VEPRA BAMIRËSIE TË MARK NIKOLLË LULGJURAJ

0
1345

Gjokë DUKAJ

Sado që të shkruaj njeriu për veprat bamirëse të njerëzve tonë, është e pamundur të përshkruhen veprimet e shumta për të ndihmuar kudo që është e nevojshme, sidomos nga njerëzit tan të cilët jetojnë larg vendlindjes, në mërgim. Medie të shumta, individ dhe institucione të ndryshme,  kanë shkruar dhe shënuar për shpirtin bamirës të bijve të këtij trollit kudo që punojnë e jetojnë.

Njëri prej tyre është edhe bashkëvendësi  ynë nga mërgimi, Mark Nikollë Lulgjuraj, vazhdon gjithnjë misionin e tij human, në përkrahje të vendlindjes. Kontributi i këtij malësori;  dashamir  i madh i gjuhës, kombit dhe traditës, vazhdon të rrezatoj si  drita që shkëlqen faqebardhë, aty ku është nevoja për të ndihmuar dhe vepruar për më shumë dritë dhe shkëlqim. Kontributet e tija, tashmë disa vite me radhë, janë të shumta dhe të njohura kaherë, por si çdo rast i ri, është momenti për të rikujtuar disa nga veprimet e secilit që  “për të parë dritën  i sjell sytë drejtë  vendlindjes”.  Kështu, edhe Marku me familjen e  vet, me djersën dhe vullnetin e vet, po gëzojnë zemrat e  fëmijëve dhe të atyre që kanë nevojë për dashurinë e të tjerëve, sidomos në vendlindje – aty ku i kanë ëndrrat dhe dëshirat e tyre. Këtyre ditëve, një rast i ngjashëm ndodhi edhe në shkollën fillore nëntëvjeçare në Skorraq, në Hot të Malësisë, ku për një çast, këta vogëlush e kaluan pushimin e gjatë të qarosur nga bashkëvendësi ynë Marku,  i cili edhe pse larg vendlindjes, kishte siguruar pije freskuese dhe ëmbëlsira për pushimin e  gjatë për nxënësit e shkollës “Bashkimi”. Po ashtu, Marku, i kishte dërguar 1.000 euro për nevojat, jo të pakta, të kësaj shkolle, në përmirësimin e kushteve të mësimit  dhe të punës duke premtuar dashamirësi të ngjashme edhe në të ardhmen, jo vetëm për këtë shkollë.  Ashtu siç u theksua edhe me këtë rast, “ ky donacion është shembulli më i mirë për të ndihmuar aty ku është e ardhmja e këtij vendit; shkollimi dhe përparimi i brezave të rinj”. Drejtori i kësaj shkolle, Prelë Gjolaj, duke falënderuar  angazhimin e Kolë dhe Dodë Lulgjuraj, të afërmit e  Mark Nikollë Lulgjuraj,  theksoi se “Marku, është kalorës i bamirësisë dhe humanizmit në këto hapësira dhe më gjerë dhe, duke mos kursyer mjetet dhe djersën e vet dhe të familjes, pothuajse çdo ditë, është i pranishëm në aksione dhe veprime bamirësie në trevat tona kudo”. Të rikujtojmë se, Marku, edhe më parë ka ndihmuar me mjetet e veta shkollat tona, me shpresë  dhe dëshirë që ato të kenë çdo ditë e më shumë nxënës, sidomos në fshatrat përreth ku numri i banorëve është çdo ditë e më i vogël e po ashtu, edhe i nxënësve tanë. Me përmirësimin e  kushteve, shpresojmë  se do të vazhdoj dhe do të rikthehet jeta në fshatrat përreth  dhe që nxënësit tanë të kenë kushte të njëjta sikur moshatarët e vet në qendrat urbane, me qëllim dhe bindje se “shkolla e mirë do të përforcoj vullnetin për të vazhduar jetën në fshat”.  Ne, nuk tentuam të flasim për këtë rast në veçanti si kontribut i bashkëvendësit tonë, Mark Nikollë Lulgjuraj, por vetëm sa për të rikujtuar  këtë dhe veprat e tij të mëparshme, duke filluar nga fshati Selisht, në parkun e këtij fshati  ku kontribuoi me më tepër se 100 mijë dollar amerikan , pastaj për fëmijë dhe të rritur, nxënës dhe njerëz në nevojë  me, po aq apo më tepër, shuma parash me qëllime bamirësie nga Marku dhe familja e tij, të cilët jetojnë në Michigan të SHBA. Urojmë që veprat e ngjashme të bamirësisë, të jetojnë përjetësisht dhe të ruhen e kultivohen nga brezat e rinj, kjo traditë e njohur e njerëzve tonë dhe e cila vazhdon gjithnjë. Marku, vazhdon t’i jetë besnik këtij virtyti, në shenjë dashurie dhe mallit për vendlindjen e vet.