Vonesa të SPAK për çeshtjen e Teatrit

13 muaj pas kallëzimit në SPAK për Teatrin, PD: Rama-Veliaj kryen 9 vepra penale për interesa korruptive. Të vendosen nën arrest. startnews.news

0
282

13 muaj pas kallëzimit në SPAK për shembjen e Teatrit, PD kërkon informacion për ecurinë e hetimeve: Rama-Veliaj kryen 9 vepra penale për interesa korruptive.

• Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, SPAK i ka duart e lira. Të vendosë nën arrest përgjegjësit duke filluar me kryetarin e Bashkisë, Erion Veliaj.

• Përkrahim SPAK në luftën kundër korrupsionit, por kjo luftë po bëhet me pikatore dhe shumë e vonuar. Kërkojmë transparencë për hetimin ndaj Ramës dhe Veliajt për Teatrin.

DEKLARATAT E PLOTA TË SEKRETARIT TË PD PËR ÇËSHTJET LIGJORE, ÇLIRIM GJATA DHE DEPUTETES SË ZGJEDHUR FLUTURA AÇKA.

ÇLIRIM GJATA: Sapo kemi dorëzuar këtu në SPAK kërkesë për informacion. 13 muaj e 4 ditë më parë Partia Demokratike ka bërë një kallzim penal në SPAK për sa i takon shembjes së Teatrit Kombëtar. Kanë kaluar 13 muaj dhe nuk kemi asnjë informacion se çfarë është bërë me këtë çështje. Sot bazuar në dispozitat përkatëse, neni 283/58 etj, të Kodit të Proçedurës Penale kërkojmë informacion nga SPAK se çfarë ka bërë me kallëzimin tonë. Ku janë hetimet? Çfarë ka ndodhur? Çfarë masash janë marrë deri tani?

Të mos harrojmë se sapo është shpallur një vendim i Gjykatës Kushtetuese i cili ka konstatuar si antikushtetues të gjitha veprimet që janë bërë me shembjen e Teatrit Kombëtar. Që kur kemi bërë kallëzimin ne i kemi ditur këto, madje edhe tani pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, na rezulton se pikërisht ata që kemi kërkuar ne, janë fajtorë.

Ne kemi bërë një kallzim mbështetur në 9 vepra penale ku janë përcaktuar me rradhë në këtë kallzim personat përgjegjës që fillojnë me Kryeministrin Edi Rama, me kryebashkiakun e Tiranës Erjon Veliaj dhe të gjithë të tjerët me radhë që kanë marrë pjesë në këtë masakër që i është bërë, kulturës së trashëgimisë sonë dhe pasurisë publike. E gjitha kjo në emër të korrupsionit, në emër të abuzimit, të shfrytëzimit të pasurisë publike për interesat e tyre personale, për interesa të oligarkisë që ata mbrojnë.

Jemi këtu për t’i kërkuar SPAK informacionin se çfarë ka bërë me kallzimin tonë, pa folur se ka mbi 10 kallzime të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit. Çfarë ka bërë me këto hetime? Përse SPAK vonohet kaq shumë, përse nuk ka transparencë? Brenda asaj që quhet sekret hetimor, duke ruajtur sekretin hetimor, brenda ligjit, duhet dhënë një informacion, nëse ka thirrur njeri, ka marrë ndonjë dokument, ndonjë provë, ndonjë kqyrje në vendngjarje. Çfarë ka bërë deri tani? Ne kërkojmë që të na kthejnë përgjigje.

SPAK po vonohet shumë në misionin e tij.

Ne, Partia Demokratike përkrahim çdo veprim të SPAK dhe kujtdo qoftë në luftën kundër korrupsionit, kundër abuzimit, por kjo luftë po bëhet me pikatore dhe shumë e vonuar. Prandaj ne kërkojmë që brenda caqeve ligjore të bëhet transparencë ku jemi, çfarë ka bërë me kallëzimet tona, veçanërisht me kallëzimin e 13 muajve më parë, në raport me shembjen e Teatrit Kombëtar. Aty fajtor janë kryeministri me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama dhe Erion Veliaj.

Tani pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, SPAK i ka duart e lira, nuk e pengon asgjë të marrë masat, madje të vendosë edhe nën arrest, duke filluar edhe me kryetarin e Bashkisë. Së pari, të na kthejë përgjigje se e ka detyrim ligjor se çfarë ka bërë me kallëzimin tonë.

