Mal i Zi/Arsimi në kizë të thellë

0
499

O moj shkollë, e mjera shkollë, kush të bëri kaq të gjorë

Gjekë Gjonaj

Në klasën e parë mësuesi dhe prindi na kanë mësuar se shkolla është shtëpia jonë e dytë, një vend edukimi, çerdhe e diturisë, një vend ku krijohet një person.
Kështu na ishte dikur
Në shkollë, në kohën e brezit tonë, theksi vihej në njohuritë dhe edukatën e fituar Mësuesi respektohej njësoj si prindi, ndoshta edhe më shumë. Prindërit na mësonin t’i respektojmë mësuesit tanë , sepse janë ata që na edukojnë dhe na japin dituri, na arsimojnë. Për mësuesit e asaj kohe nuk ishte e rëndësishme se cilët ishin prindërit tanë, çfarë bënin për të jetuar, kush janë dajat , hallat, tezet, cilës parti i takon… Nxënësit i kërkohej të mësonte. I vetmi fakt vendimtar ishte njohuria e nxënësve. Si produkt i saj që kishin mësuar merrnin një notë realiste ( të merituar) sipas kritereve të notimit. “ As sipas gjyshes, as sipas dajave”. Në shkollë kishte rregull, punë, disiplinë. Prindërit tanë nuk paguanin mësimet private. Ne ia dilnim me punën tonë. Merrnim rregullisht ndëshkime nga prindërit për sjellje të papërshtatshme ndaj mësuesit. Prindërit tanë i respektonin mësuesit. Ata nuk ishin të drejtë dhe gjithmonë në krah të autoritetit të mësuesit. Edukatori ishte një institucion për t’u respektuar. Kështu na ishte dikur.
Politika e shkatërroi sistemin arsimor
Sot, asgjë nuk është ashtu siç ishte dikur. Të gjithë jemi dëshmitarë se kriteret kanë ndryshuar si do të thoshin të moshuarit “Gjithçka ka marrë teposhtën”. Partitokracia e ka bërë punën e saj. Politika e shkatërroi sistemin arsimor në Mal të Zi . Institutet tona drejtohen nga persona të paaftë, të papërvojë në atë fushë dhe të kualifikuar politikisht. Fëmijët tanë edukohen nga njerëz me diploma të dyshimta.
Sado që mësuesi (mësimdhënësi) këmbëngul se dija është në vendin e parë në sistemin arsimor, në të shumtën e rasteve hasin në pengesa e dilema: A duhet t’i jepet notë reale njohurive reale apo të respektohet dëshira e statusi i prindërve ? Pothuaj çdo prind ( me përjashtime të vogla) mendon se fëmija e tyre është më i miri, më i zgjuari, më i afti, më i sjellshmi, më i kulturuari, por harrojnë se çfarë të mire i bëjnë vetes ose fëmijës së tyre, kur mësuesin e vendosin në një pozicion të tillë që të japë notat me grusht dhe kapele. Për këta prindër mësuesi korrekt është i paaftë. Nuk u besojnë as njerëzve që janë shkolluar për të qenë mësues. E vetmja gjë që u intereson atyre është që engjëlli i tyre të mos arrijë rezultat tjetër përveçse sukses të shkëlqyer, madje edhe të marrë Çmimin “ Pishtari”. Tash disa vite , nëse jep një notë që nuk është sipas kritereve të prindërve të pasur ose të njohur, drejtorët partiakë shqiptojnë fjalinë e famshme: “ A e dini se është nxënës i një politikani, deputeti, ministri, drejtori, avokati, doktori, gjyqtari të njohur… Nëse nuk i bindeni dëshirës së drejtorit, do të vijë, apo do t’ju marrë në telefon, një politikan i famshëm, një prindër i pasur, duke bërë vazhdimisht presione e kërcënime ndaj mësimdhënësve, të cilët jo rrallë po sulmohen edhe nga vetë nxënësit. Në vend se nxënësi të frikësohet nga mësuesi, sot mësuesi ka frikë nga nxënësi. Atëherë, çfarë i mbetet mësuesit? Të luftojë çdo ditë me presione të tilla? Pse? Për çka ? Për shkak të kujt? E vetmja gjë që i ka mbetur është që të “gjunjëzohet” dhe t’i japë fëmijëve pesa. Në këtë mënyrë mësuesi ruan shëndetin e tij, kënaq prindërit dhe nxënësit. Nga ana tjetër shtrohet pyetja: “ Çfarë mund të mësojnë sot nxënësit tanë nga mësues gjysmë të ditur me diploma të dyshimta, të rreme , apo të blera”? Asgjë të dobishme! Kurrë më shumë shkolla e diploma dhe kurrë më pak njohuri.
