XHUBLETA ILIRO-SHQIPTARE 4000 VJEÇARE NË MAJEN E PENDËS SIME..!

0
827

NGA NDUE BACAJ
HYRJE ME PAK NOSTALGJI :
Të shkruash e flasësh për xhubletën , për ne malësorët në pamje të parë duket e lehtë, por në fakt nuk është krejt kështu , pasi te kjo veshje unike , e bukur e fisnike e femrave iliro-shqiptare , “bashkëjetojnë”: trashigimia , historia, e pse jo edhe nostalgjia. Xhubleta në “luftë” me “harresen”, ndër shekuj gjeti “çerdhen” e mbijetesës mijëra-vjeçare, në veriun e Shqiperisë në pergjithsi dhe në Malësinë e Madhe në veçanti. Te malësorët u ruajt më gjatë e më mirë se në asnjë trevë tjetër iliro-shqiptare kjo veshje dhe trashigimia e saj, të pakten rreth katërmijë-vjeçare. U ruajt nga stergjyshet , gjyshet e nënat tona nga njeri brez në tjetrin. Xhubleta u ruajt jo vetëm si veshje me vlera të papersëritshme të tradites popullore shumëshekullore , por edhe si veshje në të cilen “shkruhej” histori jete , zhvillimi , civilizimi, bestynish , besimesh etj. Nëse historia e popujve të tjerë të lashtë u trashigua duke u shkruar në “hiroglife” të gdhendura në gurë e mjete të tjera “rrethanore”, te iliro-shqiptarët kjo histori u trashigua edhe e “qendisur” në mesazhet, ngjyrat , simbolet e figurat xhubletës. Siç pranohet nga shumë etnografë , studiues , historianë e arkeolog. të huaj e vendas, xhubleta përfaqëson veshjen më të hershme e më impozante jo vetëm në trojet Iliro-Shqiptare , por më e pakta në të gjithë Ballkanin. Xhubleta ka transmetuar gjithnjë mesazhe të “koduara” të qytetërimit ilir e shqiptar dhe të kulturës sonë popullore. Ne që kemi pasur moshen për të mbajtur mend sado pak që në vitet gjashtëdhjetë të shekullit XX , mund të na kujtohen shumë nuse në fis e katund që u moren, (martuan) me veshjen e xhubletës dhe “paimet” që e shoqeronin atë, që nga duvaku e deri te çorapet… Na kujtohen shumë nga ngjyrat , figurat dhe simbolet që zbukuronin xhubleten. Na kujtohet se edhe xhubleta me bukurinë e saj kishte “kokurencen” nga njera xhubletë në tjetren, persa u perket ngjyrave, figurave, simboleve dhe mesazhet që percillte ajo. Ndersa forma e saj ishte unike , në formë këmbane. Në xhubletën për gra “dominonte” sfondi i zi , ndersa në xhubleten për vajza ai i bardhë (që do të thoshte pasterti e virgjëri). Nënat tona deri në vitet gjashtëdhjetë të shek. XX , (kryesisht në fshatra) xhubleten e kishin veshjen kryesore , ndersa në arkat e tyre prej druri mbi të gjitha ruanin xhubletën me të cilen kishin dalë nuse (xhubleten e nusërisë). Me xhubleten më të bukur gratë shkonin në ditë të shënuara festash, gëzimesh , miqësish , pasishë e mbi të gjitha ku zhvillohej logu… , që ngjason (edhe sot) me paradat apo konkurencen e miseve moderne. Xhubleta i shoqëronte gratë e nënat tona edhe në vorr, apo siç i thonin malësorët hynin në dhe (varroseshin) me xhubletë.
