Një requiem i vonuar për mikun dhe studiuesin e palodhur të kulturës dhe klerit katolik erudistin Kolec Çefën (1937-2021)

0
417

 

Për herë të parë kam pasë fatin ta takoj në shoqninë e at Zef Pllumit, andej nga viti 1991. E që atëhere e kam pa gjithnjë në shoqninë e Françeskaneve të medhenj- e librave të tyne –botuem, por dhe të dorëshkruem -të françeskanëve të medhenj… Kontributi i tij në rivlerësimin e kulturës shqiptare është vërtetë i madh, duke qenë se mbetet një studjues skrupuloz, i vëmendshëm, i papërtuem, e mbi të gjitha, i përkushtuem me shpirt dhe zemër ndaj vlerave të kulturës kombëtare. Një provë se ishte gjithmonë me Zotin. Me dritën. Me mirësinë! I përulem me respekt të madh kujtimit të tij! Gjithmonë!” – Rudolf Marku, London, United Kingdom

Klajd Kapinova,

ish redaktor i revistës “Kumbona e së Dielës”, Shkodër

Me vjen shumë keq, që e mora vonë, shumë vonë, lajmin e hidhur të kalimit në amshim të mikut dhe studiuesit të palodhur të kulturës dhe klerit katolik shqiptar erudistit Kolec Çefa.

Kjo për arsye të distancës së largët në SHBA, mungesës së informacionit nga Shqipnia, qyteti i lashtë Shkodrës dhe Tirana, ku ai shkoi për të jetuar më vonë.

Për Kolecin e kulturës dhe botës së letrave, studimeve dhe hedhjen dritë për figurat e pluhrosura dhe të përbalta të klerit katolik dhe Kishës martire shqiptare, ruaj kujtime shumë të bukura, mbasi kemi punuar bashkë për shumë vite, në Arqipeshkvinë Metropolitane, në zyrën e redaksisë së revistës të hershme popullore qytetare “Kumbona e së Dielës”.

Kjo revistë u themelua dhe drejtua me kulturë dhe pasion fetarë dhe atdhetarë në fillim nga dom Mikel Koliqi (1900-1997), i cili pas kalvarit pambarim të vuajtjeve dhe burgjeve të tmerrshme komuniste do të shugurohet në Vatikan nga Ati i Shenjtë sot shën Papa Gjon Pali II (Karol Wojtyla 1920-2005) si Kardinali i Parë, në të gjithë historinë e lavdishme 2021-vjeçare të Kishës Katolike Shqiptare, si simbol i respektimit nga bota, Kisha Katolike dhe Selia e Shënjtë në Vatikan, të vuajtjeve të të gjithë shqiptarëve, nën rregjimin e egër diktatorial ateisto-komunist.

Me Ndihmës Ipeshkvin e Arqipeshvisë së Shkodrës imzot Zef Simonin (1928-2009), shkrimtar dhe prozator i 15 librave të shkruar në gjuhën e ëmbël gegë, me profil fetarë dhe bazë të shëndoshë atdhetare, i ndjeri mons. Zef Simoni, dhe kryeredaktorin studiuesin Kolec Çefa, kemi punuar vazhdimisht për të nxjerrë rregullisht nga shtypi të përkohshmen mujore revistën “Kumbona e së Dielës”. Ai ishte redaktori i kujdeshëm i të gjithë librave të shkruar në gjuhën gegë nga shkrimtari imzot Zef Simoni, mbasi Koleci njihte shumë mirë dy dialektet e gjuhës shqipe gegë dhe toskë.

Koleci ishte i urtë, i ditur, i mençur me shpirt të madh fisniku

Intelektuali solid Kolec Çefa, me kulturën e thellë dhe të gjërë që zotëronte nga përvoja dhe leximet e librave të shumtë, ishte një enciklopedi e gjallë, që ecte me dy këmbë, duke mbajtur të freskët në mendje çdo ngjarje dhe figurë të qytetit tonë.

