Gegënishtja apo Toskërishtja?

0
650

Në numrat e parë të revistës “Shëkndija”, themeluar e drejtuar nga Ernest Koliqi, zhvillohet një ndër debatet më interesantë rreth periodizimit të historisë së letërsisë shqipe, ai mes Namik Ressulit dhe Filip Fishtës.

(Shkrimi i Namik Ressulit dhe përgjigja e Filip Fishtës për periodizimin e letërsisë shqipe)

Gegërishtja apo Toskërishtja?

Nga Namik Ressuli

– Në një artikullin t’im botuar nja motmot ma parë në shtyllat e revistës “Shkolla Kombtare”, u paraqisja të gjithë atyreve që merren me letërsinë t’onë një pjesëtim sistematik e metodik të kësaj, filluar prej meje gjashtë vjet më parë, kur isha mësonjës i shqipes në Normalen e Elbasanit, e të studjuar e të menduar vazhdimisht, duke e modifikuar e duke e përmirësuar, gjer më sot.

Propononja atëherë që i gjithë prodhimi letrar shqiptar nga shekulli XV gjer tek ky i yni, të ndahej në dy grupe të mëdhenj: 1) Prodhim letrar shqiptar përpara Lidhjes së Prizrendit e 2) Prodhim letrar shqiptar pas Lidhjes së Prizrendit.

Grupit të parë si nisje i caktonja gjysmën e shekulli XV duke arritur pothua, një pjesë nga fundi XIX shekull, dhe përmblithja në të, të gjithë aktivitetin kulturor e letrar që u zhvillua në qendra të ndryshëme të Shqipërisë së atëhershme, d. m. th. në një Shqipëri që nukë ekzistonte edhe si shtet. Shtonja edhe se ky grupi i parë as që munt të quhej letrar me kuptimin më të kulluar të fjalës:

Prof. Namik Ressuli

Pse këto shkrime që përmbleth ky grup nukë janë shkruar me nonjë qëllim estetik a letrar, po janë pothua të gjitha, me përjashtim të një grupi laik, shkrime fetare të punuara nga priftërinj katolikë a orthodoksë me qëllim propagande a mësi të fesë;

Pse këto lëvizje, ose më mirë këto lëvizje kulturore përpara Lidhjes së Prizrendit nukë kanë pasur asnjë njësi, as një vazhdimsi, as edhe nonjë përhapje nëpër gjithë Shqiptarët e atëherëshëm. Ato kanë qenë fenomene kulturore, sporadike, krejt krahinore, që lindnë e vdiqën pa lënë më të voglën gjurmë në lëvizjen letrare më të pastajmen, d. m. th. në atë që lindi pas Lidhjes së Prizrendit.

Veç asaj, ky prodhim na paraqitet edhe i përçarë e pa farë lidhjeje. Prodhimi letrar që lindi p.sh. në qendra katolike të veriut nukë ka të bëjë fare me prodhimin letrar që u zhvillua në qendra orthodokse të jugës e këta të dy nukë kanë aspak nonjë marrëdhënie me prodhimin letrar mysliman. E ndava prandaj edhe këtë grup në tre nënë – grupe të tjerë: 1) Shkrimtarë të vjetër të veriut, a gegë katolikë, 2) Shkrimtarë të vjetër të jugës, a toskë orthodoksë, 3) Shkrimtarë të vjetër myslimanë.

Grupi i dytë, përkundër, përmbleth të gjithë prodhimin letrar që nis që nga Shoqëria e Stambojlit dhe arrin gjer në ditët t’ona. Prandaj i kemi caktuar si kufi nisiatorei  në senin late kuptohet, kësi prodhimi Lidhjen e Prizrendit, e cila qe mema, të thomi kështu, e Shoqërisë së Stambojlit. Do me – thënë u vërtetua edhe në Shqipëri ajo që ngjan pothua në të gjitha shtetet tjera të Ballkanit: latratyra e tyre filloj bashkë me zgjimin kombëtar.

Për të parën herë, pra, në historinë e tyre Shqiptarët, gjer atëherë të shpërndarë e të përçarë, mblidhen rreth vatrës së Stambollit dhe punojnë me parime e qëllime të njëjta e të përbashkëta drejtë dritësimit të vendit që i polli. E prandaj për të parën herë letratyra e re, që në fashqe na paraqitet e vetëme dhe e njëjtë, si shprehje e të gjithë Shqipëtarëve pa dallim feje a krahine.

Kaqë thoshja atëherë duke bërë fjalë mi një ndarje sistematike të letratyrës s’onë, ndarje që nukë e propononja për lehtësi teknike a studjimi, po pse vetë faktet e imponojnë; e shtonja se një vënt më vete mbrenda suazës së letratyrës s’onë duhet t’i caktohet edhe prodhimi italo – shqipëtar – prodhim, i cili që nga Lekë a Lukë Matranga, e gjer pothua në funt të shekullit të shkuar, u zhvillua krejt pavarsisht prej prodhimit letrar t’onit – mbasi qëllimi a detyra e historisë letrare nukë është të caktojë e të dëftejë vetëm vlerën e çdo shkrimtari të marrë veçmas, po kryesisht të studjojë e të inkuadrojë zhvilimin e tërë një prodhimi letrar, të çdo kohe e të çdo vendi.

Po tani një problem shumë me rëndësi është vënë, ta thomi me një shprehje italishte, “në tavolinë” problemi i gjuhës së përbashkët, problemi që ka dhënë kushtrimin në të gjithë shkrimtarët e studjimtarët – e jo vetëm në këta, të cilët të gjithë pyesin e presin me gojë hapët: “kush do të jetë gjuha zyrtare, a po toskërishtja?”.