Xhubleten në arkë gratë e nënat tona e ruanin edhe nga brisa (tenja) duke futur në pal të saj fleta duhani… Vlenë të thuhet se xhubleta të (vjetra) të ruajtura (megjithse pak) ka edhe sot në Malësinë e Madhe e më gjërë…
HISTORI NGA XHUBLETA SI VESHJE PELLAZGO-ILIRE-SHQIPTARE…
Si çdo trashigimi e kulturës , jetës, zhvillimit e civilizimit tonë, edhe trashigimia etnografike e xhubletës ka historinë e saj. Trashigimia e xhubletës permban një histori të pasur jo vetëm të etnografisë e civilizimit, por mbi të gjitha ajo trashigon elemnte të pakontestueshëm të autoktonisë iliro-shqiptare në trojet etnike e më gjërë. Duke pasur këtë histori të pasur trashigimie , xhubleta ka terhequr vemendjen e jo pak studiuesve , etnografëve, arkeologëve, historianëve , albanologëve e ilirologëve të huaj e vendas , të cilët kanë shkruar per xhubletën , historinë, bukurinë , figurat , simbolet e mesazhet që trashigon ajo. Disa nga keto shkrime (apo pershkrime) mendova ti citoj si vijon:
Historiani , arkeologu , albanologu dhe Ilirologu i njohur kroat Aleksender Stpçeviç në zbulimet dhe studimet e tij shkencore , për veshjen e lashtë të grave iliro-shqiptare (për xhubleten) ka arritur në “perfundimin” se .. : “Gratë Ilire vishnin gjithashtu një tip fustani që ishte i prerë në brez kështu, që pjesa e sipërme ishte e pelqyer për trupin , ndërsa pjesa e poshtme ishte e rrudhur dhe kishte formen e kumbonës (paraardhësja e xhubletës së sotme,N.B.). Këtë formë rrobash e mbanin hyjneshat lokale (Diana , nimfat…), në monumentet nga epoka romake si dhe gratë valltare , të paraqitura në urnat japode nga Ribiqi (shek.V-IV para Krishtit). Me rroba të tilla është veshur hyjnesha Diana, që është paraqitur në monedhat e mbretit ilir Ballaeus (shek.II para Krishtit). Mendohet se kjo formë e rrobave ilire është ruajtur deri sot te shqiptarët e Shqiperisë së veriut dhe në Kosovë (te pjestarët e fisit të Kelmendit). 1.
Kjo veshje në formë këmbane apo kumbone e qendisur mrekullisht prej qindra figurash e bojnash , është pa dyshim xhubleta e grave iliro-shqiptare (kryesisht malësore) e ruajtur mrekullisht deri në ditë e sotme në Malësnë e Madhe e më gjërë.. Xhubleta mendohet se ka qenë e perhapur edhe te paraardhësit e Ilirëve , Pellazgët.. Ilirët, si një ndër “fiset” më dinjitoze e trashiguan ketë veshje të fisme per shekuj deri në ditët e sotme. Xhubleta u ruajt me “fanatizëm” dhe u pasurua (në ndertimin e saj) me motive nga më magjepset me karakter natyror , hyjnor e deri fisnor.. Ndër fiset ilire të Labeatëve dhe Dardanëve e ka pasur dhe e ka konakun e saj Xhubleta edhe sot…Pra kryesisht në trevat Veriore të Shqiperisë Etnike. Si simbol i kesaj veshje të fisme , me prejardhje (të pakten mbi katërmijë-vjeçare) , nga koha pellazge e deri sot, në Kretë të Greqisë , ruhet një skulpturë që ngjason me xhubletën… Vlenë të cilësohet se veshja e grave me xhubletë “shoqërohej” edhe me veshje të tjera si xhoka, këmisha, postava , çorapet, rubat (shamiat) e kokes të grave që janë trashigimi Ilire… Madje edhe shamiat e bardha që shpesh lidheshin si kapica mbi kokë, janë trashigimi Ilire , që kishin per qellim të ruanin floket nga pluhrat ,por edhe të mos fshihnin hiret e fetyres së grave Ilire.2. Hershmërinë e xhubletës si veshje ndër femrat iliro-shqiptare e vertetojnë edhe vetë figurat dhe simbolet e qendisura në xhubletë. E tregojnë , pasi ato figura e simbole u perkasin edhe bestynive dhe besimeve pagane , të cilat ndër ilirë kanë ekzistuar të pakten qindra vite para besimeve monoteiste , kristiane e tjerë. Ndër më të njohurit janë simbolet që i kushtohen Diellit , Hënës , Yjeve , Gjarprit , Shqiponjës (me dy krena), Dragoit e figura të tjera që trashigojnë simbole jete e historie e deri simboli i Kryqit “thyer” (svastikës ) , që në gjuhen sanskritishte “svast”që do të thotë shëndet , mirësi dhe gëzim. Ndersa J.Dechelette… svastikën e ka karakterizuar si simbol “Dielli në lëvizje”.3. Për xhubletën , veshjen karakteristike tradicionale të grave iliro-shqiptare të veriut shkruan edhe Franc Nopça -studiues dhe albanolog (ish konsulli i pergjithshëm i Austrohungarisë në Shkodër) i cili ka qenë edhe “gjurmues” i apasionuar i etnografisë në trevat veriore të Shqiperisë. Më 1910 Franc Nopça, pati konstatuar se disa forma të veshjes popullore shqiptare vijnë drejtpërdrejt nga veshja që ka qenë në përdorim në këtë hapësirë nga koha parahistorike. Këtu në rend të parë është fjala për tipin e fustanellës së mbledhur në formë të kambanës (ziles), të quajtur xhubletë, e cila është pasqyruar në shumë monumente ilire të kohës antike, dhe e pandryshuar është ruajtur deri në ditët tona në krahinat kodrinore të Shqipërisë Veriore, mandej në zonat e fisit të Kelmendasve në Kosovë dhe tek shqiptarët në Mal të Zi… Xhubleta në pikpamje kostumografike , është shumë interesante , për aresye se perkon kryekëput me veshjet në formë fundi, të njohura nga disa terrakota të zbuluara në Kliçevec të Bosnjes dhe me objekte të tjera të ngjashme të gjetura në Mikenë dhe në Kretë (Greqi). Kjo terrakotë tregon se në të gjitha këto raste , kemi të bëjmë siç e theksojnë Hoernes , Wide , Evans dhe Vasits, me një veshje në formë këmbane , të njohur që nga koha e lashtë , mijëvjeçari i dytë para Krishtit..”.4.
