Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka depozituar këtë të hënë në SPAK një kallëzim penal për ambasadorin e BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca.
Në një prononcim për mediat, përfaqësuesja ligjore e AMT-së, avokatja Adriana Kalaja tha se AMT e akuzon diplomatin e BE-së se në bashkëpunim me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj kanë ushtruar ndikim të paligjshëm në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me çështjen e Teatrit Kombëtar.
Kalaja tha se i kanë kërkuar SPAK-ut sekuestrimin e të gjitha pamjeve filmike brenda dhe jashtë Gjykatës Kushtetuese, konfiskimin e gjithë bisedave telefonike dhe të gjithë aparateve të komunikimit si të ambasadorit Soreca, ashtu dhe të kryebashkiakut Erion Veliaj.
Avokatja shtoi më tej se AMT i ka kërkuar Presidentit të Republikës, Ilir Meta shpalljen “non grata” të Luigi Sorecas në territorin e Presidencës, duke ndjekur të njëjtin format si të ambasadorit Bochard dhe gjithashtu i kanë kërkuar dhe ministres së Jashtme, Olta Xhaçka shpalljen “non grata” në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Ndërsa, Parlamentin Europian e kanë informuar mbi këtë ngjarje dhe se i kanë kërkuar thirrjen në interpelancë të ambasadorit Soreca si dhe nisjen e një hetimi administrativ dhe marrjen e masës për lirimin nga detyra të këtij ambasadori.
“Sot paraqitëm për herë të 12-të në SPAK me kallëzime penale, përveç 10 kërkesave të ndryshme që kemi bërë. Kallëzimi i sotëm është kundra ambasadorit të Bashkimit Europian, Luigi Soreca, i cili në bashkëpunim me kryetarin e bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ka ushtruar ndikim të paligjshëm në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me çështjen e Teatrit Kombëtar. Ashtu siç e kemi denoncuar më herët, më datën 16 Qershor, ditën që zhvillohej seanca e Teatrit, në Gjykatën Kushtetuese është paraqitur zoti Soreca në një takim të pa bërë publik, në një takim pa protokoll, të një takimi i cili u mbajt i fshehtë edhe mbasi e denoncuam ne dhe ajo çka është më e rëndësishme është se zoti Soreca është larguar nga ambientet e pasme të Gjykatës Kushtetuese. Takim të cilin e ka konfirmuar edhe Delegacioni i BE-së në Tiranë, ashtu edhe Gjykata Kushtetuese. Në një kohë kur ne Aleanca prisnim një informacion të detajuar në lidhje me këtë takim, një transparencë publike në lidhje me objektin e diskutimit të këtij takimi, u ndeshëm me një sulm jo etik, jashtë standardeve të një ambasadori ndaj Aleancës, në një kohë që ne në asnjë moment nuk kemi shpifur, sepse nuk është shpifje përsa kohë që takimi u pranua. Ne nuk shpifëm as se takimi është bërë më 16 Qershor, as se kjo datë i korrespondon seancës së Teatrit, as se zoti Soreca ka ndenjur një orë në takim me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, as se zoti Soreca është larguar nga dera e pasme e Gjykatës, as se ky takim u mbajt i fshehtë nga sytë e publikut. Kështu që ne, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në referim të dispozitave ligjore e shikojmë si një konsumim të veprave penale nga ana e ambasadorit Soreca, i cili në bashkëpunim me kryetarin e bashkisë Tiranë kanë tentuar të ndikojnë në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese. Ne nuk kemi asnjë informacion sesi kanë votuar anëtarët e kësaj gjykate, por ne dënojmë veprimin penal të ambasadorit Soreca. Ju bëjmë me dije se për të gjitha këto veprime kemi informuar Parlamentin Europian, ku i kemi kërkuar thirrjen në interpelancë të ambasadorit Soreca si dhe nisjen e një hetimi administrativ dhe marrjen e masës për lirimin nga detyra të këtij ambasadori. Po kështu i kemi kërkuar Presidentit të Republikës, Ilir Meta shpalljen “non grata” në territorin e Presidencës, duke ndjekur të njëjtin format si të ambasadorit Bochard. I kemi kërkuar dhe ministres së Jashtme, zonjës Xhaçka shpalljen “non grata” në territorin e Republikës së Shqipërisë. Është e disata herë që ky ambasador cenon pavarësinë e pushtetit gjyqësor, për të mos shkuar më larg keni parë thirrjen e ambasadorit për të kërkuar ankimimin ndaj prokurores së Tiranës, ne e shikojmë si një cënim në pavarësinë e pushtetit gjyqësor. Ne e shikojmë si një lobim hapur në mbrojtje të interesave korruptive të kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj dhe për këtë i kemi kërkuar SPAK-ut sekuestrimin e të gjitha pamjeve filmike brenda dhe jashtë Gjykatës Kushtetuese, po kështu i kemi kërkuar SPAK-ut konfiskimin e gjithë bisedave telefonike dhe të gjithë aparateve të komunikimit si të zotit Soreca, ashtu dhe të kryetarit të Bashkisë Veliaj.” tha Adriana Kalaja.