Në Ulqin, Kotorr e Perast

0
295

Arben Ndreca

Ndoshta nuk është e këndshme por vapa e gushtit është e nevojshme, posaçërisht nëse viziton bregdetin. Është po aq e domosdoshme sa edhe kënga e gjinkallës. Të dyja këto elemente të rëndësishme të shoqërojnë rrugës në një ditë të zakonshme vere nga Shkodra në Ulqin.

Në doganë gjen pak rradhë por kur ke nge, pritja nuk të duket e rëndë dhe ia vlen: përpiqesh të pikasësh në të djathtë Ljarjen, Shestanin e Briskun. Ku do të ketë shërbyer Gjon Buzuku?!

Koha kalon pa u ndjerë dhe në fund, i mbartur në një mënyrë të pakuptueshme, gjendesh në qytet.

Në Ulqin

Vetëm dëshira për të vizituar sa më parë kështjellën e Ulqinit të shkëput nga dashamirësia e ulqinakëve të cilën e ndesh kudo, të shoqëruar me buzëqeshje kur iu drejtohesh në një dialekt që ata e njohin mirë.

Ulqini dhe Shkodra! Lidhjet e këtyre qyteteve kujtesa i përtyp ngadalë, me endje dhe kripa e detit vetëm sa e shton etjen të kuptosh diçka më shumë këtu!

Sadoqë Shkodra kishte rreth një shekull që kishte rënë në dorën osmane, anijet ulqinake vazhdonin të rrihnin brigjet e Arbërisë. Skela e Shën Anastazijes, në majën e Kepit të Rodonit (Bolizza, 1614) ishte vendi ku ankoroheshin dhe furnizoheshin me drithë jo vetëm për popullsinë e Ulqinit por edhe të Tivarit. Ngarkonin edhe tërshërë për kuajt, të paktën deri në vitin 1570. «Ulqinakët mund të shkojnë në Redon ku priten nga arbërit e atyshëm me dashuri të madhe dhe përzemërsi pavarësisht luftës me turqit, sepse këta [banorët e Redonit] nuk u binden plotësisht turqve.» (Starine, XII).

Kur ngjitesh në pikën më të lartë të kalasë, afër muzeut, gjendet Kroi i Skurajve, ndërtuar nga një trashëgimtar i këtij fisi në shek. XVII, gjë që e mësova nga një mbishkrim trigjuhësh. Gurgullima e tij është e ndërprerë përkohësisht nga një tub i zi që sfidon me realitetin e tij plastik këtë emër mesjetar, por më pëlqen të mendoj se «dueli» do të përfundojë me fitoren e kroit. Në ballë, kroi ka edhe një pllakë osmanisht që fatmirësisht është ruajtur, sikurse edhe disa të tjera që vërejta poshtë në qytet. Ndërsa emblema e kësaj familjeje, me sa di, ruhet në Muzeun Kombëtar në Tiranë dhe duhet të jetë një nga më të lashtat e prijsave arbër.

Brenda në zonën e muzeut të Ulqinit gjendet kisha-xhami, kushtuar Virgjërës Mari. Në pragun e saj lexohet qartë viti i rindërtimit: 1569, vetëm tri vjet para se të pushtohej qyteti. Më vonë, nga fundi i shek. XVII, kishës së kthyer në xhami iu shtua, nga dora e haxhi Halil Skurës, një minare me gur të gdhendur që i përshtatet mjeshtërisht kishës ekzistuese. Sot ka mbetur vetëm gjysma e saj.

Përgjithësisht, gjendja e kalasë ngjan me atë të Rozafës. Sidoqoftë, lagja e banuar brenda mureve ka ndihmuar në ruajtjen e objektit, e po ashtu i bën të pamundura gërmimet aty. Megjithatë, bari i rritur në pjesën e sitit arkeologjik të kujton kështjellën shkodrane e cila, edhe kjo është mbuluar nga mraja. Por kjo ndodh vetëm pjesërisht sepse në një zonë të madhe bari është kositur në Rozafat. Mbetet problem, si në Ulqin ashtu edhe në Shkodër, perimetri i sigurisë së vizitorëve sepse kushdo mund të hipi lirisht majë mureve ngaqë nuk ka shenja paralajmëruese. I sigurtë në këtë gjendje që janë këto kështjella mund të ndjehet vetëm Adhamulli i cili na garantonte se «nuk do të hipi kurrë ndë çkëmbenj!», këtu e njëqind e kusur vjet më parë.

