“Me varrimin e Fishtes u varros një epokë!” *

0
870

Fjala e mbajtur me 23 tetor 2021 në Mbrëmjen Kryesore të Ditëve të Letërsisë Shqipe në Amerikë

PJETER  JAKU

Të dashur e të nderuar të pranishëm!

Nuk po ju përshëndes me emra pasi,në këtë sallë, të gjithë të pranishmit e kanë njëfarë lidhje me librin, me letërsinë. Nëse nuk janë autorë, janë lëxues të mirë, që në çdo rast na kanë ndejtur pranë. Në vitin që shkoi, kishim 20 vjetorin e Ditëve të Letërsisë Shqipe në Amerikë por, edhe pse kishim menduar që herët për këtë Jubile, nuk e realizuam, pasi pandemia na e preu mundësinë e takimit fizik, megjithatë Konkursi shkoi si s’ka ma mirë. Dy çmimet e para u botuan, e sot janë në dorë të lexuesve.

Pa dashtë me ba histori, që nga maji i viti 2001, kur doli numri i parë i

Revistes “ Kuvendi” në Amerikë, përkatësisht në Michigan, u botuan 233 numra me afro 25 mije faqe. Konkretishte dhe me detaje, historikun e këtij aktiviteti do ta lexoni në librin e publikuar në vitin 2020 “ NJEZET VJET ME KUVENDIN DHE DITET E LETERSISE”

Si e mori udhen ky aktivitet?

Vetëm katër muaj pas publikimi të Revistes Kuvendi, në numrin e shtatorit publikova “Bisedë imagjinare me At’ Gjergj Fishten”, jo vetëm për Lahuten e Malcisë, por për shumë detaje të tjera në lidhje me krijimtarinë e Homerit shqiptar, siç asht thirr Fishta, mendova ta përkujtojmë ditëlindjen e gjeniut pa varr, të mospërmendurit prej një gjysëm shekulli, të përsekutuarit edhe pas 90-tes. Botimet e para të pas 90-tës u kryen në Itali dhe Kosovë. Të drejtën e pronësisë mendore, At’Fishta e kishte lanë në testament, për të cilin ka shkruar Benedikt Dema, në vitin 1941, vetëm një vit pasi kishte shku në Amshim!

Nuk e shoh me vend tu mbaj gjatë me fjalen time , në këtë vit Jubile të 150 vjetorit të Lindjes së Tij! Ju të gjithë mund të gjeni të dhana e hollësi për jetën dhe vepren e këtij lisi të madh, që kurrë nuk do të harrohet, edhe pse qarqe të caktuara, lodhen sot e kësaj dite t’ia mbyllin gojën, t’ia varrosin veprën, t’a plagosin bash në zemër letërsinë e mirëfilltë shqipe, ku duam apo nuk duam ne, e ka zanafillen në gegni! E pohoi me bindje se edhe pas 90-tës, Fishta e letërsia veriore u mohua. Ka ma shumë  se dhjetë vjet që mohimin e letërsisë veriore e vuni në dukje një ndër mësuesit më të mirë të letërsisë e gjuhës shqipe, Pjetër Mili në shkrimin “ Përse letërsi joveriore për maturen shtetërore” ( bahet fjalë për gjimnazet. Të mohosh Fishten, Mjeden, Camaj e Koliqin është sikur ti heqësh ma shumë se gjysmën letërsisë shqipe! Por, asht edhe një dukuri negative që rreket t’u mbush mendjen studentëve, se në Veri nuk ka pasë letërsi ndonjëherë….

Kur njeriu ban aq sa din i falet, po kur djallëzia shtetnore ban ashtu si don, për shije përsonale, asht e pafalshme!

Fishta jetoi dhe krijoi në dy epoka letrare atë të Rilindjes, ndonëse në moshë krejt të re, dhe në atë të Pavarësisë. Ishte vetëm pak mbi 25 vjeç, kur filloi të shkruante Lahuten e Malësisë, librin e parë të të cilit, “ Te Ura e Rrzhanicës” e botoi në vitin 1905. Në veprën e plotë që u publikua në vitin 1937 në afro 16 mijë vargje ka 110 përsonazhe, ku heroi i këtij eposi është populli shqiptar.Vetëm 8 vjet ma vonë do të bonte lirikat e mrekullueshme në “Mrizin e zanave”.

Vetëm për Fishten numërohen 23 libra monografik, biografik dhe studimorë, 7 përmbledhje studimore të ndryshme, saktësisht 1000 shkrime e sprova analitike për Fishten dhe vepren e tij.Fishta në vepren e tij poetike shkroi afro 50 mije vargje dhe mijëra faqe  tema të ndryshme edhe në publicistikë.