Me të vërtetë problemi është i vjetër, aqë i vjetër sa edhe letratyra shqipe vetë, dhe është rrahur prej kohe; po sot me themelimin e Institutit për studimet shqipëtare duket se merr një rëndësi të veçantë dhe një trajtë më lëndore. Ja pse po marr lejen të shkruajë këto rradhë duke thënë mendimet e mia rreth çështjes, dhe ja pse e fillova duke studjuar pikërisht zhvillimin, evolucionin e letratyrës s’onë e jo duke vështruar se si i a arritën kombet tjerë gjuhës së tyre të përbashkët, ashtu siç kanë bërë përgjithësisht shumë nga shkrimtarët t’anë që s’lodhen kurrë të përmendin se qysh u trajtua gjuha zyrtare e këti apo e ati shteti.

E vërteta është se kush nukë njeh të tjerët, nukë njeh mirë as veten e tij. Studjimi i zhvillimeve gjuhësore të të huajve… e jo vetëm i zhvillimit e evolucionit gjuhësor, po edhe i çdo fushe të veprimtarisë  mendore e parktike – bije kontribute të paçmuara në rëmimet e studjimet kombëtare, por nga nonjë herë duke i pasur syt gjithënjë larg, përtej kufive t’ona, na godit mjerisht të mos shohim e të mos shquajmë mirë si po ngjan e po zhvillohet përpara e pranë nesh.

Po shumë herë gabimet a mosmarrëveshjet rriedhin sidomos edhe nga një shkak tjetër: nga “impostimi” i keq i problemit. Në një çështje kaqë delikate e kaqë gjallësore për ne, nukë duhet pyetur pa – një – pa dy a do të pranohet toskërishtja ose gegërishtja si gjuhë e përbashkët, a ka kontribuar më tepër në fushën e letrësisë e para ose e dyta, e sidomos duhet ruajtur nga “pasionet krahinore”, nga “regionalizmi, pse vetë poetët e prozatorët t’anë të mëdhenj, Naimi e Fishta, Konica e Noli, Lasgushi e Koliqi, më parë se të jenë toskë a gegë, janë Shqipëtarë e kësaj Shqipërie ia kanë kushtuar veprimtarinë e tyre mendore, jo fshatit a qytetit ku lindnë. Veç asaj më duket edhe sikur u bëhet një e fyeme këtyre shkrimtarëve, sidomos më të vjetërve, kur hyjmë e përziejmë emrat e tyre në çështje krahinore, mbasi ata vetë pikërisht këtë të zezë luftuan: përçarjen e Shqipëtarëve në krahina e krahina. Përkundër, problemi duhet studjuar më shtruarazi , më imtësisht duke rrahur e shoshitur çdo mendim që munt të vlejë, pa pasion e pa mëri, dhe sidomos duke filluar më parë studjimin e zhvillimin e evolucionit e gjendjes së tanishme të të dy dialekteve kryesore në sa të përdorur të dy si gjuhë shkrimi, pse kam bindje se vetëm e vetëm duke studjuar thellësisht e imtësisht të shkruarit e çdo dialekti, duke mos i larguar sytë kurrë prej kësaj, munt të thomi gjëkafshë, munt të parashohim me një farë mënyre se si do të jetë e arthëmja, e kështu mundësisht të marrim masa për ta shpeituar këtë; pse po dihet natura non facit saltus; as do të jemi ne ata që do të bëjmë të kundërtën.

II. – Pamë pak më lartë se prodhimi letrar shqipëtar i grupit të parë është një prodhim sporadik krejt krahinor, lindur e çdukur në qendra katolike, orthodokse a myslimane të Shqipërisë, pa njësi, pa qëllime të caktuara e sidomos pa pasoja. Vetëm me Shoqërinë e Stambollit nis letratyra e jonë, letratyra e përbashkët, letratyra e të gjithë Shqipëtarëve, e shtetit shqipëtar që s’kish lindur. Do – me thënë ajo letratyrë që dëshironin anëtarët e shoqërisë, ajo letratyrë për të cilën punuan. Dhe me të vërtetë, pas gjashtëdhjetë e ca vjetëve, munt të thomi se themelonjësit e saj ia arritën plotësisht qëllimit. Prej asaj kohe katolikë, orthodoksë, myslimanë nukë shkruan më vetëm për bashkëfetarët e tyre, por për mbarë Shqipërinë, për mbarë Shqipëtarët.

Po a munt të pohojmë, pa të ndrojtur, për këtë prodhim që lulëzoj me hov të mrekullueshëm pas shoqërisë së Stambollit – aqë sa mbrenda një gjysëm shekulli t’i japë Shqipërisë një letratyrë aspak më të ulët se letratyrat e shteteve të tjera ballkanike, bile në shumë pika edhe mjaft më origjinale – a munt të pohojmë, pyes nëse është me të vërtetë aqë i njëjtë, aqë i përbashkët sa duket përcipërisht? Unë kam bindje se jo. Në se në parimet, në se në qëllimet që e frymëzuan dhe e udhëhoqën ky prodhim i dytë qe pa dyshim i njëjtë, në trajtat, në mendimet, në mentalitetet, së fundi në tradita nukë qe aspak. Që në fillim studjimtari i duruarshëm do të shohë se edhe kësaj here dy rryma, dy korrente, nisin të vizohen duke u trashur gjithënjë më shumë, me karakteristika e fytyra krejtë të ndryshëme njëra prej tjatrës sa do të qe parimisht aspak në kundërshtim. Dhe do të shohë gjith – ashtu se këto dy rryma në vënt që të çdukin njëra tjatrën duke u bashkuar a duke u shkrirë, vazhduan dhe vazhdojnë me ritme të paprerë gjer në ditët t’ona.

