Rush Dragu/INTERVISTA PËR KRYENGRITJEN ANTIKOMUNISTE TË MALËSISË SË MADHE

0
409

Eduard Aliko:Të nderuar teleshikuese, mirëmbrëma, ja ku u takuam sërish në emisionin tonë “Debati”. Sonte kam të ftuar publiçistin me origjinë nga Malësia e Madhe, z. Rush Dragu, i mirënjohur në komunitetin shqiptar si botuesi i portalit www.AlbDreams.net njëkohësisht botues i disa librave me karakter historik dhe letrar, një intelektual aktiv dhe pjesë e stafit të televizionit të komunitetit shqiptar në Michigan ACTV. Tema e bisedës të sotme ka të bëjë me një ngjarje të rëndësishme historike, me të ashtuquajturën kryengritje antikomuniste të Malësisë së Madhe, një ngjarje shumë e rëndësishme e historisë së Shqipërisë, kryengritje e cila është zhvilluar mes datave 13 janar dhe 15 shkurt të vitit 1945 në zonat e Shkrelit, Kastratit dhe Kelmendit në Malësinë e Madhe. Kjo kryengritje është një përplasje mes forcave nacionaliste të Malësisë së Madhe dhe forcave partizane dhe komuniste të cilat synuan të hynin me forcë dhe të vendosnin kontrollin mbi krahinën e Malësisë së Madhe në vitin 1945. Nga përplasja e armatosur pati shumë viktima nga të dyja palët; veçanërisht u dëmtuan, sigurisht, forcat që mbështesnin regjimin komunist dhe që kërkonin të vendosnin një kontroll të plotë në këtë territor. Siç dihet pasojat e kësaj ngjarjeje kanë qenë tragjike për krahinën e Shkrelit, Kastratit e Kelmendit, sidomos gjatë periudhës së regjimit komunist. Për rrjedhojë janë pushkatuar disa nga nacionalistët e luftëtarët e mirënjohur të Malësisë së Madhe, përmendim këtu Prek Calin, Llesh Marashin dhe Gjok Lulin. Të tre këta nacionalistë janë ekzekutuar nga forcat pro regjimit komunist, forcat e armatosura që u vendosën në Malësinë e Madhe. Biseda e sotme do të zhvillohet për të risjellë në kujtesën e shikuesve tanë faktet historike të kësaj kryengritjeje, duke bërë një analizë realiste mbi atë që ndodhi në Malësinë e Madhe në vitin 1945. Zoti Dragu mirë se vini në emsionin “Debati”!

Rush Dragu: Mirë se u gjeta dhe ju falemnderit për ftesën që më keni bërë për të prekur këtë bisedë në lidhje me vitin 1945 dhe më konkretisht me kryengritjen antikomunsite të Malësisë së Madhe.

Eduard Aliko: Le të fillojmë me pyetjen e parë pa humbur kohë: A mund të na paraqitni një tabllo të shkurtër të rrethaneve historike që i paraprinë kësaj kryengritjeje?

Rush Dragu: Po, zoti Aliko. Për fillim unë mendoj që ta ndaj në dy periudha këtë gjendje, këtë situatë politike, ekonomike, shoqërore të Malësisë së Madhe dhe të Shkodrës,  pasi nuk mund të merret e ndarë për këtë rast dhe për të gjithë historinë Malësia e Madhe dhe Shkodra, më konkretisht për vitet 1943 dhe pastaj 1944-45. Çfarë do të thotë? Në shikimin tim mendoj që ta ndajmë në këtë mënyrë, pasi viti 1943 ka dy lëvizje: Për herë të parë, partia komuniste, megjithëse ishte krijuar grupi komunist i Shkodrës, kishte vite sëbashku me grupin komunist të Korçës, që ishin zanafilla e krijimit të Partisë Komuniste Shqiptare, forca e partisë komuniste në Shkodër, nuk ndihej, nuk kish fuqi,  anëtarët dhe militantët komunistë në Shkodër nuk kishin fuqinë dhe autoritetin siç e kishin shokët e tyre në shumë rrethe të Shqipërisë. Në vitin 1943, në prill të këtij viti, mbahet konferenca e parë nacionalçlirimtare në Shkodër. Kishte si qëllim që të analizonte gjendjen në Tropojë, Kukës, Has, Pukë dhe Malësi të Madhe, meqenëse dihej se e gjithë kjo zonë përfshihej nga forca nacionaliste shqiptare dhe dihej që popullsia e kësaj zone nuk e mirëpriste Partinë Komuniste Shqiptare dhe nuk përkrahte forcat e lëvizjes nacionalçlirimtare. Në këtë konferencë u thirrën krerët e partisë komuniste, por edhe njerëz me influencë në popull. U mbajt në Dobraç, një fshat i afërt ngjitur në pjesën veriore të qytetit të Shkodrës dhe u diskutua që të niseshin emistarët e partisë komuniste në këto zona. Dhe më konkretisht: Unë kam nxjerrë nga arshiva që në Tropojë për të kontaktuar me nacionalistin e njohur Ram Muja u ngarkua Fahri Ramadani, në Has për të kontaktuar me nacionalistin Ymer Bardhoshi u ngarkua Isa Agoviku, Në Fushë-Arrës për të kontaktuar me nacionalistin Pashk Curri nisin Hilmi Llazanin dhe në Shkrel, për të kontaktuar me nacionalistin e njohur dhe komandantin e xhandarmërisë mbretërore të qarkut të Shkodrës, Llesh Marashin, ngarkojnë me detyrë Bejto Faslinë. Këta ishin përfaqësues të këshillit nacionalçlirimtar që caktoi konferenca e parë nacionalçlirimtare e qarkut të Shkodrës dhe ishin anëtarë të Partisë Komuniste Shqiptare. Duhet theksuar se i dërguari në Shkrel, Bejto Faslia ishte nga Reçi i Malësisë së Madhe, pra ishin nga njëra krahinë me Llesh Marashin. Në Kelmend, tek Prek Cali nuk u dërgua asnjë përfaqësues nga konferenca nacionalçlirimtare e as nga Partia Komuniste Shqiptare.

