Vërtetë mbetëm pas dyerëve të Europës Kush e ka fajin?

0
279

Nga: Marash Gilaj

Shtysë për këtë shkrim u bë intervista që dha kryeministri Rama për gazetën gjermane “ BILD.” Vizitat e tij të shpeshta, të papritura e të palajmëruara tek vëlla Erdogani, tashmë janë bërë si një lloj refereni i mërzitshëm i një kënge të dalë mode. Ankesa sa qesharake aq edhe cinike se, medemek, Europa nuk po i mban premtimet për hapjen e negociatave me ne, por harron se nga 3 kushte që kishim, tani kemi shtuar edhe 12 të tjera, të cilat nuk i plotësuam kurrë, sepse ne dimë vetëm të gënjejmë për gjithçka e gjithnjë, të notojmë nepër skandale pa na u skuqur faqja. Mjafton të pasurohemi dhe të sundojmë si diktator.

Ne s’jemi Lindje as Perëndim, por nga lindja i mbajmë sytë dhe prej andej kritikojmë Europën, i bëjmë karshillëk asaj, që nuk na jep “hakun.”Ky ka qënë edhe amaneti i sh. Ramiz Alia.

Pakënaqësitë e z.Rama nuk kanë sens, nëse kemi parasysh çfarë kemi bërë ne që ta meritojmë këtë.

Le t’i kujtojmë disa prej tyre. A jemi ne vend normal? A mud të quhet shtet ky që ndertoi “Rilindja”? Ja disa përgjigje:

Shteti nuk ndertohet me horra e kriminelë as me banda. Kujtojmë ligjin e famshëm të Dekriminalizimit. Jemi i vetmi vend ku blihet pushteti, vota e deputeti. I vetmi vend ku pushteti e mbahet me anë të bandave. S’kemi as institucione normale. Se mos kemi drejtësinë e shpartalluar me të ashtuquajturin “vetting?!” Ne kemi arritur në atë derexhe sa çdo shkatrrim e quajmë reformë. Reformën në drejtësi e bëmë lesh arapi. Gjykatat kthyer në kuzhina partiake. Drejtësia e re po e tregon veten me ish ministrin Tahiri dhe me masakrën zgjedhore. Shikoni sa bukur po i gjykon. Dhe presim drejtësi, kur atë e jep “Nëna Parti.”

Ndersa parlamentin kthyer në landfill. I vetmi institucion që ka mbetur në këmbë deri tash është Presidenca, por presidenti duhet hequr që të mos kemi asnjë pengesë në realizimin e dëshirave më djallëzore që ka parë ky vend në shekuj nga çdo pushtues, bashkë me Enver-Hitlerin tonë të paharruar. Ku janë “Peshqit e mëdhenj?” Çfarë ndodhi me ta? Kush i mbron? Ata që i lënë të lirë janë bashkëpunëtorë me ta. Kjo është një sentence e vjetër. Ne s’dimë të bëjmë as zgjedhje të lira e të ndershme. Pse Kosova është për t’u marrë model në këtë drejtim? Pse bëjmë zgjedhje moniste? Pse nuk i lejojmë emigrantët të votojnë? S’jemi të lirë të votojmë as të zgjedhim. Shënjtëria e votës e kemi kthyer në shkërdhatë, lavire, prostitutë.

S’kemi ekonomi normale. Jemi shumë të varfër, të vjedhur e të grabitur me njëmijë marifete. Kemi pensione aq qesharake sa nuk kapin as minimumin jetik. Kështu janë gjysma e pensionistëve, por kush e ka fajin? Europa apo ne?

Policia që duam ruan pushtetin dhe i shërben partisë.  Pra, nuk i shërben popullit as shtetit. Sepse shteti nuk ekziston. E kujtoni qëndrimin e kryepolicit për ngjarjen e Elbasanit, në fushatën elector-hale? Atëherë çfarë presim nga një polici si kjo jona?

Evropa po na pret siç pritet nxënësi më i keq, kur qëndrimi i tij është si ai i një “dhie të zgjebosur me bishtin përpjetë.”

Krenaria jonë për dështimet nuk njeh limit. Ne krenohemi me patronazhistët e jashtëligjshëm, për emigrimet masive, sikur të ishim në luftë, për ligjet antidemokratike si ai “Antishpifje”, apo batuta e kthyer në ligj me emrin “KÇK.” Mburremi me tenderat sekret pa tender, me PPP-të dhe koncesionet kriminale.

E di Europa që ne kemi një parlament të paligjshëm me 122 deputetë, ku gati gjysma janë të blerë. Cili vend ka dy opozita? Njëra brënda që shërben si fasadë dhe tjetra jashtë.  E di Europa se ku jemi me kanabisin dhe me kokainën, me krimin e organizuar në përgjithësi? Ky mbetet eksporti më i rëndësishëm që kemi për të furrnizuar botën.

Vërtetë mbetëm pas dyerëve të Europës, por ama edhe festuar e kemi sikur janë hapur negociatat si në komedinë “Dasëm pa Nuse.” U kemi dhënë edhe dekorata atyre nderkombëtarëve që gënjenin për ne. Por tani jemi më afër kthimit të vizave se sa hapjes së negociatave si shpërblim për djallosjen që kemi bërë në plotësimin e detyrave.

Shembja vandale e teatrit ishte një kumt i zi, që habiti edhe botën.

Notojmë në një pesimizëm të pashoq. Kalben njerëzit e ndershëm dhe lartësohen kriminelët. Shqipëria në kaos. Një popull i tradhëtuar. Kemi dy zgjedhje në dëshprim: të nënshtrohemi ose të ikim në mërgim.

Kush e ka fajin? Parlamenti njëpartiak apo opozita jashtëparlamentare?

Pas të gjitha këtyre problemeve që rreshtuam, njeriu normal mund të dalë me një konkluzion. Cila qeveri në botë mund t’i fitonte zgjedhjet  në këto kushte përveçse tek shtetet diktatoriale? A e meritojmë hapjen e negociatave, kur demokracia dhe liria nuk funksionon tek ne? A ka paradoks më të madh se të fitosh zgjedhjet me një mijë skandale të ndodhura në 8 vite?! Nuk po gjendet fajtori i vërtetë. E kanë ata apo ne vetë? Kë të besojmë? Kopil do të mbetet faji përsëri.

7 Qershor 2021