Opozita shqiptare/ Më 7 korrik, ora 19.00 të gjithë të protestojmë për çmimet, varfërinë, pensionet, emigrimin, krimin e korrupsionin

0
239

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, ka bërë thirrje sot me anë të një video-mesazhi “më 7 korrik, ora 7, të gjithë të protestojmë”. Arsyet e organizimit të kësaj proteste, Berisha i ka shpalosur me anë të një video-mesazhi, shkëputur nga njeri prej takimeve të tij nëpër Shqipëri me qytetarët, në kuadrin e lëvizjes Foltorja. Pikërisht nga njëra prej atyre Foltoreve të mbajtura shumë muaj më parë, ka rrjedhur edhe mesazhi me të cilin PD dhe Berisha po ftojnë shqiptarët në të parën protestë mbarëkombëtare që nga ardhja e tij në krye të PD-së. “Pasioni ynë është liria e shqiptarëve! – thekson Berisha në video. – Ne e vazhdojmë këtë betejë. Vazhdojmë këtë mision, më të vendosur se kurrë, si një lëvizje e fuqishme e udhëhequr nga Partia Demokratike, si një lëvizje e fuqishme, e cila do të bëjë më vete çdo shqiptar që beson tek ky vend, që do që ky vend të bëhet nga shqiptarët, që vendos t’i thotë vetes të bashkohem me këtë lëvizje, të mos them më kurrë “ç’më duhet mua! Të mos them më kurrë s’ke ç’i bën!” Kemi ç’t’i bëjmë dhe e përmbysim me siguri! Kemi ç’t’i bëjmë dhe e ndryshojmë këtë gjendje! Rikthejmë Shqipërinë në rrugën e saj, se Shqipëria ecën në drejtim të gabuar! Hajde t’i bindim, të trokasim në zemrat e tyre, me urtësi, me mençuri, me njerëzi, të bashkohen me ne!” nënvizon Berisha në vazhdën e atij fjalimi që bën jehonë më shumë sot. Partia Demokratike ka ngritur edhe grupet e punës ku Drejtues i grupit të punës për zonën numër 1 në Tiranë është Edi  Paloka dhe përfshin degët numër 1, 2 3, dhe 4 të PD Tiranë. Në zonën numër 2 të Tiranës është Agron Shehaj dhe përfshin degët numër 5, 7, dhe 12 të PD Tiranë. Në zonën numër 3 do të jetë Belind Këlliçi dhe përfshin degët numër 6, 13, 14, 15, dhe 16 të PD Tiranë.  Në zonën numër 4 do të jetë Albana Vokshi dhe përfshin degët numër 8, 9, 10, dhe 11 të PD Tiranë. Dhe në zonën numër 5 do të jetë Flamur Noka ku përfshihen degët Vorë, Kamëz, Paskuqan Kavajë dhe Rrogozhinë.

Kryetar i grupit të Punës për Qarkun e Shkodrës do të jetë Bardh Spahia. Kryetar i Grupit të Punës për Qarkun Lezhë do të jetë Jozefina Topalli. Kryetar i Grupit të Punës për Qarkun Kukës do të jetë Isuf Çela. Kryetar i Grupit të Punës për Qarkun Durrës do të jetë Oerd Bylykbashi. Kryetar i Grupit të Punës për Qarkun Elbasan do të jetë Luçiano Boçi. Kryetar i Grupit të Punës për Qarkun Korçë do të jetë Edmond Spaho. Kryetar i Grupit të Punës për Qarkun Berat do të jetë Genc Deromemaj. Kryetar i Grupit të Punës për Qarkun Fier do të jetë Luan Baçi. Kryetar i Grupit të Punës për Qarkun Vlorë, Bujar Leskaj. Dhe Kryetar i Grupit të Punës për Qarkun Gjirokastër do të jetë Tritan Shehu.