Refuzimi i gazsjellësit Maqedoni-Kosovë është i arsyeshëm

0
1709
Geri Selenica
Executive Director at Albanian Center…
Gazsjëllesi Maqedoni-Kosovë strategjikisht është një zgjidhje e gabuar. Furnizimi i Kosovës nga ky gazsjellës do të kishte dy burime: gazin e Azerbajxhanit nëpërmjet TAP and gazin natyror të lëngët (LNG) amerikan nëpërmjet terminalit të Aleksandrupolit në Greqi.
Së pari, TAP nuk ka ndarë asnjë sasi gazi për Kosovën, bile as për Shqipërinë. Në se qëllimi është që Kosova të kyçet në TAP, normalisht nga pikpamja tregtare rruga më e shkurtër është kyçja nga Maqedonia dhe Greqia. Kjo ide me shumë gjasa besoj është shtyrë nga Operatori Helenik i Sistemit të Transmetimit të Gazit (DEFSA), i cili mirëmban TAP në territorin e Greqisë dhe ka aksioner po aksionerin e TAP – SNAM, Itali https://www.snam.it/en. Pra don të zgjerojë tregun.
Nga pikpamja strategjike dhe afatgjatë Kosova duhet e kyçet me TAP nëpërmjet Shqipërisë dhe jo Maqedonisë. Projekti ALKOGAP është tashmë i studjuar nga BE. https://www.energy-community.org/regionalinitiatives/infrastructure/PLIMA/Gas13.html#:~:text=The%20Albania%2DKosovo*%20Gas%20Pipeline,part%20of%20eastern%20brunch%20of
Së dyti, në se ky gazsjellës mund të sjellë edhe LNG amerikan, duhet të shpjegojmë se LNG amerikan transportohet me tankera, të cilët mund te shkarkohen ose në Aleksandrupoli, Greqi ose në Vlorë ose Porto Romano, Shqipëri. Transporti për në Kosovë ose mund të bëhet në gjendjen e lëngshme me hekurudhën e re që do të ndërtohet midis Shqipërisë dhe Kosovës ose mund të gazifikohet në port dhe të futet në tubat e ALKOGAP. Kjo është një lojë konkurence midis DEFSA, Greqi dhe Shqipërisë, se kush do ta kapi tregun e Kosovës.
DEFSA duke qënë aksionere në Njësine Lundruese të Magazinimit dhe Rigazifikimit (FSRU) të Aleksandupolit ka nevojë të rrisë tregun e LNG amerikane në Ballkan thjeshtë për interesin e saj të biznesit. https://www.desfa.gr/en/press-center/press-releases/o-desfa-sth-metoxikh-syn8esh-toy-fsru-alejandroypolhs
Në këtë njësi kanë hyrë aksionere edhe qeveria e Sërbisë dhe e Maqedonisë, që asnjë nuk i përmend në media. Pra Kosova i bie të furnzohet me gaz amerikan nga një kompani ku qeveria sërbe është aksionere. Qeverinë e Kosovës nuk e fusin dot aksionere për shkak të Sërbisë, kështu që tregun e Kosovës duan ta kenë nën kontroll me gazsjellësin, pa e futur qeverinë e Kosovës ai aksionere.
Kjo sasi LNG amerikane që tregu i Kosovës mund të konsumojë, duhet të futet në Kosovë nga Shqipëria dhe jo nga Greqia e Maqedonia, pasi kjo i rrit vlerën portit të Vlorës ose të Porto Romanos, i jep punë hekurudhës ose gazsjellësit Shqipëri-Kosovë duke forcuar ekonominë dhe pavaresinë kombëtare. Qeveria e Kosovës duhet të përfshihet në studimin që po bën qeveria amerikane për LNG në Shqipëri.
Pra mosbërja e gazsjllësit nga Maqedonia nuk ka kurrfarë lidhje me cënimin e interesave amerikane. Interesat amerikane plotësohen si të shkarkohet LNG në Shqipëri e si në Greqi. Këtu bëhet fjalë se kush do ta kontrollojë tregun e Kosovës dhe forcat politike në Kosove duhet ta mbështesin qeverinë e Kosovës dhe mos të hedhin fishekzjarre në mes të ditës se po prishen me Amerikën, thjeshtë për përfitime elektorale. Interesat kombëtare janë më të rëndësishme se ato partiake.
ALKOGAP duhet ndërtuar, bile me kapacitet 3 herë më shumë se ai i parashikuari, edhe për arsyen tjetër, se shumë shpejt Kosova do të behet vetë eksportuese e gazit. Teknologjia e gazifikimit të thëngjillit ka ecur mjaft dhe shumë shpejt do të bëhet e zbatueshme. Kjo do ta kthejë Kosovën në Katarin e Europës.
Në fakt Qeveria e Kosovës duhet të fokusohet tek thengjilli, pasi ka rezervën më të madhe në Europë dhe nuk duhet të influencohet shumë nga teoritë e gjelbra dhe sygjerimet për tranzicionin e nevojshëm energjetik me gaz. Në këto lëvizje ekologjike duhet të kemi parasysh mirë dimensionin historik, se kush e ka shkaktuar dhe e shkakton ndotjen e ambjentit global. Të gjitha shtetet e industrializara janë zhvilluar së pari nga shfrytëzimi qindravjeçar i qymyrit dhe janë po ato që e ndosin atmosferën. Kështu që rregulli nuk duhet zbatuar vetëm tek më të dobtit, si Kosova. Vjet u inagurua në Gjermani termocentrali me qymyr Datteln 4 (https://www.uniper.energy/de/datteln-4), apo në Ptolemaida, Greqi (https://www.nsenergybusiness.com/projects/ptolemaida-power-station-expansion/).
Pra ideja se do ta prodhojmë rrymën në Kosove me gaz importi është një tallje me Kosovën dhe përfitim nga injoranca dhe servilizmi i disa politikanëve.
Interesi strategjik real i SHBA është pavarësia energjitike e Kosovës dhe nuk ka nevojë SHBA të futet në konkurencën e tregtarëve të gazit.
Përveç kësaj edhe një detaj teknik, pasi pjesa më e madhe nuk e di si funksionon tregu LNG. Edhe në se doni të blini sot LNG në SHBA nuk ka, pasi LNG shitet me kontrata afatgjata 25 vjeçare. Vetëm pasi parakontraktohet, atëhere investohet në kapacitetet nxjerrëse, përpunuese dhe transportuese. Pra SHBA tani në Kosovë e Shqipëri është ende në fazën studimore, se sa LNG mund të thithin këto tregje të vogla, të cilat nuk kanë asnjë peshë në ekonominë amerikne.
Gazsjellësi nga Maqedonia është thjeshtë një konkurencë tregtare e operatorëve të gazit, e mbështjellë me një mjergull të rrejshme si interes amerikan, për të përfituar nga padija e konsumatorit kosovar.
Gazsjellësi Maqedoni-Kosovë mund të ndërtohej, vetëm pas ALKOGAP, si një infrastrukture dytësore, thjeshtë për të krijuar unazën e gazit, por edhe për të eksportuar gazin e Kosovës.
Përgatiti
 Geri Selenica