Myzerim Zeneli dhe Blend Fevziu

0
850

Nga Erl KODRA : Krejt padashur lexova një shkrim të Blend Fevziut rreth masakrës së Velipojës, të titulluar “Myzerimi u vra duke ëndërruar një jetë normale”. Sikur autori të mos ishte ai, shkrimi ngjante korrekt, madje me një dozë të lartë ndjeshmërie. Por jo, nuk paska qenë e thënë që edhe kjo vrasje t’i shpëtonte vigjilencës së gazetarit të madh Blend Fevziu. E thënë ndryshe, i gjithë teksti përçonte dozë të lartë hipokrizie dhe vaniteti. Me sa duket Blendi është i përshtatshëm vetëm për atë çfarë bën, por jo për tema të tjera të ndjeshmërisë së lartë, bie fjala për vrasje 20 vjeçarësh. Për të tilla tema mund të shkruajë kushdo – madje edhe ata që nuk dinë shkrim e këndim – por jo Blend Fevziu.
Blend Fevziu është njeriu me hapësirën më të madhe mediatike në Shqipëri, dhe padyshim, gazetar i rëndësishëm në këtë vend. Kur them gazetar i rëndësishëm, kam parasysh pozicionin që ai ka në median shqiptare. Por kujdes – i rëndësishëm nuk do të thotë se ai është edhe gazetar i mirë. I rëndësishëm mund të bëhesh edhe duke bërë gazetari të keqe. Dhe Fevziu saktësisht këtë bën – gazetari të keqe, të shëmtuar, manipulative, të dëmshme dhe të rrezikshme për shoqërinë.
Fevziu merret me të gjitha temat – që nga politika deri tek seksi i ëngjëjve – duke i shkatërruar në themel të gjitha çështjet që trajtohen në OPINION-in e tij. Dhe këtë nuk e bën nga padija ose se nuk e kupton mirë dëmin që i shkakton shoqërisë, por e bën saktësisht sepse e di se çfarë po bën. Zakonisht ai nuk ka një opinion të vetin, sepse bën të paditurin, naivin, të pafajshmin.
Ai e merr temën, sado e madhe qoftë, sado skandaloze, sado e rëndësishme, sado e jashtëzakonshme, e vendosë në mes të 4-6 kolltuqeve, dhe i futet trajtimit të saj në mënyrë tangente, të përciptë, duke i prekur vetëm sipërfaqen – mundësisht për ta larë ose lustruar atë. Përparësi kanë temat e ditës, ato ngjarje ose skandale që trondisin. Pas OPINION-it të gjithë ndahen të kënaqur, sepse skandali u trajtua në programin e gazetarit më të rëndësishëm, u mbajtën qëndrimet politike të palëve, ndërsa vet Blendi iu është hakërryer të ftuarve, ua ka ndërprerë fjalën saktësisht atëherë kur ata po preknin thelbin.
Kur Blend Fevziu bën naivin – ky është një çast kulminant kur telekomandat thyhen – pas atij naiviteti të pafajshëm fshihet djallëzi e madhe. Sepse pyetja naive shpërqëndron vëmendjen, shfokuson thelbin, orienton shikuesit drejt periferisë, mjegullës. Vet Blendi nuk ngre ndonjë pyetje të fortë, as dyshime të arsyeshme, madje ai nuk ngre asgjë që shqetëson opinionin publik. Domethënë, ai programin e zhvillon në kontekste të tjera, duke shkarkuar qëllimisht ngarkesat negative të ngjarjes dhe veshur nuanca normale.
Fevziu interviston njerëzit më të rëndësishëm të vendit – dhe ky është fakti tjetër pse ai është një gazetar i rëndësishëm – por asnjëherë nuk u bën pyetje që djegin, ose edhe kur i bën, ai nuk pret të marrë përgjigje adekuate, madje as nuk këmbëngulë t’i marrë ato. Ai nxiton, shpesh herë duke këmbëngulur në pyetje naive, sa të ngjanë me ndonjë budalla të mirë, të pafajshëm. Por nuk gabon asnjëherë – ta zëmë – të pyes Kryeministrin rreth rastit Francesco Becchetti, ose më keq akoma – të ndërtojë programin rreth kësaj teme, të ftojë njerëz me integritet dhe profesionistë. Unë nuk e di një rast të vetëm kur një temë e rëndësishme, një ngjarje ose skandal qeveritar, është bërë objekt i disa programeve të Blend Fevziut, në mënyrë që të trajtohet ashtu siç duhet, dhe t’i shkohet deri në fund debatit publik.
