Të vlerësohet kontributi i grave malësore në luftë për liri

0
164

Gjekë Gjonaj

Pozita e grave shqiptare në Mal të Zi të lindura, të rritura në një shoqëri të mbyllur dhe patriarkale, të lidhura ngushtë me traditat e vjetra, e pranuan fatin e tyre shekullor se burrat e fortë lindin nga një grua të fortë. Shoqëria jonë patriarkale nënkupton një grua e cila është e detyruar të besojë në mirëqenien e përgjithshme të dominimit mashkullor. E kaluara historike tregon se një barrë të rëndësishme në ndodhitë e shumta shoqërore dhe ndryshimet që ka pësuar ajo, e kanë pasur gratë, ndërsa meritat i kanë marrë vazhdimisht burrat. Kjo nga vetë fakti se gruaja në shoqërinë shqiptare është trajtuar si qenie e dorës së dytë, si një pjesë e familjes e cila është e destinuar për të lindur, për t‘i shërbyer burrit dhe për t’iu nënshtruar atij.
Në trevat shqiptare në Mal të Zi, ku dikur u përplasën perandoritë, u përzien popujt, kulturat, fetë, ku liria më shpesh pushtohej sesa mbrohej, njerëzit u brumosën me një ndjenjë të fortë lirie, ndërsa gratë u bënë rojtare e të gjitha vlerave, shtëpisë, trashëgimisë, traditës, gjuhës… Ato me dinjitet e pranuan faktin se barrën në këto hapësira e kanë mbajtur ashtu siç u ka hije grave të nderuara e të forta. Njëkohësisht ato ishin të vetëdijshme dhe krenare se shqiptarët ishin trima përballë armikut, kurse ato ishin dhe mbetën trima përballë jetës.
Virtytet e femrës shqiptare – frymëzim i luftërave për liri
“Burrat trima lindin dhe rriten vetëm nga nënat trimëresha”, thotë një fjalë e popullit. Femra shqiptare, qoftë si nënë, motër, bijë apo bashkëshorte me krenarinë shqiptare nuk e ka duruar kurrë tradhtinë dhe pabesinë ndaj atdheut. Kjo nënkupton se gratë shqiptare kanë qenë trimëresha e heroina. Historia jonë kombëtare gjatë shekujve të rëndë të robërisë është e mbushur përplot shembuj të heroizmit të femrës shqiptare. Roli dhe kontributi i saj në periudha të ndryshme historike për lirinë e atdheut është shumë i rëndësishëm, për të cilin ka se çka të shkruhet dhe të flitet. Virtytet e femrës shqiptare ishin frymëzim i luftërave për liri të atdheut. Emrat e grave malësore ( shqiptare) si: Tringë Smajlja e Grudës, Nora e Kelmendit etj., e kanë shkruar emrin e shkruar me shkronja të arta në historinë e Shqipërisë.
Margjinalizimi i padrejtë i rolit të grave në luftë
Disa gra shqiptare morën pjesë në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore. Dihet se ato kanë marrë pjesë në betejat e luftërave të mëparshme, kanë mjekuar të plagosurit dhe kanë shpërndarë ushqime për luftëtarët në front, duke dhënë kështu një kontribut të madh në luftën për liri. Nuk ka pothuajse asnjë betejë apo luftë që është bërë për lirinë e trojeve të veta në Mal të Zi, në të cilën gratë shqiptare nuk kanë dhënë kontributin e tyre. Ato ishin logjistika më e mirë, më fisnike dhe më sublime e luftëtarëve shqiptarë. Duke marrë pjesë aktive në format të ndryshme të luftës dhe të organizimit, deri në kryengritjen me armë, gruaja shqiptare theu mjaft koncepte e praktika të vjetra dhe afirmoi veten e saj të denjë për një shoqëri të lirë dhe demokratike.
Historianët të afirmojnë kontributin e grave shqiptare në historinë e luftërave shekullore të popullit tonë për liri e pavarësi.
Për aktet e larta të trimërisë dhe të vetëmohimit të grave shqiptare është shkruar shumë pak, për të mos thënë aspak. Për frymëzimin , guximin, trimërinë, ndershmërinë dhe pastërtinë morale e shpirtërore të grave shqiptare në radhët e luftëtarëve të lirisë duhet të shkruhet shumë më shumë se deri më tani. Sepse nuk do të na e falë as historia as njerëzia të injorojmë e të margjinalizojmë rolin jashtëzakonisht të madh të pavlerësuar të gruas shqiptare në luftë, i cili kushtëzohet pjesërisht nga ndërtimi i një narrativi se lufta është një “ lojë mashkullore”. Mbetet në radhë të parë detyrë e historianëve shqiptarë që, përmes kërkimeve dhe hulumtimeve historike të argumentuara, të shpalosin kontributin dhe heroizmin e treguar të grave dhe të vajzave shqiptare në këtë shtet në luftë kundër pushtuesve të huaj dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Kjo është një detyrë jo thjesht profesionale, por obligim kombëtar.