Berisha zbardh mashtrimet e ambasadorit Alistair King-Smith

0
137

Kryetari i PD, Sali Berisha denoncoi konkretisht ambasadorin britanik në Tiranë, Alistair King-Smith si njeriun që ka ofruar mashtrime pranë qeverisë së tij për shpalljen non-grata.

“Shembuj të dizinformatave të ambasadorit King-Smith ofrohen në mënyrë të qartë e të përsëritur nga dokumentet e paraqitura nga Home Office në këtë proces. Nga seria e trillimeve që i ka dërguar qeverisë së tij, citoj fabrikimin e zotit King-Smith se pas urdhrit të përjashtimit, Sali Berisha ka nisur sulme publike kundër qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar. Është lehtësisht e verifikueshme që kjo deklaratë është një gënjeshtër e pastër. Nuk ka asnjë deklaratë publike apo komunikim publik të çfarëdo lloji, në të cilin unë sulmoj qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar, për çfarëdo arsye. Përkundrazi, unë kam denoncuar në deklaratat e mia publike në Kuvend dhe intervistat e mia në mediat shqiptare dhe ato të MB, sulmet e Edi Ramës dhe ministrave kundër qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, për çështjen e emigrimit të paligjshëm të shqiptarëve, si dhe eksportimin e kriminalitetit nga Shqipëria në MB dhe vendet e tjera. Shtoj këtu, se si ish president dhe ish-kryeministër i këtij vendi, pas rënies së diktaturës komuniste, kam punuar me përkushtim të veçantë për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe të gjithanshme dhe zgjidhjen me sukses të plotë të të gjitha problemeve midis dy vendeve, të mbartura nga diktatura komuniste. Në vizita zyrtare në Britaninë e Madhe, jam pritur në Buckingham Palace, 10 Downing Street dhe Parlamentin Britanik. Kam pasur nderin të pres anëtarë të familjes mbretërore, anëtarë të nderuar të parlamentit e qeverisë britanike. Partia Demokratike, që nga themelimi i saj, ka pasur një bashkëpunim të ngushtë dhe të çmuar me Partinë Konservatore të BM. Gjatë viteve të mia në pushtet, Britania e Madhe ka dhënë një mbështetje të çmuar për reformat transformuese të vendit, anëtarësimin e tij në KiE, NATO dhe progreseve thelbësore drejt integrimit në BE”, tha Berisha.

“Në dokumentin e sipërcituar, i vetëdijshëm se shpifjet dhe trillimet që i ka dërguar qeverisë së tij ndaj meje nuk qëndrojnë dhe nuk i mbron dot në gjyq, ambasadori shkruan se “Nëse kundërshtimi gjyqësor i Berishës për përjashtimin e tij është i suksesshëm. Qeveria britanike do të përballet me dëmtimin e reputacionit të saj ndërkombëtar, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor”. Madje në logjikën e keqbërësit po aty shton se: “…edhe heqja e urdhrit të përjashtimit të Berishës para gjykimit do të sjellë një dëmtim të njëjtë dhe ka të ngjarë edhe më të madh të reputacionit”..

Këto rekomandime te Ambasadorit King Smith në Tiranë janë një përpjekje e dëshpëruar për të mbrojtur veten nga keqbërjet e tij dhe për të mbuluar disinformimin që i ka bërë qeverisë së tij. Ai përdor si argument kryesor për mbajtjen e sanksioneve, jo të vërtetën e mbështetur në prova, por dëmtimin që pretendohet se i vjen reputacionit të MB, nëse vendimi i padrejtë për sanksionimin tim do të anulohet nga drejtësia britanike, falë mungesës totale të provave. Sipas këtij arsyetimi, reputacionin e dëmton jo mbajtja e një vendimi të pabazuar në prova, por korrigjimi i një vendimi të padrejtë e të pabazuar.