Eduard Aliko: Çfarë roli luante Prek Cali në Kelmend?

Rush Dragu: Prek Cali në Kelmend ishte i caktuar si komandant i forcave të kufirit nga mbretëria e Zogut, ishte nga familja e parë e bajrakut të Selcës, një burrë i njohur dhe autoritar, prijës në përpjekje dhe vendimtar në përcaktimin e vijës së kufirit të hartës së Shqipërisë, ishte njeri me influencë, i njohur jo vetëm në Kelmend, por në të gjithë Malësinë dhe në qarkun e Shkodrës. Figurë patriote, nacionalist i thekur e mbi të gjitha një antisllav i deklaruar. I them këto për arsye, i nxitur dhe nga literatura dhe nga historia e para viteve 1990, se çdo herë Kelmendin dhe Malësinë e Madhe i kanë akuzuar si tradhtarë, si bashkëpunëtorë me fashizmin e nazizmin, se nuk përkrahën zhvillimin e të renë, se nuk përkrahën forcat aleate të Luftës së II Botërore, gjë të cilat nuk janë të vërteta. Pse? Sepse edhe vetë historia e shkruar e së shkuarës, e partisë së punës e pranon se në Malësinë e Madhe e veçanërisht në Kelmend nuk ka pasë asnjë organizatë partie, në Kelmend nuk është asnjë anëtar i Partisë Komuniste Shqiptare në këtë periudhë. Po kështu edhe në zona të tjera të Malësisë së Madhe. Disa nga komunistët e njohur të Malësisë si Çun Jonuzi, Gjeto Keqi, Ramadan Reçi, Bejto Faslia as që bëhej fjalë për të kaluar Urën e Tamares dhe të futeshin në zonën e Kelmendit nga viti 1943 deri mbas shkurtit të vitit 1945, në një kohë që ata kanë lëvizur lirshëm në malësi, në terriotorin që ndodhet nën Malin e Zi për të organizuar atje shqiptarët për të bashkëpunuar me partizanët jugosllavë, gjë të cilët komunistët shqiptarë i kanë pritur në shtëpitë e tyre, u kanë dhënë me hangër, me pi, por idetë dhe qëllimet e tyre asnjëherë malësorët e malësisë nuk ua përkrahën.

Në këtë periudhë, paralel me konferencën nacionalçlirimtare të Shkodrës mbahet në Tuz besëlidhja, e quajtur Besëlidhja e Malësisë së Madhe, e organizuar dhe iniciuar nga nacionalistët, nga drejtuesit kryesorë, nga figurat, nga fytyrat e nacionalizmit të Malësisë së Madhe: Llesh Marashi, Gjelosh Luli, Prek Cali, Anton Perdoda etj. Në këtë konferencë që u mbajt në Tuz, krahas bajraktarëve dhe vojvodëve të malësisë, qe i deleguar dhe një major i milicisë italiane. Çfarë qëllimi kishte kjo besëlidhje? E para ishte që t’i organizonte këto krahina, që t’i delnin zot në kushte të një lufte vëllavrasëse mes njëri-tjetrit dhe në rastin e një invazioni sllav. E dyta, që ishte pikë e rëndësishme e kësaj besëlidhjeje, të ndalohej  propaganda partiake e çdo lloj partie, qoftë e Partisë Komuniste të Shqipërisë, Ballit Kombëtar  e Legalitetit  në këto zona. E treta, iu kërkua milicisë, ushtrisë italiane që të furnizonte me armë për të armatosur njësitë vullnetare që do të ngriheshin në Kastrat, në Shkrel, Kelmend dhe në fshatrat e tjera të Hotit, Grudës, Trieshit, Kojës. U krijua një shtab me qendër në Hot dhe komandant i këtij shtabi ishte Mul Delia, bajraktar i Hotit. Kjo ishte gjendja e Malësisë së Madhe në vitin 1943. Me kapitullimin e Italisë fashiste, Gjermania pothuajse nuk ka shkelë fare në Malësinë e Madhe, nuk është organizuar asnjë celulë e Partisë Komuniste Shqiptare. Po ashtu nuk ka pasë organizata të Ballit Kombëtar. Legalistët, mbretërorët e njohur, e kishin pushuar aktivitetin e tyre dhe ishin mbledhur më tepër në këto njësitë vullnetare, brenda tyre, në konturet e Malësisë së Madhe. Afërsisht kjo ishte gjendja. Përveç në Kelmend që ndjehej fryma e Partisë Komuniste Jugosllave, sidomos në fshatin e Vermoshit. Ardhja e emisarëve dhe e komisarëve nga Uzno brigada, agjitacioni dhe propaganda komuniste që filloi në sulm ofensivën e saj për t’ua mbushur mendjen krerëve të këtij fshati dhe të fshatrave fqinje të Kelmendit, arritën që mbas një periudhe kohe të anëtarsoheshin 2-3 nga kelmendsit, anëtarë të Partisë Komuniste Jugosllave, por në asnjë rast anëtarë në radhët e Partisë Komuniste Shqiptare.

Eduard Aliko: Partia komuniste nuk ka pasë organizatat e veta në Malësinë e Madhe, sikundër dhe ju e sqaruat. Po a kishte njerëz të dërguar përveç atyre që ju përmendët që të ishin nga Malësia e Madhe, vendës, të Malësisë së Madhe në zonat Shkrel, Kastrat e Kelmend që njiheshin si përkrahës të ideologjisë komuniste në vitin 1943?

