PUBLICISTIKA SI DËSHMI E HISTORISË

0
735
Arben Çokaj - Për demokracinë - kop

[ Blej online: Për Demokracinë ]

PARATHËNIE

Libri me publicistikë nga Arben Çokaj, PËR DEMOKRACINË, 50 shkrime – 318 faqe, botuar nga ‘Fiorentia’, Shkoder, ISBN: 978 992 838 240 5

Mentor Kikia

Me Arben Çokaj njihemi që në vitin 1988, ndërsa filluam studimet në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, ne degën e Fizikës. Edhe pse studentë të Fizikës, na bashkonte pasoni për “angazhimin publik” dhe për letërsinë e gazetarinë, dhe shpejt nisëm të mbivendosnim shkencën me publicistikën. Unë kam shkruar shumë artikuj, pasi pas diplomimit në Fizikë, “ndërrova rrugë”, dhe iu përkushtova me kohë të plotë gazetarisë. Kam vendosur shumë herë ti përmbledh, por asnjëherë nuk e kam çuar deri në fund vendimin.

Kur miku dhe kolegu im Arben Çokaj më informoi se ka bërë një libër dhe kërkonte t’i shkruaj parathënien, i premtova me shumë entuziazëm se do ta ketë gati shumë shpejt. Në fakt “shumë shpejt” nuk ishte edhe “shumë shpejt”, pasi unë nuk u mjaftova që t’i hidhja “një sy” librit, por e lexova të gjithin. E lexova sepse u përfshiva në një kohë, të cilën e kisha jetuar dhe po e ripërjetoja, duke u kredhur në dëshmitë dhe faktet, për të cilat edhe unë kisha shkruar në të njëjtën kohë.

Mbi të gjitha, e lexova sepse pas çdo artikulli që lexoja, bindesha që ata janë ende aktualë, jo për meritë të Arbenit, por për fatkeqësinë tonë si shoqëri. Tre dekada pas rënies së komunizmit, duket sikur thjeshtë rrotullohemi rreth vetes, pa mundur të futemi në udhën që aspirojmë.

Kam provuar të njëjtën ndjesi trishtuese, ndërsa kam lexuar e rilexuar publicistikën e Branko Merxhanit, një prej mendimtarëve më të mëdhenj të gjysmës së parë të shekullit të kaluar. Artikujt e botuar nga Merxhani në shtypin e kohës vitet ’20 – ’30 të shekullit të kaluar, janë thuajse aktualë edhe sot. Dhe kjo është vlera e publicistikës, ajo na dëshmon ku kemi qenë e ku jemi.

Nga viti 1990, 1992, 1997… ka kaluar shumë kohë. Një gjeneratë e re është lindur e rritur dhe për të cilën ajo “epokë” është një jetë larg. Por, për ata që e përjetuan, ishin dëshmitarë apo protagonistë të asaj kohe, ajo është jo më larg se “dje”. Por si ishte në fakt ajo kohë? Shumëkush prej nesh, që e jetoi atë mund të kujtojë sot të bukurën dhe të shëmtuarën, të mirën dhe të frikshmen…

Arben Çokaj - Për demokracinë - publicistikë

Ata që ishin studentë mund të kujtojnë Qytetin “Studenti”, vatrën e madhe të rinisë nga ku nisi përmbysja e komunizmit. Mund të kujtojmë entuziazmin e të rinjve, dhe shpresën e madhe se vendi i tyre, pasi të hiqte qafe zgjedhën e diktaturës, do të futej rrufeshëm në rrugën e zhvillimit. Mund të kujtojmë kaosin e rënies së një shteti dhe pamundësinë e atij që po ndërtohej për të vënë rregull. Krimin që ngriti krye “brenda natës” dhe dhunën, që ishte e pranishme në çdo cep rrugice.

Kujtojmë krizën e madhe të ushqimit, ndihmat që vinin nga jashtë dhe që suleshim duke shqyer kutitë e kartonit, që mbanin brenda “drithëra dietike” të prodhuara një dekadë përpara.