Mjaft kureshtje zgjon vetë emri i qytetit që me sa duket buron nga fjala ulk>ujk. Ky del edhe si emër i përveçëm gruaje (Ulcina Trulullo) në një dokument të vitit 1080, afër Splitit. (Sakcinski, Codex I). Kur mendon se emri Dalmaci siç na dëshmon Çabej vjen nga *dalm>dele (Shumësi i singul., 1967) dhe Ulqin nga fjala «ujk», të vjen të mendosh se blegtoria në bregun lindor të Adriatikut ka qenë gjithnjë e pashpresë dhe se banorët detyrimisht janë marrë me detari! Nga ana tjetër, afresku i brigantinëve me velat e ndera në muret e brendshme të qendrës muzeale, flet për një talent të lindur e të rritur bashkë me banorët.

Edhe mbas rënies së Ulqinit në gusht të 1571, dy muaj para betejës së Lepantos të 7 tetorit, detarët e këtij qyteti vijuan jetën sikurse edhe paraardhësit e tyre për shekuj me rradhë. Prof. Nikola Čolak thoshte se vetëm një numër i kufizuar ulqinakësh merreshin me pirateri dhe se shumica e detarëve zhvillonin tregti të zakonshme me të gjitha vendet e Mesdheut (Čolak, Shkodra në shekuj, 1993).

Orari i nisjes së autobusit të shkëput nga bedenat e kësaj kështjelle dhe nga biseda e këndshme me drejtuesit e muzeut Gazmendin dhe Xhatin në kohën e drekës.

Në Kotorr

Stacioni i autobusëve në Kotorr është fatlum: kufizohet me sitin arkeologjik të një kishe kushtuar Shën Pjetrit (shek.VI) dhe rrënojat e një kuvendi benediktin. Rrasat e varreve që gjendeshin brenda kishës janë prap aty ndonëse lëmashku i moteve nuk është pastruar prej kohësh. Secila sosh ka të gdhendur emblemën e familjes së cilës i përkiste si edhe emrin e saj.

Pesëqind metra nga stacioni i autobusëve gjendet Porta e Detit, hyrja kryesore e Kotorrit. Qyteti vetë nuk të zhgënjen: ka hijen e një vendbanimi urban të Rilindjes Europiane i cili me muret e tij nuk i vendos pendë ujit të ngjelmë por ia lë portat çelur duke krijuar habitat të nevojshëm për zhvillimin e ideve që valët  mesdhetare i kanë derdhur pambarimisht në gji.

Bie menjëherë në sy se luani i Shën Markut që dikur qëndronte mbi portë mungon – ndërkohë që më në jug dhe më në veri të mureve gjendet prap. Luani venedikas është zëvendësuar me stemën e Jugosllavisë dhe nën të shihet: «Tuđe nećemo svoje ne damo. Tito» – [Çka është] e huaj nuk e duam, [çka është] e jona nuk e lëshojmë – Tito. Pak më poshtë gjendet edhe data e çlirimit të Kotorrit, 21 nëntor 1944.

Ndërsa përshkohesh nëpër portë të tërheq vëmendjen një tjetër pllakë përkujtimore, majtas lart. Nderon emrin e Antonio Bernardinit që mbrojti qytetin nga rrethimi i osmanëve në vitin 1657. Dy data të ndryshme! Secila epokë përkujton atë çlirim që duket se ia kthen dinjitetin qytetit.