Nga ai kam mësuar shumë nga historia me tradita e qytetit, letërsia e gegë e trevave të Veriut, pendat e spikatura dhe veçantinë e stilit të gjithsecilit prej tyre, figurat e shquara dhe kontributin e vijueshëm të Klerit Katolik në Shqipëri gjatë vitëve 1944-1991.

Shkrimtari Monsinjor Zef Simoni, ishte drejtues i revistës “Kumbona e së Dielës”, ndërsa kryeredaktor ishte Kolec Çefa dhe unë redaktor. Monsinjori e donte shumë Kolecin, për kulturën dhe shpirtin e madh prej një shkodrani të vërtetë. Koleci zemër bujar ndihmonte kedo që i shkonte në redaksi për dokumente, literaturë (libra), saktësimin e datave dhe ngjarjeve të ndryshme, rreth figurave të shquara të Klerit Katolik Shqiptar, buletinet e ndryshme të shtypit katolik të hershme dhe deri në ditët tona.

Gjermani albanolog dr. Markus W. E. Peters dhe Koleci ynë

Një ndër miqët tanë të vijueshëm ishte gjermani dr. Markus W. E. Peters, i cili ishte i adhuruar shumë mbas historisë dhe kulturës së prelatëve të klerit katolik. Ai në mënyrë autodidakte kishte mësuar shumë mirë gjuhën e bukur shqipe, por fliste edhe shumë gjuhë të tjera ndërkombëtare.

Dr. Peters kërkonte literaturë, buletine të ndryshme të shtypit të klerit kaotlik, dokumente dhe dorëshkrime të lënë amanet nga prelatët dhe klerikët e Urdhërave të ndryshme katolike në qytetin e Shkodrës, Tiranë, Mirditë, Lezhë etj.

Ai shumë kohë e kalonte në Arkivin Qendror të Shtetit (AQSH) në Tiranë, duke shikuar me shumë kujdes në seksionin e dokumentave të Arqipeshkvisë së Shkodrës, të cilat komunistët kur erdhën në pushtet i grabitën nga Kuvendi i Urdhërit të Shën Françeskut (shekulli XII) dhe Kuvendi i Jezuitëve në Shkodër (1846).

Ai vinte së bashku me babain e tij dhe me orë të tëra bisedonim për tema të ndryshme në redaksi. Dr. Peter më vonë do të shugurohet meshtarë dhe do t’i përkushtohet udhës adhuruese të Zotit, për t’i shëbyer grigjës në Gjermani dhe qytetin-shtetit të vogël të Litenshteinit, Zvicer, ku ai është bari shpirtërorë i besimtarëve katolikë.

Fryt i kësaj pune të gjatë hulumtuese, është edhe botimi me sukses i librit në gjuhën shqipe: “Përballjet e Historisë së Kishës Katolike në Shqipëri 1919-1996”, të studiuesit dhe albanologut bashkëkohorë gjerman Dr. Don Markus. W. E. Peters botuar në kujdesin e Shoqatës Jezuite, Tiranë, 2010.

Albanologu gjerman dr. Markus W. E. Peters sot quhet dr. Father Mark Peter ose Don Peter. Ai vazhdimisht viziton SHBA dhe ndalon edhe në New York, për t’u takuar me miqët e tij të vjetër: Don Nikolin Pergjigjin, studiuesin dhe publiçistin Tomë Mrijaj dhe autorin e këtij shkrimi modest Klajd Kapinova.

