Keta janë anëtarët e KZAZ-së që manipuluan rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit në Elbasan

0
317

Publikohen emrat e tetë anëtarëve të KZAZ-së në Elbasan që manipuluan rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit 2021. Mësohet se në pranga kanë rënë Erald Karriqi, Ylli Kuka, Durim Alla, Erjon Dashi, Mili Vasku, Olgert Alla ndërsa Oltion Bajrami dhe Eduart Zito u shpallën në kërkim.

Burime bëjnë me dije se urdhër-arrestet janë lëshuar nga Prokuroria e Elbasanit dhe arrestimi i tyre është bërë pas kallëzimit që është bërë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Bëhet fjalë për 2 grupe numëruesish në KZAZ-në Nr.53 në Librazhd të cilët kanë falsifikuar rezultatin në dy qendra votimi, në atë Nr. 2780, numëruar nga grupi i numërimit i përbërë nga Erald Karriqi,Ylli Kuka,Oltjon Barjami dhe Eduart Zito dhe qendrën e votimit Nr.2796, KZAZ Nr. 53, Qarku Elbasan numëruar nga grupi i numërimit i përbërë nga Durim Alla, Erjon Dashi, Mili Vasku dhe Olgert Alla.

Të akuzuarit rrezikojnë deri në 5 vite burg pasi në nenin 326 të Kodit Penal; “Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve” parashikohet se “Falsifikimi, shpërndarja ose përdorimi i fletëve të votimit, i dokumenteve dhe materialit zgjedhor, me qëllim ndryshmin e rezultatit të zgjedhjeve nëpërmjet paraqitjes në to të të dhënave, që dihen se janë të pasakta, zëvendësimi i të saktave me të rreme ose nëpërmjet futjes në kuti të fletëve të votimit në mënyrë të paligjshme dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet”.   GAZETA STANDARD