Të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhjet vendore në Ulqin presin një rezultat të mirë zgjedhor

0
685

Gjekë Gjonaj – Ulqin

Pesë lista zgjedhore do të marrin pjesë në zgjedhjet në Ulqin, të cilat janë caktuar për 27 mars. Komisioni Komunal i Zgjedhjeve  ditën e shtunë  ka mbajtur shortin në bazë të të cilit është përcaktuar radha e fletëvotimit.

I pari në listë do të jetë koalicioni Lidhja Demokratike në Mal të Zi dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve, i dyti Demokratët dhe më pas koalicioni “ Për një fillim të ri” i përbërë nga URA, SD, PSD, Alternativa Shqiptare dhe Partia Demokratike. Nën numrin katër është Forca e Re Demokratike- Forca  dhe i fundit në listë është koalicioni i PDS-së dhe Partisë Boshnjake. Të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje  janë optimist dhe presin një rezultat të mirë zgjedhor.

Bartësi i listës së koalicionit më të madh “ Për një fillim të ri”, Omer Bajraktari  shprehet i bindur se pas  këtyre zgjedhjeve  ky koalicion do  të jetë më dominues. “Na pret një fushatë zgjedhore trejavore intensive në të cilën do të tregojmë dominimin e programit tonë, cilësinë e ideve tona dhe njerëzit që njihen si stafi që do të donte çdo pushtet vendor. Jemi plotësisht të bindur se pas këtyre zgjedhjeve do të bëhemi grupimi politik më dominues dhe kryetari i ardhshëm do të jetë nga koalicioni ynë.

Askush nuk e ka dilemë se ky qytet ka nevojë për rifillim në kuptimin infrastrukturor, financiar, komunal dhe administrativ. Prandaj  të gjitha këto ne do t’i trajtojmë me përgjegjësi,  ashtu siç i kemi përmbushur premtimet  tona  për Kriporen, Valdanosin dhe hotelin “ Mediteran”, përfundon Bajraktari.

 

” Presim një rezultat të shkëlqyer në zgjedhjet e ardhshme, si dhe që të ruajmë statusin e partisë së vetme më të fortë që kemi pasur në dy ciklet e mëparshme zgjedhore. Lista jonë përfshin staf cilësor të cilët janë në gjendje të kontribuojnë me njohuritë dhe idetë e tyre për të përmirësuar situatën në komunën tonë. Jemi të bindur se bashkëqytetarët tanë do ta vërejnë lehtësisht këtë cilësi dhe do të na lënë neve menaxhimin e komunës edhe në katërvjeçarin e ardhshëm. Partia Demokratike e Socialistëve është në komunikim të përditshëm me qytetarët dhe dëgjon nevojat e tyre, si dhe gjatë gjithë periudhës katërvjeçare, ku ne kemi qenë bartësit kryesorë të pushtetit në bashkinë tonë.

Kryetari ynë i Komunës ka arritur rezultate të jashtëzakonshme në një periudhë shumë të shkurtër kohore dhe paraardhësve të tij nga partitë tjera u ka treguar se si duket kur kryetari i komunës është në shërbim të qytetarëve”, thotë Elizabeta Mrnjaçeviq nga PDS  dhe Partia Boshnjake.

Optimist shprehet edhe Saubih Mehmeti , përfaqësues i  LD në MZ dhe UDSH. “Koalicioni Shqiptar i përbërë nga dy partitë më të vjetra shqiptare në Mal të Zi, LD në MZ dhe UDSH, në këto zgjedhje del me ofertë të qartë për votuesit në Komunën e Ulqinit, si në aspektin ekonomik ashtu edhe atë politik, por mbi të gjitha përcjell një mesazh kuptimplotë, se është koha për bashkim e jo për përçarje të mëtutjeshëm të faktorit politik shqiptar. Besoj se këto mesazhe votuesi do t’i lexojë drejtë”, pohon Mehmeti.

Subjekti i vetëm politikë shqiptar, Forca, e cila në këto zgjedhje  do të garojë   vetëm, synon një mandat  të plotë katërvjeçar . “  Forca e Re Demokratike në këto zgjedhje ka një program gjithëpërfshirës me theks të veçantë në reformimin e administratës publike dhe projekteve kapitale në infrastrukturë. Forca synon që të  fitojë  një mandat të plotë katërvjeçar në mënyrë që të krijojë një stabilitet politik ,  që është  parakusht për zhvillimin ekonomik të Komunës se Ulqinit”, thekson Sabri Salaj   nga kjo parti politike.

Bartësi i listës  së Demokratëve, Bojan Qetkoviq shprehet se  lista e tyre  dhe  e qytetarëve të Ulqinit  është e vetmja listë që garanton se asnjë votë që  do t’u jepet atyre  nuk do të shkojë për PDS-në.

“Në listën tonë,  e cila me pak fjalë përfaqëson Ulqinin, janë njerëz të të gjitha besimeve dhe kombeve, të profileve të ndryshme profesionale dhe njerëz që garantojnë se do të punojnë ekskluzivisht në interes të qytetit tonë dhe të gjithë qytetarëve tanë. Prandaj presim që pushteti i ardhshëm lokal të jetë i tillë që nuk do të mund të formohet pa votën dhe mbështetjen e qytetarëve të ndershëm të Ulqinit, të cilët janë në listën tonë. Si në gjithë Malin e Zi, ulqinakët nuk e duan më PDS-në në pushtet dhe vetëm vota që  do të na jepet ne  garanton se kjo do të ndodhë realisht. Ulqinakët nuk duan më t’u japin përkrahje atyre që e bënë Ulqinin, që është më i pasur me resurse dhe pasuri natyrore, komunën më pak të zhvilluar dhe më të lënë pas dore bregdetare”, nënvizoi  Qetkoviq.