Rush Dragu: Unë e thashë edhe më përpara, komunistët e parë të Malsisë së Madhe të njohur si Çun Jonuzi, Ramadan Reçi, Gjeto Keçi, Bejto Faslia kishin njëfarë aktiviteti në Shkrel e Kastrat dhe në zonën e Tuzit, por në asnjë rast në Kelmend. Ata vetëm pas vitit 1945 mund të kenë shkelë në Kelmend, dhe vetë kelmendasit, e ceka edhe më përpara, nuk ishin anëtarë të Partisë Komuniste Shqiptare, nuk e njihnin partinë komuniste, nuk e njihnin Ballin Kombëtar. Disa qenë mbretërorë, por ata e kishin ndërprerë veprimtarinë e tyre.

Eduard Aliko: Para pak kohësh në gazetën “Dita”, e cila botohet në Shqipëri, ish-ministri i mbrojtjes, Shaqir Vukaj, akuzon Kelmendin se e ka shkelur marrëveshjen dhe e quan përplasjen e armatosur si një shkelje të marrëveshjes dhe të traditës që ka malësia gjithashtu. A është e vërtetë kjo deklaratë?

Rush Dragu: Unë e kam lexuar gazetën “Dita” në dy-tre edicionet e botuara, nga një ish-ministër i qeverisë së dalë  mbas 1997-ës, ish-student i Moskës, Shaqir Vukaj, ku ka shumë pasaktësi dhe vetë përbrenda shkrimit. Nëqoftëse e lexon me vëmnendje, ka kontardiksione në mendim të vetin; nëqoftëse u referohemi vetëm thjesht dokumentave të arshivës së shtetit, të cilat, kuptohet, ato dokumenta janë të sistemuar nga komisarët politikë të Partisë Komuniste Shqiptare, në të cilët nuk thuhet në asnjë rresht e në asnjë shkronjë se ka pasë të deleguar nga shtabet e brigadave partizane, nga qarku i Shkodrës, nga partia komuniste, nga organizata e partisë komuniste të Shkodrës, për arsye se në Malësi të Madhe nuk ka ekzistuar,  ka pasë të deleguar ose ka pasë kontakte me kelmendas. Por, edhe vetë zoti Shaqir Vukaj,  duke iu referuar në shkrimin e tij Bejto Faslisë (Bejto Faslia është babai i Shaqir Vukajt), pra sipas ditarit të babait të vet, thotë se: “forcat partizane u nisën nga Shkodra në një marshim 2-ditor pa dijtë se ku shkojnë, pa dijtë se ke takojnë, pa dijtë se çfarë do t’i gjejë”. Janë tri fjalë në një fjali që i bie plotësisht ndesh kryeartikullit të ish-ministrit që forcat partizane u prenë në besë nga kelmendasit, që s’është fare e vërtetë. Nëqoftëse vazhdojmë më tutje: Brigada e I sulmuese, pra historiku i Brigadës së I  Sulmuese, të cilin unë e kam lexuar dhe i jam referuar shumë situatave politike dhe luftarke në atë libër, ku tekstualisht thuhet se “ne u nisëm në Kelmend sikur të niseshim me dhëndër e nuse për në dasëm. Nuk njifnim zonën, nuk njifnim vetëm një emër: Prek Calin, si nacionalist, antikomunist dhe antisllav e asnjë gjë më tepër, pa e dijtë se çfarë do të na priste”. Kjo hedh poshtë të gjitha thëniet e ish-ministrit, zotit Vukaj, se kelmendasit kanë pre në besë partizanët. S’ka pasë asnjë lloj bese, s’ka pasë asnjë lloj marrëveshjeje, s’ka pasë asnjë tentativë, asnjë emisar, asnjë të dërguar, as nga fronti nacionalçlirimtar dhe as nga partia komuniste në Kelmend.

Eduard Aliko: Në librin tuaj “Kelmendi-dritë hije” ju përshkruani gjërësisht këtë ngjarje të rëndësishme historike, që ka lënë gjurmë të thella në historinë e Shqipërisë e veçanërisht të Malësisë së Madhe. A mund të na risjellësh disa nga këto fakte historike, si ndodhi përplasja, cilat janë pasojat, pati të humbur, pati viktima, kush e fitoi këtë përplasje?

Rush Dragu: Do të bëj pak retrospektivë. Të gjitha bjeshkët e Kelmendit janë me varre kelmendasish të vrarë në luftra. Kelmendas të vrarë me turqit, kelmendas të vrarë në luftë me  malazez, kelmendas te vrarë në luftë me serbët. Dhe janari i vitit 1945 çon rriskun e keq që tek Ura e Tamares të ndodhi një përplasje, një betejë e përgjakshme që kelmendasit të vriten me shqiptarët, pra shqiptarët të vriteshin mes vehtes. Në rast se do të përshkruajmë brenda kufirit të emisionit, ngjarjet se si ndodhi beteja, do ta nisim me faktin se cilat forca partizane u nisën drejt Kelmendit dhe pse u nisën. Në Kelmend duhet thënë se nuk ka shkelë asnjë këmbë gjermani aty dhe italianët më tepër kanë qenë pushim: gjeologë, botanistë për të studiuar florën, faunen, pra nëntokën e mbitokën e Kelmendit se sa ushtarë të mirëfilltë efektivë të ushtrisë italiane. Nuk ka pasë asnjë përplasje, ka qenë një rrugëkalim i ushtrisë italiane. Gjermanë nuk ka pasë; dimri, malet që rrethojnë rreth e qark Kelmendin, as ujqërit që kishin zbritur deri poshtë, pra nuk kishte asnjë gjë që të shqetësonte as  shtetin, as zonën e asnjë njeri.