Po të donja t’u jepja një farë trajte lëndore këtyre dy rrymave, për ta bërë më të kthiellët idenë, do t’i përfytyronja këto si dy rrota sëhati, të cilat edhe duke u gjendur mbrënda një kapaku e të drejtuara që të dyja me një qëllim të vetëm – me shënimin e orëve – lëvizin e shkojnë përpara secila për punë të saj. E unë besonj se asnjë krahasim tjetër më i përshtatshëm munt të na japë një ide të gjallë të zhvillimit t’onë letrar pas Shoqërisë së Stambollit.

Qarku i lëvizjes së rrotës së parë përfshiu pjesën më të madhe të Shqipërisë, që nga krahinat më të largëta të jugës e gjer përtej Fushës Krus. Është pikërisht kjo rrotë që përfaqëson në fillim – pse nisi të lëvizë më parë – kombin shqipëtar pa dallim fisi a feje, d. m. th. të gjithë toskët e gegët që gjendeshin mbrënda qarkut të lëvizjeve të saja, myslimanë e të krishterë. Ajo nisi prej kohëve më të lashta, që po sa u themelua Shoqëria, e siç do të shohim më poshtë, me ritëm më të ngadalshëm, vazhdon edhe sot. Qendrë të vetmë e të caktuar nukë pati. Epiqendrat e saja qenë të ndryshëme: më parë Stambolli, pse aty u themelua Shoqëria, pastaj Bukureshti, pastaj nga pakë kudo në të katër anët e botës, Evropë, Afrikë (Egypt), Amerikë. Më vonë, me ndërtimin e Shqipërisë në shtet, stabilizohet në atdhe, pa vënt të caktuar. Është pra, lëvizja e parë e letratyrës s’onë e nisur dhe e përfaqësueme vetëm prej toskësh, toskë janë librat që botohen me qindra, toske janë revistat e fletoret që mbijnë në çdo kënt të Evropës ku rrojnë dy Shqipëtarë, toskë janë shoqëritë me qëllime kombëtare e kulturore. Në sa njëra pas tjetrës llojë llojë veprash shohin dritën, Naimi, Çajupi, Asdreni, Konica, më vonë Fan Noli, të rrethuar prej një çete të gjerë shkrimtarësh më të vegjël i japin kryeveprat e para letërsisë së themeluar prej tyre. Edhe dialekti, pra që zotron, i pakontestuar në tërë fushën kulturore, është toskërishtja. Gjendemi kështu mbrënda një kohe të shkurtër nga fillimi në kulmin e toskërishtes e unë besonj se po mos të kishin qenë priftërinjt e fretërit katolikë, po mos të kish nisur të lëvizte edhe rrota e dytë, ne s’do të kishim sot asnjë libër me vlerë në gegërishtet dhe toskërishtja, me njësimin e Shqipërisë, me zgjerimin e komunikatave, ma hapjen e shkollave do të kish arritur sot e kësaj dite gjer në bjeshkët e Malcisë, duke u zbërthyer me të edhe problemi i gjuhës së përbashkët.

Po shpejt “rrota” e dytë hyn në veprim.

Qarku i lëvizjeve të kësaj “rrote”, shumë më i vogël nga i pari, nukë del përtej kufive të Shkodrës e munt të thirret një qark kulturor krejt shkodran katolik. E frymëzuar edhe “këjo rrotë” nga të njëjtat ndjenja, parime e qëllime që shtytën të parën duke kontribuar nga an’ e saj në mënyrë të mrekulluarshme për pasurimin e letratyrës shqipe, prapë se prapë, në fillim mbeti një gjë lokale si e ndarë nga pjesa tjetër e Shqipërisë dhe i nis më vonë lëvizjet e saja. Arësyet e kësaj ndarjeje,  e këti dallimi rrënjësor që edhe sot vihet re në mes të shkrimtarëve toskë e shkodranë, duhen kërkuar 1) në feja dhe 2) në tradita kulturore.

Në feja  pse kultura në Shkodër qe gjithënjë në duar të priftërinjve e të fretërve katolikë, të cilët sipas gjurmave të Buzukut, Budit, Bogdanit me shokë, ruajtën të pashojtur, për katër shekuj me radhë në mes të tallazeve të detit të pafurishëm  turk, ndjenjën e kombësisë e të qytetërimit perëndimor. Prandaj, në sa lëvizja letrare e Shoqërisë së Stambollit lindëte ex novo, pa vazhduar asnjë nga rrymat letrare më të përparëshme që u çfaqën në Toskëri, d. m. th. as prodhimin letrar toskë – orthodoks as atë mysliman, në Shkodër prodhimi letrar i quajtur gegë katolikë, edhe pas themelimit të Shoqërisë së Stambollit, vazhdoi akoma për disa kohë duke formuar atë që është thirrur “letratyrë agjogrardie, me karakter siç e thotë vetë emëri, natyrisht fetar e kështu e kulturor  vetëm në besimtarët katolikë. Mjafton t’i hedhim sytë një bibliografie të plotë për të vërejtur se në sa në Stamboll, në Bukuresht, në Sofie, në Egypt etj., shtypen libra profane me ngjyrë krejtë laike, në Shkodër qarkullojnë vetëm vepra fetare, bile të shtypura me alfabetin e vjetër të shkrimtarëve gegë katolikë. Vërtetë, këtu këtje shohim botimin e nonjë libri të vogël mësimi si abetare “kunoitore” etj.: po këto libra nuk dualën kurrë jashtë Shkodrës, edhe pse çdo gjë që delte nga muret e kuvendeve katolike nukë interesonte n’ato kohë myslimanët e orthodoksët e anasjelltas. Me një fjalë, këtej nga ana e Shqipëris së mesme e së jugës hovi i kulturës është laik, andej nga ana e Shkodrës klerikal, fetar: këtu mos interesimi i të dy palëve. Duhet shtuar pastaj se nga mungesa e komunikatave, nga mungesa e një shteti, e një qeverie, Shkodra mbeste si e vetmuar nga pjesa tjetër e Shqipërisë.