Kujtojmë çmendurinë kolektive të shkatërrimit të pronës publike, në emër të luftës kundër komunizmit, prerjen e plantacioneve me pemë frutore, shkatërrimin e veprave ujitëse, fabrikave të mbyllura apo të falimentuara…

Nëse do të ulemi tua tregojmë këto gjeneratës së sotme, fëmijëve tanë, shumë prej këtyre rrëfimeve do të jenë të pabesueshme për ta. Do tu duket sikur vijnë nga thellësi shekujsh jo vitesh, ngjarje të ndodhura diku në një vend të largët që nuk i përket atyre dhe nuk ka lidhje me vendin e tyre.

Por brezi i ri sot, dhe ata që do të vijnë pas tyre, do të duhet ta dinë se si u bë kapërcimi nga diktatura në një sistem tjetër që ne preferuam të quajmë demokraci, por që rezultoi se nuk ishte plotësisht i tillë. Do të duhet të dijë se në fakt, ne atë kohë, nuk e rrëzuam, nuk e shkatërruam, nuk e lamë pas, nuk u ndamë përfundimisht me komunizmin, por thjeshtë diktaturën e konvertuam në një lloj demokracie, që edhe pas 30 vjetësh vlerësohet si “demokraci hibride”.

Për t’i përcjellë ndodhitë nga njëra kohë në tjetrën, shoqëritë kanë shpikur “shkencën” e historisë. Por ka edhe një mënyrë tjetër se si t’ua tregojmë gjeneratave të shkuarën. Ajo është publicistika. Kjo nuk është një histori, por janë fakte mbi të cilët mund të shkruhet edhe historia.

Arben Çokaj është njëri prej atyre dëshmitarëve të asaj kohe, një student në vitet 1988 – 1993. Protagonist dhe dëshmitar i asaj që ndodhi në 1990 dhe vitet pasuese. Vite më vonë, në Shqipëri lindi një profesion i ri, ai që unë e kam quajtur “Dhjetorist” dhe që e gëzonin studentët kryesisht, por edhe intelektualë që ishin protagonistë të ngjarjeve të dhjetorit 1990. Kontributi i tyre kishte qenë organizimi i protestave, pjesëmarrja në jetën politike të kohës, pjesëmarrja në grevën e urisë, apo edhe thjeshtë fakti, që kishte qenë student në atë kohë.

Ndryshe nga shumë prej tyre, Arben Çokaj nuk luftoi për të marrë diplomën e “Dhjetoristit”, por ai na sjell një produkt, që vlen shumë më shumë për ne të tjerët, për shoqërinë dhe kujtesën tonë kolektive.

Libri “Për Demokracinë”, është një dëshmi e rëndësishme historike. Autori nuk ka bërë interpretime, analiza apo rivlerësime nga këndvështrime të reja të ngjarjeve, duke i parë ato tri dekada më pas. Ai thjeshtë na sjell dëshmitë e kohës përmes një serie shkrimesh të shkruara e botuara në median e kohës. Ato nuk janë vetëm dëshmi, por tregojnë hap pas hapi, deri në vitin 2014 rrugëtimin e një vendi dhe një shoqërie, që rrekej të futej në udhën e demokratizimit, por duke rënë nga njëra qeverisje në tjetrën nga njëra e keqe më e vogël në një të keqe më të madhe.

Arbeni e ka nisur herët bashkëpunimin me median, thuajse menjëherë pas rënies së komunizmit (nëse do të biem dakord që ai ka rënë në vitin 1990). Ai shfaqet në median e kohës që në Tetor 1991, ndërsa ishte një aktivist studentor, dhe njëkohësisht shkruante në gazetat që kishin kohë në qarkullim, të reja dhe të vjetra të mbetura edhe nga koha e regjimit komunist, që përpëliteshin të mbaheshin në këmbë duke u transformuar.

Në gazetën e parë të sindikalizmit, që sapo kishte lindur, gazeta “Sindikalisti” (17 Tetor 1991), Arben Çokaj shkruante kështu, ndërsa përshkruante situatën e studentëve të rikthyer në shtator për vitin e ri akademik, vitin e parë pas rënies së komunizmit: “Të përgjysmuar nga vala e provimeve, nga eksodi masiv, nga pamundësia ekonomike, nën thundrën e sloganit «Edhe pasoja do të kemi», erdhën përsëri në këtë tetor, për t’u deziluzionuar më shumë. Erdhën, këtu duke mos pasur as bazën elementare materiale; për të filluar mbarë vitin shkollor, e megjithatë, e duan shkollën!

