KUR “ARNAUTISTANI” DIGJEJ PERANDORIA TURKE-OSMANE KRIHEJ.

0
240

Në përkujtim të 160 vjetorit të luftës së Kërnicës (17 janar- 23 shkurt 1862).

NGA NDUE BACAJ

HYRJE

Në përgjithësi historia jonë ka shkruar më shumë për luftrat e kryengritjet që shquhen për fitore të të parëve tanë mbi armiqtë pushtues apo grabitqarë të trojeve tona ndër shekuj. Ndërsa unë në këtë shkrim të shkurtër historik dua të bëj disi të kundërtën. E them të kundërtën pasi dua të përkujtoj 160 vjetorin e një luftë të përbashkët të Malësorëve, Shkodranëve, Ulqinasve, Krajanëve dhe Dukagjinasve,  të cilët megjithëse luftuan heroikisht në mbrojtje të trojeve tona, ata e humbën këtë betejë të përgjakur mbrojtëse të lirisë nga invazionet sllave të Malit të Zi… Kjo betejë luftarake e “humbur” njihet “pak” në analet e historisë si Lufta e Kërnicës. Lufta e Kërnicës vjen fill pas gjëmimit famëmadh që tronditi jo vetëm sarajet e pushtuesit shekullor Otoman që tashmë kishte filluar të lëngonte, por mbi të gjitha pallatet e Kralit të Malit të Zi, e pse jo edhe të Europës së përgjumur. Ky gjëmim vinte nga kulla e Vraninës me në krye Oso “barotin”, Kuken me trimat e “tij” malësorë e shkodranë…  Po në atë kohë Mali i Zi dhe fqinjë të tjerë kishin filluar të marrin zemër për dy arsye, së pari se Europa nën “syzet” e fuqishme të Rusisë e ndonjë fuqie tjetër europiane, vendosnin vija e hije në trojet tona për të “ngopur” pangopësinë e Sllavëve, dhe së dyti, fuqia e pushtuesve  shekullorë Turko-Osman  kishte filluar të lëkundej e gati të shembej për tokë nga pesha e pushtimeve, keq-qeverimeve e krimeve shumëshekullore që kishin ushtruar mbi Shqipërinë e më gjerë. Në këto kushte perandoria turke-osmane që mbante të pushtuara prej shekujsh trojet shqiptare, për të “shpëtuar” diçka nga vehtja , bënte “sehirë” para krimeve e pushtimeve të fqinjëve shoven-sllav  që donin të grabisnin sa më shumë nga trojet etnike shqiptare…