Po me rasjen më të parë, po sa nisin të marrin pak frymë, shkrimtarët e poetët laikë të Shkodrës lindi për mrekulli, bash nga muret e atyre kishave e kuvendeve, që do të linin një emër të pavdekur në fushën e letrësisë shqiptare: po prap se prap kultura në Shkodër mbeti ekskluzivisht katolike, mbassi myslimanët flinin edhe në gjumin e shekujve.

Në traditat kulturore: pse të gjithë priftërinjtë, e pra shkrimtarët e poetët, dilnin nga seminaret e shkollat e Evropës të pajosur me kulturë klasike thjeshtë latine. Trashëgonin kështu edhe ata atë kulturë tradicionale të Perëndimit në kundërshtim me pseudokulturën e Orientit të afërm. Gjurma të kësaj kulture, të kësaj tradite, të këti mentaliteti që dalë nga dalë duke dalë jashtë mureve të kuvendeve do të konsolidohej në Shkodër, i gjejmë në çdo faqe, në çdo radhë të shkrimtarëve gegë shkodranë nga më të mëdhenjt gjer tek më të vegjëlit, si edhe ndër ata që nukë pretendojnë të jenë të tillë. Kurse zhvillimi kulturor i pjesës tjatër të Shqipërisë nukë pati as një kulturë të njëjtë as një kulturë të vërtetë si trashëgim. Naimi me shokë vijnë nga shkolla të ndryshme, nga shkolla që ato vetë nukë kishin një kulturë të vërtetë a të njëjtë. Aty edhe shkollat e Greqisë – djepi i klasicizmit në të kaluar – krejtë kulturë klasike nukë kishin. Dhe jo që shkrimtarët e parë toskë i kanë pasur gjithënjë sytë nga Perëndimi, kulturën e këti nukë e asimiluan dot kurrë, pse iu mungonte ambienti, iu mungonte baza. Krahasoni p.sh. Naimin me Fishtën, ose Çajupin e Asdrenin me Mjedën ose Prendushin e do ta shihni menjëherë këtë dallim: tjatër stil, tjatër mendim, tjatër mentalitet, tjatër teknikë, tjera orizonte në mes të tyre.  Në gegët zotron retorika – retorika në kuptimin më të mirë e më të dobishëm të fjalës: shënjë e studjimeve të rregullta e të shëndosha – mitologjia, piekuria e përsosuria e stilit e i vargjeve, me një fjalë vlon në shkrimet e tyre si “flad umanismi” që e vërejmë në klasikët e në kulturën italiane. Nga pikëpamja teknike gjithashtu gjejnë në ta ndryshime e pasuri metrash në përpilimin e vargjeve. Në toskë, ndoshta më tepër “spontanitet”, më tepër thjeshtësi e freshkësi, më tepër origjinalitet në sa frymëzohen nga letratyra gojore e popullit – cilësi që retorika i ka  mbytur në shkrimtarët shkodranë, pa përcipëri mendimesh, një farë disorientimi kulturor, mungesë kujdesi në stil e në “vargënim”. Aty edhe sot e kësaj dite ky dallim diskutohet në poetët toskë e gegë e provë e gjallë janë, mi të gjithë tjerët, dy përqfaqësonjësit më të rinj e më të denjëshëm të të dyja shkollave: Koliqi e Lasgushi, sa do që ky i funtmi ngrihet lartë mbi të gjithë poetët tjerë që ka pasur Toskëria.

Ky ndryshim kulturor pra e, së dyti, ndryshimi fetar qenë shkaqet që lëvizja letrare shkodrane, sado e shëndoshë dhe e mirë – përgatitur, në i kaloi kufitë me poetët e saj më të mëdhenj, me Fishtën, me Mjedën, me Prendushin, nukë i përhapi dot rrymat, drejtimet, mentalitetin e saj në pjesën tjetër të Shqipërisë. Zotrohej kështu e tërë kjo pjesa tjatër e Shqipërisë nga lëvizja kulturore toske. Po gegërishtja me lëvizjen shkodrane nxirrte kryet në letratyrën shqipe për gjithënjë dhe përforconte definitivisht cakun e saj.

E kështu siç na paraqitet i përçarë grupi i parë i prodhimit letrar shqipëtar në traditë e në formë i përçarë në dy rryma na paraqitet edhe prodhimi i dytë e dy dialektet nisin këtej e tutje të maten në mes të tyre, duke zotnuar ma tepër dialekti toskë, pse los rolin në pjesën më të madhe të vendit.

III.- Po me krijimin e Shqipërisë në shtet e sidomos me ngritjen e Tiranës në kryeqytet, puna fillon të ndryshojë për toskërishten.

Zgjedhja e një qyteti të Gegërisë pati një rëndësi të veçantë e vazhdon të ketë gjithënjë më tepër për trajtimin e gjuhës së përbashkët dhe posaçërisht për predominimin e njërit nga të dy dialektet kryesorë.

Vërtetë më parë gegërishtja e Shkodrës nukë e influencoj toskërishten, as kjo atë: shkrimtarët toskë dhe gegë vazhduan të shkruajnë në dialektet e tyre: po një fakt i ri nis të vërtetohet me ardhjen e kryeqytetit në Gegëri: nis të përhapet nër nëpunësit, nër zyrat, nër shkollat, nër nxënësit, nër mësonjësit d.m.th. në qarqet e mesëme intelektuale, duke zbritur dalë nga dalë edhe në klasët më të ulët, p. sh. nër ushtarët – nër ata qarqe që shpesh lozin një rol më të math se ai i poetëve dhe i prozatorëve të mëdhenj në një vent me shumicë analfabetësh, ku zëri i poetit të math nukë arrin – dialekti i Gegërisë së mesëme, pikërisht ai dialekt që s’ka kontribuar aspakë në fushën e letrësisë, ai dialekt që s’ka pasur jo një Dante(!) po as një Çajup, a një Asdren a një Prendush, dhe që vetëm me një Kristoforidh munt të mburret – sado që po të merren veprat e tia, pamvarësisht nga njeriu, munt të thomi për të se qe aqë gegë sa edhe toskë, pse i dituri elbasanas i përdori të dy dialektet) – e tani vonë vetëm një Haxhiadem munt të përmendë.