Ky shkrim është një dëshmi e krizës që kapi vrullshëm brezin e ri vetëm gati një vit pas atij, që njihet si revolucioni antikomunist, dhe që u pasua me fillimin e ikjes, emigrimit masiv, braktisjen e shkollës, rënien e interesit, vështirësitë e mëdha ekonomike, që pasoi shembja “brenda natës” e ngrehinës ekonomike të komunizmit dhe nxjerrja në rrugë e të gjithë njerëzve, që kishin punuar deri atëherë vetëm në ndërmarrjet shtetërore. Ky shkrim i parë i Arbenit, tragjikisht dhe fatkeqësisht, tingëllon gati-gati aktual edhe sot, ndërsa sërish ne shkruajmë e flasim, tashmë në mediume shumë më “moderne” për braktisjen e shkollës, ikjen e të rinjve, ikjen me të njëjtën ritme të pjesës më vitale të shoqërisë.

Në një tjetër artikull, botuar në gazetën “Bashkimi” (23 tetor 1991), ish gazetë e Bashkimeve Profesionale të komunizmit, por që edhe dilte në treg: “A nuk mund t’u jepet kredi nga shteti (pa interes) studentëve, që s’përballojnë bursat me kushtet e reja? Po partitë politike, sikur t’i rrallonin ca gazetat e tyre lumë, për të financuar sadopak universitetin. Gjithkush e kupton se po kalojmë çaste të vështira. Është një periudhë tranzitore, zgjatja e së cilës varet sa nga Qeveria, Parlamenti, aq edhe nga ai mirëkuptim qe duhet të krijojnë partitë politike, për hir të këtij kombi të tej-vuajtur, të këtyre njerëzve të tej-lodhur”.

Që në agimin e periudhës post-komuniste, Arbeni shkruante për një tranzicion, që do të zgjaste “sa të donte politika”. Pa dyshim që ai nuk e dinte se sa do të ishte kjo periudhë, por ja që politika në këtë vend deshi që tranzicioni të ishte shumë, po shumë i gjatë, dhe ne ende mendojmë e besojmë se jemi në tranzicion…

Gazeta “RD” – 22 gusht 1992: “Rrugës së Koplikut nuk sheh as edhe një lloj peme frutore e jo frutore, në ato ara të gjëra, që shtrihen deri në bregun e liqenit të Shkodrës… Banorët e kësaj zone tregojnë për plantacionet e gjëra të fiqve, ftonjve, arrave etj., të kultivuara më përpara në këto ara tani të “thata”, e shpresojnë me pyetje dyshuese: «A thua bëhet kjo tokë si dikur?…». Ky reportazh i Arbenit është një dëshmi drithëruese e krimeve, që ne bëmë mbi pasuritë tona, mbi ato që ishin ndërtuar me djersën dhe gjakun e njerëzve të thjeshtë. Arbeni, me artikujt, esetë dhe analizat e tij, dëshmon vit pas viti atë që ndodhte në këtë vend, për fat të keq, jo në të mirë të vendit dhe shoqërisë.

Frankfurt, 14.12.2003: “Qeveria Nano, që nga koha e ardhjes në pushtet jeton në mungesë kohe. Sa herë del në pah një problem themelor, Nano & co. prodhojnë nga një krizë apo skandal, që njerëzit të merren me të.” Kjo është dëshmi e një mentaliteti të të bërit politikë në Shqipëri. Është një shkollë që ka ardhur duke u përsosur nga të gjithë politikanët, të vjetër e të rinj. Makineria e PR është shndërruar sot në një mjet gjigand i manipulimit të opinionit publik, të modifikimit të tij, të trullosjes së dhe devijimit të tij.

Qytetarët “nuk munden” të merren me një çështje, që i përket atyre, që prek interesat e tyre, por me atë që do t’u ofrojë makineria e propagandës për konsum, e cila e përdor median si përçues të kësaj propagande. Dhe kjo nuk është një shpikje moderne, një mekanizëm që erdhi tek ne bashkë me risitë e hovit teknologjik, por një sjellje që është eksperimentuar suksesshëm në këtë vend edhe më herët, dhe këtë Arben Çokaj e ka dokumentuar, konstatuar e denoncuar, që në vitin 2003, tek “babai” i socialistëve shqiptarë.

