NË NDERIM TË BURRIT TRIESHJANË LUCË GJON MATIT GJONAJ

0
526

Shkruan, Gj. Dukaj

Të dielën e kaluar, më 9 korrik, në fshatin Rudinë të Trieshit, u organizua një solemnitet mjaft i veçantë me rastin e vendosjes së pllakës përkujtimore, burrit të nderuar të vëllazërisë Gjonaj, Lucë  Gjon Matit ( 1862 – 1957).  Edhe krahas motit të nxehtë në këtë periudhë të vitit, në këtë vend kishin ardhur bashkëvendës të shumtë nga të gjitha anët e Malësisë; të afërm, të njohur e miq të kësaj vëllazërie e që jetojnë në mërgim, për të nderuar personalitetin e këtij burri të shquar i cili, me veprat e veta njerëzore e atdhetare, vazhdon gjithnjë të jetojë në kujtesën e banorëve të këtij vendit por edhe më gjerë.

Bashkëvendësi Mark N. Gjeloshaj, në fjalën e përshëndetëse për mysafirët, veçoi personalitete të shumta të Trieshit në mesin e të cilëve edhe Luc Gjon Matin Gjonaj, me kujtime të paharruara nga bashkëkohësit e tij, për virtytet e tija njerëzore, dashamirësinë vëllazërore për të afërmit e vet dhe mbarë kombin. Me këtë rast, po ashtu, u veçua shembulli i Lucës në luftra të shumta, së bashku me bashkëvendësit trieshjanë, duke filluar nga lufta në urën e Lemajës, më 1907 dhe në beteja tjera për lirinë e kombit kudo. Njëjtë edhe folësi tjetër Zef K. Gjokaj, përkujtoi figurën e këtij burri të nderuar, përmes veprave të trashëguara nga brezi në brez por edhe si bashkëvendës në kujtimet e shumta nga koha që jetoi dhe veproi.

Famullitari i P. Mirash Marinaj, në bekimin e këtij monumenti, veçoi përmbajtjen të paraqitur me simbolet;  fe, komb e atdhe, të thkesuar qartë në ballin e pllakës së vendosur, ashtu siç ishte edhe jeta dhe verpimtaria e Lucë Gjon Matit, kurse, bashkëvendësi, Lekë Nikprelaj, recitoi vargje të zgjedhura, kushtuar këtij burrit të dalluar. Fillimisht, moderatori i këtij eventi, Toni Gjurashaj, i ftoi Fran dhe Ivan Gjonaj, të afërm të Luc Gjon Matit, të zbulojnë pllakën përkujtimore, të vendosur bri rrugës kryesore të Trieshit.

Vendosjen e kësaj pllake e financuan familja e Vasel Mark Gjonaj, të cilët jetojnë në SHBA, vëllezërit Fran, Rroku e Nika, të cilët së bashku me bashkëvendësit në mërgim, janë të njohur për kontributit e shumta në vendlindje dhe më gjerë.  Ata, falënderuan përkrahjen nga familja e Gjergj Mirash Gjonaj, në vendlindje, për ndihmesën e dhënë në vendosjen e kësaj pllake, pikërisht në këtë vend. Në përfundim të këtij ceremoniali, të gjithë të pranishmit ishin të ftuar në sofrën e shtruar bujare të familjes së Vasel Mark Gjonaj, te Kisha e Shënkollit, ku kaluan disa orë të këndshme në flladin e këtij ambienti të bukur të ndërtuar nga Kolë P. Cacaj.

Duhet theksuar se shembujt e këtillë nga bashkëvendësit tonë që jetojnë në mërgim, janë kujtime të bukura për të shënuar ngjarje dhe personalitete të dalluar nga e kaluara jonë, të cilët me sakrifica të shumta, në skamje e vështirësi të ndryshme siç ishite e kaluara në trevat tona, u mbetën besnikë trojeve të veta arbënore. Ky është vetëm njëri nga shembujt e shumtë në trevën e Malësisë, ku bashkëvendësit tonë, me punën dhe kontributin e tyre në vazhdimësi, veprojnë në  ngritjen e busteve, pllakave përkujtimore, lapidarëve dhe përmendoreve të ndryshme, burrave të merituar të Malësisë dhe ngjarjeve të shumta historike në ruajtjen e identitetit tonë kombëtar, shpirtëror dhe kulturor në këto hapësira. Kështu u dëshmua, u ruajt dhe u kultivuan vlerat tona nga e kaluara e lavdishme nëpër shekuj. Nuk është thënë kot se çdo oxhak, kullë e çdo prag në këto treva arbënore, ruan në vehte faqe të lavdishme të traditës, kulturës, dashurisë për kombin, lavdisë për historinë shekullore duke shkruar kështu faqet e ndritshme të saj. E shkruan ata që u lindën, jetuan dhe vdiqën me flamurin kombëtar në zemër, ata që u betuan me nderin, besën dhe njerëzinë, me mikun dhe kumarinë. Kjo, ishte e përditshmja e njerëzve tonë, e atyre që u mbetën besnik virtyteve më të larta me të cilat frymuan të parët tanë. Duhet theksuar se është shembull i bukur kur Institucionet e larta shtetërore nga Tirana, duke vlerësuar sakrificat e shumta  për tokën arbërore, kanë ndarë dhe vazhdojnë të ndajnë, mirënjohje të larta duke i përkujtuar bijtë dhe bijat e shumtë të trollit shqiptarë, për kontributin e dhënë në periudha të ndryshme vendimtare për kombin dhe shtetin shqiptar. I tillë ishte edhe burri i nderuar, bujar e human, i ndershëm dhe i përkushtuar traditës kombëtare, Luc Gjon Mati Gjonaj, cili kohë më parë është përkujtuar nga Tirana zyrtare për meritat e tij në mesin e bashkëvendësve të shumtë trieshjanë, në beteja kundër armikut shekullor, në logje kuvendit e sofra pajtimit në kohën e vet, me virtyte të larta të njohura në trevat tona dhe, mbi të gjitha, për afërsinë që kishte me njerëzit e vet, të gjithë ata që flisnin gjuhën e ëmbël shqip, ashtu siç e kujtuanë dhe e ruajtën në kujtesën e vet, bashkëvendësit e tij, nga gjysmëshekulli i kaluar në këto treva.

Prandaj, një falënderim i veçantë për të gjithë ata të cilët, nuk kursejnë djersën në vet në përkujtim të parëve, në përkujtim të vlerave që i trashëguam nëpër shekuj.