Ky fakt, ky fenomen i ri që u vërtetua me krijimin e shtetit shqipëtar më duket se ka një rëndësi bazë për të paraparë t’arthëmen e gjuhës së përbashkët, e prandaj duhet studjuar në të gjitha çfaqet e tia më të imëta.

Shkaqet që e shkaktuan munt të përmblidhen:

Siç thamë më lart, ngritja e Tiranës në kryeqytet. Prej asaj kohe sytë e të gjithë Shqipëtarëve, toskë e gegë, janë drejtuar nga Tirana: në Tiranë vijnë ata për nevojat e tyre shtetrore e private; në Tiranë është mbedhur ajka e intelektualëve shqipëtarë, pa dallim krahine a feje; në Tiranë përdridhet politika e vendit e vendosen fatet; në Tiranë, me një fjalë, ka qendrën krei, trutë e atdheut e me gjithë që në vetvete Tirana si qytet i thjeshtë moralisht nukë los as më të voglin rol, pse në shkallë kulturore mjaftë të ulët, e me gjithë që revistat e gazetat më të mira të kryeqytetit kanë qënë në duar të toskëve e kanë nusëruar penda me vlerë në fushën e gazetarisë, si atë të Vangjel Koçës, të Nebil Çilrës e të Timo Dilos, prapë se prapë intluksi i dialektit gegë – sa do i lehtë hë për hë – është ndjerë dhe ka për t’u ndjerë gjithënjë më tepër.

Normalja e Elbasanit. Pse më e mira shkollë normale e Shqipërisë e pati dhe e ka qendrën në një qytet gegë. Djemët, më shumë edhe tashë, toskë duke ardhur në Elbasan në një moshë të njomë, në të cilën instiktivisht dialektet dhe gjuhët e huaja njësohen më lehtë, nisin edhe ata të flasin, a në mos tjatër, të shkruajnë gegërisht, gjë që e kam vërejtur vetë si mësonjës i shqipes në këtë shkollë. E natyrisht, passi mbarojnë studjimet këta djemtë në shkollat fillore ku dërgohen, bëhen përhapësa të këti dialekti e jo te toskërishtes. Po rolin më të math nukë e lozi aqë fort vetvetiu Normalia e Elbasanit se sa një nga drejtorët e saj, Aleksandër Xhuvani. Fati deshi që në krye të këti Instituti të gjendej herë pas here e me periudha të gjata përfaqësonjësi më i mirë i Shqipërisë së mesëme, pas Kristoforidhit, i cili siç dihet qëlloj edhe lëronjës i gjuhës shqipe. Si “gjuhëtar”, pra Xhuvani e si njohës i thellë i shqipes e si përkrahës i dialektit të Elbasanit, i influencoi edhe më tepër djemët me doktrinën e tij, duke qënë ai në ato kohë  studjimtari i gjuhës më metodik e më i njohur në krahinat e Shqipërisë së mesëme dhe të jugës. Gjurma të mëdha të influksit gegë lanë librat e tia, gramatika, sintaksa, pedagogjikja etj., që qenë pikërisht librat e gjuhës shqipe të shkruara si pas dialektit të Elbasanit. Edhe sot po dihet, në të gjitha shkollat, nga filloret në të mesëmet, nxënësit po me librat e Xhuvanit e mësojnë gramatikën e sintaksën.

Ministria e Arësimit. Pse edhe këjo, nga pikëpamja e drejtimit kulturor ka qenë në duarët e Xhuvanit e prandaj ka anuar gjithënjë për dialektin e Shqipërisë së mesëme; e këtu e qit kryet edhe Karl Gurakuqi. Shumica e librave, gjithashtu, të shtypura prej saj a me lejen e saj janë gegërisht.

Në zyrat përdoret si gjuhë zyrtare gegërishtja. Vetë qeveria me një qarkore – më duket se e vitit 1922 – e imponoj këtë dialekt si gjuhën e saj. Vërtetë nëpunësit toskë të mësuar vazhduan të përdornin toskërishten, po të tjerët adaptuan gegërishten, edhe pse gegërishtja përpara syve të tyre kishte një farë tërheqje, një farë “prestixhi” po atë tërheqje që los edhe në ushtarin toskë, i cili kur kthehet në fshatin e tij e ka si punë të madhe t’u flasë bashkëfshatarëve gegërisht.

Influksi i shkrimtarëve të Shkodrës. Naimi me shokë nukë i kuptuan dot kurrë kufitë e këti qyteti, as nukë u bënë popullorë, pse populli vetë i Shkodrës, i shtytur nga një farë krenarie tradicionale, e vëren me përbuzje e mosbesim çdo gjë që s’ka lindur në qytetin e tij. Po Fishta u admirua, u çmua e u këndua nga të gjithë toskët, e emëri i tij pati një prestixh të math ndër këta, edhe pse vetë karakteri i toskës, më i hapët e më i epët, është gjithënjë gati gati të presë me krahë hapur e të përqafojë çdo gjë që vjen nga jashtë.

