Si u krijua Blloku i udhëheqësve në Tiranë

0
538

Nga Qemal Lame ***

SHTETI I DIKTATURËS SË PROLETARIATIT

Shqipëria ka një histori të saj të periudhës gjatë e pas Luftës së Dytë Botërore dhe sidomos pas Çlirimit, më 29 nëntor 1944, me vendosjen e pushtetit popullor, kalimin në sistemin politik të diktaturës së proletariatit deri më 9 maj 1990, kur me ndryshimin e Kushtetutës u vendosën parimet e shtetit të së drejtës dhe demokracisë sipas parimeve të njohura të shteteve të demokracive perëndimore.

Shteti i diktaturës së proletariatit, i sanksionuar në kushtetutë, është një realitet që vetë Enver Hoxha e ka dashur, i ka dhënë fuqinë kushtetuese, e ka theksuar me gjithë forcën e mendjes, të zërit e vendimeve në qëndrimet dhe deklarimet e tij publike, në konferenca dhe kongrese, në librat dhe veprat me emrin e tij. Me këto dëshmi kuptohet, vlerësohet e vetëpranohet me bindje edhe vetëcilësimi si diktator.

Udhëheqësi i një shteti që bazohet në sistemin politik të diktaturës është thjesht e konkretisht një diktator. Çdo person i zakonshëm arrin ta kuptojë këtë cilësim. Ky vetë-emërtim nuk mund të nënvleftësohet dhe as të anashkalohet me argumentet vlerësuese për kontributet e njohura si udhëheqës i Luftës Nacionalçlirimtare, i rindërtimit pas luftës dhe transformimeve të bëra në të gjitha fushat e ekonomisë, ushtrisë, artit e kulturës, mirëqenies, rritjes dinamike katër herë të popullsisë, me ritmet më të larta në Evropë, etj.

Vetëm Partia e Punës së Shqipërisë nën drejtimin e Enver Hoxhës ka arritur të sanksionojë në kushtetutë rolin udhëheqës të partisë-shtet dhe ta cilësojë sistemin politik si shtet të diktaturës së proletariatit. Shteti i Republikës Popullore u emërtua Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë.

Marksi dhe Engelsi, filozofët dhe themeluesit e teorisë së komunizmit, në veprat e tyre fondamentale nuk kanë ide dhe as mendime për sistemin e ri politik të socializmit e të komunizmit me mekanizmin shtetëror të diktaturës së proletariatit.

Vladimir Iliç Lenini dhe Josif Viserianoviç Stalini, udhëheqës të Revolucionit të Tetorit në Rusi dhe ndërtimit të socializmit në shtetin e parë në botë, nuk kanë sanksionuar në Kushtetutë shtetin e diktaturës së proletariatit. Rusia u emërtua Federata e Rusisë dhe më pas e ruajti këtë emërtim edhe në Bashkësinë e Shteteve Socialiste – BRSS. Shteti vlerësohej i punëtorëve dhe i fshatarëve, jo shtet i diktaturës së proletariatit.

Mao Ce Duni ruajti emërtimin Partia Komuniste e Kinës dhe shtetin e Republikës së Kinës. Nuk bëri sanksionim në kushtetutë të shtetit të diktaturës së proletariatit.

Forcat e armatosura dhe fortifikimi i Shqipërisë janë një rast unik në botë

Shqipëria krijoi dhe kishte në gatishmëri luftarake Forcat e Armatosura të një korparmate me brigada e divizione, oficerë e ushtarë të aftësuar me të gjitha armët e shërbimet dhe pajisjet me teknologji të lartë kineze. Aftësia mbrojtëse e ushtrisë vlerësohej si më e fuqishmja në rajon dhe dallohej si një nga më të aftat në Evropë e në botë.

Fortifikimi i gjithë vendit lindi si ide dhe u realizua si vizion për të mbrojtur vendin dhe socializmin nga agresioni i imperializmit dhe revizionizmit modern, një ide imagjinare e fiksuar që kishte marrë rëndësi në mendjen e udhëheqësit dhe në politikën zyrtare.

Në vitet shtatëdhjetë u realizua plani gjigant i fortifikimit dhe bunkerizimit të Shqipërisë. Pas goditjes së grupit komplotist të Beqir Ballukut, plani i fortifikimit, i miratuar nga Këshilli i Mbrojtjes, i shpejtoi ritmet.

Plani strategjik i fortifikimit është kërkuar të studiohet nga specialistët më të aftë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe në përfundim është miratuar nga Këshilli i Lartë i Mbrojtjes.

