Një studim vlerash të shumta për veprën letrare të Martin Camajt

0
935

Nga Ajete Zogaj:
“Ka libra që lexohen, ka libra që të vënë në mendime, ka libra që ruhen në zemrën e kombit”. (Leonid Leonov)

Viti 2020 shënoi 95 vjetorin e lindjes së shkrimtarit, gjuhëtarit dhe atdhetarit të shquar, Martin Camaj. Këtë përvjetor të veçantë Sh. B. “Beqir Musli” e Gjilanit e shënoi me botimin e librit “Vepra letrare e Martin Camajt[1]” të autorit Anton Nikë Berisha, një studim monumental për veprën e Martinit.

Interesimi i profesor Berishës për veprën e Camajt është i hershëm, që nga viti 1978, qysh gjatë qëndrimit të tij studimor në Göttingen të Gjermanisë. Ai zgjati vite me radhë dhe rezultoi me studimin e thelluar dhe më të plotin e më shkencorin që kemi deri më tani për veprën letrare të këtij shkrimtari.

Studiuesi Anton Nikë Berisha i është kthyer disa herë leximit e studimit të veprës letrare të Camajt dhe secilën herë ka gjetur diçka të veçantë në veprat e tij.

Duke u nisur nga teksti poetik, nga shtjellimi i veçantë i tij në një varg veprash të Camajt, qysh në Parathënien e vitit 1991 Berisha do të shkruajë: “E shoh të nevojshme të përmend këtu se koha e jetës dhe receptimit intensiv të veprës letrare të Camajt në rrafshin gjithëkombëtar duhet të fillojë”(f. 10).

Gjatë leximit dhe rileximit të veprës letrare të Camajt, Berisha u mishërua me të, prandaj veprave të veçanta të tij, qofshin në poezi, në prozë, qofshin në dramë, u bëri një interpretim të menduar mirë, profesionalisht të ngritur, përmes të cilit i ndriçoi disa nga vlerat më kryesore të tyre. Siç do të shprehej Zh. La Bryjer: “Kur leximi ju lartëson shpirtin dhe ju ngjall ndjenja fisnike e burrërore, mos kërkoni arsye të tjera për të çmuar atë vepër, ajo është e mirë dhe e ka shkruar një mjeshtër”.

Studimi “Vepra letrare e Martin Camajt” e profesor Anton Nikë Berishës, botuar nga Sh. b. “Beqir Musliu”, u shtua dhe u rishikua; u saktësuan mendime, u shtuan vlerësime; u pasurua këndvështrimi, u bën shtesa. Është me vlerë sidomos pjesa për veprën letrare të Martinit, të vështruar pas njëzet vitesh më vonë, për të cilësuar përsëri si vepër letrare sa të mëvetësishme, aq dhe të rëndësishme, me një shtjellim gjuhësor shprehës të veçantë, të krijuar nga mendja e një mjeshtri të madh të artit të fjalës së shkruar.

Në fillim të studimit Berisha i sjell të tri shënimet përcjellëse për të tri botimet e mëparshme të studimit për veprën letrare të Martin Camajt, të botuara në Kozencë e Tiranë në intervale të ndryshme kohore e të plotësuara, sikurse jep edhe një shënim shtesë për botimin e vitit 2020 të bërë në Gjilan.

Libri i Anton Nikë Berishës, “Vepra letrare e Martin Camajt” shtjellohet në tre kapituj, përmes të cilëve në mënyrë të thelluar trajtohen çështjet e poetikës së veprës letrare të këtij shkrimtari: Camaj poet, Camaj prozator dhe Camaj dramaturg.

Profesor Berisha me të drejtë thekson: “Vepra e tij poetike është, para së gjithash, fryt, me një anë i aftësisë krijuese e përfytyruese (imagjinatave) dhe, me anë tjetër, i përkushtimit të madh krijues. […] Vepra e Martin Camajt u krijua në vazhdimësi në një periudhë mbi dyzetvjeçare dhe në kushte dhe në rrethana të veçanta e në vende të ndryshme, prandaj përcaktimi i tipareve të saj, i periudhave të krijimtarisë dhe i shkallë-shkallëshmërisë dhe i natyrshmërisë së evoluimit dhe i ngritjes së cilësisë artistike të saj, kërkon shumë më tepër aftësi e flijim mendor e profesional sesa mendohet në të parë” (f. 20).

Sipas Berishës, Martin Camaj fillet krijuese artistike i pati me poezi, ku më 1951 në revistën letrare “Jeta e re” të Prishtinës botoi poezinë “Mësuesi i ri” (nr. 5) dhe “Mullini i ujit” (nr. 6), ndërkaq në vitin 1953 ndërmarrja botuese “Mustafa Bakija” e Prishtinës, ia botoi përmbledhjen tashmë klasike “Nji fyell ndër male” dhe më 1954 “Kanga e vërrinit”.

Pas analizës që i bën krijimtarisë letrare të Camajt, ngritjes dhe pasurimit të saj, profesor Berisha veçon tri periudha, që meritojnë shqyrtim të veçantë:

Periudha e parë: 1953 – 1967

Periudha e dytë: 1967- 1978 dhe

Periudha e tretë: 1978- 1992.

Në procesin e ndriçimit të vlerave poetike të poezisë së Camajt, sidomos mënyrën se si autori u qaset dhe i shqipton dukuritë përmes gjuhës, përmes tekstit, në veprat e botuara në vitet 1967-1978, Berisha thekson: “[…] nëpërmjet artit të fjalës, poezisë, Camaj vë dialog me gjithë atë që i duket e rëndësishme dhe e nevojshme për njeriun në rrjedhën jetësore, për pasurimin dhe vetëdijesimin e tij. Camaj nuk krijoi poezinë (kjo ndodhë edhe me veprat e tij në prozë e në dramë) për hir vetëm të artit, për hir të dëshmimit të prirjes dhe imagjinatës krijuese poetike të tij, të vetëkënaqësisë artistike, por për domosdonë e komunikimit artistik e të ndikimit estetik të veprës së tij me marrësin – receptuesin e saj.” (f. 41- 42).

