“PAMUK DHE KADARE”

0
371

Nji lajm i mirë na erdhi javën që shkoi – Nobelin për Letërsi e fitoi shkrimtari turk Orhan Pamuk. Personalisht e kisha dëshirue nji çmim të këtillë për veprën dhe sidomos gjestin prej qytetari dhe intelektuali të Pamukut – angazhimin për nji të vërtetë, për Të Vërtetën Armene n’Turqi, edhe me kusht flijimi dhe dëbimi nga vendlindja.
Gjesti i Pamukut ma kujtonte aktin historik të nji shkrimtari tjetër, Zolas. Këto janë figurat dhe këta janë emnat, bashkë me shumë emna tjerë nga historia e letërsisë botnore, që i kanë dhanë kuptim artit të tyne, por edhe kohës në të cilën kanë jetue.
Parabola e Pamukut, e Nobelit të tij me Nobelin e ankthizuem të Kadaresë asht e pashmangshme.

(Ne foto nobelisti turk Orhan Pamuk)
Pamuk fitoi çmimin jo kur akademitë turke u bashkuen për me i adresue nji letër rekomandimi Komitetit të Nobelit, njashtu si ja banë akademia e Shqipnisë dhe Kosovës, kur institucione tjera çonin letra rekomandimi në këtë Komitet tue i përgjërue për Kadarenë, por rrafsh e kundërta: kur akademitë, institucionet, qeveria dhe populli që e gjeunte me vo e me gurë, kërkuen burgimin dhe eksternimin e shkrimtarit Orhan Pamuk.
Atëhere kur nji shkrimtar vendosi me qenë qytetar. Me qenë i drejtë. Me e ba nji flijim për nji të vërtetë që nji qeveri e nji shtet e mbanin si sekret. Me e sfidue pushtetin dhe shtetin. Me e sfidue forcën. Me e sfidue numrin. Numrin prej 70 milionë turqish që këte të vërtetrë të tmerrshme nuk ka dëshirë me e pranue. Njisoj si Serbia krimet dhe përpjekjet gjenocidale në Kosovë.
Po them, jo kur nji popull e laureoi dhe e adornoi si nji Enver e nji Mao shkrimtarin, por rrafsh kur po ky popull e anatemoi dhe e dëboi shkrimtarin, pasoi Çmimi.
Nëse kjo asht mënyra e cila e sjellka Çmimin Nobel, dhe shpresat e krejt njerëzve të qytetnuem janë se kjo duhet me qenë mënyra e laureimit, atëhere Kadare kurrë s’ka me e meritue.
Krejt çka Pamuk ka – nuk ka Kadare. Pos talentit.
Kadare kurrë s’ka qenë e as ka me qenë – Qytetar. Intelektual. As ka me e kuptue dallimin, për fat të keq të tij. Ka me e çue jetën i hutuem me këtë distinkcion.
Derisa Pamuk nuk pritte shteti e akademitë me i ba lobi, por ndjeki dellin e vet prej njeriu e qytetari, dhe foli dhe pranoi krimet e bame ndaj armenëve n’Turqi, krime që kategorizohen si gjenocid, Kadare ishte pjesë e nji nomenklature dhe reprezenti kryesor i nji klike që kishte krye eksperimente historike mbi krejt nji popull e nji shtet, si Shqipnia komuniste.
Kadare kurrë nuk e gjeti guximin me ba gjeste disidente si Kundera, Solzhenjicin, Kish…Ai ishte tuc. Tuc që kurrë s’e ka ndjek të vërtetën dhe të drejtën, por vetëm me nji hundë të mpreftë prej nji njeriu të vocërr ka kqyr kush asht kah e mban skeptrin. Kush e ka tash pushtetin e shtetin.
Derisa Pamuk ka sfidue shtetin e pushtetin, Kadare zakonisht gjatë jetës së tij ka divinizue e laureue pushtetin e shtetin. Dhe, kjo dashni ishte e ndërsjelltë, njaq sa njerëzit e zakonshëm edhe sot e kësaj dite, sidomos në Kosovë, e kanë të zorshme me e kuptue ku asht dallimi mes Enverit dhe Kadaresë. Për ta këto janë anët e nji të vetmi divinitet.
Kosova asht shembulli ma i mirë për me e kuptue tanë falcitetin prej disidenti e prezentimi publik të rremë të Kadaresë. Sa here vjen n’Kosovë, keshe si shkrimtar, Kosova e pret dhe e divinizon si Enver. (E dijnë ata se kush asht ky. S’ka dert se çka flet nëpër botë.)
Kadare asht nji erzac për Enverin. Kadare përjetohet si Enver i Letrave. Andaj ajo pritje, n’akademi, n’qeveri, n’rrugë, n’hotel. Vdiq Enveri, rrnoftë Enveri. Kosova me adhurimin e vet e demaskon në të vërtetë Kadarenë, ia çierrë maskën prej europiani, prej disidenti, prej njeriu të mirë, prej shkrimtari të mirë, tue e cullakue e tue e kallxue n’tanë të vërtetën e tij – erzac për Enverin. Pjesë e nji manipulimi monumental me nji vend e me nji popull. Manipulant.
Dhe, në vend se krejt ky adhurim me i pengue, përkundrazi, atij i pëlqen roli prej Enveri. Edhe dorën ta jep posi Enveri, posi Mao. Kadare me eksitimin e tij me rolin e Enverit na thotë se qenka mirë me qenë diktator. Njerëzit po të dojkan, po t’adhurojkan. Paskan qejf me u fotografue me ty. Po u tutkan prej teje. E tue u tutë, edhe po t’respektojkan.
kadare_dhe_enveriKadare i pranuem ne pritje te Enver Hoxha
Pamukut njerëzit nuk iu tutën. Deshtën me i ba linç. Deshtën me e mbytë. Nuk i dhanë randësi letërsisë së tij, nuk e vlerësuen në momentet kur e gjuejshin me gurë. Harruen se çfarë talenti ka Pamuk, se sa shumë e ka popullarizue letërsinë turke me veprat e tij, sa shumë e kanë lexue e dashtë, harruen gjithçka. Kenë tue e mbytë. Pamuku asht pasqyra e Kadaresë, ku shihet kjartë si loti e vërteta e Kadaresë – erzac për Enverin.
Shqiptarët nuk e gjuejnë Kadarenë me gurë, as dojnë me i ba linç. Ata i tuten Kadaresë, njisoj si Enverit. Ende e kanë të zorshme me e kuptue: ku asht dallimi mes Enverit e Kadaresë.

 

 

 

[ Migjen Kelmendi (*) asht kryeredaktor i gazetes JAVA ne Prishtine ]

Publikue me 19 tetor 2006