Pllaka latinisht nuk flet sa duhet për atë rrethim që ndodhi në kuadrin e luftës së Kretës, në të cilën, kontribut të paçmueshëm dhanë për Venedikun stratiotët arbër. Kompanitë e tyre drejtoheshin nga «guvernatorët» siç quheshin në zhargonin e kohës komandantët. Më në zë nga ta ishin Demetër dhe Gjergj Krytha (Cruta), Gjergj Skura e të tjerë të cilët çliruan Makarskën, dhe kur turqit e pushtuan, prap arritën t’i zmbrapsin. Mbrojtën Shibenikun, Salonën, Zarën e të gjithë bregdetin Dalmat (Brusoni, 1673). Gjin Guma nga Himara dhe biri i tij Gjini i Riu, Gjergj Greku, Engjëllorët, Laskari etj. janë emra të tjerë stratiotësh të cilët po të mos kishin qenë kronikanët venedikas sot do t’i kishim lënë në harresë. Varri i Skurës bashkë me atë të Gjon Gjinit si edhe disa të tjerëve gjendet në kishën françeskane të Zarës. (Ndreca, Shejzat 2020).

Në atë luftë, stratiotët kishin përballë Mehmet bej Qipërlliun, siç thotë Brusoni: «Mehmet ciuperlli di nazione albanese», edhe ky arbër. E në fakt qyteti i Kotorrit u çlirua në 1657 nga rrethimi i Portës së Lartë, kryer me fuqi të pamjaftueshme «e con cattiua condotta da i Bassa di Scutari, d’Albania, di Bossena, e d’Erzegouina» – dhe me organizim të dobët nga ana e pashallarëve të Shkodrës, të Arbërisë, të Bosnjës dhe të Hercegovinës, vijon rrëfimin Brusoni.

Por stratiotët qenë të pranishëm në mënyrë të vijueshme në Dalmaci, shumë para luftrave të Skënderbeut. Shigjetarët arbër i gjejmë familjarisht në Shibenik që në vitin 1423 (Dipl. Sibenicense). Baza e tyre ushtarake, deri njëqind vjet para luftës së Kretës, qe ishulli i Shën Gabrielit i cili deri para pak kohe quhej «Stradioti» ndërsa sot quhet Sveti Marko, përballë qytetit të Tivatit. Si më i njohuri ndër këta luftëtarë përmendet Teodor Manessi (ManëziManeshi). Ky porositi si ex-voto një ikonë të Shën Gjergjit, pajtor i kreshnikëve, e cila gjendet sot e kësaj dite në Scuola de Greci, në Venecia.

Në këtë ishull gjendej edhe një abaci benediktine por nuk ekziston më dhe ujdhesa është betonizuar pjesërisht për turizëm nga francezët në kohën e Jugosllavisë. Megjithatë nismat për mbrojtjen e ishullit nuk kanë munguar nga ana e autoriteteve malazeze dhe zëra të shumtë janë ngritur në mbrojtje të tij (Stradioti, 2017).

Kur përshkohesh nëpër portën kryesore, sheshi i madh i qytetit të Kotorrit të kujton hapsirën publike të qyteteve europiane. Përballë gjendesh me kullën e sahatit, ndërsa në fund të Sheshit të Arsenalit (Trg od oružja) gjendet Bashkia. Duhet ditur se Kotorri si të gjitha qytetet e bregdetit dalmat, përfshi edhe Durrësin, kishte një statut të vetin sepse ishte republikë detare. Por, nuk më intereson edhe aq tashti; rruga djathtas paraqet më shumë interes. Kjo të çon te katedralja e Shën Trifonit, pajtor i qytetit!

Mjaftojnë këto 300 metra udhë për të shkruar historinë e të paktën pesë shekujve të Kotorrit. Sa futesh në të, një pllakë përkujtimore kroatisht të flet për pjesëmarrjen e kotorrasve me anijen e tyre «Shën Trifonin» në betejën e Lepantos. Kapiten i anijes ishte Hieronim Bizanti, nga një familje tepër e njohur e këtij qyteti. Në arkivin e kësaj familjeje ruhej edhe ai dorëshkrimi rreth Arbërisë së vitit 1570 të cilin e përmendëm në fillim.

