me 28 nëntor 2002 i ka  akorduar At Gjergj Fishtës , dekoratën më të lartë “NDERI I KOMBIT”…Nderkohë disa pushtete vendore, duke perfshirë  edhe Bashkinë e Malësisë së Madhe , (me rastin e 150 vjetorit të Lindjes  të At Gjergjit) e kanë nderuar (pas vdekjes) me titullin më të lartë vendor “Qytetar Nderi”.

At Gjergji kudo që të pushojnë eshtrat e tu,  paç dritën e pambarueme, ashtu siç na  ke lënë veprën tënde të pavdekshme letrare, artistike, psikologjik,  filozofike  , publicistike , historike e mbi të gjitha patriotike!. 

REFERENCAT:

1.Prof. Filip Fishta, Fletë Kujtimesh , për vdekjen e At Fishtës, Hylli i Dritës nr.1-2, Kallnuer-fruer, XVII 1941, fq14. 

2.Prof. Filip Fishta, Fletë Kujtimesh , për vdekjen e At Fishtës, Hylli i Dritës.

3.Ernest Koliqi, rev. Shkëndija, fq.4, nr.7, kallnuer 1941.

4.https://telegraf.al/speciale/hafiz-ali-kraja-nderi-i-fese-dhe-krenaria-e-kombit-shqiptar-2/.

5.Tringë Dukagjini, Pogradec ,1976, At Daniel Gjeçaj , po aty , fq.254.

6.Robert Elsie , Fjalori  Historik i Shqipërisë , fq.195 , Sh.B. Eugen-Tiranë 2011. 

7.Daniel  Gjeçaj , GERGJ FISHTA -Jeta dhe Vepra, fq.13 , Botime Franceskane , Shkodër 2007.

8.Daniel Gjeçaj , po aty, fq.269, citim nga Flamuri: nr.73-74, fq.2, dt.29.II.1956.  

9.Më hollësisht shih në librin tim me titull: At’Gjergj Fishta, Patrioti i madh pendartë i kombit shqiptar – Në vend të një monumenti nga një malësor. Botua me rastin e 150 vjetorit të lindjes të At’Gjergj Fishtës Botimi që u bë i mundur nga sponsorizimi i  Shoqatës Atdhetare “Malësia e Madhe”, Michigan-SHBA.