Në drejtim të Kelmendit nisen dy batalione partizane, batalioni i parë dhe batalioni i pestë.

Eduard Aliko: Cili ishte qëllimi, pse u nisën këta dy batalione, kur nuk ka pasë shqetësime, përderisa nuk ka pasë prezencë të pushtuesve?

Rush Dragu: Qëllimi ishte të vendosej pushteti popullor, pushteti komunist edhe në zonën e Malësisë së Madhe, më konkretisht edhe në Kelmend, e para; e dyta, që të justifikonin ndërhyrjen ushtarake dhe të justifikonin forcën e armëve. Emisarët jugosllavë kishin përhapur edhe në Shkodër edhe në Malësinë e Madhe se bandat e armatosura të Kelmendit në veçanti e të Malësisë së Madhe në përgjithësi, të mbështetura nga forcat aleate anglo-amerikane, të armatosura, të veshura e të ushqyera nga anglezët, po përgatiteshin për luftë, për t’i rënë Shkodrës dhe për të bërë të dështojë lufta nacionalçlirimtare, gjë që nuk ishte e vërtetë. Mbetej vetëm Besëlidhja e Malësisë në vitin 1943, që më kapitullin e Italisë fashiste pushoi së vepruari, nuk kishte më asnjë organizim, as të armatosur e as civil, përveçse mbeteshin armët që ushtria italine u suportoi forcave vullnetare të këtyre krahinave. Me një fjalë ishte një qetësi absolute në këtë zonë, s’kishte asnjë aktivitet politik, sepse s’kishte parti politike, s’kishte asnjë aktivitet ushtarak, sepse s’kishte forca ushtarake, përveç në fshatin Vermosh në vjeshtën e vitit 1944, brigada partizane Ozna jugosllave kishte hyrë në fushat e Velipojës dhe kishte ngritur fushimin që në saje të vendosmërisë së burrave të Vermoshit u ndalua një gjakderdhje mes kelmendasve dhe partizanëve jugosllavë dhe u detyruan të tërhiqeshin në territorin jugosllav. Kjo ishte panorama. Menjëherë shtabi i Brigadës I Sulmuese nisi batalionin e parë të saj që drejtohej nga Fejzi Micoli. Ç’është e vërteta, në luginën e Hotit, nga Koshnja deri në Rapshë nuk është pritur me armë, në saje të një marrëveshjeje që ka pasë Mehmet Shehu, komandant i Brigadës së I Sulmuese me një hotian, figurë e njohur, me autoritet në Hot, i cili në kontakt edhe me kryetarët e familjeve të mehallave të Hotit, ndaloi përplasjen me armë në mes të partizanëve  dhe të hotianëve. Njëkohësisht emisarët, komisarët e skuadrave e togave të këtij batalioni, bënë propagandë mes Hotit se menjëherë pas vendosjes së pushtetit komunist në Shqipëri do të bëhej bashkimi i  Hotit dhe i malësisë, gjë të cilën malësorët në shekuj e kanë dashtë. Sepse Hoti, dihet, një krahinë historikisht me emër në luftra, me histori të lavdishme të tij është i ndarë përgjysëm. Në këtë kontekst ata arritën ta mashtronin këtë popullsi dhe të hapnin rrugën drejt Kelmendit. Dhe menjëherë sapo janë futë në zonën e Kelmendit, pushka e parë është e batalionit, vrasin një fshatar duke shkuar në mulli për të bluar drithtë. Në këtë kohë forcat vullnetare që kishin marrë lajmin që forcat partizane po vinin në drejtim të Kelmendit lëvizin, sepse forcave partizane e komunistëve shqiptarë u kishte dalë nami i keq në Kelmend. Vetëm dy gjëra që propagandoheshin në Kelmend mjaftonin që të organizonte të madhin e të voglin në Kelmend për t’i pritë me pushkë ata: E para, aleanca e komunistëve dhe partizanëve shqiptarë me komunistët dhe partizanët jugosllavë, armikun shekullor të kelmendasve. Kjo ishte e para dhe kryesorja për t’i pritur partizanët e batalionit të brigadës së I me armë. E dyta, Partia Komuniste Shqiptare kishte në plan që të hiqte kishat, të ndalonte besimin ne fe, besimin në Krisht, që ishin dy faktorë shumë të rëndësishëm, të mobilizonte të madh e të vogël që mund të merrte armën për ta pritur, ishin dy faktorë që bënë një përplasje. E treta, kapadailleku, forca, thundra, çizmja ushtarake që erdhi me mospërfillje të krenarisë malësore që nuk e kishte shkelur turku, nuk e kishte shkelur malazezi, nuk e kishte shkelur serbi, nuk e kishte shkelur shkjau, ata erdhën dhe vranë kelmendasin duke shkuar për të marrë bukën për fëmijët e vet. Në këtë situatë ndodhi hataja, plasi lufta dhe vetë lugina, e cila është e bekuar nga Zoti, u ndodh mes tre zjarresh batalioni I i Brigadës së I Sulmuese. Dihet, pati shumë të vrarë. Në kufinjtë e tri ditëve u vranë 47 partizanë. Dhe pastaj ndodhi ajo histori që dihet.

Eduard Aliko: Batalione të tjerë mësynë në Malësinë e Madhe për t’u hakmarrë. Çfarë ndodhi?

