Pas referandumit, me sytë nga e ardhmja, “Duke pritur Godonë”

0
294

Marash Gilaj

Pas referandumit, me sytë nga e ardhmja, “Duke pritur Godonë

Hë more? E morët mesazhin? Po sihariqin? Na mallëngjeu qeveriu me referendumin që do t’i drejtohet popullit. Kësaj i thonë: “Çfarë don populli, bën partia dhe çfarë do partia bën populli. The Big Lie (gënjeshtër e madhe).

Ky vend ka korrur shumë suksese gjatë 8-9 viteve të fundit, por me këtë myzhde tejkalohen parashikimet. Se fundja, ku jemi mësuar ne të na pyes “udhëheqësi i madh”?! Kjo ka ndodhur vetëm në kohën e Xhaxhit shoqëruar me atë shprehjen që përdorëm më sipër. Të duket sikur kjo ndodhka vetëm një herë në gjysëm shekulli. Dhe mbetet në kujtesën e kombit për të mos u harruar më. Vetëm “ai që ka lindur nga Koka e Zeusit” mund t’i thotë e t’i bëjë këto. Kështu bëhet “Brainwash-i” (shplarja e trurit) të popullit, ndersa sillet si demon. Të tjerët përreth me servilosje skllavi.

Kryefjala e mesazhit kishte të bëjë me legalizimin e kanabisit ose jo, thua se ai nuk ka qënë i tillë. Rrreth 7 vjet më parë, Koço Kokëdhima, i cili kishte kryer studime të thelluara në këtë fushë, e pat propozuar si bimë me leverdi, si shëruese e 170 sëmundjeve, prandaj, sipas tij, duhet kultivuar si e ligjëruar. Në atë kohë, kryeqeveriu tha se ajo bimë e mallkuar e bënte  ekonominë kriminale e formale dhe u mbyll muhabeti, por nuk thonë kot se “oreksi vjen duke e ngrënë”. Që të vinte kjo ditë qeveria punoi fort që nga sigurimi i farës, kultivimi, laboratorët, shpërndarja ose trafikimi, ruajtja me kallash e deri tek transportimi nga toka, deti dhe ajri. Të gjithë i kemi parë kaçatorrat që vinin në fushë e në mal, deri në Vermosh për këtë qellim. Tani që edhe nxënësit e fillores nuk rrinë pa e konsumuar, pse duhet ndaluar. Kësaj i thonë t’i heqësh tjetrit lumturinë me urdhër qeverie. Mos na ndodhtë! Ky referendum të bind se qeveriu e do popullin gati  si veten. Tani e kuptuam se paskemi qënë të vonuar, kur vendi, gjithë kohën ka qënë i mbuluar nga kjo bimë, sado që silleshim si të vërbuar, sikur ajo nuk ekzistonte. Nganjëherë ia kemi vënë emrin edhe “kanabisi elektoral”, sepse i ka shërbyer shumë makinës elektorale. Dhe ka ende nga ata që mendojnë se të droguarit luftojnë drogërat e ndryshme. Vëretohet e kundërta edhe me referendumin e famshëm. Ky është banaliteti i së keqes.

Pyetsori është i gjërë dhe i gjatë, por ne duhet t’i kërkojmë qeveriut të na japë leje të shtojmë edhe ca gjëra që nuk i kuptojmë siç duhet, si gjine( njerëz) të pashkollë që jemi. Përveç ekonomisë që lidhet me kanabisin e qeveria don të dijë nëse duam që të shtohet fukaradhëku e maskarallëku, ç’ mendim kemi për korrupsionin, PPP-të, incerenatorët, koncesionet apo tenderat, do të na pyesë se mos duam të shtojmë borxhin publik. Kemi parasysh se një e treta e popullsisë jeton me më pak se 5.5 dollarë në ditë, a doni të dini edhe minimumin jetik, që kurrë nuk patën guximin ta shpallin. Ai që të do, ka dëshirë të dijë nëse jemi të kënaqur me rrogat, nëse duam t’i ulim pensionet, ndihmat, çmimet, taksat,etj. Pse jemi të fundi në  Evropë në mirëqënie? Kështu ndihmojmë qeverinë që e ka humbur si xhaferri simitin, por edhe veten tone ama, që na ka zënë gjumi. Nuk tha kot qerratai: “ Trimi i mirë me shokë shumë, por shokë të mirë,” shtoi me marifet. Dhe ku ka shokë më të mirë se Partia dhe populli në ditë të zeza si këto.