Vet Blend Fevziu nuk ka ide për tema të mëdha. Ai nuk ka një mendim të vetin për çështjen e Teatrit Kombëtar, megjithse ai e ka trajtuar rastin. Ai nuk nuk ka një opininon për patronazhistët dhe zgjedhjet. Në përgjithësi ai nuk ka asnjë mendim për Reformën në Drejtësi, ose për qeverisjen. Mendimet e tij i thonë të ftuarit e përhershëm – përgjithësisht Lorenc Vangjeli, Baton Haxhiu, Preç Zogaj dhe ndonjë tjetër.
Blend Fevziu ka edhe anën tjetër interesante, që e kompleton si personazh të rëndësishëm. Ai është një individ vanitoz dhe propotent, që nuk nguron të ekspozojë pasurinë dhe pasionin për udhëtime dhe luks. E çuditshme si ia del të vizitojë gjithë kontinentet dhe vendet ekzotike, në çdo cep të globit, dhe të rikthehet në Tiranë për të shkruar edhe tekstin për Myzerim Zenelin, 20 vjeçarin e shkretë që u vra në masakrën e Velipojës. Mbase nuk ai nuk e di, por gjysma e rinisë shqiptare jeton në rrethana të njëjta me Myzerim Zenelin e ndjerë – dhe diferenca qëndron tek rastësia ose fati personal – dhe se potencialisht çdo i ri shqiptar mund të ishte viktima e masakrës së Velipojës. Nëse Blendi gjendet në Shqipëri – sonte Myzerimi do të jetë një temë interesante që ai ta trajtojë në OPINION – ku Lorenc Vangjeli do të shprehë keqardhjen e thellë për jetën e jetimit, të prerë brutalisht dhe padrejtësisht në mes. Por kujdes – nëse dikush do tentojë të thotë ndonjë fjalë se ku është katandisur shoqëria, dhe nëse rastësisht qeveria ka ndonjë përgjegjësi, do t’i pritet fjala në mes, duke i thënë:
“Më fol për temën, mos m’u hidh andej se nuk mbarojmë deri në mëngjes”.
Në fund tema quhet e mbyllur, e euzaruar deri në fund, dhe Blend Fevziu do jetë në pritje të ngjarjeve të tjera skandaloze, që kurrë nuk mungojnë në trojet tona etnike.
Duket sikur temat dhe skandalet e mëdha presin që të ndodhin me rradhë, qetësisht dhe butësisht, pastaj aplikojnë tek Zyra e OPINION-it për trajtim, për lajrje dhe hekurosje, për t’u stivosur më pas me një etiketë:
“E trajtuar në OPINION” – domethënë e zgjidhur, e larë, e pastruar, e hekurosur, dhe sigurisht për t’u harruar të nesërmen.
Të jesh një person i rëndësishëm nuk do të thotë se je edhe njeri i mirë, ose gazetar i mirë, ose intelektual i mirë. Të rëndësishëm të bën pozicioni që zë në një shoqëri, sidomos kur ke në dorë të thuash të vërtetën ose jo. Blend Fevziu ka raporte të komplikuara me gazetarinë, të vërtetën dhe moralin. Prandaj teksti i tij për 20 vjeçarin zgjon njëlloj neverie – sidomos kur flet për ditën e tij të parë të punës – që ishte edhe dita e fundit e jetës.
Sepse në këtë rast kureshtja e lexuesit është – ku ishte Fevziu kur e shkroi këtë tekst? Në Afrikë, Azi, apo Karaibe? E shkruajti me celular, laptop, apo ia diktoi ndonjë tjetri në redaksi? Dhe meqë ra fjala – a do të bëjë Fevziu sonte një program për Myzerim Zenelin?
Edhe mundet – sepse 20 vjeçari vërtetë e meriton. Por ne, nuk e meritojmë Blend Fevziun.