Lërimi më i thellë e më sistematik i gegërishtes, sidomos nga pikëpamja e fjalorit. S’ka dyshim se gegërishtja, me anën e priftërinjve katolikë është punuar e begatuar metodikisht e sistematikisht nga këjo pikëpamje shumë më tepër se toskërishtja, aqë sa dhe vetë toskët janë të detyruar hera herës të marrin hua fjalë nga gegërishtja, jo pse dialekti i tyre nukë i ka, po pse asnjë prej tyre nukë ka punuar shkencërisht në këtë fushë, d.m.th. se asnjë prej tyre nukë ka pasur durimin “çertosin” të priftërinjve e të fretërve katolikë. Gjithashtu shumica e fjalëve të ra janë trajtuar e po trajtohen sipas shpirtit të gegërishtes.

Po dialektin e mesëm e bëri më të fortë puna se, në njëfarë mënyre, ky dialekt u gjent i njëjtë me dialektin e shkrimtarëve të Shkodrës, ose të paktën u gjent shumë më afër këti se sa toskërishtes, e kështu e përvetësoj prodhimin letrar shkodran duke e konsideruar si të tijën. E qe pikërisht afrimi i dy dialekteve e “prestixhi” i këtyre shkrimtarëve që magjepsi edhe nxënësit, mësonjësit e nëpunësit toskë, d.m.th. të gjithë ata, të cilët të zënë në punë siç janë, nukë kanë kohë të thellësohen në probleme gjuhësore a t’i rrahin më gjatë.

Këto fakte, pra, duke e studjuar çështjen vetëm historikisht na shtrëngojnë të thomi se shënohet një “soprafacion” i gegërishtes kundrejtë toskërishtes, jo në shkrimtarët toskë, po në klasët intelektuale të mesëme e të ulëta, gege e toske. Këtyre fakteve duhet shtuar pastaj edhe fakti se disa shkrimtarë të Shqipërisë se veriut, të paktën ata që nukë shkruajnë vetëm në revista shkodrane, preferojnë gegërishten e mesëme mbi të gjithë këta për t’u shënuar kontributi konkret i Koliqit.

Po në favor të gegërishtes së mesëme do të veprojnë edhe dy faktorë të rinj: a) se në krye të Institutit për studimet shqipëtare gjendet një gegë. Z. Mustafa Kruja i cili siç dihet anon për dialektin e mesëm dhe ka gati për shtyp një fjalor: më i madhi e më i pasuri siç na thonë, që është gjer më sot; b) pse trajtat tepër të ashpërta e të vrazhdëta të gegërishtes së veriut dhe ato tepër “të qullëta” të toskërishtes së jugës vijnë e pastrohen e ëmbëlsohen në ujërat e Shkumbinit.

Kështu dialekti që kontribuoj më pakë e aspakë në fushën e letrësisë s’onë, nga sa dëftyem, duket se ka më tepër mundësi të ngrihet në dinjitetin e gjuhës kombëtare edhe pa dekrete e qarkore qeveritare, pra në historinë e gjuhës shqipe rolin kryesor nukë po e los më poeti i math, mbassi fati deshi që të dy palët, edhe toskët edhe gegët, të kenë poetë e prozatorë të mëdhenj të cilët neutralizojnë njëri tjetrin – dhe asnjëri prej tyre s’ka mundur të ngrihet me fluturimin e shqiponjës më lartë tjerëve – as klasat e larta intelektuale po kolektiviteti, shteti vetë. Pse me lindjen e shtetit përpara gjuhës së përbashkët kjo bëhet një konditë e domosdoshme për të parin, e pra edhe çështja e gjuhës bëhet një çështje jo vetëm “letrare” po edhe “shtetrore”.

Nga sa thamë, pra, në këto faqe munt të nxjerrim këto përfundime kryesore letrare e gjuhësore:

Se jo vetëm prodhimi letrar i grupit të parë na paraqitet i përçarë , po nga pikëpamja e trajtës edhe ai i grupit të dytë.

Kontributi i pabiseduarshëm i toskëve në letrësinë shqipëtare.

Se gjuha e përbashkët e arthëme si pas zhvillimit e evolucionit historik të saj gjer më sot – veç se në mos u vërtetofshin shkaqe të ra që t’i këmbejnë drejtimin që ka marrë – shkon drejtë dialektit të Shqipërisë së mesëme.

Po Dante-n, Dante-n e krahasonin me trajtimin e gjuhëve të tjera ku na i le? – jamë i sigurt se do të më pyesë nonjë nga lëçitësit e mi. E këtu le të më lejohet të thomë se krahasimi me Danten dhe me trajtimin e gjuhës së tij nga një anë dhe të shqipes nga ana tjatër, sado që ka mjaftë pika takimi, nukë është krejt më vënt, pse zhvillimi historik i të dy gjuhëve është pothua i kundërt për dy arësye: a) pse ne, mjerisht nuk jemi një Dante; b) pse gjuha e përbashkët italishte u lint më parë se të formohej Italia si shtet; bile qe ky një nga shkaqet që e vonoi konsolidimin e gjuhës së përbashkët në Itali.

Ne jemi përkundër, një shtet pa gjuhë që shkojmë duke kërkuar një Dante.

A duhet të presim, vallë gjer sa të na vijë?

Filip Fishta (djali i ri, djathtas)

Për nji pjesëtim ma të drejtë të letratyrës s’onë

Nga Filip Fishta

Lexoj në „Shkëndija“ nji artikull, kisha me thanë të rendit të ditës, shkrue nga prof. Namik Ressuli. Le të më lejohet të marr pjesë në kët radhë jo në kësi bisedimi të gjatë të problemit të gjuhës së shkrimit, por rreth ndo’i pike tjetër të a’tij artikulli. Qëllimi i im asht të qes në nji rrugë ma të natyrshme e ma të drejtë nji pohim të gabueshëm qi e ndëgjoj tash sa kohë jo prej nji vehtjeje së vetme. Prof. Ressuli a nji profesuer tjetër, nuk e di se cili i pari, thotë se letratyren t’onë duhet ta ndajmë në dy grupe të mdha:

a. Para Lidhjes së Priyrendit

b. mbas Lidhjes së Priyrendit.

