NGA LEZHA NE VERMOSH ME RUSH DRAGUN!

0
210

Shënime udhëtimi

Pjetër Jaku

Udhëtimi nisi që të shtunën, me 13 Korrik 2024, pas promovimit të librit tim dhe Elindës. Kur Rushi na tha që, me 17 do u kthente në Amerikë, dmth pas katër ditësh, si për lojna e pyetëm: Do kthehemi në Amerikë, pa e parë Kelmendin? Përnjëherë, Rushi u përgjigj: “ A jeni gati të shkojmë nesër? Mua dhe Valit na duhet të dalim atje, para kthimit!” Mezi prisnim, edhe pse na kishte lodhë vapa por, edhe pse kishim 20 vjet njohje me Rushin familjarisht. U tha u ba,- vazhdoi ai! Nesër në 7;30 të mëngjesit, takohemi para turizmit e nisemi.

Të nesermen me 14 korrik, Rushi , si gjithnjë korekt, na thirri, se na priste poshtë pallatit, përballë turizmit, aty ku e kishim lënë dje.  Megjithëse na pihej një kafe, dolëm ashtu shpejt e shpejt, unë, Elinda dhe Mara. Kafen e lamë ta pinim rrugës. Kaluam Shkodren me freskinë e mëngjesit, me ajrin që levizte disi më shumë se dje. Ndalemi në Koplik për kafe, ndërsa Elinda mezi priste të ndizte një cigarë. Mara, herë pas here kishte kap ndonjë peisazh, sidomos te Kalasë së Rozafes, si dhe fushave të bukura e arave të mbjella me misër, midis Shkodres e Lezhës. Rrugës për në Vermosh, sigurisht që do të ndalnim, në kryeqytetin e Kelmendit, Tamaren e bukur, që ndriste në gurë, nga fondet e UNESK-os. Që aty fillonin godinat alpine, disi të veçanta. Vali kujton vitet e punës në Spitalin  e Tamares, ndersa Rushi shkollen dhe punën, sidomos katër vitet e drejtimit të asaj komune. Pak më nalt, poshtë Ures së Tamares rridhte Cemi i kthejlltë si qielli. Pa mbrritur në Tamarë, kishim lënë Leqet e Hotit, një zbritje e dredhuar deri rrëzë Cemit dhe sipër, në majë të bjeshkëve, dalloj fare pak Trieshi i Malësisë nën Mal të Zi. Mes  Tamares e Hotit , shtrihej, në një rrafshinë të bukur Rapsha e Hotit, një mrekulli prej guri, ku rruga e ndante përmidis.

Prej aty,  ishte a nuk ishte gjysëm ore  Qafa e Predelcit, pothujase mes Lëpushes dhe Vermoshit. Lëpusha, një pllajë e mrekullushme, mbushur me gjelbërim e livadhe pa mbarim. Mbi malet e nalta dalloheshin edhe Bjeshkët e Namuna, tashma të njohuna për çdo shqiptar e shumë vizitorë të huaj. Pas kafes që pimë në Klubin përballë Kishës së Predelecit, e cila kishte një histori të re, në një vend që njihej që në lashtësi. Livadhet në Qafën e Perdelecit, ishin pronë e Rush Dragut dhe të fisit të tij. Jo pak, por me dhjetra hektarë, që ngjiteshin deri në majë të malit me pisha e ahe shumëvjeçarë. Aty, prej gati 30 vjtesh bëhet Miss “ Bjeshka”, në gusht të çdo  viti, një aktivitet që përfshinte krejt Malësinë, andej e këndej kufinit. Aktiviteti bëhej në tokën e Rushit, me lejen e tij. Veç kësaj, Rushi i kishte falur Dioqezes 5 dynim  për ndërtimin e Kishës dhe rrethinës së saj. Pak mbi Kishë ishte shtëpia e Rushit dhe, dikun nja 50 hapa larg shtëpisë, ishte varri i xhaxhait të tij, Dede Mark Dragu ( Gjerkaj),  vrarë nga serbët. Për këtë e shumë ngjarje të tjera të Kelmendit, kisha lexuar më parë, në librin e tij:  “KELMENDI DRITEHIJE“. Edhe pas 34 vjetesh ndryshime politike, Rushi ende s’i kishte marrë dokumentat e pronësisë së tokës së tij, të trashëguar prej qindra vitesh, ndërsa Kryeministri bën spektakle legalizimesh në Theth,  ku thethianët kanë ndërtuar në tokat e stërgjyshërve. Në Lëpushë, edhe pse nuk zbritem deri poshtë, për shkak të rrugës jo të mirë, iu afruam gati per ta prekur. Shtëpitë e Dragajve ishin në një kodrinë të vogël, të rrafshtë, me shume pemë dhe disa bujtina të veçuara. Poashtu, kishte disa livadhe dhe arëza të vogla, që jeshilonin, thua se ishte maj, jo  mesi i korrikut, ku digjeshin edhe gurët. Disa kelmendas që jetojnë e punojnë prej vitesh  në Detroit, kishin filluar e ndërtuar shtëpi e bujtina, që së shpejti do t‘i vinin në funksionim. Edhe pse tempratura i afrohej 40-tes, në ato bjeshkë nuk e ndjeje dhe aq të nxehtin, të ledhatonte një fllad aq i ëmbël, sikur të ishe në ëndërr.