Fortifikimi i plotë me përmasa gjigante në të gjithë territorin e Shqipërisë i kushtoi shtetit dhe popullit vlera të jashtëzakonshme financiare, ekonomike, materiale dhe pune kolosale direkte të ushtarëve e të vetë popullit, të pamundura për t’u llogaritur.

Fortifikimi masiv, fatkeqësisht, ka pasur edhe pasoja shumë të rënda për jetën dhe shëndetin e ushtarakëve që punuan direkt në terren për fortifikimin xhenier. Mijëra ushtarë e oficerë të Armatës së Forcave të Armatosura punuan për realizimin e fortifikimit strategjik për Forcat e Armatosura dhe vendstrehimet e shtetasve në qendrat e banimit, nga të cilët disa qindra ushtarë e oficerë u viktimizuan duke u aksidentuar me vdekje, plagosje të rënda dhe dëmtime apo lëndime të tjera trupore, mendore etj. gjatë punimeve fortifikuese. Në Ministrinë e Mbrojtjes, në bazë të të dhënave zyrtare, janë evidentuar 379 aksidente me pasojë vdekjen dhe plagosjen e ushtarakëve, të cilët punuan dhe u aksidentuan në fortifikimin xhenier të Shqipërisë, në periudhën e viteve 1970-1980.Udhëheqësit e diktaturës me nivel të jetesës në kontrast të thellë me popullin

Sa herë që dilja për shëtitje, për të shkuar në shtëpi ose kur shkoja për në Universitetin e Tiranës, si student dhe më pas si pedagog, natyrshëm vazhdoja rrugën duke ecur në trotuarin para kryeministrisë. Pothuajse të gjithë qytetarët ecnin po në këtë drejtin dhe shmangnin me dashje ose pa dashje atë para selisë së Komitetit Qendror. Në çdo kohë të ditës dhe të natës nuk kishte njerëz që të ecnin apo të shëtisnin në atë drejtim.

Ky drejtim i lëvizjes kishte kryesisht si qëllim që të garantohej më shumë siguria dhe ruajtja e selisë qendrore dhe e udhëheqjes politike të kohës. Vetëm në raste të veçanta mund të dukeshin njerëz të veçuar që kalonin nga trotuari në anë të Komitetit Qendror, por që pasi hidhnin ndonjë hap, detyroheshin të ndryshonin drejtimin me ndërhyrjen e menjëhershme të forcave të rendit, sidomos kur kishte mbledhje, në ditët e festave etj.

Trotuari para selisë qendrore të partisë së vetme në pushtet ishte përherë nën ruajtjen e një ose dy ushtarëve në hyrjen kryesore dhe një oficer i Gardës Kombëtare qëndronte prapa derës. Ky vend qëndronte pothuajse i bllokuar dhe i ndaluar për qytetarët e zakonshëm.

Po kështu edhe zyrtarët e njohur të këtij institucioni nuk lejoheshin të kalonin lirisht në drejtim të hyrjes kryesore. Punonjësit e aparatit të Komitetit Qendror kufizoheshin në lëvizjen e tyre dhe detyroheshin të shkonin direkt te hyrja e caktuar, e ruajtur dhe e kontrolluar nga oficerët e Sigurimit të Shtetit të Drejtorisë së Sigurimit të Udhëheqjes, në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, nën vartësinë direkte të Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

Hyrja kryesore e ndërtesës më të rëndësishme të kohës dihej se ishte në përdorim të përditshëm të Enver Hoxhës. Bëhej përjashtim për kryeministrin dhe anëtarët e Byrosë Politike, kur ata kërkoheshin prej tij ose shkonin për në mbledhjet e planifikuara dhe të lajmëruara.

Edhe shëtitja e mbrëmjes bëhej nga populli po në pjesën e bulevardit dhe trotuarit deri te kryeministria, ku ishte bërë zakon që njerëzit ktheheshin automatikisht për të vazhduar përsëri në drejtim të Sheshit Skënderbej.Një ditë, kur po kaloja si zakonisht, papritur më tërhoqi vëmendjen jehona e lehtë e zhurmës që shkaktohej në lulishten në krahun e djathtë të selisë së Komitetit Qendror. Po punohej për ndërtimin e një ndërtese të re banimi. Nuk kisha dëshirë të pyesja ndonjë zyrtar që mund të më jepte shpjegime konkrete, pasi nuk e kisha në natyrë kuriozitetin e të dhënave dhe problemeve që nuk publikoheshin në format e njohura të komunikimit apo të medies.