Kur ke përshkuar gjysmën e rrugës, në sheshin e Bukiave, djathtas gjendet pallati i kësaj familjeje të famshme. Bukiat dalin në skenë, me aq sa dimë, si protovestiarë të Stefan Uroshit. Të dy vëllezërit, Nikolla dhe Trifoni qenë shumë të aftë, veçanërisht i pari i cili shquhej për cilësitë e tij diplomatike. Uroshi e kishte dërguar si ambasador në Dubrovnik por Nikolla arriti që disa territore që i përkitnin mbretit, me pëlqimin e vetë sovranit, t’ia jepte Republikës së Shën Vlashit! Për këtë nder, dubrovnikasit e nderuan thellësisht Nikollën aq sa i dhanë si shpërblim ishullin e Stanjit që ishte i tyre (Gelcich, 1884).

Po në ato mote në Dalmaci përmendet françeskani Gjon Buka arbërori (…et peregrinatione fratris Joannis de Buca albanensis) por nuk e dimë me siguri nëse vinte nga kjo familje (Fabianich, 1863). Çuditërisht emblema e Bukiave, të cilën e gjen në murin e jashtëm të pallatit ashtu sikurse edhe tek muzeu i kishës së Shën Mëhillit, në një rrugicë aty pranë, paraqet thjesht fleur-de-lis të anzhuinëve.

Si familje e pasur dhe katolike që ishte sigurisht që edhe dhantitë e saj për veprat e kultit nuk mungonin. E në fakt, në kishën e kuvendit françeskan të klariseve të shek. XVIII, djathtas altarit barok, përkujtohen emrat e dy fisnikëve Gjon Bolica dhe Vincenc Bukia, bij familjesh të bashkuara edhe nga lidhje martesore. Në vitin 1616, Mariano Buchia dhe Francesco Boliza [Bulica] botuan Statutin e Kotorrit të cilin e përmendëm. Nuk munguan nga kjo familje edhe murgjit e urdhërit dominikan, dikur me shumë rëndësi në Dalmaci. Sot, për shkak të qiellzorizimit, emri i kësaj familjeje shqiptohet «Buqa».

Pas një kthese majtas, gjendesh në sheshin e katedrales së Shën Trifonit, katedralja katolike e Kotorrit. Shën Trifoni në martirologun romak përmendet bashkë me shoqin e tij martir Shën Respikun (Catharus Dalmatiae Civitas, 1759). Prej këtij të dytit, në territorin e Shqipërisë kemi trashëguar me metatezë toponimin «Reps», në Mirditë.

Sa hyn brenda në katedrale, tek shpatulla e djathtë e portës bronzit, në mur, gjendet fotokopja e dokumentit të famshëm të shugurimit të altarëve të kësaj kishe. Ajo që kërkoja!

Më 20 maj të vitit 1166, ipeshkvi i Kotorrit Maji (Ego Maio) për shugurimin e altarëve thirri «bashkëvëllezërit tanë»: Lazrin e Arbërit, Martinin e Drishtit, Gjonin e Ulqinit, dhe të tjerë meshtarë nga Arbëria dhe nga Budva. Altarin në qendër kushtuar Shën Trifonit dhe martirëve Prengës dhe Felicianit e shuguroi ipeshkvi i qytetit, Maji; atë majtas kushtuar Shën Marisë e shuguroi Lazri, ipeshkvi i Arbërit (kupto: i Krujës); atë djathas kushtuar shenjtërve Gjon dhe Pal e shuguroi Gjoni, ipeshkvi i Ulqinit (Sakcinski, Codex III). Dokumenti origjinal gjendet në Akademinë e Shkencave në Zagreb, por për ne e ka riprodhuar prof. J. Drançolli (Buzuku, 52).

Sot altarët e kësaj kishe, me përjashtim të atij në qendër, kanë ndryshuar por struktura e kishës me gjithë tërmetet e vazhdueshme ka mbetur pak a shumë e tillë. Vlen të vizitohet gjithashtu edhe muzeu i katedrales i cili përmban visare të paimagjinueshme edhe për një katedrale në Italinë e sotme!