Rush Dragu: Duhet thënë se para se të hynte batalioni i I i Brigadës së I  Sulmuese në Tamare, krerët e Kelmendit ishin në një mbledhje, për të diskutuar se çfarë dhe si do të veprohej: Bajraktari i Selcës, bajraktari i Lëpushës, bajraktari i Vuklit dhe Prek Cali. Përgjithësisht situata ishte konfuze, jo e saktë, nuk ishte taman i përqëndruar vendimi se çfarë do merrej, si do bëhej e si do të veprohej, për arsye të asaj thënies  që ka dominuar në malësi se kush merr kalanë e Shkodrës sundon edhe vendin, pra ai që është zot i kalasë është dhe zot i atyre trojeve. Pra nuk ishte një paraqëllim që shqiptarët kelmendas të vrisnin partizanët shqiptarë, pra nuk ishte një qëllim të derdhej një gjak shqiptari dhe lugina e Cemit të skuqej nga gjaku në mes të dimrit. Është vetë gabimi i shtabit të Brigadës së I Sulmuese, është vetë gabimi i Partisë Komuniste Shqiptare, e cila në mënyrë djallëzore, e instruktuar nga Partia Komuniste Jugosllave, nga emisarët e Partisë Komuniste Jugosllave, nuk çuan për asnjëherë, asnjë përfaqësues të nacionalçlirimtares, e as të Partisë Komuniste Shqiptare për të ra në kontakt me këta banorë, me këta kelmendas, me këta malësorë, që të ndalohej gjakderdhja. Qëllimi ishte që t’i merrej haku kelmendasve, duke mos arritë që serbët e malazezët  të na shfarosnin në shekuj, të shfarosnin njëri-tjetrin shqiptarët. Kjo është një dorë e fshehtë e Partisë Komuniste Jugosllave.

Eduard Aliko: Pra, ju mendoni se gjithçka shkoi në favor, në avantazh të forcave komuniste jugosllave, të qëllimit jugosllav për të përçarë shqiptarët. Ka një tjetër fakt që vjen nga historia e kohës së komunizmit. Është akuzuar Prek Cali, një nga nacionalistët e Kelmendit, sikur ka pas qenë në lidhje të forta politike me forcat çetnike jugosllave të Plavës e Gucisë. Akuza është që Prek Cali me forcat serbe, jugosllave, do u kundërvihej forcave shqiptare partizane.  Këtu ka dy gjëra të kundërta: ju thoni se kjo shkon në favor të komunistëve jugosllavë, që shqiptarët të përplaseshin me shqiptarët, por në anën tjetër komunistët shqiptarë akuzuan Prek Calin si të lidhur me çetnikët jugosllavë. Cili është komenti juaj?

Rush Dragu: Duhet thënë që Partia Komuniste Shqiptare është krijuar nga Partia Komuniste Jugosllave, kjo dihet, nga emisarët politikë të kësaj partie në Tiranë. Gjithashtu duhet përmendur dhe nuk duhet anashkaluar për asnjëherë se Prekë Cali nuk mund të bënte aleancë asnjëherë me serbët dhe as me malazezët, sepse vendosmëria e tij si prijës popullor, legjenda e maleve, legjenda e kufinjve të shtetit verior të Shqipërisë, bëri që t’ua heqë të drejtën serbëve dhe malazezëve në veri për të kaluar nepër luginën e Kelmendit në drejtim të portit, pra rruga nga Plava, Gucia përmes Kelmendit u shkurtonte serbëve afro 200 km për t’u futë në bregdet. Gjithashtu vendosmëria e kelmendasve me në krye Prek Calin hek luginen e bukur e përrallore të Vermoshit dhe pyjet shekullore, një pasuri të çmuar të Shqipërisë. Nuk është e vërtetë se Ahmet Zogu dhe qeveria e tij i kanë shitur Serbisë Vermoshin, por është pa aftësia e komisionit të kufinjve të ambasadorëve të caktuar që nuk shkelën asnjëherë deri në vitet 1922-23, qe vendosmëria e Prek Calit që bëri që edhe kryeministri Mithat Bej Frashëri, edhe përfaqësues të ambasadorëve të Fuqive të Mëdha të Gjermanisë, Anglisë dhe Francës të përcaktonin vijën kufitare, e cila u hiqte të drejtën e kalimit nga Fushë Kosova në drejtim të Malit të Zi. Pra ishin disa vlera që kishin të bënin politikisht, ekonomikisht, historikisht e ushtarakisht, në përplasje në luftë e me vëllavrasje, që e përjashtonin mundësinë e bashkëpunimit të Prek Calit, si armik shekullor të jugosllavëve, e kjo s’është e vërtetë. Por historia e para 1990-ës ka spekulluar me dy ngjarje që kanë ndodhur në Kelmend e më konkretisht në pjesën e Vermoshit, në zonën e Malit të Zi. Në vitin 1943 ndodhi një përplasje etnike mes malazezëve e boshnjakëve në territorin rreth Vermoshit. Dhe boshnjakët bëjnë  barbarizëm mbi popullsinë malazeze, gjë të cilën e detyrojnë të shpërngulet, të braktisin trojet, i detyrojnë të gjithë burrat, që ishin për armë, edhe fëmijët e djemtë të zhdukeshin ose të përfundonin nën bajonetat e boshnjakëve. Mbeten në këtë zonë vetëm gra, vajza dhe pleq e plaka. Është e vërtetë që Prek Cali, në atë kohë, me fuqinë, si ta quajmë të një komandanti popullor, në bashkëpunim e marrëveshje me burrat e Vermoshit e të Kelmendit i ka ndihmuar këto familje ekonomikisht, me bukë, për të punuar tokën, i ka ndihmuar për të   kaluar dimrin me bagëtitë e tyre.  Kjo është njëra. E dyta, është një përplasje që pak ditë pas kapitullimit të Italisë fashiste, në Guci ka qenë me një garnizon Italian. Prek Cali në atë kohë ka pasë një shtëpi në Guci. Për fatin e tij të keq, do të themi, në atë kohë kur ai shkon në shtëpi, rrethohet nga forcat partizane jugosllave, rrethohet edhe garnizoni italian që kishte mbetur me pak ushtarë. Menjëherë përhapet lajmi në Kelmend dhe forcat e Kelmendit shpëtojnë Prek Calin, por nuk lajnë në dorë të partizanëve jugosllavë as armatimin e as ushqimet italiane, që ranë në dorë të kelmendasve. Këto nuk janë marrëveshje me çetnikë, këto janë si quhet në kohët e sotme ndihmë humanitare që i jepet popullsisë civile të pa aramatosur, në mjerim lufte, të cilat nuk vertetojnë asnjëherë se Prek Cali ka pasë marrëveshje me çetnikët.

