SINJALE PËR MAKINACIONE- A KANË FRIKË KRYEBASHKIAKËT SOCIALISTË PËR VENDIMIN E KUSHTETUESES?

0
271


Nga Valmora GOGO

Pas thuajse 2 vjetësh jashtë funksionit Gjykata Kushtetuese do të marrë në gjykim brenda më pak se një muaji, më 23 qershor, ligjshmërinë e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019. Ato u zhvilluan pa pjesëmarrjen e kandidatëve të opozitës reale, e cila i bojkotoi.

Shoqata e Bashkive të Shqipërisë i ka kërkuar prej kohësh Kushtetueses të shpallë të pavlefshme dhe antikushtetuese zgjedhjet e 2019-ës. Presidenti Ilir Meta dekretoi fillimisht 30 qershorin e 2019-ës për zhvillimin e zgjedhjeve vendore por edhe pse e ndryshoi më pas me 15 tetorin me qëllim që opozita të merrte pjesë nuk u mor në konsideratë nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve.

Vendimi që do të japë Kushtetuesja që tani ka 7 anëtarë tregon nëse në Shqipëri do të ketë së shpejti një zhvillim të rëndësishëm; zgjedhje të reja vendore që si rregull do të duhet të mbahen dy vjet më pas, në 2023-shin

Pavlefshmëria e zgjedhjeve do të vinte në pozita të reja presidentin Meta, i cili do të duhej të shpallte datën e afërt të zgjedhjeve vendore, ndërsa do t’u ndryshonte pozitën kryebashkiakëve socialistë, duke nisur me atë të Tiranës, Erion Veliajt pasi ata do të duheshin të futeshin sërish në një fushatë elektorale, nga e cila sapo kanë dalë për zgjedhjet e përgjithshme. Vendimin për t’u futur në zgjedhjet e mundshme vendore, ashtu si në parlament në shtator, do të duhet ta marrë edhe opozita; PD-ja dhe LSI-ja, gjithnjë nëse do të ketë një vendim të Kushtetueses që zgjedhjet shpallen antikushtetuese.

Akuza për makinacione mbi vendimin që pritet nga Kushtetuesja

Thuajse një javë më parë, Shoqata e Bashkive të Shqipërisë (SHBSH), e cila është edhe paditësja për pavlefshmërinë e zgjedhjeve të 2019-ës në Kushtetuese, u drejtoi një letër ambasadorëve në vend dhe drejtuesve të misioneve të huaja. Një letër ku spikaste akuza që ka kjo shoqatë lidhur me procesin që do zhvillohet në Gjykatën Kushtetuese më 23 qershor 2021.

Sipas shoqatës, në krye të së cilës është kryebashkiakja demokrate e Shkodrës Voltana Ademi, shoqata tjetër e themeluar nga kryebashkiakët socialistë, ajo për Autonomi Vendore (SHAV) po tenton të fusë tentakulat e saj brenda organizimit të paditëses në Kushtetuese. Kryetar i Shoqatës për Autonomi Vendore (SHAV-it) është kryebashkiaku socialist i Tiranës, Erion Veliaj.

Sipas akuzës së shoqatës (SHBSH-së) Pjerin Ndreu është strumbullari dhe gjithçka po bëhet për të tërhequr padinë në Kushtetuese.

“Më 21 maj, 2021 pasdite, SHBSH mori një email dërguar nga Z. Pjerin Ndreu, drejtuar 14 bashkive të tjera, të cilat aktualisht janë anëtare të SHAV, me qëllimin që të organizojnë në mënyrë të paligjshme mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të SHBSH dhe për të zëvendësuar në mënyrë të paligjshme organet drejtuese te SHBSH. Ky veprim është në kundërshtim me statutin e SHBSH, pasi bashkitë kërkuese nuk janë anëtare të SHBSH.”, thuhet në letër.

Shoqata e Bashkive të Shqipërisë tregon më tej se takimi në platformën online “Zoom” ka për qëllim kapjen e kontrollit të përfaqësimit ligjor të saj.

“Kjo do t’i mundësojë Kryetarit të ri (një Kryetar Socialist) të tërheqë ankesën e paraqitur nga SHBSH në Gjykatën Kushtetuese, kërkesë për vlerësimin e legjitimitetit të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019.”, sqaron në letër Shoqata e Bashkive të Shqipërisë.

Voltana Ademi në letrën e firmosur prej saj si kryetare e SHBSH-së u kërkon përfaqësuesve të vendeve të tjera në Shqipëri që të ndjekin nga afër “tentativat e paligjshme për të kapur Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë”.

Pozicioni i debatuar i Bindjes Demokratike

Lidhur me pavlefshmërinë ose jo të zgjedhjeve vendore është pozicioni i debatuar i Bindjes Demokratike për të cilën gjykata do të vendosë. “Verifikimin e kushtetutshmërisë së veprimtarisë së Partisë Bindja Demokratike në lidhje me regjistrimin e saj në gjykatë dhe zgjedhjet e datës 30 qershor 2019”, është çështja tjetër që do të gjykojë Kushtetuesja.