Deri këtu s’kishja me pasë gja kundra, me gjithse këtij pjesëtimi në vazhim të të mësimit të kësaj lande prej vjetit 1934 e tekndej nuk i kam ndejë. Kam ba pjesëtime tjera, mbas mendimi t’im ma të caktueshme për letratyrën t‘onë, të cilat po i përmbledhi në kët rasë para se të shtrohemi në tyezën e nji bisedimi akademik. Pjesëtimet e mia vazhdojnë të jenë këto:

1-Monumenta e shkrimtarë të vjetër, (prej të 15 qindvjet e deri në gjysmën e qindvjetit 17 – vjeti 1743)

2-Shkrimtarët e parë Arbëneshë apo Italo-Shqiptarë (Qe e pa mundun paraqitja e veprimit letrar të kolonivet Italo-Shqiptare në nji pjesë të veçantë, mbasi shkrimtarët e tyne xanë vend përgjithsisht ndër te tanë qindvjett e lindjes e të yhvillimit të letratyrës s’onë).

3-Zhvillimi i letratyrës asketiko – liturgjike e hagiografike (prej gjysmës së të 17 qindvjet, deri me të 19-tin qindvjet).

4-Jehu u romantizmi (i 19-tti qindvjet i Hjeronym de Radës).

5-Letratyra popullore.

6-Prirje të ndryshme letrare (letratyra e re).

T’i rrijmë pjesëtimit të Prof. Ressulit tue u ndalë mbi dy pika: Aj i mohon grupit të parë (para Lidhjes së Prizrendit) disa veti:

a-pse këto shkrime që përmbleth ky grup nukë janë shkruar me nonjë qëllim estetik a letrar, b- pse lindnë e vdiqën pa lënë më të voglën gjurmë në lëvizjen letrare më të pastajme,  d.m.th në atë që lindi pas Lidhjes së Prizrendit.

Po nisi së pari me at pjesën ma origjinale e ma të zgjedhunën, me prodhimin e letratyrës popullore shqipe, qi asht pjesë përbase e pashkëputun nga letratyra e jonë përgjithsisht. Ajo asht sigurisht e kohës – para Lidhjes së Prizrendit – aj kufi i caktuem gabimisht për vepra shqipe të cilat nuk i plotsuekan kushtet e esthetikës e të letratyrës komtare. Mbi vjetërsin e disavet prej këtyne kangëve asht e kotë të bisedoj haptas këtu. Po bij vetëm nji provë, mbas mendimit t’im të mjaftueshme në kët rasë. Mund t’a provojmë HISTORIKISHT se b.fj. kangët popullore shqipe me përmbajtje historike, sikur ato mbi Skandërbeun, këndoheshin „da tutti gli Albanesi“ qysh në kohën e atij përshkrimi të gjatë të vizitës baritore të kryeipeshkvit të Tivarit Marin Bizzi-t, e vazhdueshme nëpër Shqipni, mbrenda e jashta kufijve të soçëm politikë. Një dokument i Marin Bizzi-t, sot në Vatikan, shkruen edhe mbi kangët t’ona popullore të përmenduna parandej, i përket vjetit 1610.

Vi ke pjesa tjetër e bisedimit të hapët me Prof. Ressulin, se deri ku asht e vërtetë – mbas asaj prove së parë qi dhaçë, se prodhimi i letratyrës s’onë, i atyne prirjevet esthetike e letrare qi e ban të jetojë ende e të bahet pikë pështetjeje e së drejtës s’onë, ka lulzue edhe PERPARA Lidhjes së Prizrendit e, për nji koençidencë të çuditëshme të këtij emni historik, pjesërisht po n’ato vise, sot larg Shqipnije.