Eduard Aliko: T’i kthehemi përsëri ish-ministrit të mbrojtjes, Shaqir Vukaj, i cili përsëri në gazetën “Dita” të Tiranës përmend faktin se kelmendasit kanë keqtrajtuar robërit e kapur gjatë përplasjes, kryengritjes antikomuniste të Malësisë së Madhe, të cilët ishin nga forcat nacionalçlirimtare, nga forcat komuniste. A është e vërtetë, a janë keqtrajtuar robërit e luftës, ata që u kapën rob në këtë përplasje?

Rush Dragu: Zoti Aliko, po më ngacmoni në këtë drejtim. Në shkrimin e tij zoti Shaqir Vukaj ka disa qëndrime shumë dashakeqëse ndaj kelmendasve. E para, që e diskutuam edhe më heret, thamë se kanë prerë në besë forcat partizane e kanë shkelë marrëveshjen. E dyta, që të fusin në ngatrresë kelmendasit me…………, se diku në një paragraf të shkrimit të tij thotë se në traditën e Malësisë së Madhe kur një mal i çon miq një mali tjetër dhe mali tjetër i pret me pushkë, miqtë hyjnë në hasmëri dhe në luftë njëri mal me tjetrin. Kjo është e vërtetë, por Shaqir Vukaj duhet ta dijë se ata nuk ishin miq as të Hotit e të Kelmendit, nuk shkonin as të merrnin e as të jepnin nuse, ata nuk shkonin as në konferenca, as në mitingje e as në festivale. Ata shkonin si ushtri për të vënë pushtetin e tyre me forcën e armëve, se zona e Kelmendit as nuk ishte në luftë, as nuk ishte në …….., por krejt mirë si në zonat e tjera, emisarët e pushtetit mund të ngrinin këshillat nacionalçlirimtare. E dyta, kur thotë për robërit e luftës: forcat  vullnetare, që mund t’i quajmë, ose nacionalistët kelmendas, në përplasjen me armë te lufta e Tamares janë vrarë 47 partrizanë, sipas arkivave të Brigadës së I Sulmuese, me emra që janë partizanë dhe mes tyre është plagosur komandanti i tyre, Fejzi Micoli, i cili ishte nga Bolena e Vlorës. Dhe ka luftuar deri në fishekun e fundit, ç’është e vërteta. Ka qenë bashkë me një partizan tjetër. Dhe kur u janë afruar dy fshatarë, i ka dhënë urdhër partizanit që t’i qëllojë. Më në fund është kapur rob.  Është mbledhur ai gjyqi i luftës dhe më në fund e kanë pushkatuar Fejzi Micolin. E vetmja që mund të pranojmë atë që thotë Shaqir Vukaj se është keqtrajtuar robi i luftës. Nuk ka pasë gjykata as në Shkodër, as në Koplik, as në Tamare, as në ndonjë fshat të Gucisë së Madhe, gjykatë speciale të luftës, por gjyqet në flakët e luftës i kanë bërë shtabet e luftës. Pse nuk e pranon Shaqir Vukaj se çfarë ndodhi me robërit e luftës nga partizanët e Brigadës së I Sulmuese? Unë kam nxjerrë disa shembuj, sepse jam duke e ripunuar këtë pjesë, këtë kapitull në librin tim, i nxitur posaçërisht nga shkrimi dashakeq i zotit Vukaj, kam nxjerrë disa robër lufte të vitit 1945 që janë pushkatuar në Tamare. Dhe konkretisht: Shytan Tomës, i rjepin lëkurën e kokës dhe ashtu e fusin të gjallë në gropë dhe e mbulojnë me gurë, pa e pushkatuar, pa e therë. Nuk e di se çfarë emri mund t’i vemë ish-ministrit? Tom Luc Prela me djalin, Markun, e kanë mbytë duke e rrahë me hu, jo me gurë, jo me  pushkë, por me hu, derisa ka vdekë si burrë. Ujk Mark Bigu, me të dy vëllezërit, e kanë pushkatuar, nuk e kanë lënë në varreza, por e kanë hedhur në një gropë të patateve, ku ka pasë edhe patate të kalbura dhe aty mbi ta kanë hedhë disa gurë. Ded Gjon Bajraktari, i varruar nga lufta, pra pas dy ditësh i varruar, e kanë marrë dhe e kanë hedhë për së gjalli në kullën që i kishin vënë flakën, e kanë hedhë gjallë mes flakëve të shtëpisë. Pero Kollashin, një gucian, që ka marrë pjesë në përpjekjet e luftës së Tamares, e kanë pushkatuar tek varri i komandantit Fejzi Micoli dhe pastaj ia kanë prerë kokën, duke e lanë mbi dhé. Nik Luc Gjon Bajraktari, u arrestua e pushkatua tek varri i komandantit Fejzi Micoli dhe pastaj ia kanë pre kokën, në njenen anë trupi, në anen tjetër koka. Losh Fran Alia me të vëllanë, Ded Fran Alinë, i kanë pushkatuar po tek varri i komandantit partizan e më pas ua kanë prerë kokat e nuk i kanë lanë me i varrosë, derisa ka shkuar një grua dhe i ka varrosë pas tri ditësh. Fran Zefit t ia kanë nxjerrë sytë me brisk për së gjalli, më pas e kanë futë në gropë, tuej i hedhë gurë përsipër, por pa e pushkatue. Rrok Zefin, e rrahin, e bëjnë për vdekje dhe e hedhin në humnerë, pa e pushkatue. Nuk e di se çfarë emri mund t’i vejmë trajtimit të të gjithë robërve të luftës?