Mirëpo pozicioni i Bindjes Demokratike së Astrit Patozit (që pati si personazh të përmendur e që u tërhoq më vonë edhe Rudina Hajdarin, ndërkohë që Patozi është dorëhequr zyrtarisht në 2021) ka shumë rëndësi në zhvillimin se si do të marrë gjykimi i zgjedhjeve sepse de facto ka qenë Bindja Demokratike që ka konkuruar përballë socialistëve si opozitë e sapokrijuar, në mungesë të opozitës reale.

E debatuar edhe ligjërisht te Bindja Demokratike qe data se kur ajo u regjistrua, thuajse një muaj para zgjedhjeve vendore dhe shkelja e afateve ligjore.

Data e fundit se kur Bindja Demokratike mund të paraqiste dokumentacionin në KQZ ka qenë 21 prilli 2019, ndërsa ajo ligjërisht u regjistrua në gjykatë me 25 prill dhe në KQZ u regjistrua më 27 prill, megjithëse vendimi i gjykatës mori formë të prerë më 10 maj.

Kundër regjistrimit si subjekt politik qe kryetari i KQZ-së asokohe, Klement Zguri, pasi sipas tij ky subjekt nuk i plotësonte kriteret ligjore për shkak se u regjistrua më 27 prill në KQZ kur duhej të ishte regjistruar më 21 prill. Megjithatë 4 anëtarët e KQZ-së qenë pro dhe “Bindja” u regjistrua.

Po kështu disa anëtarë firmëtarë të Bindjes ngritën pretendime se u ishte shënuar emri në listat e kërkuesve për regjistrim në gjykatë pa dijeninë e tyre por po kështu një nga pikat e debatuara qe edhe ngjashmëria e logos së Bindjes Demokratike me atë të Partisë Demokratike.

Rudina Hajdari u tërhoq si kryetare e mundshme, personazh që më pas themeloi partinë “Nisma Thurje”, me të cilën kandidoi në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit 2021.

Një moment i rëndësishëm qe edhe zhvillimi lidhur me Bashkinë e Durrësit, ku gjykatësja Mimoza Margjeka refuzoi të certifikojë mandatin e kryebashkiakes së Durrësit, Valbona Sakos, për shkak të pjesëmarrjes së paligjshme në zgjedhje të Bindjes Demokratike.

Si i cilësonte zgjedhjet e 2019-ës ODIHR-i

Për Bindjen Demokratike në raportin përfundimtar të Misionit të ODIHR-it për Vëzhgimin e Zgjedhjeve më 5 shtator 2019 shkruhet se KQZ-ja e regjistroi Partinë Bindja Demokratike (PBD) si subjekt zgjedhor më 27 prill, ndonëse kjo e fundit ishte regjistruar si parti politike vetëm më 25 prill me një vendim gjykate që mori formë të prerë më 10 maj. Po kështu ODIHR-i konkludonte se KQZ-ja nuk i kërkoi partisë së saporegjistruar të mblidhte firma mbështetëse duke shtuar se ky institucion hodhi poshtë disa kërkesa për tërheqje nga gara të paraqitura nga kandidatë për kryetarë bashkie të Bindjes Demokratike duke i lënë kështu emrat e tyre në fletën e votimit.

Ndërsa lidhur me përfundimin e zgjedhjeve, ODIHR-i u shpreh se në 31 bashki nga 61 nuk pati kundërshtarë duke u hequr mundësinë e zgjedhjes votuesve mes alternativave të ndryshme politike. “Megjithatë, heqja dorë e partive kryesore opozitare nga procesi zgjedhor ua kufizoi votuesve mundësinë e zgjedhjes mes alternativave të ndryshme politike. Që të gjithë 26 kryetarët e bashkive nga partitë opozitare, të cilëve u mbaronte mandati, zgjodhën të mos rikandidojnë.”, theksonte ODIHR-i në raport.

Në zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019 për 61 kryetarë bashkish dhe 1,619 anëtarë të këshillave bashkiakë votuan vetëm 22.96% e zgjedhësve shqiptarë.

Shkodra, në krye të bashkisë së të cilës ndodhet ende Voltana Ademi qe një rast i veçantë sepse fituesi i zgjedhjeve qe socialisti Valdin Pjetri, i cili dha dorëheqjen pas akuzave nga PD-ja se kishte fshehur dënimin dhe dëbimin nga Italia për trafik droge.

Kundër presidentit Meta që ka në dorë dekretimin e një date të re zgjedhjesh ka nisur nga maxhoranca një proces shkarkimi. Në kuvend është ngritur një komision hetimor për të shkarkuar presidentin me komentet se ka shkelur kushtetutën para dhe gjatë fushatës për zgjedhjet e 25 prillit 2021 ndërsa Presidenca ka reaguar se Meta do të vazhdojë detyrën deri më 22 korrik 2022.

Mbetet të presim se çfarë do të vendosë Gjykata Kushtetuese mbi ligjshmërinë e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019: do t’i quajë ato kushtetuese apo jo. A do të futet Shqipëria në një fushatë të re zgjedhore?!