Republika po vlon prej patriotëve shumëngjyrësh “titistë”, “enveristë”, “bolshevikë”, “nacionalistë”, “liberalë”, “anarkistë”…

0
194
Agim Vuniqi
Ngjarjet që po zhvillohen në Kosovë dhe historia që po ndodhë atje lidhet për fatin e njeriut. Sa është për t’u lavdëruar pushteti kur Kosova ka sharruar në varfëri dhe, realitet nuk janë pamjet shpeshherë të shtrembëruara të observimit të punishteve nga lartësia “helikopteriane” me parat e tatimpaguesve shqiptarë; a nuk është ky i njëjti realitet çoroditës si ai i shefëve ekzekutiv të Korporatave “CEO” që shfrytëzonin aeroplanët privat në SHBA. Kjo kënaqësi u ndalua përfundimisht në SHBA, përmes një fjalimi të mëhershëm të ish presidentit amerikan Barack Obama adresuar Kongresit, pas recesionit në ekonominë amerikane dhe krizës ekonomike në industrinë automobilistike, krejt tjetërfare nga realiteti çoroditës i zyrtarëve të Shqipërisë dhe Kosovës, pasi që nga lart nuk duken lagjet e varfëra; a nuk po i konkurojnë këto pamje filmike luksit holivudian. Sigurisht që qytetarët nuk janë aq të ditur të dallojnë luksin nga jeta e përditshme hamletiane, prandaj edhe protestojnë heshtazi për një jetë të dinjitetshme, që është aq larg nga lartësia e aeroplanit në të cilin kalojnë çaste të këndshme zyrtarët e Kosovës e të Shqipërisë, ndoshta kujtojnë se kështu do të përfitojnë zemrat e shiquesve të kanaleve televizive shqiptare, në pako. Ata si duket i kanë përgjegjet e gatshme për pyetjet që lidhen me ngjarjet që janë vendimtare për jetën e qytetarit, edhe kur bëhet tregëti, vjedhet pa sherr, apo flehet kudo për të mbijetuar. Sigurisht që për publikun nuk është informacion jeta e hidhur, që është demantues i luksit…, as vetëvrasjet e të rinjëve, as aksidentet e shumta në komunikacion, as stopimi i ligjit për origjinën e pasurisë së zyrtarëve publikë, kur diçka të tillë e kishin proklamuar dhe zbatuar si akcion ish zyrtarët komunistë -ish autonomistët e Kosovës, “Ke shtëpinë këthe banesën”. Por momenti më i rëndësishëm i këtij krahasimi sureal të demokratëve të kuq “tash kapitalistë të rexhur” dhe i komunistëve të kuq proletarë po del disi i çoroditur, ashtu si ai hapjes së vrimave në ballkonet e banesave nëpër qytetet rumune për t’u “përvjedhur” shtyllat elektrike; deri atje shkon logjika e përfitimit në vendet urbane.
Tash po del se ceremonitë mortore janë festivale të rëndësishme të kulturës, nuk kupton njeriu se çka është manifestim kulturor, spektakël, apo koncert fesitiv, në këtë po bindem nga rivaliteti “shteti”-bordi i Nërmarrjeve publike, por edhe nga koncertet festive që po mbahen në perëndim, përfshirë edhe Amerikën. Kënaqësia po rritet deri në delirium me një “sintisizer”, me muzikë “play back” apo interpretim “live” i këngëtarëve të estradës muzikore, që nga smadhuesit e zërit del si një kombinim i zhurmshëm i instrumenteve të prishura muzikore dhe një zë jo i artikuluar që më shumë është i ngjashëm me klithje që pretendohet të jenë të akorduara. Këngëtarët dalin në sqenë të duartrokitur nga publiku sikur të ishin nisur në gjueti, peshkim, apo thjesht në ndonjë piknik javor. Më ka rënë edhe mua të marr pjesë në koncerte të tilla, njerëzit vallzojnë ndaras, hedhnin valle apo ka lëvizje të çifteve, dhe më besoni të gjithëve u mungon buzëqeshja, njëri më tha se ata duken sikur dikush t’i kishte sharë. Dhe vështirë është njeriu të gjen qetësi kur sheh diçka të tillë, njerëzve u duhet buzëqeshja, e ajo as nuk blehet as nuk falet, kanë humbur boemët.
A është kyçur argëtimi brenda si kujtesë, si mall i ngujuar për vendlindjen apo paraqitet vetëm si shfaqje televizive, që do të shërbej më vonë si material filimik për televizionet lokale, nuk di të përgjegjem, përfundimisht ka diçka pozitive. nëse për asgjë tjetër aty takohen njerëzit, aty pra janë vendtakimet. Më i gëzuar është shpesh produkcioni i pavarur “Dukagjini”, qëllim i të cilit është profiti, më pak shpenzime më shumë profit. Pse jo?
Sikurse shumica e ngjarjeve muzika ofron pasion të gjithanshëm, që nga lotët deri te përfundimi i gëzueshëm. Muzika shqipe është dinamike dhe ka ngjyra të gjalla që i shtojnë emocionet. Por megjithëse ka cilësitë shpesh edhe të kallzimit të përrallave kjo nuk e cënon mënyrën se si këngëtarët e paraqesin vendin prej nga vijnë, si një vend me plot ekstreme. Edhe stilet nuk janë të njëjta hip-hop, muzikë e lehtë dhe muzikë tallava, nganjëherë edhe kombinim, interpertuesit janë të njohur, aq sa para fitojnë .
Atyre si gjithëherë iu afrohet publiku për të realizuar një fotografi të përbashkët, për këngëtarët kjo gjë është pjesë e rëndomtë e spektakleve. Kjo kolumne, quani si të doni, do të ishte e mangët dhe e pakuptimtë, e pranoj me plot ekstreme, po të mos takoj patriotë shumëngjyrësh, shumë, gati të gjithë kontribues të pavarësisë së Kosovës, janë të formacioneve të ndrysyhme “titistë”, “enveristë”, “bolshevikë”, “nacionalistë”, “liberalë”, “anarkistë”…, thonë vetëm leku e çon ujin përpjetë, e çon bile rrëmbyeshëm. Rrofshin kontribuesit, pa ta nuk lëvizë as uji, le më rakija që shkon rrëke, ndodhë nganjëherë memzi gjen hapësirë në nofullat që përtypin orë e çast mishin e servuar, kush ka nge të kuptojë çfarë cilësie, nofullat në formë topthash e shtypin dhe e përtypin mishin, të duket se janë zurlaxhinj.