Vjedhja e të drejtave të autorit nga diktatura komuniste dhe shpërlarja e trurit me gënjeshtra sot

Diktatura komuniste dhe (Neo)komunistët edhe sot i kanë bërë si pronë shtetërore dhe kurrë nuk iu kthyen pronarëve të ligjshëm thesaret kulturore, që janë Kuvendi Françeskan dhe Jezuit. Sikurse dihet publikisht ato me një pjesë të punimeve dhe hulumtimeve albanologjike të realizuar nga prelatët dhe klerikët e thjeshtë të Urdhërit të Shën Franceskut ish “professor” dhe  “doktorët” e albanologjisë së periudhës së komunizmit mbrojtën temat e tyre “shkencore”. Ata në mënyrë harbutshe nuk bënë asgjë tjetër veçse hoqën autorësinë e klerikëve katolikë dhe vendosën emrat e tyre.

Rasti më klasik është i ashtëquajturi “prof.dr.” Jup Kastrati, i cili, asokohe ishte Kryetar i Grupit në Luftë Kundër Fesë dhe Zakoneve Prapanike, krijuar nga dikatori Enver Hoxha.

I përkdheluri i rregjimit komunist Jupi i ri asokohe, ka marrë në shtëpinë e vet në kohën e bastisjeve të dhunshme me gjak dhe terror shumë nga antikuaret, disertacionet, dorëshkrimet dhe vlerat e tjera kulturore shkrimore, të bërë ndër shekuj nga studiuesit e shquar klerikë katolikë dhe disa katolikë intelektualë laik të trevave të Veriut të Shqipërisë.

Dhe për tu mos zgjatur shumë, theksojmë se pseudo albanologut të Dullës, disa herë pas vitëve ’90, i është bërë thirrje publike dhe private, që të rikthej pronën e të përsekutuarve politikë anti-komunistë intelektuale të klerikëve katolikë si e drejtë e tyre (Copyright), por ai me arrogance e inercisë së (neo)komunizmit, që ende kishte dhe ka pushtet kudo edhe sot, dhe me paturpsi komuniste nuk ka marrë mundimin që t’i rikthej. Ato monumente intelektuale të kulturës kualitative albanologjike edhe sot gjenden në shtëpinë e tij private.

Për më tepër “Prof. dr.” Jup Kastrati, shkruan me histerizëm dhe passion anadollaku Parathanjen e librit me gënjeshtra të propaganduesit fanatic komunist Rakip Beqaj, me titull perves: “Veprimtaria Antikombëtare e Klerit Katolik Shqiptar”.  Jupi ndër të tjera thotë se:

