Të lindur për të ngrënë tagjí

0
141

    Marash Gilaj
Të jesh budalla
është profesion i vështirë,
edhe pse pa vramendje,
vitet ikin badihava,
pa ndryshuar mendim
as veprim për mirë.
Duke bredhur pas kënaqësive
të argalisur,
këta hardallë kokëfortë
e gjaknxehtë,
pa fré turren pas marrëzive
si të harlisur.
Të sigurtë
e me bindje të palëkundur,
udhëhequr nga besimi i verbër,
kurrë nuk bëjnë
gjënë e duhur.
Ndersa i urti
po kërkon të vërtetën,
këta derdimenë thonë
se e kanë gjetur.
Janë krijesa të rrezikshme
e shiten si dinakë,
Mendojnë se i dinë të gjitha,
dhe ecin kuturu
në errësirën e padijes
si dështakë.
Vështirë t’i çlirosh
nga zinxhirët që admirojnë,
si fanatikë të pandreqshëm
që nuk kuptojnē
as nuk duan të mësojnë.
Budallai , kur di një gjë,
mendon se di dhjetë,
dhe thonë se hajvanllëku
nuk ikën kurrë,
se i tillë ai mbetet
sa të ketë njeriu jetë.
Që nga koha e Adamit e këtej
budallenjtë janë në mazhorancë,
ashtu të çoroditur
e krejt pa performancë.
Jam serioz,
s’e them për shaka as qyfyre,
këta teveqelë
mund të kenë zgjedhur
edhe kryeministrin e tyre.
Dhe të ngjashmit,
vendosur në çdo zyre.
Thonë se Nastradini,
njëherë u zu në faj,
Por sa bukur u justifikua
dhe tha si me qesendi:
“Nuk më intreson
çfarë thoni për mua,
sepse unë jam budalla
dhe mund të bëj çfarë të dua.”
Njerëzit qeshën,
por askush nuk u shkreh në vaj.
Dhe nuk është aspak çudi,
Që kjo racë të ketë lindur
vetëm për të ngrënë tagji.
Pesë minuta në ditë,
secili mund të jetë budalla,
Por, nëse kalohet ky cak,
është hata.
Këta idiotë të dobishëm,
pa asnjë cilësi,
si cipëplasur që janë,
kudo që u shkel këmba,
Vetëm telashe sjellin
e mbjellin pasiguri.

20 korrik 2023