Më vonë mësova se atje po ndërtohej vila e re e kryeministrit Mehmet Shehu.

Flitej se familja e tij ishte zgjeruar, djali ishte martuar dhe kishin fëmijë. Po edhe djemtë e tjerë kuptohej se pritej të martoheshin së shpejti. Enveri vetë kishte dhënë porosi që të ndërtohej një shtëpi e re për të plotësuar më mirë nevojat e krijuara në familjen e Mehmetit.

Në rrethe më të ngushta shoqërore kjo interpretohej si një masë për të balancuar dhe ulur sadopak ndryshimet në krahasim me udhëheqësin, që jetonte në ish-vilën e Shefqet Vërlacit, të konfiskuar dhe të kaluar në pronësi shtetërore pas vendosjes së pushtetit popullor. Pranë vilës së restauruar të udhëheqësit kryesor ishte ndërtuar një ndërtesë trekatëshe ku banonin tre fëmijët e tij.

“Partia “krijon kushte” për udhëheqësin kryesor”

Enveri shprehej vetë në biseda të ndryshme në rreth të ngushtë ose me personat që e vizitonin se “partia i kishte krijuar kushte të mira”. Kështu, largoheshin prej tij edhe dyshimet dhe diskutimet për standardin dhe nivelin e jetesës ndryshe nga populli i thjeshtë që jetonte në kushte shumë modeste, të mbijetesës.

Në bazë të treguesve të nivelit të jetesës, Shqipëria ishte vendi me të ardhurat më të ulëta në Evropë dhe radhitej në vendet më të varfra, i treti në botë.12

Partia e Punës kishte krijuar kushte për udhëheqësin, por populli përjetonte varfërinë e tejskajshme, e cila ishte dramatike në krahasim me zhvillimin dhe nivelin e jetesës bashkëkohore evropiane. Populli ishte i izoluar, nuk lejohej për të kaluar kufirin e klonuar me tela me gjemba dhe rrymë elektrike, kapitalizmi dhe jeta në Perëndim propagandohej si skllavëri e klasës punëtore nga borgjezia, ishte i dënueshëm çdo mendim për më shumë liri të fjalës, të lëvizjes së lirë etj.

Ndryshimet në kushtet e jetesës dhe të banimit midis udhëheqjes dhe popullit tregonin dhe evidentonin më qartë nivelin më të ulët të varfërisë së popullit në krahasim me vendet e tjera fqinje dhe në tërësi me shtetet e përparuara evropiane.

Në kushtet e socializmit, kur propagandohej jeta e thjeshtë e udhëheqjes dhe gju më gju me popullin, binte në sy ndryshimi midis idealeve të komunizmit dhe realitetit mjeran shqiptar.

Udhëheqja pretendonte për përkushtim për shtetin e diktaturës së proletariatit, ekonominë socialiste, pronën shtetërore mbi mjetet dhe veglat e prodhimit, kolektivizimin e plotë të bujqësisë, duke iu hequr fshatarëve tokën, bagëtitë dhe shpendët. Njerëzit ishin bindur dhe jetonin në kushtet e varfërisë, ata detyroheshin ta pranonin si mirënjohje për lumturinë dhe mirëqenien që iu kishte siguruar socializmi dhe Partia e Punës.

Udhëheqja vetë jetonte e veçuar në kushte që për atë kohë ishin luks, me vila me kopshte, me të ardhura, ushqime, shërbime etj., të cilat tregonin për disnivelet e larta me popullin.

Udhëheqja lëvizte me makinat më luksoze të kohës “Mercedes Benz”. Makinat e parkuara demonstronin peshën e pushtetit edhe kur qëndronin para selisë së Komitetit Qendror, Kryeministrisë, Presidiumit të Kuvendit Popullor, Kuvendit Popullor, ministrive etj.

Edhe në kushtet që udhëheqësi ishte i sëmurë rëndë dhe nuk kishte mundësi të dilte në publik, mbrëmjeve të ditëve të festave, para ditës së votimeve për zgjedhjen e deputetëve etj., me porosinë e tij, inskenoheshin lëvizjet e makinës së tij të veçantë, duke u vendosur sozi që luante rolin e dublantit të udhëheqësit, për të treguar praninë, se udhëheqësi është në krye të detyrave të tij etj.