Vepra e shokut Rakip Beqja, “Veprimtaria antikombëtare e klerit katolik shqiptar”, asht e para e kësaj fare, që po botohet në vendin tone. Libri ka randësi politike, ideologjike dhe shkencore… Në disa paragrafë, auktori ban fjalë edhe për fenë, shikue në dritën e shkencës marksiste-leniniste, për shtetin e Vatikanit, për kishën katolike dhe kapitalet e saj. Kjo hymje ishte e nevojëshme për të kuptue rranjët e thella historike të fesë katolike, e cila, në vendin tone, gjithëmonë “ka qenë ideologji e pushtuesve romakë, italianë dhe austriakë” siç na mëson shoku Enver. Kisha katolike ka veprue, gjithëherë, si shtypëse e çdo lëvizjeje përparimtare, demokratike, popullore. Ajo ka qenë vazhdimisht kundër mendimit të lirë. Ajo ka mbetë gjatë gjithë ekzistencës së saj, në pozita antikombëtare dhe reaksionare. Auktori, me anë dokumentash dhe faktesh të pamohueshme, ka arritë të zbulojë degjenerimin dhe korrupsionin e klerit. Në fund të kapitullit të parë, hartuesi i monografisë ban një përgjithësim me randësi, në lidhje me kishën katolike shqiptare, tue na tregue se ajo, në çdo kohë ka qenë e predispozueme dhe e gatëshme të përdorë pozitën e vet politike për qellime të këqia, tradhëtare në shërbim të të huejvet, kundër interesave të Atdheut tonë. Në kapitullin e dytë, auktori, mbasi shqyrton gjëndjen e Shqipnisë në pragun e pushtimit nga Italia fashiste si dhe gjendjen ndërkombëtare në pragun e shpërthimit të luftës së dytë botnore, ndalohet tek roli i shtetit të Vatikanit. Në mënyrë të veçantë ai sjell fakte konkrete, që dëshmojnë se si krenët e klerit katolik shqiptar kanë qenë gjithmonë në shërbim të të huejvet; kështu p.sh., nga 1870 deri në mbarimin e luftës së parë botnore u shërbyen austro-hungarezëve; gjatë periudhës 1919-1943 qenë në shërbim të italianëve; kurse, nga shtatori 1943 deri në çlirimin e Shqipnisë, 29 nandor 1944, qenë të lidhun kambë e krye me gjermanët nazistë. Këto lidhje me të huejtë siç e spjegon bukur autori rrjedhin, së pari, nga fakti se këta agjentë të Vatikanit në Shqipni, gjithëherë, kanë përmbushë detyrat, që u ka ngarkue ai; së dyti, sepse kleri katolik shqiptar ka pasë kurdoherë, të njejta qellime politike dhe ideologjike me pushtuesit e huej. Fondet e ndryshme, që u derdhën në vendin tonë nga Austro-Hungaria dhe Italia fashiste për të mbajtë gjallë institucionet fetare sollën si rrjedhim, nënshtrimin pa kushte të klerit katolik ndaj pushtuesve imperialistë. Ma anë dokumentash arkivale, autori i veprës tregon qartë dhe në mënyrë bindëse se si kleri katolik shqiptar punoi për pregatitjen e pushtimit të Shqipnisë nga Italia fashiste. Për të parën herë në botimet tona shkencore i bahet e njohun publikut të gjanë veprimtaria antikombëtare dhe reaksionare e njanës nga organizatat e klerit katolik shqiptar, pra “Veprimit Katolik” (Aksionit Katolik). Në kapitullin e tretë auktori flet për pushtimin e Shqipnisë nga Italia fashiste dhe për bashkëpunimin e klerit katolik shqiptar me pushtuesit. Krerët e klerit katolik së bashku me tradhëtarët e tjerë të vendit sanksionuen humbjen e pavarësisë së Shqipnisë…
Në këtë mënyrë mbyllet libri i parë i kësaj monografie. Për veprimtarinë reaksionare dhe antikombëtare të klerit katolik mbas çlirimit të Shqipnisë, gjatë pushtetit popullor, auktori do të hedhë në shtyp, së shpejti, librin e dytë… Karakteristikë e përgjithëshme e veprës që kemi në dorë, asht çfrytëzimi i një literature të gjanë, tue fillue nga veprat e klasikëvet të marksizëm – leninizmit, tue vazhdue me materialet historike të Partisë së Punës së Shqipnisë si dhe raportet dhe fjalimet programatike të shokut Enver… Tue u mbështetë në këtë bibliografi të gjanë, auktori ka ditë të interpretojë drejt ngjarjet dhe fenomenet, ka arritë të zbulojë rranjët e vjetra dhe të reja të veprimtarisë antikombëtare dhe reaksionare të klerit katolik. Mbi bazën e një dokumentacioni të shumtë ka ba analizën e faktevet, ka nxjerrë konkluzionet e duhuna logjike, ka sqarue mjaft çështje të panjohuna nga publiku i gjanë. Në këtë drejtim, ai i ka sjellë një shërbim të vyer historisë së Shqipnisë… Tue pasë për bazë ’’metodologjinë marksiste-leniniste, tue u mbështetë në metodën e