Në përgjithësi, gati kudo në botë, por sidomos në vendet e zhvilluara, martesat, sa vinë e bëhen më të vonuara, gjithënjë e më të rradha dhe të paqëndrueshme. Arsyet janë të shumta, por ankesa kryesore është mosmarrëveshja, keqkuptimi dhe grindjet e vazhdueshme deri në tradhëti bashkëshortrore. Dëshira për të komanduar, cilido qoftë, burri apo gruaja, është ajo që prish balancat, shkakton turbulancat e para. Nuk përshtatemi, kemi kërkesa e pikësynime të ndryshme, nuk kalohet jeta duke u grindur, thonë shumë të tjerë nder biseda me miq, shokë e shoqe. Martesa i shton detyrimet dhe pakson të drejtat, por ka edhe kënaqësitë e veta sepse aq sa të duket se të pengon, mundet edhe të të ndihmojë për të arritur objektivat që i ke vënë vetes, duke filluar nga studimi e deri tek punësimi. Ata që kanë provuar jetën e vetmuar e dinë se sa e vështirë është përballimi i jetesës, sidomos nga ana ekonomike, por edhe emocionale. Përveç të tjerave, ardhja në jetë e fëmijëve e zbukuron jetën e çiftit. Në kohën që jetojmë, rreth 50% e çifteve ndahen brënda një periudhe të shkurtër kohore ose pas ndonjë viti në vendet e zhvilluara. Një arsye tjetër që shkakton probleme është edhe refuzimi i rreth 34% të femrave, të cilat nuk duan të kenë fëmijë. Edhe kjo sjell plot mosmarrveshje. Tani, më shumë habiten njerëzit , kur një çift ka jetëgjatësi në martesë se sa kur ndahet. Bile, disa e quajnë qesharake ose çmenduri, kur një çift kalon mbi 2-3 vjet martesë pa bërë divorc dhe pa provuar një martesë të dytë. Këtë e kam dëgjuar për herë të parë në SHBA, rreth njëzet vjet më parë, kur jetoja dhe punoja atje. Liria, pavarësia, të drejtat e barabarta, janë disa nga kërkesat themelore që, siç duket, e kemi të zorshme t’u përmbahemi në mënyrë reciproke e rigoroze. Kjo është një temë e gjërë dhe shumë e thellë, por unë dua të rendis disa radhë e t’ua kushtoj atyre çifteve, që kanë arritur të jetojnë bashkë deri në fund të jetës. Për këtë janë pyetur shumë pleq dhe plaka që kanë kaluar mbi 50 vjet martesë, që në Amerikë e quajnë “Golden wedding (or) Golden anniversary“ dhe që do të thotë përvjetori i artë i martesës, se si kanë mundur ta zgjasin atë deri në këtë moshë. Pasi janë dhënë shpjegimet e ndryshme, e përgjithshmja mund të përmblidhet në disa rregulla e parime që kanë ndjekur çiftet dhe konkluzioni është ky: Martesa duhet të ketë si bazë njohjen dhe shoqërinë para se të ndodh. Gruaja apo burri i ardhshëm duhet njohur në punë dhe jo në valle, na meson urtësia popullore. Në ditët tona ka emisione lloj-lloj që u jepet mundësia të rinjëve të njihen e të martohen. Mund të përmendim “ Big Brother” , “ Love Srory”, “ Përputhen” ose një telefonatë tek emisioni “ Aldo Morning Show” e mbase edhe ndonjë tjetër. Por të gjitha këto duken si lojë dhe ashtu përfundojnë në përgjithësi. Përkujdesja ndaj njëri- tjetrit dhe mirësia janë dy nga kushtet kryesore që një martesë të zgjasë deri në fund të jetës. Secili ka objektiva në jetë, ka zgjedhur fushën ku mund