Eduard Aliko: Me sa duket hakmarrja e të dyja palëve ka qenë jashtë rregullave të një ushtrie të organizuar, që funksionon mbi bazen e ligjit, bëhet fjalë për vitin 1945 kur edhe forcat nacionalçlirimtare vinin nga lufta dhe ende nuk ishin mësuar me atë lloj sjelljeje apo përgatitjeje ushtarake…që ndaj robërve…

Rush Dragu: (e ndërpret) Të vjen keq një ministër i kohës së pluralizmit, një ambasador i Shqipërisë në Moskë i kohës së pluralizmit, nuk mund të themi një ish-student i kohës së Enverit në Moskë, të përdori mbas 25 viteve gazetarinë e realizmit socalist, të përdori gazetarinë e kohës së Enver Hoxhës, të flasi me një cinizëm, të ulin dinjiitetin e malësorëve, të përdorin vetëm pjesët e dobëta të malësisë, varfërinë, të pashkolluarit. Në një kohë kur edhe partizanët ishin malësorë të jugut, të pashkolluar, dihet se këto janë të shkruara nga historia e luftës  nacionalçlirimtare, që i keni lexuar edhe ju, edhe unë, të cilët kurset kundër analfabetizmit i përgatitën, i ngritën këta partizanë se edhe ata ishin analfabetë,  si dhe forcat partizane. Dhe të flitet me këtë gjuhë, me këtë urrejtje bëhet për të vetmin qëllim dhe unë do të shkruaj, do të përpiqem të botoj në një organ qëndror dhe do t’i thoja zotit Vukaj se kjo është një hakmarrje primitive që do të bëjë ndaj Kelmendit, ndaj Malësisë së Madhe për arsye se në vitin 1998, zoti Vukaj nuk arriti të marrë votat si kandidat për deputet në Parlamentin Shqiptar, bile as vetë komunistët e Malësisë së Madhe nuk votuan për zotin Vukaj. Dhe tashti, në shenjë hakmarrjeje, na rikthen edhe njëherë historinë e Partisë Komuniste Shqiptare.

Eduard Aliko: Zoti Dragu, në këto vite të tranzicionit në Shqipëri kjo përplasje në mes të forcave nacionaliste dhe forcave nacionalçlirimtare, është quajtur kryengritje antikomuniste e Malësisë së Madhe. A jeni ju me këtë karakterizim si kryengritje e Malësisë së Madhe apo mendoni se si ngjarje historike mund të karakterizohet ndryshe?

Rush Dragu: Kategoritë dhe nënkategoritë shkencore të historiografisë shqiptare edhe tashti që flasim i mungon taman shkencërisht përcaktimi i një lufte, i një përpjekje, nuk kemi ende  një kategori shkencore për historinë e popullit dhe të vendit tonë. Por unë do të them këtë se nëqoftëse i marrim në konceptimin klasik të kryengritjes do të thotë se një popull ngrë krye kundër një pushtuesi, kundër një sunduesi, qoftë edhe vendës, do të thotë se një popull ngrë krye kundër padrejtësive. Unë do i vë përballë dy-tri gjëra: forcat komuniste dhe forcat nacionaliste. Forcat komuniste vinin në Shqipëri dhe konkretisht në Kelmend për të vendosur pushtetin e tyre,  për të hequr besimin fetar, që e konkretizuan në vitin 1967. Forcat nacionaliste luftonin për ta ruajtur besimin  fetar,  gjë të cilën nuk e arritën nga viti 1945 deri në vitin 1990. Po çfarë tregoi, cila ishte e vërteta, me cilën palë? Forcat komuniste luftuan që të hiqnin pronën private, të shfarosnin, vrisnin, të persekutonin të pasurit, pronarët e tokave, t’i rrafshonin dhe t’i bënin të gjithë të varfër. Forcat nacionaliste e kishin të shenjtë pronën private. Për 50 vjet forcat nacionaliste dështuan. Në vitin 1990 e drejta dhe e vërteta qëndron me forcat nacionaliste. Janë dy themele mbi të cilat mbështetet fort e drejta mbi forcat nacionaliste. E treta, në Malësinë e Madhe, por në të gjithë Shqipërinë, armik përveç turqve e grekëve, armiku kryesor ka ka qenë serbi. Në vitin 1945 aleati, miku më i madh i partisë komuniste, i shtabeve të brigadave partizane, ishin emisarët jugosllavë. Armiku kryesor, i betuar i malësorëve dhe u kelmendasve. Si mund të pranonin emisarin serb të shtrohej këmbëkryq në një sofër me burrat e Kelmendit? E drejta vonon, por dikur del. Të gjithë ata që deshën të bënin, eksperimentuan mbi popullin e vet, mbi vehten e tyre. Eksperimentuan mbi nacionalistët, zhdukën fenë, dua të them prap për Kelmendin vetëm tre priftërinj kanë pushkatuar për ngjarjen e vitit 19…, nuk janë pak për një zonë, për një Kelmend tre priftërinj: Dom Ded Maçaj, Dom Dedë Malaj, Dom Ded Sirdani nga Gurra. Këto përplasje vijnë si pasojë e rrymave politike e ideologjike të kundërta, është një luftë vëllavrasëse. Në konceptin e një kryengritjeje, ata nuk e kishin vendosur pushtetin, në konceptin e së drejtës ishte dhe është para Zotit dhe para historisë me vendasit. Kelmendasit ishin në shtëpinë e vet, ata kishin ardhur. Kelmendasit nuk kishin as nevojë për ndihmë, as nuk ishin në luftë, ishin në paqe mes vedit dhe mes komshinjve malësorë të tjerë. Kjo ishte që malësori nuk e deshi skllavërinë. Vendosi çdo lloj emri, vendosi skllavëri turke, vendosi skllavëri sllave, vendosi skllavëri italiane,  gjermane, vendosi çdo lloj skllavërie, si gjithë popullit shqiptar dhe rrisku i takoi kelmendasve, në një përplaseje, në një luftë vëllavrasëse, një lufte civile, një kryengritjeje kundër idologjisë komuniste. Nuk është se do ofendohet një komunist se do të thuhet kryengritja antikomuniste e Malësisë së Madhe. Nuk ka pse të ofendohet. Është e vërtetë: ideologjia marksiste-leniniste, ideologjia komuniste e Partisë Komuniste Jugosllave drejtoi ata forca partizane që më zjarr dhe hekur vendosën pushtetin e tyre në Malësi të Madhe, t’i prenin kokën çdo njërit që guxonte të thoshte fjalën e lirë. Atëhere ku ta katagorizojmë, ku të kategorizojmë emisarë politikë si Shaqir Vukaj? Përveç se një kryengritje, në një formë më të vogël a më të madhe, ajo është një kryengritje kundër një ideologjie, që unë e quaj kryengritje antikomuniste.