materializmit dialektik dhe historik, auktori ka dërmue njëherë e përgjithmonë mitin e “patriotizmit” të klerit katolik, ka rrëzue tezat e absolutizueme nga disa historianë klerikë, në lidhje me të ashtuquejturën “veprimtari kombëtare” të klerit katolik. Si rrjedhim, Rakip Beqja e ka shikue me sy kritik historiografinë klerikale të Shkodrës dhe asht ngritë me guxim kundër saj. Ka mbajtë qëndrim të patundun, të premë dhe parimor ndaj disa figurave klerikale, që në historinë e letërsisë shqipe janë quejtë “kontradiktorë” ose “kompleksë”, si, bie fjala, shkrimtarit reaksionar Fishta. Ky asht një qëndrim aktiv i studiuesit, i cili nuk asht vetëm hetues, gjurmues, përshkrues dhe regjistrues i faktit, por edhe interpretues i drejtë dhe i palëkundun i fenomenit. Një tjetër veçori e veprës asht fakti se auktori ka vu, në radhë të parë, atë që asht kombëtare mbi atë krahinore. Ai mban qëndrim kritik ndaj konservatorizmit, partikularizmit, regjonalizmit dhe ndaj çdo çfaqjeje regresive të së kaluemes. Vepra tingëllon si një thupër e fortë ndaj auktorëve të historisë kishtare shqiptare, që kishin idealizue dhe ba “idhuj të paprekshëm” disa krenë të klerit katolik. Vepra, që nga kreu e deri në fund, shquhet për frymën e thellë klasore. Në vepër ndeshën dy botë: e reja me të vjetrën, rryma përparimtare me atë që asht reaksionare, fetare, prapanike, anakronike. Në njenën anë, një vijë e kuqe spikatë në mbarë veprën: asht rruga e atdhetarëvet të vërtetë, rryma e partisë, e komunistëve, e Luftës Nacional-Çlirimtare. Kjo ka të ardhëmen përpara, i përket së resë, asaj që asht përparimtare, progresive, demokratike, popullore; prandaj triumfon mbi të vjetrën. Nga ana tjetër, një vijë e zezë bie në sy në veprimtarinë e klerit katolik shqiptar: asht vazhda e tradhëtisë, e falsitetit, e demagogjisë, vija e reaksionit ma të tërbuem, e antishqiptarizmit, e asaj që asht regresive, e mykun, e dalun boje; prandaj asht e destinueme të vdesë. Asht siç provohet mjaft mirë në vepër, baza politike, ekonomike dhe ideologjike e klerit katolik në Shqipni ka qenë, gjithmonë, e huej për botën shqiptare. Tue iu referue materialeve të botueme nga vetë kleri, po sjellim këtë të dhanë historike, që dëshmon qartë se, pothuej, të gjithë misionarët, organizatorët dhe krenët e klerit katolik në Shqipni në shekujt e kaluar kanë qenë me kombësi të huej. Mjafton t’u hedhim një sy françeskanëve dhe jezuitëve, tue mos u ndalue tek benediktinët e domenikanët. Historikisht dëshmohet që në vitin 1248 Urdhëni françeskan filloi me u vendosë në Shqipni, me zgjedhjen e françeskanit Giovanni de Plano Carpini arqipeshkëv i Tivarit. (2) Ky prelat bani me ardhë në Shqipni françeskanët dhe domenikanët, tue zevendsue, kështu, benediktinët, të cilët, që nga kjo kohë, kishin fillue me braktisë manastirët e tyne. Në veprën “Schizzo Storico sull’opera dei Franceskani in Albania”, asht dhanë lista e françeskanëve, që u zgjodhën peshkopë ndër dioqeze të ndryshme. Kështu, p.sh., në arkidioqezin e Tivarit dhe të Durrësit, në dioqezin e Shkodrës, Lezhës, Sapës, Pultit, Krujës, Sh’Shtjefnit (në Mat), Arbërit, Shazit, Bardhecit, Drishtit, Ulqinit, Shurdhahit, Sapës e Sardës, d.m.th. ndër dy arkidioqezë dhe trembdhjet dioqezë janë të regjistruem rreth 80 peshkopë të huej. Çdo njeni nga këta ipeshkvij ka sjellë në vendin tonë frymën e nënshtrimit ndaj politikës austriake dhe italiane. Me një ideollogji të tillë u rritën dhe u edukuen edhe klerikët katolikë vendas. Në kete temë historike, janë kapur ato periudha që për rëndësinë e tyre në saje të një studimi, analize e sinteze të thellë të ngjarjeve e fakteve mbi klerin katolik shqiptar, jepet qartë figura reaksionare, antikombëtare e atyre veladonezezëve, që për shekuj duke qenë përfaqësuesit e pushtetit shpirtëror të njerëzve, kanë luajtur ashtu siç thotë autori vetëm rol merimangash në vendin tonë, në endjen e atyre fijeve të njohura të errësirës mesjetare. Vepra duke qenë një sintezë e konfliktit të ashpër klasor të shkallës kombëtare e ndërkombëtare, lot një rol të rëndësishëm për studime shkencore në fushën e historisë së vendit tonë dhe ka një vlerë të madhe për edukimin revolucionar të masave punonjëse
…”