Në interpretimin që i bën përmbledhjes “Njeriu me vete e me të tjerët”, e botuar në München më 1978, Berisha thekson se ajo hyn në radhën më të ngushtë të vëllimeve më artistike dhe më të rëndësishme të poezisë gjithëshqiptare deri më sot; nga struktura tekstore poetike e krijuar rrezatojnë mendime që rrahin larg. (f. 50).

Edhe poezitë e periudhës së tretë, janë trajtuar nga rrafshe të ndryshme, ku autori ndalet sidomos tek libri Palimpsest, që është i fundit i shkruar nga Martin Camaj dhe përmbyll krijimtarinë e tij në këtë fushë.

Studiuesi Berisha merret sidomos me mënyrën si Camaj i shpreh dukuritë, përkatësisht si e shtjellon tekstin poetik, të hartuar në periudhën e tretë, ku dëshmohet një art i madh: “ Poezia e periudhës së tretë të Camajt, për t’u receptura kërkon një lexim të përkujdesshëm, një njohje të natyrës së artit të fjalës e të fuqisë së tij magjike, një përafri dhe bashkafrim kohësisht më të gjatë. Ajo nuk të përvetëson fillimisht dhe me lexim të parë; kërkon më tepër për arsye se është krijuar për atë qëllim: që të pushtohet me mundim e me përpjekje më të mëdha […] së këndejmi, mund të themi me gjithë mend se kjo poezi e Camajt është shembull dhe dëshmi e njëmendët se sa njeriu mund të pasurohet e të fisnikërohet shpirtërisht nga vlera kulminante të artit letrar” (f. 72-73).

Me përkushtim Berisha e ka studiuar edhe Camajn prozator. “Në fushën e prozës Martin Camaj u dëshmua romansier dhe novelist dhe në dy këto forma tregoi aftësinë dhe imagjinatën e krijuesit të madh” (f. 77).

Autori merret sidomos me veprën “Dranja”, njëra nga krijesat më të veçanta e më me vlerë të Camajt, po dhe të letërsisë shqipe në përgjithësi. Po ashtu Berisha i bën një interpretim të thelluar dhe romanit “Karpa”; ngjarjet ndodhin në një të ardhme të përfytyruar, ku Camaj gërmon në shpirtin e personazheve e të zbulimit të prejardhjes së tyre.

Aftësi të jashtëzakonshme krijuese Camaj tregoi edhe në lërimin e veprave dramatike, si, fjala vjen: “Loja e mbasdrekës” (1981) dhe “Kandili i argjendit” (1993).

Dy shtojca:” Të tjerët për veprën e Martin Camajt” dhe “Njëzet letra të Martin Camajt” janë pjesë e rëndësishme e këtij studimi.

Derisa në shtojcën e parë kemi mundësinë të lexojmë vlerësime meritore për krijimtarinë letrare të Martin Camajt nga njohës të veprës së tij, shtojca e dytë është me interes të veçantë për lexuesit dhe studiuesit: Camaj sjell të dhëna të rëndësishme për mënyrën e krijimit të veprave të tij dhe të përkushtimit krijues. Ato sjellin të dhëna për njohjen e profesor Anton Nikë Berishës me Martin Camajn si dhe kujdesin e jashtëzakonshëm për t’i ruajtur e për t’i botuar ato. Letrat shpërfaqin kulturën e dy intelektualëve meritor, dijen dhe njohjet e thella për fusha të ndryshme të dijes e të artit, por edhe për çështje madhore të kombit.

Në to shfaqet konsiderata dhe vlerësimi i lartë që Martini ka për profesor Berishën dhe për Kosovën: “Letra jote vë në dukje disa pika që i harroj: relacioni im me ju. Gja që më ka ngurrue në shumë (pikëpyetje). Pa çue gjatë: në zemër (innerlich”) nuk ka asnjë grup kulturor shqiptar jashtë e brenda që e ndiej ma afër se ju.”(Lenggries, 6. 5. 1984)

Studimi për veprën letrare të Martin Camajt dëshmon për një punë të mirëfilltë, për një përkushtim dhe dije të madhe të profesor Anton Nikë Berishës në fushën e studimit dhe të interpretimit të veprave letrare për arsye se vepra letrare e Camajt e vë secilin studiues para vështirësive të ndryshme, të cilën gjë e përmend dhe Berisha.

Mendimi i filozofit anglez, Francis Bacon: “Leximi e kompleton njeriun; biseda e bën të shkathët, të shkruarit e bën të saktë”, sikur ndërlidhet bukur me leximin, me rileximin dhe me studimin që profesor Berisha i bën veprës së Camajt, përmes të cilit ndriçohen disa nga vlerat kryesore të kësaj vepre me interes të shumëfishtë. Edhe vetë Berisha thekson se këtë studim duhet marrë vetëm si një mundësi të qasjes dhe të interpretimit të veprave poetike të Camajt: “Vepra e Camajt ka vlera të mëdha dhe ofron mundësi të pashterueshme për studime e vlerësime sa herë që t’i qasemi, ta lexojmë dhe të merremi me përkushtim me të” (f. 162).

Prishtinë, shtator 2021

[1] Anton Nikë Berisha, Vepra letrare e Martin Camajt. Studim. Botoi Sh. B. “Beqir Musliu” Gjilan 2020.