të përparojë dhe secili duhet ta ndihmojë shokun/shoqen e jetēs që t’ia arrijë qellimit. Nëse kjo nuk ndodh, fillojnë pakënaqësitë, grindjet dhe telashet. Ata që e kanë vënë në jetë këtë kërkesë, kanë pasur sukses dhe kanë ndihmuar zgjatjen e martesës.Të bashkëpunosh, është një tjetër kërkesë që rrit shanset për marrëveshje, qetësi dhe stabilitet martesor. Nuk duhet kërkuar përsosmëri nga asnjëri krah, sepse ajo nuk ekziston. Interesat e përbashkëta në jetë, profesionet e njëjta e bëjnë më të lehtë jetesën në çift, sepse rritet bashkëpunimi dhe harmonia. Duke shpenzuar shumë kohë bashkë, pa e tepruar, garanton siguri, besim dhe pakson xhelozinë. Ata që zbulojnë vlerat e njëri – tjetrit në mënyrë reciproke dhe ia vënë në dukje, qoftë edhe në formë komplimenti, e shton miqësinë e mirëkuptimin midis bashkëshortëve. Kur dikush ka provuar të ndryshojë diçka që nuk shkon, por nuk ia ka arritur dhe nuk ka asnjë shpresë të ndodh, atëherë do të ishte më mirë të heqim dorë dhe të mësohemi të jetojmë kështu, kur difekti nuk është aq problematik sa të bëhet i padurueshëm dhe të çojë deri në ndarje. Kur dikush provon të ndahet për arsye të vogla, tek bashkëshorti tjetër do të gjejë difekte të tjera të ngjashme. Por, kurrë nuk do ta gjejë pa të meta. Kompromiset për probleme të rëndësishme kanë dhënë rezultate të mira, duke ruajtur atmosferën e qetë në rrugëtimin e çifteve. Përpiqu të mësosh sa më shumë për gruan/burrin e ardhshëm para martesës, duke i bërë sytë katër, ndersa pas martesës, duhen mbajtur gjysëm të mbyllur, këshillojnë të pyeturit. Herëpashere kujto premtimet që ke bërë para martesës. Ato duhen bërë realitet. Zhgënjimi mund të sjellë pasoja që nuk i parashikonit .Jeta nuk është gjithmonë ditë me diell. Prandaj, mësohu të mbijetosh edhe në ditë me stuhi. Kështu këshillojnë ata që kanë bërë një rrugë të gjatë në martesë. Nëse jeni të angazhuar në punë, mbetet pak kohë për t’u grindur. Ki durim, mos e kritiko gruan/burrin në sy të të tjerëve. Kjo do ta acaronte keq dhe përfundimi mund të jetë i hidhur. Për çdo shërbim që bëhet brënda çiftit herëpashere dhe në mënyrë reciproke falnderojeni me zemër. Kjo e forcon lidhjen tuaj, jep kënaqësi. Mos e harro kurrë. Nëse ushtron pushtet ndaj gruas/ burrit, kjo e prish barazinë dhe harmoninë. Divorci nuk dëmton vetëm bashkëshortët, por ata që e vuajnë më tepër janë fëmijët e mbetur pa baba ose pa nënë. Nëse e kemi parasysh këtë, duhet të jemi më të kujdesshëm.
Siç duket, këto janë disa nga kërkesat kryesore për t’i vënë në zbatim, nëse duam që martesa jonë të zgjasë aq sa kemi jetë. Sidoqoftë, kërkesat që duhen pasur parasysh nuk mbarojnë këtu. Ato janë të shumta dhe varen nga formimi i secilit, nga niveli kulturor, vendi, mosha e të tjera, por më e rëndësishmja nder të gjitha është stabiliteti dhe jo lumturia, sepse kjo e fundit gjëndet rrallë, është me pikatore dhe nuk zgjat, sado që ia urojmë çdo çifti pa kursim ditën e fejesës apo të martesës.
22 Qershor 2021
Marash Gilaj