Por absurdi i shqiptarëve trushpërlarë nuk ka të sosur

Shqiptarët fatkeq në vendlindje, kanë menduar gjithnjë si naiv se shumica e shqiptaro amerikanëve këtu janë anti-komunistë, gjë që nuk ka qenë e vërtetë në kohën e regjimit komunist dhe as në ditët tona.

Dikur Jupi i gjithpushtetshëm në sektorin e albanologjisë deri sa mbylli sytë, është ftuar paturpërisht nga sociakomunistët shqiptaro amerikanë, që dikur shisnin në rrugët e New York-ut librat propagandistike të diktatorit anti-katolik dhe ateist Enver Hoxha dhe të benimin të oborrit të tij “disidentit” Ismail Kadare.

Ata fatkeqsisht kishin marrë peng asokohe dhe sot Federatën Panshqiptare “Vatra” (1912) dhe gazetën pro komuniste “Dielli” (1909), që të vinte në SHBA dhe të bënte “hulumtime” selektive të njëanshme për disa nga figurat e shquara të diasporës sonë këtu, duke e paraqitur vazhdimisht të zezën si të bardhë.

Kjo taktikë komuniste dhe post-komuniste u përsërit disa herë edhe me ftesat dërguar “profesorëve” të komunizmit si prof. dr. Nasho Jorgaqi dhe prof. dr. Viron Koka, të cilët shkruan libra me përralla apo trillime, për leninistin e pandreqshëm apo komunist e thekur hoxhist Fan Stilian Nolin.

Kundër shënimeve historike të shqiptaro amerikanit veteran nga Bostoni dr. Peter Minnai këtu në SHBA, janë hedhur në sulm mediatik plot fanatizëm studiuesit e shkollës së realizmit socialkomunist të Shqipërisë së diktatorit Hoxha, ndihmësit besnik të idedologjisë propogandiste komuniste të PPSH-së prof. Nasho Jorgaqi dhe ndihmësi i tij prof. Viron Koka.

I pari, ka shkruar një pamflet në fletushkën Ze(h)ri i Popullit dhe i dyti në një tribunë “demokratike” si Rilindja Demokratike (“RD”), por që në vetvete të dy vijnë nga indoktrinimi dhe shërbimi fanatik, që i kanë bërë sistematikisht për shumë dekada komunizmit të tyre.

Ndërsa i pari, qëndron në pozitat e një socialisti të konvertuar, i dyti i kthyer në formalisht me kostumin blu “demokrat”, çoroditi edhe atë pjesë naïve të rinisë shqiptare pas viteve 1990, që pret realizëm, frymë kritike dhe freski në analizën e figurave të nacionit.

Gjatë verës së vitit 1994, dr. Minnar kishte planifikuar që sëbashku me fakte të pakontestueshme të vij në Shqipëri, për të tretën here, duke pranuar me kënaqsi një bisedë treshe përballë ekranit të televizionit, për të njohur publikun shqiptar nga afër dhe realisht me faktet origjinale pa retushime mbi leninistin fanatik Nolin.

