Në 72-vjetorin e pushkatimit të Dedë Nikë ( Nici) Nikollaj

0
431

E pushkatuan komunistët jugosllavë, por nuk pranoi të heq kryqin nga qafa

Gjekë Gjonaj

Nuk është i vogël numri i trieshjanëve të cilët u arrestuan, u torturuan , u burgosën dhe u pushkatuan nga regjimi totalitar i komunizmit në Shqipëri dhe në ish – Jugosllavi. Numri i saktë i këtyre të pushkatuarve për motive politike deri më sot nuk dihet, sepse këto shifra asnjëherë nuk janë bërë publike nga asnjë institucion shtetëror e as nga ndonjë historian shqiptar apo i huaj. Këta djem dhe burra antikomunistë u harruan nga shteti dhe historiografia shqiptare edhe pas tri dekadash në demokraci, por mbetën të paharruar në kujtesën popullore ( kolektive) të Trieshit. Për këta guximtarë, të cilët i dolën në shesh dhe u përballën me diktaturën dhe diktatorët e kohës gjatë periudhës së monizmit, nuk është guxuar të flitet asnjë fjalë e vetme, sepse familjarët, të afërmit dhe farefisi i tyre kishin frikë se do të ndëshkoheshin ashpër dhe pamëshirshëm nga diktatura komuniste. Kjo heshtje, për fat të keq, vazhdon edhe sot në periudhën post – komuniste demokratike në disa familje trieshjane, të cilat ende nuk janë çliruar nga paniku të cilin e përjetuan.
Disa trieshjanë të ekzekutuar nga diktatura komuniste vazhdojnë të jenë të zhdukur. Edhe sot mjaft familje trieshjane që vuajtën persekutimin komunist nuk dinë ende se ku gjenden eshtrat e të afërmve të tyre, të vrarë gjatë diktaturës. Ndër trieshjanët e rrallë që u vra nga komunistët jugosllavë dhe u varros në varrezat familjare është Dedë Nikë ( Nici) Nikollaj nga fshati Muzheçk. Ai është një emër i panjohur për shumicën e shqiptarëve . U lind në vitin 1910. Rrjedh nga një familje e varfër fshatare. Prinëdrit e tij Nika dhe Bjeshka kishin tre djem, Prelën, Tomën e Dedën dhe dy vajza, Filen dhe Pashkën. Dedë Nici jetoi në një familje prej pesëmbëdhjetë anëtarësh në kushte tejet të vështira sikurse edhe shumica e moshatarëve të tij të varfër të Trieshit. Ai u rrit në mjerim i cili përkon edhe me legjendën e Migjenit. Nuk dinte shkrim e lexim. Por ishte atdhetar dhe besimtar si dhe shumë muzheshjanë të tjerë. U martua në moshën 31 vjeçare me vajzën ( nuk ia dimë emrin) e Gjekë Ukë Dedvukaj nga fshati Bardhaj të Hotit, kushërirë e afërme e heroit tonë kombëtar Dedë Gjo’Lulit. Lumturia mes këtyre dy bashkëshortëve zgjati pak. Vetëm një vit kur partizanët jugosllavë e vrasin Dedë Nicin , në moshën 32 vjeçare . U ekzekutua për fajin e vetëm se ishte kundër regjimit komunist në vitin 1945 afër vendit të quajtur Fjerrkuqe në Bardhaj të Hotit. Në momentin para se ta pushkatonin partizanët sllavë të pa fe kërkuan nga Deda që ta hiqte kryqin që e mbante në qafë dhe ta përdhoste.
-Hiqe atë kryq që e mbanë në qafë dhe gjuaje në tokë ! – i bërtiti me zë të lartë oficeri partizanë.
-Jo, nuk e heq kryqin për së gjalli! – iu përgjigj me gjakftohtësi Deda .
-Ose do të heqësh kryqin, ose do të vdesësh, – e kërcënon përsëri oficeri.
-Dua të vdes me nder, si i krishterë, ishin fjalët e fundit të Dedë Niicit para pushkatimit. Pas shqiptimit të këtyre fjalëve atë e vrasin partizanët komunistë . Kështu u shua edhe një jetë pafajshme e një djali të ri të sapomartuar e pa trashëgimtar, duke marrë me vete vështirësitë, vuajtjet, dhe dhimbjet e mëdha e shumë më pak gëzimet e kësaj jete.
Vdekja e tij theu përgjithmonë zemrat e prindërve, vëllezërve , motrave e familjarëve të tij. Familja pasi dëgjoi lajmin e dhimbshëm , të papritur për vrasjen e djalit të tyre, e morën trupin e tij të pajetë dhe e varrosën në varrezën familjare në vendlindje, pa ndonjë ceremoni mortore të gjerë publike, për shkak të frikës nga regjimi i kohës. Familjarët dhe pasardhësit e tij, për dallim nga shumë familje shqiptare të cilat ende nuk i dinë eshtrat e më të dashurve të tyre, patin fatin që të kenë ku të vendosin një tufë lule dhe të ndezin një qiri për djalin e tyre të dashur.
Tre nipat e Dedë Nicit Nikollaj, Zefi, Nikolla dhe Gjeloshi, të cilët ndodhen në mërgim në shtetin e largët në Australi, ia ndërtuan varrezën familjare. Ata sa herë që vijnë në vendlindje shkojnë pranë varrit për të qetësuar shpirtin e tij dhe të familjarëve të tyre të tjerë eshtrat e të cilëve prehen aty.
Gjaku i tij i derdhur do të bashkohet me gjakun e të gjithë atyre shqiptarëve që u vranë padrejtësisht nga komunistët. Gjaku i tyre i përbashkët do të bëhet dritë për popullin shqiptar dhe për të gjitha trojet shqiptare.