“O Zot sa shum rrejn. Rrejn kur flasin. Rrejn kur bërtasin. Rrejn kur heshtin…”

0
512

Nga Edison Ypi

O Zot sa shum rrejn.
Rrejn kur flasin. Rrejn kur bërtasin. Rrejn kur heshtin. Rrejn kur rrinë. Rrejn kur lëvizin. Rrejn kur hanë. Rrejn kur pijnë. Rrejn kur flenë. Rrejn kur ëndërrojnë. Rrejn kur fitojnë. Rrejn kur humbin. Rrejn kur dashurojnë. Rrejn kur urrejnë. Madje rrejn edhe kur rrejn.
Rren muhabetçiu, rren dyqanxhiu, rren nëpunësi, rren eprori, rren inferiori, rren politikani, rren deputeti, rren ministri, rren kryetari, rren sekretari, rrejn statistikat, rrejn deklaratat, rrejn konferencat, rrejn kongreset. Të gjitha dhe të gjithë veçse rrejn dhe rrehen.
Nuk rrejn rrallë e pa të keq, se ashtu e kanë tipin, se të atillë e kanë vesin.Rrejn gjith kohën. Rrenin dje, rrejn sot, do rrejn nesër, do rrejn deri ditën e fundit, deri frymën e fundit.
Nuk rrejn as bukur apo këndshëm, që të thuash se rrejn për humor apo për ta bërë të këndëshme bisedën, për të larguar monotoninë, mërzitjen. Rrejn dosido. Rrejn si u vjen doresh. Rrejn pa u menduar.
Nuk rrejn me arsye apo pa arsye, me shkak apo pa shkak. Rrejn pa e ditur pse rrejn. Rrejn se duhet të rrejn.
Rrena i ka këmbët e shkurtëra, rrena ka bisht, etj. demek sikur brenda të vërtetës mbisunduese rrena është e përkohëshme, janë pohime moralistike rrenacake për të mundësuar të tjera rrena.
Miku, armiku, shoku, kolegu, komshiu, i dashuri, e dashura, gruaja, burri, fëmija, këtu mor Zotni të gjithë vetëm rrejn. Këtu oqeani i rrenave ka mbështjell gjithçka si eteri materien.
Vishen me rraqe gabi – hiqen sikur ndjekin modën.
I ngijnë flokët me xhel – u duket vetja i bukur.
Gjezdisin me Benzin e tjetrit – ushqehen me marmalatë të mykur.
Merimanga e rrenave ka hyrë në çdo qelizë.
Duke rrejtur, hajdutin e bëjnë të ndershëm. Rrugaçin e shpallin hero. Cubin Robin Hud. Budallain mendimtar. Hajvanin patriot. Mitomanin shkrimtar. Delirantin poet. Llafazanin opinionbërës. Dërdëllitësin këngëtar.
Rrena këtu nuk është e pjesëshme, e përkohëshme, relative, që t’ja vlejë të mundohesh ta ndreqësh. Rrena këtu është gjithpërfshirëse, finale, totale, definitive.
Kapilarizimi i rrenës nga fëmija te i rrituri, nga i dituri te injoranti, nga mëndjelehti te mëndjemadhi, dhe gjithë të tjerët, ta kall tmerrin, ta mpin trurin, ti ngrin gjymtyrët, ta fut dëshpërimin, ta nxin ditën, ta helmon jetën.
Nuk rrejn një herë, që ti falësh, apo tre herë që ti mëshirosh. Rrejn pafundësisht.
Rrena këtu është një gjarpër që vigjëlon të vërtetën për ta gjetur ku është fshehur dhe ta kafshojë e helmojë.
Këtu rrejn edhe ata që paguhen për me i përcjellë rrenat pa rrejt, rrejn spiunat.
Këtu rrejn të gjithë. Rren ustai hallexhiun. Rren i sëmuri mjekun. Rren shkrimtari lexuesin. Rren lexuesi shkrimtarin. Rren kafeneja. Rren televizori, rrejn autorët, redaktorët, opinionistat, analistat.
Majtas e djathtas, larteposht e rretheqark, rrena dhe vetëm rrena.
Bërtit sa të tundet dheu. Ulurit sa të ngresh dallgët e detit. Grise qiellin duke bërtitur e klithur. As hijen e të vërtetës nuk e gjen dot kurrën e kurrës. As këtu, as atje. As në horizont, as kurrkund.
Mund të kuturisësh në një mijë mënyra për ta parë a për ta prekur të paktën një grimcë të së vërtetës, makar një të mijtën saj, duke j’u lutur Zotit të thotë ku është e vërteta, pse e vërteta vetëm ikën dhe kurrë nuk vjen, pse largohet, pse fshihet, pse rrëshqet.
E kotë. Pas hapit të parë në rrugën për me zbulu të vërtetën, je mbuluar nga një mal me rrena.