Xhubleta e Malësisë sipas studiuesve të mirfilltë të etnologjisë, paraqet një ndër veshjet më të vjetra të Europës , si mbetje e një qytetrimi të lashtë mesdhetar e ruajtur në shekuj në mënyrë besnike dhe autentike në traditen e veshjes popullore shqiptare.5. Veshje me zanafillë të lashtë është xhubleta e që është mbajtur në Malësinë e Madhe dhe më gjërë… Kështu ka ardhur dhe dalmatika, një këmishë e gjatë që në të njejten formë e prerje është ruajtur edhe ndër shqiptarë.6. Një studiuese, mike e shqiptarëve dhe malësorëve , që ka vizituar trojet tona në fundin e viteve të shek.XIX dhe fillimit e atij të XX do të shkruante per veshjen e malësoreve me xhublet (vajzave dhe grave): Vajzat vishen me një rrobë të trashë , të ngrirë prej leshi të bardhë me shirita horizontal me ngjyrë të zezë. Fundi vjen e bashkohet me pjesen e siperme të rrobës , e cila është e kapur anash… Çorapet e gjata të thurura me figura të bëra me fantazi , kuq e zi , apo baardhë e zi. Gratë e martuara mbajnë veshur një fund në formë këmbane , prej leshi të rëndë e të ngrirë , me shirita në një ngjyrë kërmizi të shuar (të lyera vetë ) apo ngjyrë të purpurt…7. Xhubleten e çikave , ose xhubletën e bardhë, poetja dhe koleksionistja shqiptare Luljeta Dano e cilëson si një veshje e jashtëzakonshme, mrekullisht të bukur, për cilësitë e punimit dhe të qëndisjes, që dallohet nga simbolet e fertilitetit. Është një nga kopjet më të rralla, sepse xhubletat e bardha janë vërtet të rralla. Vajza e vishte deri në momentin që martohej.8. Studuesja Edith Durham në shkrimet e saj vlerson edhe rolin e këtyre grave (“të xhubletës”) malësoreve në jetën e perditshme kur shkruan: “Një grua në Malësi me gjithë punen e rëndë që është detyruar të bëjë nga shumë anë , është më e lirë sesa gratë në Shkodër. Ajo u fletë lirisht burrave, shpesh është e zgjuar dhe e shkathët, mund t’i kerkojnë mendim e ta dëgjojnë … kam parë gjithashtu gra që kanë nderhyrë per të ndaluar një grindje, por kur preket nderi i familjes edhe ato janë të shqetësuara ashtu si dhe burrat që të merret gjaku…”.9.