Në vitin 2004 Arbeni boton një shkrim mbi problemin e madh të shërbimit në spitale, ryshfetin dhe kushtëzimin e shërbimit nga paratë nën dorë. “Përderisa mjekët dhe infermierët kërkojnë para “ekstra” në spitalet shqiptare, dhe ky veprim i tyre nuk mund të ndalohet, ose të shmanget nga autoritetet përkatëse shqiptare, atëherë duhet të gjendet rruga e duhur për legalizimin e kësaj metode të pashmangshme… Si mund të vihet mbi baza ligjore kjo pagesë “ekstra” e pacientëve shqiptarë? Si mund ta shndërrojmë këtë sistem denigrues, që implikon figurën morale dhe besueshmërinë e mjekut, në një sistem të pranueshëm ligjor, ku mjekët të marrin të ardhurat që meritojnë dhe pacientët shërbimin e domosdoshëm?”

Artikulli i vitit 2004, sot pas 20 vjetësh është sërish shumë aktual. Historia ka mbetur aty ku ka qenë. Problemi është po aty, me ndryshimin që është bërë edhe më i madh, sepse tashmë, kur nuk u gjend dot një zgjidhje që të kënaqte mjekët dhe pacientët, këta të fundit përplasen në spitalet private, ku duhet të marrin kredi për të shpëtuar kokën, ndërsa mjekët janë shndërruar në “maskarenjtë e domosdoshëm”, që të zhvatin dhe që vitet e fundit janë vënë në radhë para ambasadës gjermane për të marrë viza e punës, në një arratisje tragjike për shoqërinë.

Shkrimet e përfshira në këtë libër kanë tematika të ndryshme. Ato i përshkruan një linjë e përbashkët, dëshira e autorit për të gjetur zgjidhje të arsyeshme, më të mira të mundshme, për subjektin që ai trajton, për shoqërinë. Shkrimet që në fillimet e tyre e përgjatë viteve, shpesh shprehin edhe revoltë, për padrejtësitë e marrëzitë shoqërore e politike. Nga pjesa e tretë, autori merret edhe me trajtesa politike, apo problematike, aq sa shkruan me mllef për një Rrugë për në Shkodër, të pakalueshme, e cila ndodh, që disa ditë pas shkrimit, fillon e shtrohet… Ky është edhe qëllimi e kuptimi i shkrimeve, t’i ndryshosh gjërat për mirë, të imponohesh, që gjërat të lëvizin në drejtimin e duhur.

Kemi edhe shkrime me interes nacional, për Kosovën, shkrime për politikën e politikanët tanë diletantë, shkrime për lidhjet e politikës me njerëz të dyshimtë, e tema të tjera, qe kanë të bëjnë me Demokracinë shqiptare.

Shkrimi i fundit që përfshihet në këtë libër, është botuar në vitin 2014, dhe i dedikohet përdorimit apo shpërdorimit të besimit fetar, që i bën politika për të rritur kreditet e saj publike, përmes një fenomeni që Arbenin e quan “iftaromania”. Arbeni ka një qëndrim gati-gati “islamofob” apo “fetaro-fob”, të cilin e demonstron edhe në qëndrimet e tij të mëpasme në rrjetet sociale. Por unë nuk do ta lexoj kurrë si të tillë. Ai “predikon” një shtet dhe një shoqëri, jo të nënshtruar e robëruar nga feja, pavarësisht llojit të besimit, por të ngritur mbi shtyllat e shkollimit e dijes, lirisë dhe drejtësisë, si garanci për përparimin ekonomik e social.

“Shqipëria duhet të lëvizë drejt një shteti racional e li¬gjor dhe të së drejtës, shkollimit e dijes, dhe drejt zhvillimit ekonomik, krijimit të firmave të suksesshme shqiptare, investimeve private dhe hapjes së vendeve të punës. Vetëm kështu, ekonomia jonë mund të bëhet e shëndetshme dhe mund të shërohet e konkurrojë tregun. Dhe vendi e kombi ynë, mund të ecë përpara! Me punë, me shkollim e dije!”

Zgjodha këtë paragraf për të përmbyllur parathënien e këtij libri, sepse jam shumë i sigurtë se edhe pas shumë vitesh, kjo do të jetë sërish aktuale.

Faleminderit Arben Çokaj, që na le një dëshmi për historinë.