Mirënjohja dhe respekti del nga zemra e njerëzve të kulturës

Kultura e madhe e Kolecit në zbardhjen e kontributit të klerit dhe elementit katolik ishte një dhunti dhe talent, që u fik shpejt nga kalimi i tij në amshim. Mons. Zef Simoni e kishte Kolecin si një këshilltar të sinçertë dhe shumë të mirë.

Historia, kultura e thellë, letërsia dhe figurat e klerit katolik, ishin një passion, që i buronte natyrshëm nga thellësia e pastër e shpirtit qytetar shkodran. Pushoftë në paqe, në lumnin e pasosun!

Publiçisti bashkëkohor dhe prelati i lartë i kishës katolike në Shqipni Shkëlqesia e Tij Ipeshkvi i Rrëshenit (2017) imzot Gjergj Meta (lindur në qytetin e Durrësit në vitin 1976), do të shkruaj këto fjalë dhimbjeje nga zemra e plagosur e tij, për kalimin para kohe në amshim të intelektualit të shquar, por modest: “Kolec Çefa paska vdekë! Paska vdekë një burrë i vyer! Lajmin ma dha Klaudia Bumçi e Radio Vatikanit. Më erdhi keq, por më shumë turp nga vetja që Koleci jo vetëm ka vdekë, por tashma edhe qenka varrosur në Shkodër e nuk kam qenë për me i thanë dy uratë e me ia hedhë një grusht dhe. Për ma shumë asnjë rresht nekrologji apo një kronikë sado të vogël lajmesh, së paku ne tv lokale të Shkodrës, për një njeri i cili ia kushtoi jetën e tij arsimit dhe kulturës, punoi me mons. Frano Illinë (dhe imzot Zef Simonin Ipeshkëv Ndihmës I Arqipeshkvisë Metropolitane Shkodër, shënimi im K.K.), botoi libra e shkrime duke lartësu punën dhe rezistencën e klerit në Shqipëri, na dhuroi tekste kritike dhe dokumenta të panjohur për Fishtën, shkrime të shumta, përmbledhë në vëllimin: “Kur e vërteta flet ndryshe” botuar në vitin 2010. Koleci nuk mund të ikte kështu, anonim. Nuk e meritonte. Kolecin e kam njohur personalisht në Tiranë kur kam qenë prift krejt i ri në Katedralen e Tiranës. Aty vinte në meshë për çdo ditë diele… Kishte njohur pothuajse të gjithë meshtarët e vrarë apo të burgosur e mund të fliste për secilin prej tyre. U kushtoi shkrime e jetshkrime, përderi edhe Marie Tucit të stigmatineve. Koleci me siguri, me fenë e gjallë që ka pasur, i është përgatitë asaj. Vdekjen ia kemi hak Zotit, por anonimatin nuk mund t’ia lejojmë vetes, sidomos për njerëz si Kolec Çefa që i kanë dhënë diçka vendit, shoqërisë, historisë dhe kulturës…”

Kolec Çefa: një pendë shqiptare katolike më pak (Radio Vatikani, 27 Gusht 2021) 

U kthye përgjithmonë nga Tirana, në Shkodër, studiuesi dhe shkrimtari i njohur, Kolec Çefa, autor i disa librave e i një mori studimesh e artikujsh, botuar në mjetet e komunikimit të Kishë katolike si dhe në shtypin e kohës, posaçërisht në gazetën “Shqiptarja”. R. SH. – Vatikan

Bashkësia katolike e Shkodrës përcolli në banesën e fundme Kolec Çefën, që u rikthye përgjithnjë nga Tirana, në vendlindje. Pranë familjarëve, në Varrezën e Rrëmajit.

Vëlla i poetit të mirënjohur Anton Çefa, lindi në Shkodër, më 26 shkurt 1937, në një familje  katolike shkodrane, që banonte në lagjen Arra e Madhe.