Ju na kërkoni transparencë, por kur ju publikojmë rrogat, target e makinave dhe numrat e telefonave, na kundërshtoni, na mallkoni. Pse? Jepni mendjen tuaj!

Qeveriu do mendimin tonë për integrimin, për “Open Balkan”. Ajo do të dijë, na pëlqen Evropa, Serbia apo Turqia? Kemi tre opsione. Ne i bëmë detyrat e shtëpisë, krenohen trimat, por kush na e ka fajin: “Bullgaria apo Saliu?” Jepni mendimin tuaj të pjekur. U lodh qeveria duke bërë detyra e duke mbetur çdo vit  për vjeshtë pa hak. Nuk durohet më. Nuk dihet se ku do të sos.

Nder problemet më të lakuara në këto 5 – 6 vitet e fundit mbetet edhe reforma në drejtësi. Bile, me të krenohen edhe të jashtmit, lere pastaj si qeveri. Që të kishim sukses të shpejtë në fillim i prenë kokën drejtësisë e tani po hartojnë gjyqësorin e krasitur. U djallos fare. Kuzhinë partiake mund të quhet me plot gojën. Vërtetë dosjet janë bërë mullar,por pas një shekulli mund të gjendet një zgjidhje. Tani, drejtësia merret me hajdutët e pulave dhe bën “Gjuetinë e shtrigave”.Sidoqoftë një mendje duhet dhënë edhe për këtë mesele. Punë e ngatrruar! Ku marrim vesh ne nga jurisprudenca?!

Votimet i doni me zgjedhje apo moniste të lyera me pak miell siç i kemi bërë qëkur u shfaqëm? Mendimi i qeverisë është të mos bëjmë fare zgjedhje as votime. Këtë shembull de ka dhënë vetë PS-ja, alias Rilindja. Na jepni mendjen tuaj, nëse u mësuat me këtë rregull të pashkruar?

Meqë jetojmë në kohë kovidiane, po flitet për vaksinime pa fund, për pasaporta vaksinimi, mutacione që s’ndalen, vdekje, vaksinim i detyruar etj. Edhe këtu duhet mendimi i popullit. Na është thënë se vaksina të mbron mbi 90%. Kur bën të dytën mbrojtja rritet e kalon mbi 180%. Nëse kjo nuk ndodh, d.m,.th. se mbrojtja nga vaksina e dytë ka zbritur nën 50%. Kur bëjmë të tretën, mbrojtja e të gjithave bashkë bie në 30%. E katërta e me rradhë, tregojnë se ajo nuk ka efekt fare. Kështu po thohet andej nga Izraeli, si vendi më i vaksinuar në botë. Katër copë kanë bërë shumë prej tyre, por mbeten të zbuluar. Ndoshta, prandaj duhet të bëjmë sa më shumë që dikujt t’i shërbejë si placebo. Janë të shpallura rreth 3200 vdekje tek ne, por thonë se ato shkojnë nga 12 000 deri në 15 000. Ndaj duhet dhënë mendimi se çfarë duhet ndryshuar. I besoni apo nuk i besoni këto?

Pse të mos jepni opinionin tuaj edhe për emigrimin e shqipëtarëve. Mjaftojnë 1.700 000 që kemi deri tani apo duhen nxitur e detyruar të tjerët të ikin? U premtojmë se do t’i zëvendsojmë me të huaj. S’ka rëndësi, nëse këta do t’i marrim në Afganistan, në Bangladesh apo në Siri.

Nganjëherë do të duhet ta tejkalojmë formularin duke dhënë mendime për kapjen e institucioneve, shkatrrimin e demokracisë duke e kthyer në neodiktaturë, demokraci hibride, etj. Po kështu qeveriu do të dijë nëse e ka shkatrruar mjaftueshëm opozitën. Sa na ka pëlqyer mutacioni i spiunëve kthyer në patronazhistë? A ju ngjajnë me “Kolonën e pestë?“ A pritet ndonjë mutacion tjetër? Dhe cilët janë, sipas jush, më të rrezikshëm? A i kanë trajtuar siç duhet gazetarët? Keni vërejtje? A keni vënë re luftë klasash që aplikohet tek punësimet si p.sh: hiq këtë e vër atë, sepse ky është yni. Me të drejtë, qeveriu mund të thotë:”Mutatis mutandis”, që në latinisht do të thotë: të aftë për të ndryshuar. Por mendja e tyre djallëzore thotë: të ndryshojmë gjithçka për të mos ndryshuar asgjë. Dhe një pyetje kam. Kush do ta vlerësojë referendumin? Ose më qartë.” Po rojet, kush dreqi i ruan?”

21 Janar 2022