Nga  Qendra e Lezhës deri në Qafën e Predelecit, nuk ishte më shumë se 2 orë e 30 minuta, afro 130 klm. Prej këtu ngjitemi për Vermosh, skajit ma verior të Shqipërisë së Veriut. Vermoshi, vërtet një përrallë turistike. Shtrihej në një relievë të rrafsht, në majë të majave, një pllajë afro 10 kilometra, me një lum në mes e shtëpi karakteristike anash. Aty më bie të shoh shtëpinë bujtinë të Tinajve, ku Gjergjin  dhe biznesin e tij e kam  njohur në Detroit. Kthimi i tij për këtë sezon është zgjedhja më e mirë dhe e duhur që ka ba. Të jetosh në këto bjeshkë të shtohet jeta, ndaj dhe Gjergji, më thonë se i ka kaluar të 90-tat dhe, ndjehet si një 50 vjeçar. Do t’i kërkoj falje, që kësaj here nuk mund u ndalem te bujtina e tij. Na priste Dodë Dragu ( Gjerkaj ), në Hotel  „Kelmeni“ , të cilit i kishim pranuar ftesen për një drekë. Me makinën e tij të naltë, Doda kishte zbrit të na merrte , aty ku dikur kishte qënë e ishte shkolla, fusha e futbollit dhe zyrat e zones. Prej kësaj qendre ishte pak ma shumë se një klm, Hotel „Kelmeni“. Doda e kishte biznes familjar. Atë ditë punonin Doda me bashkëshorten Vera, vajzat Anjeza dhe Dea e djalin Andrea. Një meny bjeshke me prodhimet e tij, tuj fillu nga buka e përfundu te mishi e peshku. Shija e djathrave, (sidomos djathit të zimë ), peshkut të lumenjve, mishit të kecit, taves tradicionale me miell e gjalp, patateve të Kelmenit dhe domateve te regjuna, ishte një  mrekulli bio. Veç këtyre, mua më shijoj  edhe rakia e thanave, që rrallë herë gjindet. Tuj u falenderu bujarisë së këtyne malsorëve, marrin kthimin, për t‘u ndalu në Kafe “Panorama” të Bajzes, e pastaj në Lezhë, tuj lanë mrapa një kujtim të mrekullushëm të Vermoshit, të Lëpushës e Qafë Drenoves, Gropë-Selces e Ostriçit, Jasanoves e Radetines, Grabomes e Rapshes, Kushes e Briges, Fushë-Lojes e Budaçit, Bajzes së Kastratit e Hotit, e tjera vendbanimeve, aq të bukura. Një falenderim të veçantë për Rushin e Valin, nga Unë, Elinda dhe Mara, që na mundësuat këtë udhëtim kaq mbresëlënës!

 E dielë, 14 korik 2024