Vlenë të cilësohet se në Malësi të Madhe ka pasur edhe një “lloje” xhublete , që quhej , xhubleta cubele. Kjo xhubletë ishte më “thjeshtë”, me më pak (ose thuajse aspak) ornamente , zbukurime e “simbole”, si dhe ka qënë më e shkurter se xhubletat tipike të Malësisë e më gjërë, (dikun deri në gju). Xhubleta “cubele” ishte më komode dhe e lehtë për t’u mbajtur gjatë punëve të ndryshme, në shtepi dhe punët e tjera familjare që bënte gruaja malësore. Kjo xhubletë mund të themi se ishte thjeshtë xhubletë pune…
XHUBLETA NË MUZE…
Raca shqiptare , duke qenë kaq e lashtë , ka ruajtur mrekullisht shumë prej trashigimisë së hershme kulturore të saj. Popullsia e malësive shqiptare është perçuesja më besnike e qytetrimit të saj të lashtë , por nuk është një race inferiore. Cilësitë fizike dhe morale e bëjnë atë një prej racave më të bukura dhe më të pastra të Lindjes dhe të Europës.10. Perveç ruajtjes të xhubletave në shtepia gratë fisnike të Malësisë Madhe e më gjërë , ajo është ruajtur në muzetë lokale , që nga muzeu i Shkodrës e deri te muzeu etnografik i Malësisë i ndertuar , themeluar e mbajtur në Lekaj të Tuzit (nën Malin e Zi) nga shqiptari patriot trup-vogël e zemër-madh z.Shtjefen Ivezaj me bashkëshorten e tij Gjysten , (Muze per të cilin ka sakrifikuar shtepin e tij) e tjerë e deri në muzeun kombëtar në Tiranë. Në fondet Etnografike të Institutit të kultures popullore ruhen rreth 40 xhubleta , të futura në koleksionet e muzeut që nga viti 1948 e këtej. Ajo më e hershmja vjen nga Hoti i Malësisë së Madhe ; një vit më vonë është blerë një xhubletë vajzash e pasuruar ndër vite edhe me blerje të tjera xhubletash. Midis tyre përmendet edhe një xhubletë që ka hyrë në koleksionet tona në vitin 1965, që i perkiste Mrikë Ndue Mundies , e datlindjes 1925, nga Nikçi i Kelmendit , e cila e pati veshur këtë xhubletë në vitin 1947 kur u martua në Mal të Jushit.
Xhubletat me prejardhje nga vende jashtë Malësisë së Madhe janë më të pakta në numër e tjer… Xhubleta ose pjesë të kostumit me xhubletë si veshje me trashigimi dhe vlera historike ruhen edhe në muze të ndryshëm jashtë kufijve tanë shtetror.
Xhubleta , ruhen edhe në disa muze,si: në Muzeun Etnografikë të Beogradit , të Sarajevës e të Zagrebit , në Muzeun e Kitses në Austri. Në Muzeun e famshëm të njeriut në Paris , ku ka disa xhubleta , ndër të cilat edhe ndonjë më të hershme se ato të koleksioneve tona , të blerë që në vitet tridhjetë (të shek.XX).11. Në muzeun e Njeriut në Paris , xhubleta është e zbukuruar me disa iva ose rrogzina cohe vjollcë , vishnje ose të kuqe të alternuara me ivat e zeza dhe në pajtim me të shkojnë edhe zbukurimet e përparjes , të këdhokllës e të xhokës (sidomos thekët e supave). Kurse një xhubletë e paraqitur e Max Tilkes mbi kostumet , është ngjyrë portokalli me të bardhë.12. Pra siç shihet Xhubleta ka terhequr edhe vemendjen e disa muzeve të shteteve europiane , të cilat kanë siguruar dhe ekspozuar xhubleta (dhe pjesë të kostumit të saj) , në ambientet e muzeve të tyre.
PAK RRJESHTA NGA MJESHTRIA E PUNIMIT TË XHUBLETËS.
Xhubleta nga etnografët e kostumografët konstatohet se është një nga veshjet më të veçanta , më komplekse dhe më të veshtirat në punim. Në punimin e xhubletes kerkohet profesionalizem prefekt , njohje e traditës historike e pa deformuar , saktësi , durim , fantazi , por edhe novatorizem në kombinimin e të vjetrës së tashiguar me të rejat që impononte koha… Xhubleten e kanë punuar mrekullisht vetëm mjeshtre duararta. Veçantitë e këtij kostumi (xhubletës) kanë terhequr vemendjen me prerjen e jashtëzakonshme të saj, që nuk gjen paralele me asnjë nga tipet e tjera