Para portretit të derdhur në bronz të Usta Isuf Myzyrit, emblemës më të re të muzikës popullore qytetare të Elbasanit

0
155

Gjekë Gjonaj

Ishte  viti 2000 kur për herë të  parë vizitova  probatinin e babait tim në  Elbasan.  Atë pasdite  qershori , përveç njoftimit me  familjarët e probatinit, pritjes së ngrohtë vëllazërore  të kësaj familjeje malësore nga fshati Selishtë  të  Grudës së  Malësisë së Mbishkodrës,  shoqërimit  dhe shëtitjes  së përbashkët   rrugëve   të  këtij qyteti   turistik të Shqipërisë së Mesme,  e mbaj mend edhe  për një   rrëfim   mbresëlënës   për figurën e Usta Isuf Myzyrit,  para Muzeut Etnografik të Elbasanit, një shtëpi në dy kate    e shekullit 18-të, jo larg Kalasë së Elbasanit, e cila   rrëfen kulturën, folklorin dhe  stilin e jetës  së qytetit.

Në lulishten e këtij muzeu  qëndronte portreti i  derdhur në bronz i   Isuf Myzyrit, me violinën e tij të famshme në dorë. Pata përshtypjen sikur kjo figurë   emblemë e  muzikës  popullore qytetare të Elbasanit  priste mysafirët dhe kalimtarët e rastit  me atë melosin  dhe zërin e tij  të njohur, të ëmbël, qetësues dhe frymëzues.  Prej atëherë kanë kaluar  23 vjet dhe unë , pasi rastësisht gjeta notesin tim të gazetarit  me disa shënime për  këtë   vjershëtar e këngëtar të shquar, kompozitor, themelues të orkestrinës popullore dhe Artist i  Popullit, po e kujtoj në shenjë respekti e nderimi për kontributin e tij të jashtëzakonshëm  në fushën e  muzikës qytetare të Elbasanit në veçanti, dhe të muzikës shqiptare në përgjithësi.

Informatori im, Mark Lulgjuraj, tashmë i ndjerë, më njofton për jetëshkrimin e kryemjeshtrit të  muzikës qytetare të Elbasanit dhe njërit prej  mjeshtërve më të mëdhenj  të muzikës shqiptare.  Isuf Myzyri lindi në Elbasan në mars të vitit 1881, në  një familje  të  varfër. Për të  ndihmuar familjen ai në moshë   shumë të re filloi punën si bahçevan e më pas si berber e qeleshexhi . Këto  zanate të cilat i mësoi nga prindërit e tij   i ushtroi  deri në moshën 25 vjeç. Krahas këtyre zanateve ai gjithmonë gjente kohë për muzikën. Pas punës së lodhshme të tij, bashkohej me shokët dhe këndonin së bashku.  Muzika dhe kënga i jepnin atij kënaqësi të posaçme.  Në këtë mënyrë  Isufi i ri  e ndante këngën popullore me të tjerët. Dallohej me zërin e tij të veçantë , veshin e tij muzikor dhe mënyrën se si i binte veglës së tij të dashur muzikore  që e kishte mësuar  prej shokëve – violinës. Ai , falë talentit të tij dhe dashurisë së madhe për këngën popullore qytetare elbasanase, rreth vitit 1905  themeloi  një orkestër popullore të cilin e udhëhoqi vetë, në të cilën grumbulloi disa shokë të tij, që dinin t’i binin  veglave muzikore, si: lahutës, dajres, klarinetës… Themelimi i kësaj orkestre popullore  ishte një  ngjarja me rëndësi kombëtare për kohën e atëhershme , sepse  ka qenë  orkestrina  e parë  e mirëfilltë popullore me instrumente kombëtare. Orkestra bëri  bujë të madhe jo vetëm në Elbasan, por edhe në qytete tjera të Shqipërisë.  Kudo shkonte ( lëvizte) me orkestrën e tij  nëpër Shqipëri  mirëpritej  me shumë dashuri  nga adhuruesit e këngës dhe valles popullore shqiptare. Me vargjet dhe  meloditë e krijuara nga ai vetë i këndonte  dashurisë  për vendlindjen e tij Elbasanin, traditës së qytetit, natyrës së bukur,  vajzës ( gocës) elbasanase, bujarisë, por edhe shpirtit shqiptar. Këngët e tij  janë kënduar dhe këndohen edhe sot në çdo cep të Shqipërisë.

Isuf Myzyri, ka qenë analfabet ( i  pashkollë). Nuk ka ditur të lexojë notat e muzikës, por ka pasur memorie të mirë , talent të madh . “Sa inat  më vjen që nuk di me shkru. Natën, para se me ra n’ngjumë, m’vijnë menime shumë t’bukra” , kishte thënë  në një rast Myzyri.

Se sa njeri krenar e  me dinjitet  ishte  tregojnë fjalët e tij , kur deshën ta dekoronin para shkuarjes në amshim , të cilat ua tha anëtarëve të komisionit se “  nuk e dua dekoratën tuaj, sepse më latë tan’ jetën n’zindan (vuajtje)” dhe u largua në mënyrë demonstrative nga tubimi i rastit, tek ish-Shtëpia e Kulturës në Elbasan.