‘Ëndrra e zemrës sime’

0
438

Poezi nga Paul Verlaine

Sa herë ëndërrova, një ëndërr për çudi,
Një grua të panjohur që më do dhe e dua
E që prorë më duket jo krejt si ajo grua
Po jo dhe krejt si tjetër, e më do pa kufi.

Sepse më kupton e më njeh e më di,
Misteri i zemrës sime veç prej saj u zbulua
Veç ajo, duke derdhur çurkë lotësh mbi mua
Ma freskon zjarr’ e ballit e më deh me magji.

S’e di është ezmere apo leshraartë
Emri i saj? Më kujtohet, i ëmbël, tingull i qartë,
Si i njerëzve tanë dikur të ikur në mërgim.

Sytë: vështrimin e ngulur të statujave i kanë
Dhe zëri i vjen i largët, i qetë e gjithë trishtim
Si një këngë prej zërash të dashur që më s’janë./KultPlus.com

Kah po e shoh këtë lule

Poezi nga Mirko Gashi

O Zot, im Zot
kah po e shoh këtë lule

në të cilën vdekja dhe jeta
shëtisin dorë për dore
duke i kënduar oda ujit

më është e qartë
se duhet jetuar

dhe duhet parë këtë mrekulli. / KultPlus.com

Plënc siç e gatuajnë në Porto

Poezi nga Fernando Pessoa

Një ditë në një restorant jashtë kohës dhe hapësirës,
ma shërbyen dashurinë në trajtë plënci të ftohtë.
Të dërguarit të kuzhinës i thashë me takt
se do të më pëlqente e ngrohtë,
se plënci (që ish siç e gatuajnë në Porto) nuk hahet i ftohtë.

U acaruan me mua.
S’të jep kurrkush të drejtë, madje as në restorant.
Nuk hëngra, s’porosita gjë tjetër, paguajta llogarinë
dhe vajta të shëtisja përgjatë gjithë rrugës.

Di njeri ç’do të thotë gjithë kjo?
Unë s’e di, e mua rastisi të më ndodhte…

(E di shumë mirë se në vegjëlinë e gjithkujt ka qenë një lulishte,
botore apo e përveçme, apo e fqinjit.
E di shumë mirë se fakti që luante, e bënte vetvetiu zot të lulishtes.
Dhe si trishtimi i përket të sotmes.)

E di fare mirë,
ama, nëse porosita dashuri, përse më sollën
plënc siç e gatuajnë në Porto të ftohtë?
Nuk është gjellë e cila të mund të hahet e ftohtë,
por mua ma prunë të ftohtë,
nuk hahet kurrë e ftohtë, por më erdhi e ftohtë.

Shënim: Poezia është pjesë e ciklit të njohur me emrin e Álvaro de Campos-it, një prej heteronimeve të Pessoa-s. Është sjellë në shqip nga italishtja, sipas përkthimit të Antonio Tabucchi-t. / KultPlus.com

‘Të uroj të vazhdosh të duash pa u dëshpëruar’

Poezi nga Viktor Hygo

Të uroj më së pari të duash
E duke dashur, do të të duan edhe ty
Dhe ata që s’të duan, harroji
E përtej harrimit, mëritë e vjetra kurrë mos t’i kujtosh!

Të uroj të vazhdosh të duash pa u dëshpëruar
Të uroj që edhe sikur mes miqve të tu
Të ketë të pasjellshëm, të pamatur e t’pamend
Ti, ti… qëndro gjithmonë trim e besnik
Pse mes tyre ka për të qenë edhe një i vetëm
Tek i cili ti mund të besosh padyshim
Pse jeta vetë është e tillë.

Të uroj gjithashtu të kesh armiq
Të shumtë, a një të vetëm, aq sa ti të kuptosh.
E kështu të mund të mësosh zemërgjerësinë prej tyre
Dhe ndër ta, të jetë qoftë edhe një i drejtë,
Aq sa ti të mos ndjehesh krejt i sigurt.

Të uroj më shumë të jesh i vlefshëm, po jo i pashembullt
E në çaste të vështira
Kur asgjë nuk shkon si duhet
Vlera jote të të japë forcë e kurajo të vazhdosh.

Të uroj po ashtu të jesh zemërgjerë
Jo me ata që lajthisin pak
Sepse kjo është e lehtë
Por me ata që gabojnë trashë e janë të pandreqshëm
Dhe duke shprehur zemërgjerësinë tënde
Ti mund të shërbesh si shembull për të tjerë.

Të uroj gjithashtu që duke qenë i ri
Të mos rrekesh të piqesh me të shpejtë
E kur rritur të jesh
Të mos këmbëngulësh të hiqesh më i ri
E duke qenë plak, të mos pushtohesh prej dëshpërimit
Sepse çdo moshë ka bukurinë e dhimbjen e saj.

Nuk të uroj të jesh i trishtuar. Oh jo!
Jo gjithë vitin, por ta njohësh trishtimin veç një ditë!
E kështu të çmosh
Që e qeshura e rigjetur është edhe më e mirë
Se një e qeshur e rëndomtë, e vakët, e shpëlarë që të dëmton.

Të uroj mes tjerash të mbjellësh një farë
Një farë të vockël fare
E ta shoqërosh gjithë rritjen e saj
Për të zbuluar prej sa shumë jetësh është ndërtuar një pemë.

Të uroj gjithashtu të kesh edhe pak para
Aq sa nevojiten e t’ia dalësh mbanë
E që së paku një herë në vit të reflektosh
Mbi ato para e të thuash: “Janë të miat, i kam fituar vetë!”
Për ta bërë të qartë e të njohur:

Se kush është pronar i kujt!
Të uroj gjithashtu të mbash sa më gjatë t’jetë e mundur
Gjithçka që dashuron

E nëse dashuritë shkojnë, të mund të qash pa u ankuar
E të vuash pa u ndjerë fajtor!
Të uroj së fundmi

Që nëse je një burrë, të kesh një grua të mirë
E nëse je një grua, të kesh një burrë të mirë.
Nesër, pasnesër e sërish të pasnesërmen
Edhe sikur rraskapitur të jeni

Ta gjeni buzëqeshjen si në t’parën ditë dashuruar
të jeni gjithnjë!
E nëse të gjitha këto ndodhin për ty
Atëherë, s’do të kem më asgjë të të uroj!/KultPlus.com