Të dy vëllezërit ishin studentë të shkëlqyer, studiues dhe krijues të talentuar, por mbi të gjitha, njerëz të vërtetë, që zgjodhën rrugën më të vështirë: atë të heshtjes  e të harresës.

Për të ruajtur më të kushtueshmen: dinjitetin. Në vitet e para pas ’90-ës pati fatin të jetonte kohët e “ringjalljes”, si sekretar e redaktor i veprave të imzot Zef Simonit, në kryeipeshkvinë katolike të Shkodrës.   Ndërsa Antoni, autor i dy librave me poezi, “Dritarja e një britme” dhe “Heshtja ka tingull guri” nga shtëpia botuese Camaj-Pipa 2002 u largua nga Shkodra – në Amerikë e aktualisht (jo sepse e është dorëhequr para disa viteve, shenimi im K.K.), editor i Federatës Panshqiptare “VATRA” jeton e punon në Neë York (jeton në Neë Jersey prej shumë vitesh, shënimi im K.K.) me sytë, mendjen e zemrën nga oqeani e deti … Koleci u nis për në Tiranë! Një pendë më pak për Shkodrën e pendave të arta!

Koleci u lidh që fëmijë me klerin katolik, lidhje që nuk e shkëputi as në vitet e zeza të persekutimit. Mësimet e para i kreu në shkollën 7-vjeçare që e kishte fare pranë shtëpisë, për t’i vijuar në atë pedagogjike. Si e pati kryer me rezultate shumë të mira, nisi të endet nga katundi në katund, si mësues kryesisht i lëndëve humanitare. Ishte kalvari i “të prekunve”. E në rrugën e Kalvarit shtegtonte edhe gjatë studimeve me korrespondencë pranë Institutit Pedagogjik në Shkodër. Kur u hapën rishtas dyert e  kishave katolike, ishte i pari që, duke dalë nga klandestiniteti, u vu menjëherë në shërbim të Kishës.

Puna e gjatë përkrah imzot Zef Simonit, si sekretar i tij në argjipeshkvinë e Shkodrës, i krijoi mundësitë të shfletonte e të studionte dokumente të panjohura, të shpëtuara prej arkiveve kishtare.

Luajti një rol të dorës së parë në botimin e librit “Martirizimi i Kishës Katolike, 1944-1990”, Shkodër, 93, ku përfshihet edhe portreti i dom Ndre Zadejës, fryt i pendës së tij. Mori në dorë, si redaktor, një pjesë të mirë të veprave të meshtarëve, botuar gjatë këtyre viteve. Posaçërisht, veprat e atë Donat Kurtit.

Nuk e shkëputi kurrë lidhjen me Kishën, nisur që heret në përpjekjen për të mbledhur iskrat e mbetura pa botuar nga autorët më në zë të saj , duke u lidhur sidomos me Atë Viktor Volajn, redaktorin e veprave të Fishtës, sepse e adhuronte Fishtën. Ndaj Atij ia kushtoi edhe librin e titulluar “Nëpër gjurmët e Fishtës”(Shtëpia Botuese Françeskane, Shkodër, 2003).

Me botimet e shumta kushtuar kryeveprave të klerit katolik, u bë sakaq penda më e njohur në lëmin e studimit të autorëve të ndaluar gjatë 50-vjetëve të regjimit komunist. Nuk ia përtoi të hyjë edhe në polemika, ndërsa vijon sulmi kundër trashëgimisë së tyre letrare.

Botoi një vepër edhe për Luigj Gurakuqin, titulluar “Luigj Gurakuqi në një optikë të re”. Shkrimet e tjera, që mbetën të përhapura në revista e gazeta, mund të përmblidhen në një libër shumëfaqesh.

Që të mos harrohet kurrë kontributi i tij dhënë Kishës Katolike e asaj kulture për të cilën krenohet Shkodra, ku penda të reja të talentuara ecin në gjurmët e pashlyera.”