Kur lëvizte eskorta e udhëheqësit apo e kryeministrit, makinat e zeza luksoze të borgjezisë që bliheshin aq shtrenjtë për t‘i krijuar kushte, komoditet, siguri e krenari udhëheqjes, ngjallnin kuriozitetin dhe njëkohësisht frikën. Ato përbënin ngjarjen e ditës ose të kohës, si në rastet kur ishin të papritura, ashtu edhe kur organizoheshin, përgatiteshin e mësoheshin njerëzit për pritje, brohoritje, solidarizim, mirënjohje etj.

Mercedes Benz-i dihej se simbolizonte dhe tipizonte sistemin kapitalist, pronën private, nivelin më të lartë të zhvillimit të teknikës, diferencimin dhe dallimin midis kapitalizmit të zhvilluar dhe prapambetjes së dukshme dhe inferioritetit të socializmit si sistem politik, ekonomik e shoqëror. Me anë të imazhit që kishin arritjet bashkëkohore teknike të vendeve të zhvilluara kapitaliste, fshihej gjendja e vërtetë e brendshme. Socializmi, megjithëse me nivel të ulët, propagandohej zyrtarisht se ishte në nivele më të larta zhvillimi politik, ekonomik e shoqëror. Këtë propagandë e mbështeste edhe luku estetik e makinat moderne në përdorim.

Enveri dhe, në shembullin e tij edhe udhëheqësit e tjerë, u larguan nga premtimet e luftës e pasluftës, u veçuan nga populli dhe jeta e thjeshtë, visheshin me kostume e kapela të modës së kohës, udhëtonin me makinat e markës së fundit si udhëheqësit perëndimorë. Këto dallime dhe privilegje të udhëheqjes, e cila rrezatonte pushtetin e socializmit diktatorial me arritjet më të mira të kapitalizmit demokratik, ndikonin thellë në ndërgjegjen e njerëzve të thjeshtë, të komunistëve të sinqertë që sakrifikonin me ndërgjegje dhe me imponim, por që po formonin edhe bindjen për ta parë më realisht gjendjen dhe të ardhmen.Edhe pasardhësi me kushte që vinin në dukje rëndësinë e tij

Mehmet Shehu si pjesë e udhëheqjes ka gjurmën dhe peshën e tij në vendimet më të rëndësishme në të gjitha fazat e proceset e sistemit politik e të ndërtimit të vendit. Ai kishte krijuar edhe besimin në popull si pasardhësi i Enverit. Të dy këta udhëheqës do të gëzonin për veten e tyre edhe komoditete më të mira jetese në krahasim me kushtet e asaj kohe me nivel të ulët të mirëqenies e të banimit të popullit. Vila e re e kryeministrit, e ndërtuar për të në hyrje të bllokut të banimit të udhëheqjes, pas ndërtimit të vilës për fëmijët e Enverit, do të plotësonte më tej pushtetin e tyre.

Vila e re kryeministrore u bë objekti i demonstrimit publik të pasardhësit të pushtetit absolut të udhëheqësit të sëmurë rëndë.

Gëzimet e parakohshme apo urrejtjet e hakmarrjet do të bëheshin pjesë e dramës së rëndë. Vila do të bëhej vendi i tragjedisë së pasojave të luftës së egër për pushtet, vendi i horrorit të vrasjes së organizuar shtetërore në Bllok për eliminimin e kryeministrit në detyrë, të dyshuar gjithë jetën dhe në fund të akuzuar e dënuar politikisht e eliminuar me vrasjen makabre pas akuzave si tradhtar i popullit dhe poliagjent i Perëndimit.

Sa herë kaloja për të shkuar në universitet, mendoja se shtëpia luksoze për kushtet e asaj kohe, që po ndërtohej për kryeministrin, vinte më në pah rolin dhe autoritetin e tij si drejtuesi i ardhshëm i partisë dhe shtetit.

Njëkohësisht, vetvetiu më lindte pa dashje edhe parandjenja e një dyshimi për të ardhmen jo të sigurt të pasardhësit autoritar e të afirmuar në ambientet zyrtare dhe në opinionin shoqëror. Kur vlerësohesh shumë, rriten simpatizantët, por edhe të pakënaqurit dhe armiqësitë bëjnë punën e tyre. Fati ndikon që të kesh sukses, por edhe të ndëshkon kur nuk e pret dhe atëherë kur mendon se ke arritur një kulm, nga i cili mund të orientohesh dhe të veprosh edhe më tej, edhe më lart. Pikërisht në këto momente delikate ndodhin edhe rëniet pikiatë dhe shkatërrimi i dhimbshëm.