ekzistuese të veshjeve për gratë në Shqipëri, në Ballkan e më gjërë. Ajo perbëhet nga një numër çuditrisht i madh copash e rripash shajaku e cohe dhe nga një sasi e konsierueshme spiku të leshtë. Konkretisht duheshin afersisht 25 deri në 30 copa me forma të ndryshme, por duheshin gjithashtu dhjetra metra spiku të përgatitur në shtëpi me një teknologji mjaft primitive , duheshin po ashtu penjë të fortë leshi për qepjen e saj… Konfeksionimi i saj është padyshim një provë e vertet bravura (zotësie) , sepse duhet njohuri e shkathtësi e veçantë për t’i montuar së bashku gjithë ato copa e copëza , aq më tepër që, duke qenë të trasha, ka veshtirsi të manovrohen për t’u bashkuar njëra me tjetren, sidomos kur ky bashkim nuk bëhet midis gjatësish të barabarta , si ndodh zakonisht. Kështu një rrogzinë , të themi 200 cm , duhet bashkuar me një 180 cm , ose në rastin e xhokes, një copë shajaku , që formonte pjesën e poshtme të saj , duhej mbledhur në formë palash të dendura , punë aspak e thjeshtë kjo. Duhej pra një teknikë shumë e nderlikuar dhe e vështirë për të qepur pjesët e ndryshme të kostumit më xhubletë… Kostumi më xhubletë ka një sistem shumë të veçantë zbukurues , ku perdoren elemente shumë të lashta zbukurimi , si thekët apo mbivendosja e copave , shumë spik , pastaj edhe rruaza, pafta të vogla filigrame , shirita e fije ari etj… Edhe përbrenda pjesëve përbërëse të këtij kostumi; xhubletës , kërdhoklës , përparjes , xhokës etj…- bie në sy një pështatje e kërkuar e motiveve të zbukurimit nga njëra pjesë në tjetrën…13. Gjithashtu në kostumin e xhubletë vihen re disa tipare arkaike. Për shembull , ashtu si në veshjet homerike , xhubleta nuk është një veshje që bie lirshëm në trup , por rri e ngrirë dhe pa shumë perkulje. Pastaj perdorimi i thekëve të gjatë për zbukurim tek supet e xhokës dhe te pjesa e poshtme e përparjes ka gjithashtu karakter arkaik. Edhe kërdhokla duket se është shumë e lashtë. Një dëshmi tjetër kemi tek vargoi i brezit që perdorin gratë malësore, i dëshmuar arkeologjikisht që në prehistori…. Xhubleta është dëshmitare e një qytetrimi të lashtë mesdhetar , që i pati paraprirë qytetrimit ilir, në të cilin , me sa duket , ajo u integrua por nuk u asimilua… E strukur në zona relativisht të izoluara e malore , ajo pëshkoi Mesjetën, duke arritur deri në shekullin tonë, duke na sjellë një mesazh mjaft të qartë nga e kaluara e largët.14. Xhubleta është punuar nga leshi i deleve , nga fijet e tymnit dhe init , të cilat lënuren-tirren në bosht , thuren në formë pelhure në katër liq në avlëmend , shkalen në shkalatore , prehen dhe qepën. Të gjitha këto punë i bënë gruaja malësore. Ky matrial quhet tirk. Xhubleta e punuar nga tirku zbukurohet me fije spiku të zi . Spiku punohet prej leshi të zgjatur (tymnit) . Bashka sëpari lahet , pastaj shprishet me dorë , ndahet tymni , lënuret me gërhanë e tirret i hollë me bosht në furkë. Pastaj dredhet po ashtu në bosht dhe bëhet 16 fish , duke u dredhë të gjitha fijet së bashku, për t’u bërë i gatshëm për qepje me gjylpërë. Dredhja e spikut është bërë në veglen adekuate ku punohet. Ky quhet koshi i spikut dhe ka tetë kalema ku është i mbështjellë peri. Xhubleta përbëhet nga ivat , që nga ana e përfundme kanë tirk , spiku , rruazat , coha e terrtili. Xhubleta përbëhet nga gjithësit 31 pjesë iva dhe spiku. Fundi i xhubletës punohet nga leshi i ngjyrës së bardhë, prej katër liqsh , që quhet me emrin t’pramtë e xhubletës. Iva e xhubletës dekorohet me rruaza të galme … me të gjata e të vogla , në motive floreale, n’lula. Iva e xhubletës me terrtil e rruaza- e perzier. Ka pasur edhe laxhuhere – në formë rruazash.