LUFTA E KËRNICËS 17 JANAR -23 SHKURT 1862…

Si datë e fillimit të luftës së Kërnicës njihet 17 janari i vitit 1862, luftë që zgjati “periodikisht” deri me 23 shkurt 1862, kur Malazezët e pangopur kishin pushtuar Kërnicën tërësisht shqiptare, si me popullsi dhe territor. Këto troje shqiptare të pushtuara nga malazezët, në të ardhmen donin t’i përdornin edhe si pikë strategjike për pushtime të tjera të trojeve shqiptare. Lajmi i pushtimit të Kërnicës  u përhap si rrufeja, në formën e një kushtrimit që e dëgjoi jo vetëm Shkodra e Malësia, por edhe Ulqini, Kraja, Dukagjini e më gjerë. Madje për të shkuar për të luftuar për çlirimin e Kërnicës u grumbulluan menjëherë 500 vullnetarë që përbëheshin momentalisht nga Shkodranë, Malësorë e Ulqinakë të cilët, pa vonuar e pa marrë parasysh rreziku u nisën në 40 lundra që tërhiqeshin nga një avullore e kohës. Duhet sqaruar se pushtuesi shekullor turko-osman ju kërkua ndihmë nga vullnetarët për të çliruar e mbrojtur trojet shqiptare, që njëkohësisht “njiheshin” si  trojet e “vetë” perandorisë turke-osmane. Por ndihma ishte thuajse zero, madje shpesh kjo perandori e të keqes për të shpëtuar veten ishte gati të falte pjesë të “sajë”. Gjithsesi shqiptarët e këtyre trojeve që kishin kundërshtuar me armë në dorë edhe vetë pushtuesin turko-osman, ishin gati të mbronin me çdo çmim çdo pëllëmbë të trojeve të tyre, që Zoti jua kishte falur që herët kur krijoi njeriun mbi tokë. Tashmë këto trima pasi lundruan për disa kohë zunë vend në katundin Shestan, ku edhe do të përgatiteshin për të çliruar Kërnicën e pushtuar. Por Malazezët me të marrë vesh sulmuan vetë Shestanin, duke shkaktuar për një ditë mjaft gjak e mjerim si ndër 500 burrat luftëtarë të lirisë të trojeve shqiptare, por edhe në forcat e tyre të shumta. Sipas kronikës së M.Sirrit, në “Almanaku Shkodra” e vitit 1962, fq.143, (Cituar  nga “Shkodra dhe Motet, vll.I-rë”, fq.415-420 të Hamdi Bushatit,”Mësues i Popullit”, botim i vitit 1998), janë të shënuar si luftëtarë të rënë dëshmorë: Hysen Rrjolli, Zenel Egçi, Salih Ishaku, Oso Verçana dhe 20 vetë (pa emra) nga Kopliku. Mjerisht këta trima Malësorë që derdhën gjakun për lirinë e këtyre trojeve nuk kanë askund emrat e tyre që meritojnë shumë më shumë se kaq. Pas kësaj beteje në Shestan forcat Malazeze u thyen dhe u tërhoqën në Kernicën e pushtuar. Gjatë këtyre ditëve të tmerrshme në Shkodërlocen u grumbulluan mbi 600 luftëtarë të tjerë të cilët ishin nga Shkodra e Dukagjini. Kjo forcë luftëtarësh tashmë komandohej nga Hasan Hoti, por pa vonuar nga viset e sipërshënuara shqiptare do të mblidheshin vullnetarë të tjerë, të cilët do të niseshin për çlirimin e Kërnicës së pushtuar. Me të mbërritur afër Kërnicës u ndez lufta në mes vullnetarëve Shqiptarë dhe pushtuesve Malazezë, ku duhet shënuar se kjo luftë ishte disi e pabarabartë, pasi Malazezët ishin më të organizuar ushtarakisht, ishin me armatimet më moderne, të fortifikuar në pozicionet e tyre, por edhe shumë më të shumtë në numër. Gjithsesi beteja ishte tepër e ashpër, por trimat shqiptarë luftuan me heroizëm të pashoq, deri edhe trup më trup, shpatë me shpatë e bajonetë për bajonetë. Për fat të keq shqiptarët me gjithë trimërinë e tyre në këtë betejë të pabarabartë humbën mjaft luftëtarë të lirisë gjatë luftimeve, por edhe u zunë robë nga Malazezët mjaft të tjerë, duke përfshirë edhe vetë Hasan Hotin… Madje nga gojëdhënat që përmend Hamdi Bushati tek “Shkodra dhe Motet” vll.I-rë ,thuhet që robër u zunë rreth 600 luftëtarë vullnetarë shqiptarë, si dhe ranë duke luftuar në fushën e betejës rreth 500 vullnetarë të tjerë  shqiptarë. Madje në këto shkrime të tij (H.B.) theksohet se sipas kronikës të M. Sirrit u janë prerë kryet e marrë kokat nga malazezët plot 105 shqiptarëve. Disfata e luftëtarëve shqiptarë shkon aq larg sa thuhet se shpëtuan nga zënia rob apo nga vdekja fare pak, e ndër këta thuhet se ishin Halil Kopliku dhe Çun Mula i Hotit. Po në këtë kronikë (kronika e M. Sirrit) shënohen emrat e këtyre  dëshmorëve të rënë nga Shkodra në këtë luftë: Abdylla Agë Drishti, Hysen Begu i Beqir Begut, Hasan Beg Ulqini, Hyso Bordullaku, Jusuf Djepaxhia, Man Hil Hoxha, Salo Cani, Fetah Salo Texhali, Taro Dragusha, Gush Kruja (nipi i Can Krujës), Abdyl Rama, Kaso Shkreli (vëllai i Dasho Shkrelit) e tjerë.  