Si ia doli të triumfonte demokracia gjermane

0
224

Nga David Frum
Pas mposhtjes së Gjermanisë naziste, autoritetet amerikane në zonat e pushtuara realizuan disa sondazhe. Një pyetje ishte ‘nëse nazizmi ishte një ide e keqe’, apo ‘një ide e mirë, por e realizuar keq’. Profesori Frederick Taylor shkruan: “Pikëpamjen se nazizmi ishte një ide e keqe nuk e kishin kurrë më shumë se 40 përqind e të pyeturve, dhe në fund të dimrit të tretë pas luftës, ky numër ra në 30 përqind, kurse ata që insistonin se nazizmi ishte një ide e mirë, por e realizuar keq, shkuan në 60 përqind”.

Milton Mayer, një gazetar amerikan gjermanishtfolës, jetoi në vitin 1952 në një qytet të vogël në shtetin e Hesenit. Ai u miqësua dhe intervistoi 10 burra që kishin marrë pjesë në djegien e sinagogës. Me një përjashtim të vetëm, ai zbuloi se ata jo vetëm nuk ishin penduar, por ishin të bindur në viktimëzimin e tyre. “Të nëntë burrat e tjerë, njerëz punëtorë, të zgjuar dhe të ndershëm, nuk e dinin para vitit 1933 se nazizmi ishte djallëzor. Nuk e dinin as gjatë viteve 1933-1945 se ishte djallëzor. Nuk e dinë as tani. Askush nuk e njeh nazizmin siç e njohim ne, e megjithatë ata i kanë shërbyer atij”.

Këtë muaj, Gjermania e bashkuar shënon 70-vjetorin e lindjes së Kushtetutës: Grundgesetz ose ligji themelor. Dokumenti i gjatë- një version i tekstit në anglisht prej 153 faqesh- u përfundua me mbikëqyrjen e aleatëve nga viti 1948 deri në vitin 1949. Teksti final u kompletua më 8 maj 1949 dhe u miratua nga autoritetet pushtuese britanike, franceze dhe gjermane më 12 maj. Neni i parë nis: “Dinjiteti njerëzor duhet të jetë i paprekshëm. Respekti dhe mbrojtja e tij janë detyrë e të gjithë autoritetit shtetëror”.

Në vitin 1949 dukej shumë e pasigurt nëse shteti i ri gjerman do i respektonte këto fjalë. I varfëruar dhe i shpërbërë, me qytete të tejmbushura nga refugjatë të dëbuar nga shtëpitë, i turpëruar para botës për agresion dhe genocid- fati më i mundshëm i Gjermanisë në atë kohë dukej se do ishte rrëshqitja në një shtet të dështuar.

E megjithatë shteti lulëzoi dhe Kushtetuta mbijetoi. Përgjatë 70 viteve që pasuan, Gjermania e nderoi zotimin e saj për dinjitetin njerëzor. Ajo shleu krimet e saj, gjeti paqe me finjët, rimori shtetin lindor nga komunizmi dhe konsolidoi një demokraci liberale të përparuar. Gjermania nuk është pa probleme këtë përvjetor. Por sidoqoftë, Bundesrepublika e ka kaluar testin e kohës dhe të suksesit. Kushtetuta- që dikur shihej si një dokument i përkohshëm- është bërë themeli i një shteti të bashkuar gjerman.

Si ia dolën kësaj?

Duket një pyetje e rëndësishme. Suksesi i tranzicionit demokratik gjerman mund të ofrojë njohuri për të tjerët, që të kapërcejnë kapitujt e errët të së shkuarës. Megjithatë, tema është çuditërisht e nën-diskutuar.

Në vend të kësaj, studiuesit e Gjermanisë prodhojnë dhe konsumojnë një sasi të madhe të dhënash sa i përket dështimit dhe fajeve. Hipokrizia me de-nazifikimin ekzaminohet në detaje. Dhe është e vërtetë: për dekada pas vitit 1945, ish-nazistët mbanin role dominuese në mjekësi, ligj dhe akademi, shërbimin civil, madje edhe në ushtrinë gjermane. Erich von Manstein, i cili planifikoi sulmet që thyen ushtrinë franceze në vitin 1940, ndihmoi në krijimin e ushtrisë së Gjermanisë Perëndimore, pasi kreu vetëm 4 nga 18 vitet e dënimit për krime lufte.

Problemet, gjithmonë problemet! Gjermania është si një pacient që ka marrë veten nga një sëmundje e tmerrshme, dhe që monitoron çdo moment veten nga frika e rikthimit të simptomave. Dhe në fakt simptomat janë aty: krimet neo-naziste kundër emigrantëve, emigrantët që sulmojnë hebrenjtë gjermanë, partitë e djathta që fitojnë vende në legjislatura, post-komunistët që po kanabalizojnë të majtën demokratike- të gjitha atje, të gjitha të vërteta.

Por e gjitha kjo ndodh në sfondin e një suksesi të mahnitshëm të demokracisë gjermane që prej vitit 1949, një histori kaq e madhe sa vështirë të shihet përveçse nga distanca.