Kliti i xhubletës është punuar prej tirkut e spikut , ndërkaq krahët dhe kracat e xhubletës janë punuar nga leshi – tirku. Prehni i xhubletë po ashtu. Në fund greshpet , të punuara nga peni i leshit ngjyrë fice (të kaltër). Shogzat në vend rrypi.15. Zakonisht në rreshtin e fundit të këmbanës, të kordonit të bardhë, gjithmonë gjen një rresht të tillë që është o gjarpër, o është shumë i ngjashëm me zinxhirin e ADN-së ose me diçka si fetus, embrion fëmije. Por këto janë çudirat që i përkasin kësaj bote. Gjithashtu është shqiponja me dy kokë, me tipare dragoi dhe shumë herë e gjejmë me flakën që dragoi nxjerr nga goja…
Është kjo larmi punimi e kombinimi ngjyrash e figurash që e ka “nxitur” studiuesin dhe shkrimtarin e njohur hungarez Daniel Kornidez në vitet 1753-1754 të shkruante: “As palloi , e as ylberi nuk kanë aq ngjyra sa xhubleta e grave kelmendase-shqiptare, se kjo veshje ka të gjitha ngjyrat e gëzuara të mëmës natyrë.”.16. Vlenë të thuhet se kostumi i xhubletës kishte edhe “paime” të tjera si ; ruben e leshit (ruben me thekë), këmishen e pelhurës me gryken e saj , kraholin prej cohe , malloten (e galme), grykcen (matrial veleduni-kadife), pshtjellakun, çorapet , këputët , opakët etj. “Ndertimin” ose punimi i xhubletës është mjaft i sofistikuar. Gruaja malësore duhet të ketë një “tabelë logaritmesh” në kokën e saj që ta thurë kokërr për kokërr sythi dhe ta montojë në një mënyrë të tillë që të marrë formën e duhur të kambanës dhe të rrijë në këmbë… Çfarë është më e rëndësishmja… xhubleta bëhej besnikërisht në vijë familjare dhe çdo vajzë mbart statusin familjar, farefisnor etj. Veshja është si veshja e “ushtarakëve”, përfaqëson gradat e jetës civile-familjare. Në shek. XVIII, xhubleta bëhej me shumë ngjyra, por ngjyrat që kanë arritur në ditët e sotme janë me dominacë: të zeza për gratë dhe bardh e zi për vajzat… Xhubleta është e vetmja (veshje) që jep identitetin e kombit Shqiptar, nëpërmjet motiveve, ku emblema më e dukshme për të gjitha është shqiponja. Në misterin e xhubletës janë edhe një seri simbolesh ku paraqesin lidhjet…me besimin te zoti, dashurinë dhe bukurinë e femrës malësore. Gruaja malësore merrte 5-7 xhubleta në pajë.17. Ngjyrat më shumë të zgjedhura që perdoren në xhubletë janë ngjyra e zezë, vjollcë ose blu, e kuqe, jeshile (ose bojëhoxhe)… Xhubleta, e cila peshon rreth 15 kilogramë. Për ta mbyllë këtë “pjesë”, të shkrimit tim publicistik per xhubleten , nuk besoj se mund të gjejë fjalë më brilante e domethenëse se sa ato të studiuesit e publicistit të njohur Fahri Xharra në një shkrim të tij që ka pasur si qellim sensibilizimin për mbrojtjen e xhubletës nga UNESCO, kur ndër të tjera shkruan: “Kostumografia jonë të mahnit me vlerën e materialeve të përdorura si ari, argjendi, mëndafshi apo kadifja vishje që njihej në të gjithë europën si veshje vetëm e aristokratëve por që gjendet në të gjitha objektet tona etnografike. Por më e çuditshme se materialet janë teknikat e punimit që mundësojnë të kemi sot veshje 4000-vjeçare që gjenden jo në formë arkaike, por me një sofistikim të frikshëm në kuptimin estetik, kulturor dhe pasuror, duke sjellë antikitetin si një postmodernizëm të pasuruar me figura simbolike”.18.
MALËSIA E MADHE “ARKA” KU U RUAJT MË BESNIKRISHT TRASHIGIMIA ETNIKE ILIRO-SHQIPTARE E XHUBLETËS.
Për të “treguar” diçka nga kjo trashigimi e xhubletës etnike iliro-shqiptare, që në Malësi në Madhe ruhet më besnikërisht se në asnjë trevë tjetër shqiptarie, (gjë që vertetohet “lehtësisht” edhe sot) , mendova që të citoj njërin nga mbledhësit dhe redaktuesit e Visareve të Kombit, (këngë kreshnikësh dhe legjenda), At Bernardin Palaj-n, (I cili për kontributin e tij në këtë lamë “thirrej” edhe Frati i këngëve). At Bernardin Palaj në një studim të tij me titull Veshja dhe zejtaria ndër male (botim i vitit 1943, në Bota shqiptare dhe me 1944 në “Hylli i Dritës”…), ndër të tjera do të shkruante: “Turisti që kerkon malet, fushat e qytetet e Shqipënisë , sheh se sa ndryshime të mëdha kanë petkat (veshjet) e burrave e të grave në Toskëni e në Gegëni, ndër qytete e ndër katunde…. Në shkosh në festë ndër malet e veriut të Shqipnisë, ke me u çuditë per ndryshimin e madh që ka trajta e petkut sidomos në grani në Malësi të Madhe, në Mirditë, në Zadrimë, në Pukë e në Dukagjin….Në Malësi të Madhe bjen në sy Xhubleta në trajtë kumone (forma më e lashtë Iliro-shqiptare e xhubletës N.B.), ndërsa në Dukagjin trajta e saj është më e permbledhët. Zadrimorja ka ruejtë koretin e vjetër, (një fare kotulle që veshin katundaret),; mirditorja djahengun, (dallamë e leshtë e bardhë e punueme me spik e gajtana që veshin mirditoret), e stravecat (petk i vogël punue me tufa per me shterngue dallmen në ije), ndersa kosovarja paranikët (bohçe që vihet perpara e mund të jetë leshi ose pelhure), e punueme per bukuri… Puna e dorës per gratë e maleve ma me rëndësi është xhubleta…19.