Rendi politik dhe shoqëror i asaj kohe kishte veçoritë e veta. Vendimet përfundimtare të Enver Hoxhës nuk arrinte njeri t’i parashikonte, për vetë karakterin e tij sa të simpatizuar në paraqitjen e jashtme, aq të fshehtë, të frikshëm dhe të rrezikshëm në marrjen e vendimeve dhe realizimin e tyre me vullnet të hekurt dhe gjithë forcën e mekanizmit shtetëror të ushtrimit të dhunës.

Zhvillimet e ngjarjeve politike kishin evidentuar qartë luftën për pushtetin më të lartë në radhët e udhëheqësve pretendentë potencialë për kreun e shtetit. Edhe në Shqipëri, si edhe në vendet e tjera socialiste, udhëheqësi kishte marrë të gjitha masat që të qëndronte në pushtet gjithë jetën dhe të përjetësohej edhe pas vdekjes, si në Bashkimin Sovjetik, Kinë etj. Përvoja tregonte se ambiciet për pushtet dhe për t‘u bërë pasardhës shoqërohen gjithmonë me të papritura surprizuese apo fatkeqësi me ngjarje dhe me tragjedi deri edhe makabre.

Kjo shtëpi e ndërtuar me projekt të veçantë sigurie dhe të ruajtjes së fshehtësisë, ishte menduar edhe si mjedisi me standarde për njeriun që po përgatitej për marrjen e pushtetit si pasardhës i udhëheqësit. Ndërtesa do të plotësonte më së miri kushtet e dëshiruara për banim dhe si studio pune jashtë orarit zyrtar, në orët e mbrëmjes. Fatkeqësisht, ajo do të ishte edhe streha e fundit ku do të ndodhte drama misterioze e eliminimit të kryeministrit.

Oaza e ndaluar e Bllokut të udhëheqjes tregonte qartë se një numër i vogël njerëzish të elitës më të lartë politike, që kishin pushtetin real në Shqipërinë socialiste, ishin diferencuar realisht nga populli me kushtet dhe mënyrën e jetesës me ndryshime të dukshme në krahasim me ato të njerëzve të thjeshtë. Standardet e ndryshme demaskonin vetë edhe propagandën zyrtare se “udhëheqja jeton dhe punon gju më gju me popullin”.

Kur njerëzit ngrihen aq lart dhe kur nuk respektojnë vullnetin e popullit dhe nuk plotësojnë nevojat kryesore të jetesës së njerëzve që i kanë zgjedhur apo që u janë imponuar me forcë me pushtetin e tyre, vjen papritur edhe momenti që ata do të bien aq poshtë, sa humbasin të gjitha të mirat dhe privilegjet që i japin vetes dhe i gëzojnë padrejtësisht. Ata nuk e shmangin dot fundin e turpshëm as duke u mbrojtur me forcën e armëve dhe të ushtarëve të indoktrinuar.
_____________________________________________________________________________________________________
***Qemal Lame
Rrëfimet e ish-Kryetarit të Hetuesisë së Përgjithshme Prof. Dr. Qemal Lame: Ju tregoj nivelin e jetesës së udhëheqësve të diktaturës dhe kontrasti i thellë me popullin. Përfitimet e pasardhësve të tyre dhe fortifikimi i Shqipërisë me bunkierë dhe tunelë si një nga rastet unik në botë

Kujtimet e ish-Kryetarit të Hetuesisë së Përgjithshme Prof. Dr.Qemal Lame – Si u krijua Blloku i udhëheqësave në Tiranë

– Udhëheqësit e diktaturës me nivel të jetesës në kontrast të thellë me popullin

-Forcat e armatosura dhe fortifikimi i Shqipërisë janë një rast unik në botë

Prof. Dr.Qemal Lame është publicist shqiptar, autor i disa librave memoartistikë për periudhën e komunizmit. Në vitet 1982-1992 shërbeu si Kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme të Shqipërisë.Ka lindur në Elbasan, më 11 shtator 1949. Ka kryer studimet në Fakultetin e Shkencave Politike dhe Juridike, Fakultetin Ekonomik, Akademinë Ushtarake, Shkollën e Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Doktor i Shkencave Juridike, Pedagog në Fakultetin e Shkencave Politike dhe Juridike në Universitetin e Tiranës. Në vitet 1982-1992 shërbeu si Kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme të Shqipërisë. U shkarkua në vitin 1992. Është studiues, analist, opinionist, publicist, autor i disa monografive, teksteve dhe librave. Aktualisht jeton në Gjermani, ku ka marrë azil politik dhe i është dhënë shtetësia gjermane.
Burimi : Gazeta Telegraf