“Non grata” për Berishën, akt kundër PD apo kundër Edi Ramës

0
313

Nga Enton Abilekaj –

Ata që e shohin shpalljen non grata të Sali Berishës, si një mbështetje për Edi Ramën, stabilokracinë dhe regjimin, i kërkojnë Partisë Demokratike të mbajë një qëndrim më të fortë në mbështetje të liderit historik.

Deklarata e Lulzim Bashës, që kujdesej të mos lëndonte SHBA, u pa si një mungesë guximi për të reaguar ndaj një padrejtësie që i bëhej opozitës në përgjithësi dhe babait të tij politik në veçanti.

Në këtë linjë logjike, duket sikur opozita është e sulmuar nga jashtë dhe duhet të bashkohet në një front kundër regjimit dhe ndërkombëtarëve, që po punojnë për të. Sikur shoqëria civile gjithashtu duhet të mbrojë me çdo kusht demokracinë nga një koalicion Qeveri – SHBA apo Qeveri – SHBA – BE.

Pyetja që nuk merr dot përgjigje nga ky arsyetim është: Pse SHBA duhet të godiste Sali Berishën pas zgjedhjeve?

Edi Rama i mori zgjedhjet kur Sali Berisha ishte në lista dhe bënte fushatë aktive. Pas njohjes së rezultatit nga ndërkombëtarët, edhe Basha me eksponentë të tjerë të PD deklaruan disa herë publikisht se PD do të futet në parlament, pavarësisht se nuk do i njohë zgjedhjet. Berisha nuk doli kundër këtij vendimi.

Procesi i kontestimit ligjor të zgjedhjeve, po shkon siç dëshiron Edi Rama dhe nuk ka asnjë shans të ndryshojë rezultatin qoftë edhe në një zonë të vetme, ku KAS dhe Kolegji Zgjedhor kanë zgjedhur t’i shërbejnë pushtetit përpara ligjit.

Në këto kushte, pushteti absolut i Edi Ramës nuk kërcënohej nga askush, as nga Sali Berisha me Facebook-un e tij. Pse atëherë duhet ta bënin Shtetet e Bashkuara një favor të panevojshëm për Edi Ramën? Nuk ka asnjë përgjigje racionale në këtë linjë arsyetimi.

Shpallja non grata e Berishës, është një akt i parë kundër Edi Ramës, por jo drejtpërdrejt i lidhur me të. Ai është një qëndrim politik, që tenton të influencojë politikën shqiptare, për largimin e Sali Berishës nga skena, pas 30 vitesh si deputet, 5 vitesh President dhe 8 vitesh Kryeministër.

Është një qëndrim që lidhet me domosdoshmërinë që ka Shqipëria për qarkullimin e elitave politike, si i vetmi vend që drejtohet ende, nga figurat e viteve ’90. Shpreh paaftësinë tonë për të larguar me votë, apo me drejtësi, ata që janë përgjegjës për situatën e mjerë dhe, jo vetëm që nuk largohen, por e kanë kapur për fyti vendin dhe nuk e lënë të bëjë asnjë zgjedhje tjetër.

Në këtë këndvështrim, qëndrimi ndaj Sali Berishës, që është një akt politik, jo juridik, ndihmon kryesisht për Partinë Demokratike. Largimi i Berishës, i heq barrën e trashëgimisë politike që politikisht u gjykua në 2013, ndërsa historikisht do të gjykohet nga brezat e ardhshëm.

Qëndrimi i tij ndaj investimit kryesor të SHBA, Reformës në Drejtësi, penalizonte gjithë Partinë Demokratike, ndaj vendimi i DASH, ishte lehtësues, pasi ia hoqi barrën PD dhe ia ngarkoi Berishës. Nuk lidhet vetëm me SHBA, as vetëm me BE.

Edi Rama me posterin e Berishës dhe Metës, tentoi të trembte votuesit në 25 prill, pasi argumentet politikë kundër sfidantit të vërtetë ishin të pamjaftueshëm. I thirri kujtesës së 2013, kur 1 milion shqiptarë u derdhën në kuti për ta larguar nga Kryeministria.

Në këtë kontekst, kur zgjedhjet mbaruan dhe Sali Berisha me kontributin e tij ishte i pamjaftueshëm për të rrëzuar Edi Ramën dhe kur ndërkombëtarët, edhe për shkak të tij, nxituan të njohin zgjedhjet, nxitja që vjen për të larguar Berishën, nuk është pro, por kundër Ramës, e bën partinë më të madhe të opozitës shumë më të pranueshme, brenda dhe jashtë vendit.

E ekspozon Edi Ramën si politikanin më të vjetër dhe më konfliktual, ia heq alibinë që gjente tek lideri historik i PD-së. I heq Edi Ramës licencën ndërkombëtare për të masakruar zgjedhjet. Krijon premisën për një epokë të re, për rifreskimin e politikës.

Pavarësisht pozitës së vështirë, pavarësisht detyrimit për të mbrojtur liderin historik, PD nuk mund të dalë kundër një akti politik që e favorizon. Largimi i politikanëve që dominuan tranzicionin, është një fillim i mirë për vendin dhe lajm i keq për të gjithë kategorinë, ku bën pjesë edhe Edi Rama