“XHUBLETA DHE RREZIKU SERB I PERVETSIMIT TË TRASHIGIMISË…”.
Prej disa kohesh “thuhet” se Serbia po bënë perpjekje , që xhubleta si trashigimi etnografike, të njihet , regjistrohet e mbrohet nga UNESKO si trashigimi e kulturës autoktone të popullit serb. Siç tregon edhe një eksperiencë e thjeshtë e çdo niveli, jabanxhinjë për t’u integruar e dukur sa më vendali (autokton) janë munduar të imitojnë , kopjojnë e pervetësojnë sa kanë mundur vlera morale , matriale , kulturore e historike të vendalive (autoktonëve) të vendbanimit ku kanë zbritur. Serbët si ardhacakë të vonë në trojet ilire të Ballkanit (pas shek.VII-IX mbas lindjes Krishtit) , të zbritur nga Uralet , perveçse kanë grabitur troje iliro-shqiptare, në të cilat banojnë, vazhdimisht janë munduar të grabisin e pervetsojnë edhe vlerat kulturore -monumentale- civilizuase e njërzore, të historisë, besimit , trashigimisë e autoktonisë iliro-shqiptare. Fatkeqësisht deri tani ja kanë arritur jo pak , por pangopsia e tyre duket se nuk ka fund. E fundit trashigimi kulturore iliro-shqiptare që duket se UNESKO e ka regjistruar si “serbe” është vegla muzikore popullore, lahuta. Të njëjten gjë serbët janë duke u munduar të bëjnë edhe me xhubletën… Është me vlera të thuhet se jabanxhinjët serb kanë jo më shumë se 1100-1300 vite që kanë ardhur në trojet ilire të Ballkanit , ndersa xhubleta pranohet historikisht e shkencërisht se ka të pakten 4000 vite që njihet e trashigohet si veshje autoktone e grave iliro-shqiptare. Një “argument” pa argument që po e perdorin serbët dhe sherbëtorët e tyre, per të pervetsuar autoktoninë e xhubletës , është ajo se gjoja xhubleta ka formen e kumbonës (këmbanës) së kishës, pra është veshje kristiane (siç është popullsia serbe-ortodokse), ndersa shqiptarët janë me shumicë muslimane , dhe xhubleta nuk ka si të jenë e tyre. Ky “argument” bie poshtë me historinë e moshës së xhubletës , që është të pakten 2000 vite më e vjetër se besimi Kristian. Si rezultat i kësaj të vertete historike nuk ka si të kopjojnë xhubleta e kohës pagane , kumbonen e kishësh kristiane , kur kumbona e kishës kristiane ka “lindur” të pakten 2000 vite më vonë se xhubleta iliro-shqiptare. Gjithashtu ndër shqiptarët e veriut duke perfshirë edhe Malësinë e Madhe, xhubleta ka qenë veshje pa dallim si për gratë kristiane (katolike) dhe ato muslimane… Ndërsa këmbana e paisje të tjera të ngjashme të “sherbimeve” të ndryshme për kohët janë prodhuar që kur u zbuluan dhe u perpunuan metalet nga njeriu , atëherë me “besim” pagan.