FLUTURA AÇKA: Ne të gjithë jemi njohur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 2 Korrik për çështjen e Teatrit. Dhe sigurisht jemi duke pritur për arsyetimin më të gjërë që të krijojmë një panoramë për çështjen. Por nuk ka dyshime që qasja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese ka lidhje me ruajtjen e trashëgimisë kulturore, ka lidhje me protestën e lirë të qytetarëve shqiptarë dhe natyrisht ka lidhje me respektimin e shtetit ligjor. Mendoj se ky vendim është një lloj kambanë kujtese për politikën shqiptare që të fillojë një sjellje të re, veçanërisht, ndaj trashëgimisë kulturore. Të gjithë e kemi parasysh se çfarë ndodhi me Teatrin Kombëtar që është një nga aktet më barbare me trashëgiminë kulturore dhe natyrisht edhe ndaj historisë shqiptare dhe që shkon edhe kundër integritetit të shqiptarëve.

Çfarë duhet të kishte ndodhur në fakt menjëherë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese?

Do të duhej që Erion Veliaj ose më mirë po themi dyshja, po përdor togfjalëshin e famshëm të tij “Edi dhe unë”, duhet të ishin përgjigjur disa pyetjeve publike:
Përse nuk pritën vendimin e Gjykatës Kushtetuese para se të shembnin Teatrin Kombëtar?
Përse Erion Veliaj shembi Teatrin Kombëtar, kur nuk e kishte në pronësi të tij?
Ku e gjen autoritetin Erion Veliaj për të prishur një aset kombëtar, kur në fakt është thjesht një kryetar bashkie i një qyteti, qoftë ky edhe i Tiranës?

Këto tre pyetje publike duhet t’i kishte dhënë menjëherë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Erion Veliaj personalisht.

Por gjëja më e paktë që mund të kishte bërë të jepte dorëheqjen dhe t’i ofrohej organeve të drejtësisë për një hetim dhe investigim më të hollësishëm, sepse në pozicionin që është sigurisht që mund të pengojë një hetim më të hollësishëm për prishjen e Teatrit Kombëtar, siç thashë, është një nga aktet më barbare mbi kulturën dhe trashëgiminë tonë kulturore.

Por në fakt çfarë bëri Erion Veliaj?!

Kaloi në një sulm të paprecedentë kundër të gjithë njerëzve, kundër kujtdo figure që e përshëndeti, e duartrokiti dhe u gëzua nga ky vendim si forma e vendosjes së një drejtësie për të fryrë një erë e re mbi këtë çështje kaq delikate dhe me sentiment për shqiptarët e zakonshëm. Sigurisht është e çuditshme mënyra, sidomos në intervistat e fundit, qasjet e tij ndaj kësaj çështje për mua kanë qenë të pakuptueshme.

Ku e gjen Erion Veliaj të drejtën të fyejë qytetarë të zakonshëm shqiptarë në intervistat e tij, të ndajë shqiptarët në “ata” dhe “ne”, që mendojnë ndryshe nga ai, në armiq dhe miq?
Ku e gjen të drejtën Erion Veliaj që në intervistat e tij të sugjerojë mediat, të këshillojë mediat dhe të intimidojë mediat kë duhet të marrin në panel, kë nuk duhet të marrin në panel, kujt duhet t’ia ofrojnë mikrofonin dhe kujt jo?
Ku e gjen të drejtën Erion Veliaj që të intimidojë, të provokojë qytetarët shqiptarë në forma dhe aktivitete sikurse ndodhi në varrezat e Sharrës, sigurisht me artistin shumë të talentuar Sislej Xhafa, që nuk është faji, ai është thjesht viktima duke provokuar pikërisht në vendin e krimi,t ku ende nuk janë dënuar vrasësit e Ardit Gjoklaj, ose rasti i koncertit në sheshin e Teatrit duke provokuar protestën.
Ku e gjen Erjon Veliaj të diskutojë, të intimidojë dhe të përmendë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të cilët me vendimin e tretë për çështjen e shembjes së Teatrit Kombëtar nuk paskan qenë në unison.

Kam përshtypjen që me këto deklarata SPAK duhet të mbajë shënim, ndoshta këto kanë prapavijën e një forme fushate shtrigash, kundër njerëzve të cilët duan që më në fund ligji të bëjë punën e tij. Jam e bindur që pas këtij vendimi, pas kësaj këmbane kujtese për të mbrojtur trashëgiminë kulturore, përgjegjësit duhet ë mbajnë përgjegjësi deri në fund. Nuk është fjala vetëm për godinën e Teatrit Kombëtar, është fjala për të gjithë rekuizitën, është fjala për të gjithë prapavijën, e cila u shkatërrua bashkë me Teatrin Kombëtar. Ata, përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi qoftë për kopsat, qoftë për xhaketat, qoftë për xhaketën e Arturo Ui-së e deri tek opingat dhe këpucët e shfaqjes së fundit të gardianit të “Shtrigave të Salemit”, në mënyrë që kjo luftë shtrigash kundër kulturës shqiptare të marrë fund.