Situata alarmante në fushën arsimit
Rezultatet shqetësuese të publikuara nga OECD ( Organizata për bashkëpunim dhe zhvillim ekonomik) javën e kaluar në testin PISA 2022, nga të cilat askush nuk mund të ndihet mirë, veçmas ata që janë të ndërlidhur drejtpërdrejt me sistemin arsimor në Mal të Zi, janë pasqyra e vërtetë e këtij sistemi. Sipas këtij testimi Mali i Zi ka arritur rezultatet më të këqija që nga viti 2012. Nxënësit pesëmbëdhjetë vjeçar në Mal të Zi kishin 406 pikë në matematikë, në lexim 405 pikë dhe 403 pikë në shkencë, dukshëm nën mesataren e OECD. Kështu, Mali i Zi është i 54-ti nga 80 vende në matematikë, i 56-ti në lexim dhe i 62-ti në shkencë. O moj shkollë, e mjera shkollë, kush të bëri kaq të gjorë?
Për situatën alarmante në këtë fushë, kërkuam përgjigje nga njohësit e mirë të këtij procesi dhe punonjës shqiptarë e përgjegjës në institucione përkatëse shtetërore, mirëpo u deklaruan se nuk dëshirojnë ta komentojnë. Po ashtu nuk pranuan të deklarohen edhe disa veteranë të arsimit shqip në Ulqin dhe Malësi.
Provime vetëm për të kaluar, e jo për të mësuar
Drejtori i Shkollës së Mesme “ 25 Maji”- Tuz, Sehad Lulanaj, njëheri profesor shumëvjeçar i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe pohon se ky është vetëm fillimi i alarmit të kuq që po ndodhë në sistemin arsimor në Mal të Zi, që po mësohet mekanikisht të kesh notë e jo dije. Planprogramet, librat, plotësimi i dokumentacionit nga ana e një mësimdhënësit që ia vështirëson punën, mos interesimi i nxënësit, kushtet me të cilat punon një mësimdhënës çdo ditë, roli i prindërit, mungesa e kuadrit adekuat. Të gjitha këto janë faktorë që kanë ndikuar negativisht në rezultatet e Pisa test”, shprehet Lulanaj.
Drejtori i SHF “ Bedri Elezaga”në Katërkollë ( Anë të Malit), Mustafë Bardhi, mendon se sistemi arsimor në Mal të Zi ka ndryshuar për keq me aplikimin e sistemit të Bolonjës. ” Personalisht mendoj që të dalim nga kjo situatë dhe të kemi sukses pikërisht në matematikë, shkrim – lexim dhe shkencë duhet patjetër të kthehet sistemi i mëparshëm. Sikur të kthehet abetarja ,lapsi,goma,fletorja dhe libri, jam më se i bindur që do të kemi sukses si individ,shkollë dhe shtet”, nënvizon Bardhi.
Rrok Dushaj , profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në SHF “ Mahmut Lekiq “ në Tuz, pranon se rezultatet e Pisa test nuk kënaqin as mësimdhënësit , as prindërit, as nxënësit dhe se fajin e kanë te gjithë së bashku. Sipas tij në këtë kohë është shumë e vështirë të punohet me nxënës. “ Me keqardhje duhet te them se para librit nxënësit tanë më parë kanë telefonin. Atyre u duhet afruar libri , sepse ai e ndriçon mendjen. Po ashtu më duhet të them se nxënësit e këtij shekullit mësojnë vetëm kur janë testet, vetëm për nota. Në suksesin e nxënësve, me përjashtimin e disave, angazhohen edhe prindërit, të cilët kërkojnë me çdo kusht që fëmijët e tyre të dalin me të gjitha pesa. Mësimdhënësit sot janë nën presione deri edhe në kërcënime. Për fat të keq sot kemi edhe nxënës që ende nuk dinë të lexojnë, apo të shkruajnë, e të mos flasim për leximin artistik”, thekson Dushaj.
Për t`i zgjidhur problemet që sa vijnë e rëndohen në sistemin arsimor në Mal të Zi , Ministria e Arsimit në Mal të Zi duhet të shërojë këtë sistem sa më parë. Çdo ditë e vonuar i kushton shumë shoqërisë sonë.