Do të kishte shumë për të thënë në këtë pikë por autobusi qytetas «Blu Linija» që udhëton çdo orë e 20 minuta është shumë i përpiktë dhe nuk të fal.

Në Perast

Mjeti i transportit nuk është i ri por saktësia e tij është e paqortueshme! Kjo linjë mbulon pothuajse të gjithë vijën bregdetare të Grykës së Kotorrit, deri në Rizan.

Në gjysmë të këtij itinerari gjendet Perasti, një tjetër zymryd në bregdetin e Malit të Zi. Bileta e autobusit nga Kotorri deri këtu kushton rreth 1 euro e pesëdhjetë qindarka dhe janë nja pesëmbëdhjetë minuta rrugë.

Kur hyn në qytezë nga ana veriore drejt jugut, ndërtesa e parë që bie në sy është muzeumi që ka gjetur një seli të përshtatshme tek pallati i familjes Smecchia. Dielli në zenit nuk të jep mundësi për përsiatje por në krye të kumbon një emër: Trifon Smecchia, autor i një tragjedie kushtuar Gjergj Kastriotit (Nadin, Studi Goldoniani, 2015)

Por mbi të gjitha, Perasti është vendi i familjes së njohur të Zmajeviqëve. Në të vërtetë, emri i këtij fisi është DracoDrago siç e ndeshim edhe në Kotorr, por këtu ka marrë këtë trajtë të përkthyer.

Zmajeviqët për shqiptarët janë të njohur kryesisht për dy figura: Andreun dhe Vincencin, ungj dhe nip. Nuk është më pak i famshëm as vëllai i imz. Vincencit, Mateu, por ky u bë admiral i flotës perandorake ruse në detin Baltik dhe për të dihet fare pak. (Bassich, 1883).

Në qendër të qytezës, buzë detit gjendet kisha e Shën Kollit me këmbanaren e saj të dukshme nga çdo anë e Perastit. Në drekë, në shëtitore nuk ka njerëz, vetëm në restorantet dhe baret buzë detit dëgjohen tapat e birrës që kërcejnë nga shishet në duart e kamerierëve ndërsa ua ofrojnë pushuesve.

Brenda në kishë, dy të rinj të famullisë të presin me buzëqeshje dhe janë të gatshëm të ndihmojnë vizitorët. Ndërtesa me një nef ka në fund altarin kushtuar Shën Kollit dhe ngado të sillesh të flet për Zmajeviqët. Në dy muret anësore të tërheqin vëmendjen dy pllaka përkujtimore latinisht.

Ajo në murin e djathtë flet për Andre Zmajeviqin, ish-nxënës i Kolegjit të Propagandës Fide në Romë. U pat emëruar arqipeshkëv i Tivarit nga Papa Klementi X, dhe u shugurua pikërisht në këtë kishë nga arqipeshkvi i Durrësit Gerard Gallata, nga familja e njohur arbërore e Gallatajve e Krujë-Kurbinit. Kur shkoi në Tivar, imz. Andreu e vendosi selinë në mesin e Pastroviqëve, fis i njohur, dhe si metropolit që ishte kishte nën administrim edhe Shkodrën. E në fakt, te «Çeta e Profetëve» Pjetër Bogdani i kushton një odë plot lavde (Zmaievich, ò dritta jonè) për përkrahjen që i kishte dhënë këtij dhe prelatëve të tjerë arbër. Oda mbyllet me vargjet: «Ata puscton si e nisi / dhén, e detin leoni/ posikur e mblon eklipsi /përpin Hanën Dragoni».

