Një histori suksesi prej vitesh të humanistit dhe veprimtarit të shquar Osman Kallabës

0
300

Gjekë Gjonaj
Sipërmarrësi shqiptar, Osman Kallaba, nga fshati Zhej i Anës së Malit është një shembull i një biznesmeni të suksesshëm në mërgim. Nga shkuarja e tij në Nju-Jork-SHBA në vitet 70-të të shekullit të kaluar ka punuar fortë, dy dhe tri punë në ditë, për të krijuar një mirëqenie ekonomike për vete, familjen e tij të ngushtë dhe familjarët e tij në vendlindje, të cilët i kishte lënë në një varfëri të madhe, sikur ishin shumica e familjeve tjera shqiptare në vitet shtatëdhjetë të shekullit të kaluar jo vetëm në vendlindjen e tij, por në të gjitha trevat shqiptare në Mal të Zi . Nuk kishte synim vetëm të jetë ( bëhet) një milioner koprrac, sepse një i pasur mund të jetë i palumtur, ashtu si një i varfër që mund të jetë i palumtur. Dëshira e tij ishte që një pjesë të pasurisë së tij t’ia dedikojë popullit të tij të varfër pa dallim se në cilat shtete jetojnë, për të forcuar shpresën dhe për të rritur besimin tek ata se nuk janë të vetmuar në përballimin e vështirësive të përditshme të tyre. Këtë ndjenjë fisnikërie e bamirësie e kishte trashëguar nga shtëpie e lindjes, nga nëna Sanija dhe babai Ramë Bajrami , të cilët shquheshin për nga shpirti i tyre paqësor fisnik, mikpritës e shumë punëtorë të dalluar në Anë të Malit.
Osmani nuk kënaqej vetëm me mirëqenie personale, pa u ndihmuar edhe njerëzve të tjerë në nevojë. Është shumë i ndjeshëm ndaj të varfërve, nga se vetë nga mosha e fëmijërisë e kishte përjetuar varfërinë. I brumosur dhe i udhëhequr nga ky akt humanitar e njerëzor nuk ka munguar kurrë kontributi i tij vullnetar. Shpesh në komunikim e dëgjon të thotë: “ Bamirësia nuk të varfëron, përkundrazi ajo të lumturon” Unë ndjehem keq, kur nuk mund t’i ndihmojë të tjerët në nevojë”. Vullnetarizmi i tij mund të perceptohet si një detyrim i tij personal në dobi të komunitetit, dhe si një dëshirë e përkushtuar që buron nga vetë ai dhe nevoja për të qenë i dobishëm për komunitetin. Duke marrë parasysh të gjitha këto virtyte të tij njerëzore ai bashkëpunoi ngushtë me shumë mërgimtarë shqiptaro-amerikanë për të ndihmuar së pari vendlindjen e pastaj për t’u vënë në shërbim të zgjidhjesh së çështjes shqiptare. Për këtë kauzë kombëtare ai u angazhua me gjithë qenien dhe mundësinë e tij për më se tri dekada.
Sikur shumë shqiptarë në Amerikë, të cilët kanë qenë gjithnjë të grumbulluar pranë organizatave dhe shoqatave të ndryshme, politike, institucionale, shoqërore e e kulturore, klube e fondacione , ka vepruar edhe Osman Kallaba , gjithherë duke dhënë kontributin e tij për të mirën e vendlindjes dhe të atdheut të tij. Së bashku me veprimtarët e tjerë atdhetarë shqiptarë në Amerikë u organizua për të dhënë kontributin e tyre fillimisht ne sensibilizimin e zgjidhjes së çështjes së Kosovës në Kongresin Amerikan. Ky angazhim është zhvilluar përmes takimeve të veprimtarëve të këtij komuniteti dhe të Osman Kallabës, me zyrtarë të lartë të politikëbërjes amerikane. Po ashtu edhe përmes demonstratave dhe protestave të organizuara nëpër shtete e qytete të ndryshme të Amerikës, me qëllim që zyrtarët e lartë të politikës amerikane , deri te presidentët e Amerikës, në fillim të kryetarit Xhorxh W. Bush dhe të Bill Clinton, të cilët njëherësh janë edhe kontribuues shumë të mëdhenj në realizimin e aspiratave të popullit të Kosovës dhe të asaj shqiptare.