Në rekomandimet e tij ambasadori King Smith tregon se ai, për të mbrojtur karrigen e tij dhe denigruar me trillime një njeri tjetër të pafajshëm, është i gatshëm të injorojë drejtësinë, ligjin, ndershmërinë, të cilat janë elemente thelbësorë të reputacionit të vendit të tij.

Në rekomandimet e tij për mos-heqjen e vendimit të pabazuar të Home Office, në mungesë të provave, ambasadori King – Smith përdor kundër meje argumente të mirëfillta politike. Duke dëshmuar anshmëri të theksuar politike ai shpreh shqetësimin se heqja e vendimit të Home Office kundër meje do të ndikojë pozitivisht ne rezultatin e Partisë Demokratike në zgjedhjet lokale: “…Ky risk është më i madh për shkak të periudhës së zgjedhjeve lokale të Majit 2023, në të cilat Berisha përballet me një sfidë të forte për të ruajtur votat dhe vendet e partisë së tij”.

Përveç këtyre, ai përdor një tjetër argument politik absurd për mos heqjen e urdhrit të përjashtimit tim. Ai i shkruan qeverise se tij se: “Heqja e përjashtimit për Berishën mund të paraqesë rrezik reputacional për Home Office dhe më gjerë për Qeverinë e Madhërisë së Tij (QMT). Britania e madhe ka marrë këto kohë kritika publike nga liderë të rëndësishëm shqiptarë (përfshirë kryeministrin Edi Rama) për paraqitjen në media të emigrantëve shqiptarë”. Është e vërtetë se Edi Rama gjatë krizës së refugjatëve sulmoi qeverinë konsevatore mbi baza politike si raciste. Por është krejtësisht absurde ideja se keto sulme, te cilat nuk kanë asnjë lidhje me mua, mund të përdoren si argument kundër heqjes së urdhrit të pabazuar të Home Office ndaj meje, pasi do të dëmtonin reputacioni e QMT.

Në përpjekje për të mbrojtur trillimet që i ka dhënë qeverisë së tij kundër Berishës, ambasadori King Smith, paraqet Carlo Bollino, si dëshmitar të paanshëm. Ai vlerëson besueshmërisë e mediave të Bollinos, Shqiptarja.com dhe Report TV, si media që “… anojnë pak nga qeveria, por jo dhe aq shumë”. Ky përshkrim është një tallje me realitetin dhe shqiptarët që jetojnë në këtë vend. Carlo Bollino njihet në Shqipëri, jo vetëm për mbështetjen e verbër për Ramën dhe qeverinë e tij, por para së gjithash, për akuzat se Rama i shpërblen shërbimet e tij me kontrata koncesionesh fitimprurëse, asete publike dhe sipërmarrjet e tjera korruptive. Këto fakte janë publikuar gjerësisht në mediat shqiptare, por ambasadori ka zgjedhur t’i fshehë ato dhe të paraqesë tek Home Office një rrëfim tërësisht të deformuar.

Janë disa burime shqiptare që informojnë se, pasi gënjeu qeverinë e tij për kinse lidhjet e mia me grupet kriminale dhe korrupsionin, ambasadori britanik tani troket në dyert e ministrive dhe institucioneve qeveritare shqiptare duke kërkuar dokumente apo fakte për korrupsionin e Berishës, duke thënë se “…na duhen fakte pasi rrezikojmë të humbim çështjen në gjykatë”.

Opinioni publik dhe media në Shqipëri kanë vënë në dukje se ambasadori King – Smith, në të njëjtën linjë veprimi me qeverinë e Edi Ramës, është kthyer në një armë kundër opozitës shqiptare dhe duke e bërë këtë, dëmton mekanizmat e kontrollit dhe balancës që ofron një opozitë e vërtetë në çdo shoqëri demokratike. Në kontrast të thellë nga përqasja e tij me opozitën shpaloset qëndrimi i z. King Smith ndaj qeverisë, të cilën mediat e kanë vënë vazhdimisht në dukje si një sjellje të pazakontë,” tha Berisha.