Në murin kundruall shihet pllaka mermerit kushtuar imz. Vincencit dhe ngjitur me të një ikonë që paraqet Zojën e Këshillit të Mirë të Shkodrës. Piktura duket se është pikërisht e shek. XVIII e të bën përshtypje fakti se është vendosur pranë rrasës përkujtimore të imz. Vincencit. Ndoshta një dhuratë gjatë vizitës së tij apostolike në Arbëri në kohën e Kuvendit të Arbërit?! Kush mund ta ketë sjellë? Dashje pa dashje të bie ndërmend se në Rregjistrin Detar të Dalmacisë nga viti 1700 e deri në 1710 janë lart nga 50 anijet e Perastit që udhëtonin përgjatë bregdetit, nga Venediku deri në Durrës. Ndër to vëren emrat e kapitenëve Ivan Zmajeviq, pikërisht në vitin 1700, dhe Ndrec Shilopi, 1702. (Čolak, 1993)

Teksti i pllakës përkujtimore rrëfen shkurtimisht për jetën e këtij prelati. Mbi të gjitha ndalet tek Kuvendi i Arbënit që Zmajeviqi mbajti në Mërqinj të Lezhës «in medio Othomanicae tirannidis».

Vincenci u shugurua arqipeshkëv i Tivarit pas vdekjes së imz. Mark Gjorgës, i cili kishte zëvendësuar në atë seli ungjin e Vincencit,  Andreun. U shugurua pikërisht në këtë kishë nga duart e një të afërmi të tij, nga imz. Marin Drago ose Draco, ipeshkëv i Kotorrit.

Majtas, sakrestia e kishës përbuan një thesar të vyer. Në qendër janë paramentet e Meshës së prelatëve Zmajeviq por e kam të vështirë të pikas se cilat janë të imz. Vincencit. Më tej bien në sy ikona mjaft të vjetra të shek. XIV dhe XV si edhe disa më të vona. Është ruajtur e paprekur edhe kasaforta e kishës si edhe bajrakët që mbanin në procesion perastinët. Duhet ditur se kur francezët e Bonapartit mposhtën sundimin venedikas në Dalmaci dhe morën Grykën e Kotorrit perastinët groposën diku brenda kishës flamurin e Shën Markut, që ende sot e kësaj dite nuk është gjetur!

Po pallati i Zmajeviqëve ku është?

Ndërtesa gjendet në pikën më të lartë të Perastit prej nga shihet i gjithë gjiri. Shkallarja që të çon atje lart, stepenica koja vodi gore siç më tregojnë vendasit, është një e përpjetë dhe quhet «Ulica Počiljut». Në majë të shkallares një portë e vogël me hekur të rrahur dhe bajraku i kuq me shkrimin «Palača Zmajević» dëshmon se ke mbërritur. Nga jashtë vëren se oborri dhe banesa nuk është e hapur për publikun. Në një bar më kumtuan se pallati është blerë nga një pronar hotelesh dhe mendohet se do ta kthejë edhe këtë ndërtesë në bujtinë. Në këtë banesë dhe në të tjera që ishin pronë e Zmajeviqëve gjetën strehë arbanasit që u shpërngulën në 1726 nga Brisku, Ljarja e Shestani. Fillimisht imz. Vincenci i strehoi këtu dhe më vonë i sistemoi në Zarë: «e a Perasto sono venute molte famiglie che ricorse da me in atto compassionevole ho albergato nelle mie case patrimoniali»  – dhe në Perast kanë ardhur shumë familje që i strehova për bamirësi nëpër shtëpitë në pronësinë time. (Bassich, 1883).

Djathtas pallatit, jashtë avullisë, gjendet kishëza e familjes. Kjo mund të vizitohet por dera është e kyçur. Në timpanin e kapelës shihet emblema me dragoin ndërsa brenda varri i Andre Zmajeviqit, e në mendje të endet vargu i Bogdanit «përpin Hanën Dragoni». Kurse varri i imz. Vincencit nuk është këtu por në Zarë, ku edhe i mbylli sytë si arqipeshkëv i atij qyteti duke lënë mbrapa një kujtim të pashlyeshëm te banorët.

Më vonë, nga muzgu, në qendër dëgjoheshin edhe biseda shqip, turistësh që gjithnjë e më të shumtë vijnë nga Shqipëria edhe në bregdetin e Malit të Zi. Patjetër që do të gjejnë këtu diçka që u pëshpërin në vesh rrëfenja nga motet e shkuara.