Në këtë betejë shkruhet se u dalluan malësorët trima për të cilët ka një listë emrash me dëshmorë e të plagosur vetëm nga Bajraku i Hotit të cilët janë marrur nga regjistrat e famullisë, (dhe të shenuar nga Hamdi Bushati në “Shkodra dhe Motet”vllimi I-rë ), të cilët cilësohen se kanë rënë në fushën e betejës si dëshmorë të lirisë: Lekë Ulja,  Mirash Martini, Prelë Marku, Tomë Luli,  Gjokë Martini, Gjon Ujka,  Shyt Preçi,  Prekë Mark Luci,  Vas Bardhi. Ndërsa të plagosur në këtë luftë janë të shënuar trimat: Pjetër Pali, Prelë Marashi, Ulë Martini, Marash Gjeloshi, Mirash Hasi, Tomë Gjoni, Gjeto Preçi, Lulash Vuji, Prek Nik Vuli, Gjeto Preç Doka, Prelë Mark Toma dhe Lucë Marku. “Ndahen” për trimni në këtë luftë kundër Malazezëve Lan Ula i cili ka pre tre krena Malazezësh, pastaj vijnë Marash Ula që ka pre një krye (malazezi), Gjelosh Nika që ka pre një krye (malazezi), Lekë Ula që ka pre një krye malazezi (para se të plagosej), Gjon Nika që ka pre një krye malazezi dhe ka marrë bajrakun, Marash Daka ka pre një krye (malazezi), Lekë Pëllumbi ka pre një krye (malazezi), Prelë Preka ka pre një krye (malazezi), Marash Leka ka pre një krye (malazezi), Dedë Vuji ka pre një krye (malazezi), Tomë Pashani ka pre një krye (malazezi), Prekë Gjeloshi ka pre një krye (malazezi), (Hamdi Bushati ; Tomë Preçi ka marrë një krye (malazezi), Nikë Miculi ka marrë një krye (malazezi). (Hamdi Bushati,Shkodra dhe Motet,traditë, ngjarje, njerëz… Vll. I. Fq.417-418). Gjithsesi gojëdhënat trashëgohen edhe për trimërinë e luftëtarëve Krajanë e Dukagjinas, që dhanë jetën apo u plagosën e tjerë, por mjerisht pa asnjë emër konkret. Gjithashtu në këto gojëdhëna apo shkrime duke përfshirë edhe ato të kronikës të M.Sirrit e Hamdi Bushatit që i cituam më sipër, “tregohet” edhe për trimërinë e shqiptarëve Ulqinakas, ku emri i trimit në krye të Ulqinasve Mustafa Broçit, tregohet edhe sot si legjendë, ku thuhet se pasi luftoi me Malazezët dhe preu disa koka të tyre, erdhi momenti dhe këtij trimi ia prenë kokën Malazezët, por edhe kështu me kokë të prerë ka ecur plot shtatë hapa të tjerë… Përmendet për trimëri Ceno Begu i cili u printe Ulqinakëve, por edhe trimat Daut Pelinku dhe Halil Beci e tjerë. Por edhe pas kësaj lufte që mund të quhet e humbur, Shqiptarët- Malësorë, Shkodranë, Ulqinakë, Dukagjinas e tjerë nuk e humbën zemrën e trimërinë për t’u dalur zot trojeve të tyre etnike, ata edhe pas kësaj zhvilluan beteja të tjera në mbrojtje të trojeve shqiptare që perandoria turko-osmane tashmë i kishte lënë “hali”, ndërsa Europa i kishte nxjerrë në Ankand… Gjithsesi Malazezët e tjerë pas kësaj morën disi “zemër” nga beteja e “fituar” e Kërnicës të cilët edhe pse e kishin paguar mjaft shtrenjtë, nuk u “ngopën”, në grabitjen e trojeve shqiptare, duke detyruar kështu shqiptarët Malësorë, Shkodranë, Ulqinakë, Dukagjinas e më gjërë të zhvillojnë dhjetëra beteja të tjera që vazhduan nga Shestani, Muriqi, Palva, Gucia, Tivari, Hoti, Gruda, Ulqini, Shpuza, Kosova e tjera troje të Shqipërisë Etnike e asaj “londineze”. Mjerisht disa nga këto treva që përmenda më lart Europa që kishte forcën por jo të drejtën ia “fali” për zgjerim Malit të Zi, Serbisë, “Maqedonisë” e tjerë, e një ndër të parat “viktima” që “bekoi “ në gojën e ujkut sllav Europa plakë ishte edhe Kërnica e përgjakur e cila tashmë ka pësuar fatin tragjik (druar) pa kthim, duke u bërë pjesë e Malit të Zi, ku sot kjo trevë dikur shqiptare banohet nga jo pak malazezë ardhacakë pas vitit 1862, ose nga ata të paktë banorë shqiptarë që në kushtet e mbijetesës dalëngadalë u sllavizuan, duke humbur jo vetëm emrin, besimin, gjuhën, por mbi të gjitha, fatkeqësisht me shumicë edhe ndërgjegjen se janë pjesë e trupit dhe gjakut shqiptar që rrinë tuj vlue…