Përfaqësimi i grave në lista zgjedhore vetëm retorikë politike

0
186

Gjekë Gjonaj

Partitë politike në Mal të Zi , shpërfaqin gjendjen e përgjithshme  që e kemi në shoqëri , e që vazhdon  me qenë shoqëri patriarkale sidomos në mënyrën se si e trajtojmë gruan  në përfaqësimin e jetës publike. Ky fenomen i padëshirueshëm, i paligjshëm dhe  diskriminues ndaj  gjinisë femërore u përsërit edhe në  Zgjedhjet lokale 2022, të cilat u mbajtën më 23 tetor 2022 në 14 komuna  të Malit të Zi ( Podgoricë, Danilovgrad , Tivar, Zetë, Budvë, Tivat, Kollashin. Bijello Pole, Shavnik, Zhablak, Pluzhinë, Plevle, dhe Plavë). Edhe në këto zgjedhje  që u  mbajtën në një kohë krize të rëndë politike në këtë shtet, ku dy qeveri janë ndryshuar gjatë dy viteve , kjo e fundit është në mandat teknik, për fat të keq  çështja e përfaqësimit të grave  në listat zgjedhore ka mbetur formalitet, respektivisht vetëm retorikë politike, sepse  nuk u respektua  parimi i barazisë gjinore ( neni 39 A i Ligjit për zgjedhjen e këshilltarëve dhe deputetëve) që në listën zgjedhore duhet të  jenë  të paktën 30 për qind  gra.

Komisioni Komunal Zgjedhor në pesë komuna  i ka shpallur  të paligjshme  13  lista zgjedhore, por nuk  bëri  asgjë  për ndëshkimin e  atyre partive ( subjekteve e koalicioneve ) politike   të  cilat   nuk respektuan as minimumin ligjor në listat e tyre, por i lejoi  ato  të marrin pjesë  në zgjedhjet lokale  në ato komuna.

Përderisa  disa  subjekte politike  në çdo cikël  zgjedhjesh nuk po e përfillin  Ligjin për zgjedhjen e këshilltarëve dhe , nuk kam parë se dikush ka iniciuar përgjegjësi  për punën e komisioneve komunale zgjedhore në këtë rast. Madje, e kemi parë reagimin e vonuar  të Asociacionit ( Klubit)  të Grave  në  Kuvendit të Malit të Zi , i cili ka kërkuar   që  çdo degradim dhe diskriminim i gruas në Mal të Zi të sanksionohet rreptësisht dhe të mos lejohen të marrin pjesë në zgjedhje ato parti politike që në përputhje me ligjin nuk përfaqësojnë pjesëmarrjen e grave në listat zgjedhore.  Zëri më i fuqishëm  kundër kësaj dukurie shqetësuese për krejt shoqërinë tonë është dëgjuar si vazhdimisht  nga  shoqatat joqeveritare ( shoqëria civile). Ato thonë se  aq më keq është kur ligji nuk respektohet nga ata që e miratuan vetë atë. subjektet politike, pra subjektet politike. Shoqëria civile  menjëherë pas publikimit të listave zgjedhore theksoi se numri i pamjaftueshëm i grave në zgjedhjet  e planifikuara lokale  duhet të na shqetësojë të gjithëve dhe të na hapë çështjen e karakterit të vlerave që ushqehen realisht mes subjekteve të ndryshme politike , nëse ato nuk hapin hapësirë qoftë edhe për një minimum, një e treta, e lëre më  një përfaqësim i barabartë i grave.

Duhet përkujtuar se kuota e detyrueshme e anëtarëve të gjinisë më pak të përfaqësuar në lista nuk është e re në ligj, prandaj kjo sjellje e  nuk mund t’i atribuohet injorancë ngathtësisë së pjesëmarrësve në zgjedhje dhe as komisioneve  komunale zgjedhore  të cilat  me apo pa qëllim i anashkaluan këto gjëra.   Edhe pse politika në Mal të Zi kryesisht dominohet nga meshkujt   është e papranueshme  për një shoqëri që pretendon  dhe të  shkojë  përpara  në aspektin e zhvillimit  ose të ketë progres  në aspektin e  vendosjes së vlerave  të mirëfillta  evropiane,  ende mos të respektojë minimumin e kuotave të përcaktuara me ligj, kur bëhet fjalë për përfaqësimin e grave në listat zgjedhore.  Gratë  meritojnë të jenë të përfaqësuara  në mënyrë të drejtë dhe të barabartë në të gjithë hierarkinë  e partive politike, sikurse edhe në qeverisjen e vendit. Drejtuesit e partive politike duhet të turpërohen  nëse veprojnë  që gratë t’i organizojnë e t’i ndajnë  në një organ  të veçantë brenda partisë. Vendi i grave  është në kryesinë e partisë,  të përfaqësuara siç duhet denjësisht dhe në mënyrë të barabartë. Ato përbëjnë më se gjysmën e popullatës sonë dhe partitë  duhet të instalojnë një praktikë tjetër, e cila  do t’u  mundësojnë  atyre  të jenë të përfaqësuara në mënyrë adekuate në jetën publike, në poste të larta  në të gjitha nivelet e pushtetit. Për këtë nevojitet një mentalitet tjetër dhe një reformë zgjedhore e vazhdueshme , sepse në rrethana aktuale gruaja në poste udhëheqëse shihet si dobësi për burrat, të cilët e kanë kultivuar idenë se ata duhet të jenë violina e parë.