Eduard Aliko: E përfundojmë këtu bisedën me zotin Rush Dragu, një nga publicistët e njohur të krahinës së Malësisë së Madhe, i njohur njëkohësisht  në komunitetin shqiptar sikundër dhe e përmendëm për publikimin e portalit www.albdreams.net me konkluzionin që kryengritja antikomuniste e Malësisë së Madhe ishte kryengritje për arsye të ballafaqimit ushtarak që bëri Malësia e Madhe me forcat nacionalçlirimtare, pra ishte kryengritje, një bashkim i të gjitha energjive e fuqive ushatarke që kishte krahina e Malësisë së Madhe për t’u përballur me një batalion të forcave nacionalçlirimtare, nuk është kryengritje që vjen mbas vendosjes së kontrollit të një regjimi të caktuar politik dhe ushtarak, por është një kryengritje për të mos e lejuar instalimin e këtij regjimi politik, është një vëllavrasje mes  shqiptarëve, padyshim është një vëllavrasje, pati pasoja të mëdha për krahinën e Kelmendit, duke pasë parasysh se kjo e rreshtoi të gjithë krahinën në krahun e të ashtuquajturve armiq të regjimit komunist…

Rush Dragu: (E ndërpret moderatorin) Janë 77 burra të pushkatuar si pasojë e kësaj kryengritjeje antikomuniste dhe çdo nga këto 77 kanë marrë 77 të tjerë me damkën e tradhtarit, 77 të tjerë me damkën e ekstra tradhëtarit. Edhe vetë ata që patën rriskun të bëhen anëtarë të partisë komuniste, të Partisë së Punës të Shqipërisë, prap damka e këtyre tradhtarëve, në thonjëza, të 1945-ës, si hije i ka ndjekur nga mbrapa.

Eduard Aliko: Pra e ashtuquajtura lufta e klasave që u zhvillua me ashpërsi nga regjimi komunist pati pasojat e veta të mëvonshme në krahinën e Kelmendit, duke mos i kushtuar vëmendje e krijuar mundësitë  për t’u zhvilluar nga ana ekonomike, kulturore e të tjera, por edhe gjithmonë pati atë biografinë e papërshtatshme për të qenë një krahinë e trajtuar në mënyrë të barabartë gjatë regjimit komunist…

Rush Dragu: (E ndërpret sërish moderatorin) Tepër të diferencuar, sa edhe në hartat gjeografike dhe administrative të shkollave nga 8-vjeçarja deri në shkollë të larta, krahina e Kelmendit ka qenë fshirë fare, nuk ekzistonte emri Kelmend. u soportua me forcë emri i Vermoshit, që është gjysma e krahinës së Selcës në një fshat të Kelmendit, dhe mbeti në gazetarinë e publicistikën komuniste, paraqitja edhe në televizion, edhe në radio e kudo në mbledhje e takime Vermoshi, Vermoshi vetëm e vetëm se kishte lënë një plagë tek forcat komuniste, tek ideologjia komuniste, tek praktika e tyre, por edhe jo pak tek kelmendasit. Ata gjithmonë kanë folë aty ku u ka dhimbtë atyre, po këtyre kelmendasve, që gjithë këta të pushkatuar, gjithë këta të persekutuar, gjithë këta të burgosur e të internuar iu fshi emri i krahinës, Kelmendit?!

Eduard Aliko: Pra të nderuar teleshikues duke shpresuar se nepërmjet kësaj bisede kemi hedhur ditë mbi faktet historike të kryengritjes antikomuniste të Malësisë së Madhe të vitit 1945, në përfundim desha të falnderoja zotëri Rush Dragu për praninë e tij dhe ju urojmë juve natën e mirë dhe mirë u pafshim në emsionin e ardhshëm!

Shenim : Kjo interviste eshte dhene per televizionin ACTV në Michigan të SHBA,drejtorit te atij televizionit Prof.Eduard Aliko me 26 shkurt 2016 dhe eshte zbardhur per botim nga Prof.Skender Temali.Ne po e risjellim te plote.