Profetë të rremë, idiotë të dobishëm, listat e hapura dhe marrëzia kolektive

0
353

NGA GENC POLLO

MBI “PROFETË” E “IDIOTË”

Nikolla i Kölnit, dikur nga fillimi i shekullit të 13-të pretendoi se i ishte shfaqur Jezu Krishti për t’i thënë se atë që nuk e arrinte dot forca e shpatës, e kryente pafajësia fëminore dhe se një kryqëzatë fëmijësh do të ishte më efektive për çlirimin e Jerusalemit nga të pabesët sesa ekspeditat e kalorësve kryqtarë. Nikolla mblodhi rreth 30 000 fëmijë lart e poshtë në Europë dhe në gusht 1212 arriti në portin mesdhetar të Gjenovës.

Nga fëmijët që hipën në anije, kush nuk u mbyt në lundërthyerje, u shit si skllav në Tunizi. Nikolla me florinjtë e mbledhur nga kjo punë u fsheh në Alpet italiane derisa e gjetën dhe e vranë duke e ngulur në hu. Profeti i rremë është një person që pretendon se përcjell fjalën e Perëndisë; ai i ofron publikut (besimtarëve) rezultate të mrekullueshme përmes zgjidhjeve sempliste, të cilat janë shpesh me leverdi personale për të.

Nikolla është një ndër qindra syresh të dokumentuar në historinë europiane të tre mijëvjeçarëve të fundit nga Abrahami e këtej. Danilo Dolci ishte një aktivist social i pasluftës, i cili luftoi kundër varfërisë e Mafias në Siçili. Por gjithmonë e më shumë, ai sulmoi pushtetarët demokristianë; në këtë të fundit njëlloj si komunistët opozitarë. Sipas establishmentit të kohës, ai, edhe pse njeri i ndershëm, nuk ishte veçse një idiot i dobishëm për Partinë Komuniste Italiane.

Dolci nuk ishte komunist me bindje dhe aq më pak anëtar i PKI-së, por kjo nuk i pengoi sovjetikët që në fund të viteve 50 t’i akordonin atij Çmimin Lenin për Paqe. “Idiot i dobishëm” është term i përdorur gjerësisht në diskursin perëndimor për të cilësuar ato personalitete, të cilët me mirëbesim, por edhe me naivitet, përkrahnin kauza komuniste ose edhe vetë Bashkimin Sovjetik që nga koha e Leninit deri në vitet ‘80.

MARRËZIA E BILANCI I LISTAVE TË HAPURA

Midis vjeshtës 2019 e asaj 2020, nuk më është shqitur nga mendja ideja fikse se dy rastet e mësipërme do të ishin parabola e përshtatshme për shumë prej atyre që me zell të paepur kanë insistuar për lista të hapura (më tej LH) të kandidatëve për deputetë.

Këtë parabolë e referoj këtu me njëfarë brenge në zemër, pasi mes dashnorëve të shumtë të këtyre listave ka jo pak persona me angazhim të lavdërueshëm për gjënë publike, shpesh edhe kundrejt sakrificave personale.

Disa syresh i njoh personalisht e i çmoj për parimësinë e për sensin qytetar që dëshmojnë; madje vë dorën në zjarr se ata anojnë më shumë nga Danilo dhe aspak nga Nikolla. Por prapë nuk i heq dot nga mendja ata muaj, pjesërisht të kaluar në izolim epidemik, kur çdo ndërfaqe me jetën publike, qoftë mediat, rrjetet sociale e deri te kafeneja e lagjes, dominohej nga obsesioni me LH si shpëtimtari i vetëm, gati mesianik, i demokracisë e begatisë shqiptare.

Sot, pak javë mbas zgjedhjeve parlamentare me LH, mund të bëhet një bilanc fillestar mbi efektin e tyre. Së pari, pozicioni solid i opozitës (përjashto ndonjë piruet quicky e joparimore) se LH nuk ofrojnë zgjidhje të asnjë problemi real, por vetëm shërbejnë për spostimin e debatit publik nga problemet reale te fantazitë utilitare dhe për zbutjen e presionit publik për zgjidhje reale, duket i konfirmuar.

Sot, OSBE/ODIHR shkruan për abuzime masive nga partia shtet dhe opozita flet për masakër elektorale.

Për hir të së vërtetës, edhe pozicioni i PS ndaj LH ishte po aq serioz deri në çastin që Rama shpalli amendimin e Kushtetutës për të kapur bonusin prej pesë mandatesh.

Së dyti teza e dashnorëve të LH se përmes preferencës së elektoratit shkërmoqet monopoli i kryetarëve të partive politike për të përcaktuar faktikisht deputetët e ardhshëm u rrëzua. Vetëm tre kandidatë arritën të thyejnë herësin e të fitojnë kështu mandatin. 137 kandidatë të tjerë do të bëhen deputetë sipas renditjes të nënshkruar nga kryetarët.