Sa për xhubleten që ka formen e këmbanës , mendoj se ajo formë ka qënë më e pershtatshme për gratë ilire , si për të qitur në pah belin e bukur dhe formen e trupit , si dhe për të pasur një lëvizje të lirshme e të shpejt të këmbëve. Natyrisht edhe forma e xhubletës e “ndihmon” edhe këmbanen që “vegla” e cila e godet nga brenda këmbanen të kenë më hapsirë e lirshëmëri për të lëvizur , goditur dhe për rrjellojë për të dhënë tinguj më të fuqishem…
EPILOG ME PAK NOSTALGJI…
Femra malësore e veshur me xhubletë dukej më e bukur , më e hishme , më burrërore dhe më e plotë. Femra malësore dhe xhubleta ishin bërë ndër shekuj “sinonim” i njera tjetrës. Është kjo arësyeja që femra shqiptare me xhubletë ishte më e “kerkuara” per tu fotografuar (apo pikturuar). Më duket “unike” një poezi e Zefir Shehut (e gushtit 2009), me titull: Në ëndërr , që ia kushton plot nostalgji dy malësoreve në një foto, të fotografuar në Podgoricë rreth një shekull më parë , poezi të cilen nuk po mundem pa e cituar në këtë “shkrim” publicistik:
NË ËNDËRR !
U bëra në ëndërr prapë djal i ri
E u lëshova për në qytet .
Kur çfar po shoh ? Dy malësore !
Malësore apo zanat vet ?
Desha t’i shikoi nga afër ,
U solla rrotull , por çudi !
Unë sillu rrotull , dhe ato rrotull
Epo një pamje në sytë e mi .
U zgjova vrik nga marazi
E po mendoja : ku i kam parë ?
O mu kujtua fotografia
Rreth njëqind vjet më parë. 20.

REFERENCAT :
1.Aleksander Stipçeviq ,ILIRET , historia , jeta, kulura, simbolet e kultit, fq.91, botime Toena , Tiranë 2002.
2.Aleksander Stipçeviq , po aty ,fq.92.
3.Aleksander Stipçeviq , po aty ,fq.277.
4.Franc Nopça , Albanien.. Glasnik zemaljskog muzeja , 22/1910 ,fq.347-354.
5.Flamur Doli ; Veshja kombëtare shqiptare në studimet e Franc Nopçes , fq.106 , Ekskluzive , nr.24 prill 2002.
6.Mark Tirta , Etimologjia e shqiptarëve , fq.102 , Shpb ”GEER” Tiranë 2003.
7.Edith Durham ; Shqipëria e Epërme , Një udhëtim në Shqipërinë e veriut të vitit 1908 , fq.61-62 , botime IDK.
8.https://www.voal.ch/xhubleta-shqiptare-4000-vjecare-pse-jo-si-trashegimi-boterore-e-mbrojtur-nga-unesco/.
9.Edith Durham ; Brenga e Ballkanit dhe vepra të tjera pë Shqiperinë dhe shqiptarët, fq.125.
10.Luigi M. Ugolini ; Shqipëria e Lashtë,sh,gjurmime arkeologjike , shb “Migjeni” , Tiranë 2009.
11.Prof. dr. Andromaqi Gjergji ; Xhubleta një element i lashtë kulturor, Matriale të sesionit shkencor , Malesia e Madhe një visar shqiptarie , fq.114-115 , Koplik , dt.23-24 shtator 1996 , botim “Logoreci” Tiranë 1997.
12.Prof. dr. Andromaqi Gjergji , po aty fq.116.
13.Prof. dr. Andromaqi Gjergji, po ay fq.115-116.
14.Prof. dr. Andromaqi Gjergji ; po aty fq.117.
15.Prof.dr. Ukë Xhemaj;Vështrim etnologjik i krahinave shqiptare në Mal të Zi , botua , Në një cep të Ilirisë , monografi e shqiptarëve në Mal të Zi ,fq.125, Art Club , Ulqin 2007.
16.Prof. dr. Andromaqi Gjergji, po aty fq.116.
17.Intervistë e poetes dhe koleksionistes Luljeta Dano: marrë nga https://www.voal.ch/xhubleta-shqiptare-4000-vjecare-pse-jo-si-trashegimi-boterore-e-mbrojtur-nga-unesco/.
18.Fahri Xharra: Xhubleta, 4000 vjet histori, nuk ka një të dytë në botë , 24 gusht 2017, https://www.kultplus.com/tag/xhubleta/.
19.At Bernardin Palaj ,OFM ; Bota e Maleve Shqiptare (dokumente historike, zakone, doke dhe tradita, fq.166-167. Botime Franceskane , Shkodër 2018.
20.Sokol P. Lulgjuraj ; Malësia e Madhe ndër shekuj , fq.323 , Podgoricë 2010.

SHENIM: Kjo kumtesë ripublikohet me kerkesen e shumë lexuesve pas publikimit të parë në https://www.albdreams.net/xhubleta-iliro-shqiptare-4000-vjecare-ne-ne-majen-e-pendes-sime/ , publikua me 30 shtator 2019.
AUTORI