Kontributi i komunitetit shqiptar, edhe i Osman Kallabës, në internacionalizimin dhe sensibilizimin e çështjes së Kosovës dhe asaj shqiptare, tregon për kontributin edhe zhvillimin angazhimin e komunitetit shqiptar, po ashtu edhe të Osman Kallabës , në internacionalizimin dhe sensibilizimin e çështjes së Kosovës dhe të asaj shqiptare në përgjithësi. Ky veprimtar i palodhshëm dhe bashkëveprues i idealistëve në shërbim të çështjes shqiptare ka marrë pjesë edhe në fushata të shpeshta për legjislatorët amerikanë, presidentët amerikanë, veprimtari të cilat i kanë kushtuar atij dhe veprimtarëve të tjerë shqiptarë shpenzime të larta financiare “ Qëllimi ynë kryesor ka qenë të ngrinim zërin tonë, të ndjehemi edhe ne dikush në këtë vend dhe të bëjmë sa më shumë të jetë e mundur kongresistë e politikanë amerikanë për vete , duke menduar se kjo është mënyra më e mirë dhe më e suksesshme për ta ndihmuar zgjidhjen e çështjes së Kosovës, e cila rrezikohej nga forcat ushtarake zaptuese serbe të bëhej një Bosnjë e dytë, dhe të asaj shqiptare në përgjithësi” , shprehet veprimtari Kallaba.
Ishte përkrahës i denjë i konceptit politik, filozofik dhe humanist të dr. Ibrahim Rugovës, kryetar i LDK-së dhe president i Republikës së Kosovës. “ Sa herë që ka ardhur dr. I. Rugova në Amerikë e kemi pritur me dashamirësi të madhe. Nga ai mësonim shumë gjëra , si nga fusha e politike, ashtu edhe të tjera, sepse ishte një personalitet i madh me shumë kulturë e njohje politike dhe jo vetëm. Një intelektual me vizion shumëdimensional, largpamës, atdhetar i vendosur, njeri i paqes dhe optimist në proceset politike dhe ekonomike të Kosovës”, thekson Kallaba.
Po ky veprimtar i dalluar u ka dhënë mbështetje të madhe lëvizjeve nacionale që ishin aktive në Amerikë, të Fondit “ Vendlindja Thërret” e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Përveç kësaj ka ndihmuar edhe shumë aktivitete të tjera kulturore, përvjetorë e përkujtime, pritje e përcjellje të liderëve të politikës shqiptare gjatë vizitave në Shtete të Bashkuara të Amerikës, pastaj ka ndërtuar xhaminë në Nju-Jork dhe ka sponsoruar shumë aktivitete të tjera politike e kulturore. Ka sjellë në Ulqin senatorë e kongresistë të njohur amerikanë, Thomas Peter Lantos, Eliot Lance Engel, dhe Joseph J. Dioguard, miqtë e mëdhenj të shqiptarëve, për të ndihmuar përmirësimin e statusit të shqiptarëve në Mal të Zi.
Në të gjitha takimet që ka marrë pjesë ai , atë nuk e kanë interesuar se kush i zhvillon këto aktivitete. Për të me rëndësi ka qenë që t’i bënin për vete senatorë e kongresistët për të cilët kishte aq shumë Kosova dhe gjithë kombi shqiptar. Filozofia e tij për të kontribuar materialisht ka qenë dhe mbetet tejet e thjeshtë, të ndihmojë çështjen kombëtare e jo ata që i organizonin këto tubime, por edhe objektet fetare, për t’u ndihmuar jo prijësve fetarë, por personave që besojnë në Zot. Fjalëpakë, i palodhur dhe i bindur se çdo gjë arrihet me punë, kështu e përshkruajnë biznesmenin e suksesshëm shqiptar , njeriun bamirës dhe kontribuuesin e çështjes shqiptare personat që e njohin , punojnë dhe bashkëveprojnë me të, i cili vitet e pensionit dhe ditët e pleqërisë po i kalon mes Ulqinit dhe Amerikës.