Zhvillimi i konstitucionalizmit gjerman duket veçanërisht i akullt. Amerikanët janë mësuar nga gjykata që të paraqesë deklarata të mëdha për ligjin dhe të drejtat. Por ata do zhgënjehen nga juristët gjermanë. Në rastin e parë të rëndësishëm, gjykata më e lartë gjermane vendosi pro qeverisë dhe kundër një personi, të cilit i ishte mohuar pasaporta për arsye politike. Në vitin 1950, gjykata e lartë mbështeti dekriminalizimin e homoseksualitetit, në vitet ’70, gjykata e lartë pengoi dekriminalizimin e abortit.E megjithatë, të drejtat e disidentëve politikë, homoseksualëve dhe grave janë të mbrojtura fuqishëm. Shoqëria gjermane i udhëheq gjykatat, jo e anasjella, siç ndodh shpesh në SHBA. Ideja kushtetuese e merr fuqinë e saj nga funksionet komplekse të sistemit federal gjerman, nga dhënia dhe marrja në jetën parlamentare, nga një kulturë mediatike që ka mbrojtur disidentët dhe pakicat, si dhe nga opinioni publik që është rritur gjithmonë e më vetëbesues e tolerant prej vitit 1949.

Është një imazh i kthjellët për amerikanët, që janë mbështetur së tepërmi tek kujdestaria e gjyqësorit, edhe kur qeveritë janë bërë më pak demokratike, kur kultura politike është polarizuar, kur sistemi mediatik është bërë reaksionar dhe opinioni publik më autoritar.

Shumë nga suksesi i zhvillimit demokratik të Gjermanië varet nga rrethanat unike të kohës dhe vendit. ‘Mrekullitë ekonomike’ si ato të viteve ‘50 deri në vitet ’70 nuk vijnë çdo ditë. Nëse do vinin, nuk do i quanim mrekulli. Lufta e Ftohtë e ndihmoi demokracinë gjermane po ashtu. Demokracia i siguroi Gjermanisë anëtarësimin në NATO në vitin 1955, demokracia bëri një ndarje të qartë mes lirisë në Gjermaninë Perëndimore dhe shtetit policor në lindje.

Megjithatë, ka shumë mësime jo-unike gjithashtu.

Në historinë e tij të shkëlqyer të pasluftës për dy Gjermanitë e ndara, Jeffrey Herf e citon në këtë mënyrë Konrad Adenauerin, kancelarin e parë të Gjermanisë Perëndimore: “Ju mund të keni demokraci në Gjermaninë post-naziste ose drejtësi në Gjermaninë post-naziste, por jo të dyja”.

Kaq shumë njerëz ishin të implikuar në krimet naziste, sa një drejtësi gjithëpërfshirëse nuk mund të kishte kurrë pëlqimin demokratik. Çmimi i pëlqimit demokratik ishte që të pretendohej se këto krime ishin pjesë e një pakice të vogël, për të cilën shumica nuk ia kishte idenë. “Demokracia duhej të ndërtohej mbi bazën e një drejtësie të vonuar- dmth të mohuar”. Historiani Joachim Fest citon përgjigjet e babait të tij për pyetjen mbi krimet e nazizmit: “Nuk doja të flisja për këtë atëherë, nuk dua të flas as tani”.

Megjithatë nuk ishte i vetmi faj që u shtyp. Ishte po kaq jopolitike të diskutoje vuajtjet gjermane gjatë dhe pas luftës. Në një libër të vitit 1999, W.G. Sebald theksonte heshtjen e adoptuar nga gjenerata e pasluftës për shkatërrimin e vendit në vitin 1945- jo vetëm shkatërrimin e qyteteve nga bombardimet aleate, por edhe dëbimin e popullatës gjermane nga shtëpitë e vjetra dhe përdhunimin në masë të femrave gjermane nga ushtarët sovjetikë: “Kishte një marrëveshje të heshtur, që nuk duhej të përshkruhej gjendja e vërtetë e rrënimit material dhe moral ku e gjeti veten vendi. Aspektet më të errët ta aktit final të shkatërrimit, siç u përjetuan nga shumica e gjermanëve, mbetën një tabu si një sekret i turpshëm i familjes”.

Kjo qasje dukej thellësisht e korruptuar për disa. Filozofi Theodor Adorno, në një esse në vitin 1959, ankohej me hidhërim: “Viktimat po mashtrohen dhe gjëja e vetme që u ka mbetur të pafuqishmëve është kujtimi”.

Por sukseset vazhdonin të vinin dhe Frederick Taylor në librin “Exorcising Hitler”, i kujtonte dy dekadat e para të pasluftës si një ‘kurë me gjumë’. Dhe kur ata u zgjuan nga gjumi, pas disa konvulsioneve politike dhe sociale në mesin e viteve ’60, u bë e qartë se në fakt demokracia gjermane i kishte thelluar themelet e saj.

Sot, në 70-vjetorin e shtetit gjerman, premtimi i nenit 1 të Kushtetutës gjermane, është nderuar me të vërtetë. Basti i Adenauer- demokracia fillimisht, drejtësia më vonë- doli i fituar. Dhe ne, në demokracitë e tjera, ndoshta mund t’i thërrasim ndërgjegjes tonë.

Cili është plani ynë për të rehabilituar shoqëritë tona nga autoritarizmi dhe kleptokracia? Si do i përkujtojmë gabimet e bëra nga shoqëritë tona? Sa drejtësi mund të përballojnë shoqëritë tona?

Pas 70-vitesh vetë-ekzaminim, Gjermania moderne ka disa mësime për të dhënë nga eksperienca e saj e vështirë për ata që janë tepër krenarë për të kaluarën e tyre të papërsosur dhe përkeqësimin e të tashmes.