Due t’i marr shkrimtarët Shqiptarë si mbas rendit e kohës, tue mos ba vetëm nji numrim të that’ t’atyne emnave e të shkrimtarëve t’onë të vjetër, të cilët nuk do të më hyjnë në punë në mbrojtjen e thezës s’ime. Unë qi i due e i kam aq për zemër ato drita të shkëlqyeshme të ruejtjes së gjuhës, të letrarëve t’ona të vjetër, të cilët bajnë provët e para të pltosojnë, si mbas rrethanave të kohës, të gjitha kushtet e esthetikës e të letratyrës, nënvizue prej prof. Ressulit, nuk mundem t’i kaloj në heshtje edhe për arsye të njij prove së tretë, qi prof. Roques-u në „Recherches sur les ancients textes albanias“ bjen veçanërisht për Budin ndër rreshtat e parë të faqes 31 t’atij libri të çmueshëm. Po e shtyj prof. Ressulin t’i lexojë ata rreshta përsëri. Prof. Roques-u, të cilin kam pasë fatin e bardhë me e pasë mësues t’im, ky mik i vendit t’onë, n’ata rreshta pohon nji të vërtetë qi edhe n’ato kohë të largëta na e ruen të drejtën e qënëjes s’onë si komb, sot bashkue me fatet e Italis e nën hijen e nji perandorije e të nji Mbreti të madh. Po njiky Budi; për t’a nisun me të së pari, në Pasqyrën e vet (të vj. 1621) qi asht nji visar i vërtetë gjuhe, vepron e shkruen shqip, si ma mirë ka dijtë, ushtrohet në vjershësin shqipe apo, t’i marr uha shprehjen vjershës së bukur të Fishtës për Budin e letrat e të shkruemet e tija: „…mbas t’cillvet fjalën shkon tue lmue shqyptare“ edhe penda e Budit krijon b.fj. faqën 4 rreshta 4-22 të Pasqyrës, nji lutje aq të bukur e aq letrare, dalun prej zemrës së tij në nji hov dëshpërimi, mbassi n’ata të parë e kishin pasë pritë aq ftohtas dishirin e çfaqun prej tij, mallin e shtampës, si e titulloi Koliqi artikullin e „Shkëndis“, dishirin e botimit të shkrimevet shqipe „me të cilat i kishte ma shurdhuom“ përkrahësit e botimeve shqipe (si na thotë vetë Budi në parathënjen e librit të vet). Vepra e tij nuk ndalet aty. Budi lëmon në një prozë të bukur të Ritualit (të vj. 1621) disa mendime shqipe, disa udhëzime sa të bukura aq tërhjekëse të njij proçesjoni, me sa stolisje ky mund të bahet. Nuk mund të quhet me ato mungesa të theksueme prej prof. Ressulit vepra apologetike e njij burri të Kosovës Pjetër Bogdanit: „Çeta e Profetënvet“ qi ka nisë të ribotohet në Shkodër, si edhe ndonji vjershë këndue bje fjala prej Lukë Bogdanit për nderim të tij n’at libër të vjetit 1685: „Bogdan, lavdi të qendrofët, – Sa breshka rruzullimin!´“! Edhe deri diku vepra shqipe: „Kuvendi i Arbënit 1703“, botue në 1706 në Romë, na ep nji nga provë të para, nëpër botimin e fjalës së V. Zmajevichit, të njij fjalimi të rrjedhëshëm e të kumbueshëm. A nuk duhet kurrsesi t’a përfshijmë në grumbullin e letratyrës shqipe PARA Prizrendit të gjith veprën e zgjedhun të Shqiptarëvet në jug t’Italis? Prof. Marchiano-i, Gualtieri, Skiroi e ndër të soçëmt prof. Petrotta, na i kan qitë në shesh edhe këto prodhime letrare t’Italo – Shqiptarëvet nga nji herë të zgjedhuna, tue nisë prej N. Figlia-s e Brancato-s e tue ardhë deri ke vepra letrare prirjesh apo fryme shqiptare e nji De Radës, i cili deri në kohën e Lidhjes së Prizrendit e ka pasë mbyllë nji pjesë të randësishme të veprimit të vet letrar e kombtar. Botimi i parë i Milosaut, komentue ma vonë nga prof. Ressuli, asht i vjetit 1836.

Vepra e Pjetër Zarishtit e vjetit 1837, nji jetëshkrim të të cilit edhe nji koment kritik të disa vjershave të tija po i dorëzoj me qëllim botimi „Shëkndis“, kjo vepër e Zarishtit, përmbi të cilin nisi me u shkrue qyshë në 1872 në Tireshtë (Dora d’Istria, Zef Jubani) në Venedik në 1881 (De Martino) në Napull në 1918 (Zef Skiroi) e në Shkodër në 1914 (Hylli i Dritës) na ven në dijeni të njij letrari Shqiptar, i cili merret edhe me subjekte të kohës, stolisja e çdo letratyre botnore. Këtu Manzoni me Hymnet e veta kujtoj se e ka vendin, mbassi në 1880, në nji gegnishte krejt letrare asht përkthye hymni i Manzoniz „Këshnellat“, shtypë prej De Martinit te vepra „Arpa“. Zarishti, përveç ndonji subjekti fetar, vehet të këndojë tjera vargje shqipe. Këndon për ndërimin e Derës së Gjo Markut, tue na dhanë ma të parat tingllime të gjuhës shqipe. Këndon prap në disa tubëza tetë-rrokëshe ket Derë të vjetër Shqiptare, nisë me vargun „Nji Derë paska gjith Arbnija“. Zarishti në 1837 këndon kangën e bylbylit ndër tetë – rrokësha, nisë me vargun „Me t’kuej dorë bylbyli kndueka“ tue u ba prekusori i De Martinit e i Ndre Mjedës mbi ket landë.

Edhe De Martini, vepra e të cilit asht krejt në dialektin gegë, boton kangën e T. Grossit: vaji i hapses, përcjellë me shënimin: Lieve simbolo del lamento dell’Albania, shtypë në Trieshtë në 1868 e rishtypë ke vepra e madhe që botoi në Venedik në 1881: L’Arpa d’un Italo – Albanese. A nuk shtjellonte De Martini, përveç subjektavet fetarë edhe ndonji kangë humoristike, kjo kangë aq e gjallë e tërhjekëse, qujtë prej auktorit me nji fjalë tyrqishte „llafexhore“, mirret edhe me zakonin e mikpritjes shqiptare, hartue sikur mund të shifet PARA Lidhjes së Prizrendit.

Po ket prodhim letrar, në kuptimin ma të ngushtin e tijin e kemi, gjithnji po e theksoj, para Lidhjes së Prizrendit, po prej ndonji shkrimtari të Kosovës shqiptare, b.fj, prej Ndue Bytyqit e Pashko Bushit, vepra e të cilvet pjesërisht patën qenë shtypun në Elçin, në Lajmëtarin e mavonshëm e në kalendarin e Veprës Piore, vjersha në shumicë mbetë ne dorëshkrim. Me vargjet e Ndue Bytyqit, të shkrueme në Pejë në 1874 – para Lidhjes së Prizrendit e në vargjet e De Martinit po t’atij vjeti, vëm re nji gjuhë, njimend të trazueme me elementa të gjuhës tyrqishte, – shprehje e kohës: – por vrejmë njij heri edhe njij vazhdim të trashigimit letrar para Lidhjes së Prizrendit.


[1] Namik Ressuli, “Gegërishtja a po toskërishtja”, “Shkëndija”, I – 1940, nr.2 , fq. 9 – 18.

[2]  Filip Fishta, “Për nji pjesëtim ma të drejtë të letratyrës s’onë”, “Shkëndija”, I – 1940, nr. 3, fq. 12 – 16.

*Foto kryesore: Namik Ressuli, Lec Shllaku, Isa Ndreu, Ernest Koliqi.BURIMI: exlibris.al