Por edhe sikur herësi të mos ishte kaq i madh (afro 10 mijë vota parapëlqyese) dhe listat përfundimtare të rirenditeshin absolutisht sipas votave parapëlqyese, ndryshimi do të ishte minimal: sipas një vështrimi paraprak në çdo qark listat do të mbeteshin 95% njëlloj. Thënë kjo, do të vëreja se sfida reale me ofertën e kandidatëve për deputetë nuk është eliminimi i rolit të kryetarit apo i organeve drejtuese të partisë. Kjo gjë do të ishte jodemokratike, antistatutore dhe e papërgjegjshme.

Por si mund të arrihet që kandidatët e partive të jenë jo vetëm njerëz normalë e të panjollosur, por edhe të mishërojnë idetë politike të partisë që do të përfaqësojnë e të jenë të njohur e të gëzojnë besimin e anëtarësisë, elektoratit partiak e më gjerë? Është më pak sempliste dhe populiste, por qartazi më e dobishme të insistosh e të realizosh procedura demokratike brenda partive duke marrë si model, në mos primaret amerikane, të paktën konsultimet edhe me votë të fshehtë a të hapur me bazën e strukturat partiake siç praktikohet gjerësisht në Europë.

Edhe aty nuk mohohet roli i kryetarit apo i kryesisë qendrore, por me rregull e traditë ky rol kufizohet në veto individuale e ndryshime të vogla e përherë të arsyetuara. Por kjo kërkon vullnet në krye të partisë e praktikë të gjatë. E këtu fillojnë deficitet tona. Por më mirë të identifikosh drejt e saktë problemin e pazgjidhur sesa të japësh formula kryekëput të gabuara.

Si ai tipi i barsoletës që i kishte rënë çelësi nga xhepi diku në errësirë dhe që e kërkonte tjetërkund poshtë llambës së rrugës. Sepse ekuivalente me listat “100% të hapura” është shpallja e 560 kandidatëve (katër subjektet fituese të 25 prillit herë 140 kandidatët e secilit syresh) si të pavarur: vë bast që rezultati do të ishte rrumpallë 40-ditore elektorale dhe katërvjeçare parlamentare. Së treti teza e dashnorëve të LH se përmes tyre filtrohen kandidatët problematikë gjithashtu u rrëzua.

Në listat rilindiste (e ku tjetër!) një djalosh i panjohur, por me lidhje familjare me dekriminalizmin, theu herësin dhe i mori mandatin shefit të degës Tiranë të PS. Herësin në po këtë qark e theu edhe një tjetër kandidat, por jo se për të mobilizua masivisht elektorati socialist. Ishte investimi masiv financiar e njerëzor i Bashkisë që rirenditi listën, duke dëftyer raporte brenda partisë e jo parapëlqime në popull. Të njëjtin fenomen shfaqi edhe lista rilindiste në qarkun “problematik” të Elbasanit. PD e kishte thënë prej kohësh se LH ishin faktikisht një korsi emergjence për kandidatët e mafies dhe oligarkisë.

Sot mund të thotë se i doli fjala. Së katërti aspektet negative të LH të dëshmuara nga Estonia në Kosovë duket se i patëm edhe ne. Së pari, gara brenda familjes për të marrë votën parapëlqyese tek elektorati i sigurt partiak prishi harmoninë e koordinimin mes kandidatëve të një qarku.

Deri te konflikte si “çfarë don ti te lagjja/vota ime”. Që në disa raste u mahisën keq. Këto e të tjera helmatisin klimën mes deputetëve të një subjekti e mes vetë partisë. Më keq akoma ka jo pak sinjale se komisionarët, mbasi numëruan votën e partive, u ulën veçan sipas partisë e transferuan sipas qejfit vota parapëlqyese nga kandidati X tek Y brenda listës. Arsyet mund t’i imagjinoni. Ose mund të pyesni në shtetet ku ka ndodhur rëndom.

EPILOG

Me farmacistin ku blej zakonisht barnat, bisedoj për çështje gjenerale në intervalin midis porosisë e pagesës. Ai është i informuar e i interesuar të debatojë; më jep përshtypjen se simpatitë i ka djathtas, edhe pse nuk shprehet. Herën e fundit në farmaci, para se të na mbyllte në shtëpi epidemia, nga përtej banakut e me zë jo të ulët më tha:

“Ah, o zoti Genc! Po i caktoi prapë deputetët Rama e Basha, nuk ka shpresë! Edhe më keq do të bëhet!”. Ika i deprimuar e pa e kundërshtuar gjatë. Covidi rezultoi se sjell pasoja fatale për të moshuarit e të sëmurët. Virusi i budallallepsjes kolektive krahasuar me të është absolutisht jodiskriminues; ai zapton njëlloj mendjen e të ndershmit dhe atë të delenxhiut, e të mençurit dhe të trushkulurit e të shkolluarit dhe të injorantit e kështu me radhë. Këtë e dëshmoi besëtytnia e një pjese në PD se “djegia e mandateve” do të sillte automatikisht rrëzimin e qeverisë e zgjedhje të reja.

Po ashtu e dëshmoi në vjeshtë 2013 edhe histeria shoqërore ndaj projektit të asgjësimit të armëve kimike siriane. Mbetem me shpresë te përkohshmëria e këtij virusi, disi më pak tek ilaçi e vaksina kundër tij, se Nikolla e Danilo do të gjallojnë për jetë e mot…

Ish-ministër e deputet 27 maj 2021