Të gjithë së bashku për një Tuz të pastër dhe të shëndetshëm

0
420

Gjekë Gjonaj

Komuna e Tuzit po bën përpjekje  që   çdo ditë të marrë pamje të re, të bukur dhe të lulëzuar. Me gjithë angazhimin e vazhdueshëm të  institucioneve  përgjegjëse për  mirëmbajtjen dhe rregullimin e  mjedisit  , që ai  të jetë e gjelbër dhe e  pastër,  Tuzi   me rrethinë po lëngon, si shumë  qytete tjera ,   nga ndotja dhe hedhja e mbeturinave në shumë raste  aty ku nuk e kanë vendin, pranë koshave të plehrave , duke krijuar  madje edhe deponi të egra përgjatë rrugëve. Kjo pamje e shëmtuar e ambientit  të jashtëm nga mbetjet urbane     është edhe dukuri shqetësuese e cila   rrezikon shëndetin  dhe mirëqenien e çdo qytetari. Si e tillë, kohën e fundit    ka zgjuar vëmendjen  e popullatës vendore, por edhe të kalimtarëve të rastit. Pjesa   më  e  ndotur nga  hedhja e materialit ndotës   është identifikuar  nga Dheu i Zi e deri në qendër të Tuzit. Në atë zonë periferike të qytetit javën e kaluar  u organizua një aksion  për pastrimin e  mbeturinave të hedhura përgjatë rrugës, një përpjekje kjo për ndërgjegjësimin  e komuniteteve  lokale  për mbrojtjen e mjedisit të përbashkët natyror. Ky aksion vullnetar, në të cilin u përfshinë  punonjësit e Ndërmarrjes Komunale të Tuzit dhe  qytetarë të ndërgjegjshëm të cilët e duan  një mjedis të pastër,   dëshmoi për nevojën e ndërgjegjësimit  të popullatës vendore, por edhe të institucioneve  mbi domosdoshmërinë e mbrojtjes së ambientit të jashtëm. Të gjithë pjesëmarrësit me shembullin e tyre  treguan se  mbrojtja e mjedisit nuk është asgjë tjetër përveçse mbrojtja e jetës dhe se ruajtja e mjedisit është ruajtja e vetë jetës së  njeriut, pra edhe e  tyre.

Mesazhi i tyre ishte i qartë: “ Të kujdesemi  të gjithë së bashku për një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm”. Parimi dhe apeli i tyre ishte : “ Mos ndotni”! Dhe të mos ndotësh ka dy parime.  Parimi i parë është edukata qytetare, kurse parimi i dytë  është ndëshkimi ligjor. Njëri  parim pa tjetrin  është i pasuksesshëm, andaj duhen gërshetuar të dyja.   Ishte  kjo një thirrje  që të gjithë së bashku qytetarët e Malësisë ( Komunës së Tuzit)  të solidarizohen  në pastrimin e oborrit të shtëpisë së tyre të përbashkët. Aq më tepër ishte  edhe një mision qytetar që gjithsecili  prej tyre ka ndaj qytetit e zonës ku jeton.  Dhjetëra thasë të grumbulluar   atë ditë  me lloj-lloj mbetjesh  treguan  se jo vetëm pastrimi  ka rëndësinë e vet, por edhe mirëmbajtja e mjedisit ku jetojnë e veprojmë çdo ditë  është shumë e rëndësishme.

Komunitetet lokale nga veprimet e  tilla të kontributit vullnetar të qytetarëve të Tuzit  në të mirë të shëndetit të tyre dhe zhvillimit të qëndrueshëm   duhet të nxjerrin mësim dhe ta kuptojnë një herë e përgjithmonë  se  ata vetë  janë konsumatori kryesor  dhe si të tillë janë edhe  ndotësit më të mëdhenj të mjedisit  me këtë lloj ndotje me aktivitetin e tyre. Ky problem i madh kërkon zgjidhje, prandaj qytetarët  duhet ta  kuptojnë se  ata janë aktorët , që nuk mund të zëvendësohen  për të evituar këtë lloj ndotje të mjedisit , e cila vret  dhe flet   në mënyrë të çuditshme  me pasojat që u shkakton të gjithëve. Veprimtaria më e mirë, e domosdoshme  dhe e pazëvendësueshme sot për sot  në këtë fushë  është përmirësimi dhe rritja e kontributit qytetar, për sa i përket vendosjes së rregullit dhe zbatimit të ligjit  në ofrimin e shërbimit të përshtatshëm  për menaxhimin e mbetjeve urbane. Ka ardhur koha që qytetarët t’u japin rëndësi  aktiviteteve shoqërore si një standard për integrim. Në këtë mënyrë do të rritet efikasiteti i ruajtjes dhe mbrojtjes së mjedisit dhe do të  zvogëlohet dukshëm rreziku i madh që vjen  nga mbetjet urbane , e cila vret jetën  e kujtdo. Në një shoqëri të brishtë siç jemi ne, në të cilën qytetarët  ende kanë nevojë të mësojnë  më shumë për pasojat  e mëdha që vijnë nga   një mjedis i papastër, nisma  e fundit  që ka ndërmarrë  Ndërmarrja Komunale e Tuzit    për  pastrimin e zonave periferike dhe urbane të këtij qyteti  nuk duhet të ndalet.   Ajo  duhet të vijojë edhe në të ardhmen, deri sa komuniteti lokal ta kuptojë se mjedisi rreth vetes  nuk është vetëm hapësira jonë individuale , por është hapësira e bashkëjetesës sonë qytetare.  Pa një Tuz të pastër, nuk ka Tuz të shëndetshëm. Pa  një Tuz të pastër  nuk ka Tuz të pasur.  Vetëm një Tuz i pastër  është një Tuz i mirë për të gjithë qytetarët  e tij  dhe mysafirët që e vizitojnë.

Tuzi i ka shumë vlera që mund t’i  japë natyra një vendi apo qyteti. Ka natyrën, ka liqenin, lumin, historinë dhe njerëzit e mirë. Por, zhvillimi urban i një qyteti, ka edhe pasoja për ndotjen dhe infrastrukturën e tij. Prandaj pakësimi  i mbetjeve urbane   nga organet e menaxhimit  dhe  strukturave përkatëse për një Tuz të pastër është domosdoshmëri që ky qytet të jetë  vendbanim  ku vihet  e qëndrohet,  e jo vendbanim nga i cili detyrohesh të  largohesh.