Mendoj, se rrallëkush ka pasë këtë dyndje të intelektit shqiptarë e të huaj, që është sjellur rreth tij, si përson, si përsonalitet, si autor i veçantë  me cilësinë dhe talentin e padiskutueshëm, në jo vetëm një gjini letrare. Tuj fillu me Mayer, Lambertz, Jokli, Petrota, Baldaci, Konica, Koliqi Lasgushi , Çabej, Spase dhe Marko.

Duke përshkruar vdekjen e tij, njëri nga zërat më në zë të një epoke pa dritë në letërsinë shqipe, do të shprehej:

“Gjergj Fishta vdiq në vitin 1940, kur vendi ishte në kulmin e zisë së robërisë, kurse ai vetë në majën e një lavdije, përndritja e së cilës ngjante ogurzezë në sfondin mortor fashist. Varrimi i tij i organizuar me madhështi nga qeveria kuislinge shqiptare, nga kleri katolik vendas e nga Vatikani i Romës, ishte njëkohësisht varrimi i një epoke në letërsinë shqipe.

Kadare “ Ardhja e Migjenit ne letersine shqipe”, fq 43

Edhe pse thamë në fillim se do ti shmangemi historisë dhe politizimit të lelëtrsisë që na la Fishta, e kemi të pamundur për vetë rrethanat shumë të cilësuara, që erdhen për rrjedhojë të një letërsie tejet patriotike të këtij emri të madh, që siç thotë Petro Marko “ Një luan i mbuluar me hi” që nënkupton; levizja më e vogël e tij e ngre atje ku duhet.

Po ky person, do të shkruante në zërin e popullit, me 13 janar të vitiit 1974 disa cilësime, që nuk ia impononte askush, veç negativitetit mendor të lindur “ Gjergj Fishta, agjent i Vatikanit, emisar i pushtimit fashist, partizan i çkombëtarizimit…” Këto epitete tepër të egra për një autor, ndaj një paraardhësi, ku ishte vlerësuar çmos kush nga shkrimtarë, gjuhëtarë e poet të kohës së tij, sa ishte gjallë dhe më pasë.

Mos me pranu Fishten dhe letërsinë e ashtuquajtur veriore, duhet me denu Kongresin e Manastirit, duhet me djeg alfabetin latin, duhet me varros , të paktën 70 përqind të gjuhës së sotme shqipe. Tuj ditë se ne po gabojmë, ende e përdorim atë variant gjuhësor(të komunizmit), që në shumë raste, sidomos në biseda nuk na shkon hiç. Gjuha e shkrume dhe gjuha e folun janë krejt ndryshe si dhe nandegët e tyre, sidomos gjuha e shkrume për dokumenta.

Letërsia e Klerit thuhet dikun ma poshtë i zuni frymën letërsisë shqipe!! Po ku kishte letërsi tjetër?! Ku dhe kush i shkroi veprat e para? Kush asht baza e një gjuhe, nëse nuk shkruhen vepra? Konkretisht: “Lahutës së Malsisë” j’u ngrit një kult e ju bë një reklamë e tillë

, saqë rrezikonte ta kthente në një gur varri, sa ti merrte frymën gjithë letërsisë shqipe.” I.K.

Sot në letërsinë shqipe, po heqin periudhat e saj, sidomos Rilindjen Kombëtare, duke cilësu si letërsia e periudhes para dhe pas Pavarësisë. Për cilen letërsi shqipe do të flisnim, nëse Fishta do ta mbyste letërsisnë shqipe?! Për bejtexhinjët dhe letërsinë  e dylberave, që ishte nje kopje e mejhaneve turko shqiptare, për letërsinë e axhikëve, e ardhur nga bota arabe??! Çfarë solli Rilindja për afro një shekull ( 1850 – 1912 ), nuk e sollën bejtexhinjët e ahengjeve për  150 vjet ( 1700-1850 )

Buzuku-Budi-Bogdani -Bardhi, katërshja kryesore e gjuhës shqipe, sidomos Bogdani, që u quajt Babai i Prozes Shqipe me “Çetën e Profetëve” ishin fillesa e letërsisë shqipe!

Më ka taku shpesh me bisedu me mjeshtrin e përkthimit dhe të gjuhës, të ndjerin Petro Zheji. Edhe pse ishte me origjinë prej Jugut të largët, me orë të tana të fliste për letërsinë, zakonet, doket e veriut, sa në ndonjë rast arrinte shumë larg, me thanë hapun “ Shqipni asht Veriu!”

Këtë po e cilësoj me nderimin ma të madh për të gjitha krahinat shqiptare, se të gjitha janë Shqipëri e në të gjitha ka pjesën e vet letërsia shqipe. Nuk mund ti harrojmë, Naimin e Çajupin, nuk kemi si me i lanë pa përmend Mitrushin e Lasgushin. Po Asdrenin e Hymnit ku mund ta lëmë?

Meqë jemi në ditëlindjen e Fishtës dhe në një rast jubilar, sot po ndalemi pak ma shumë e gati krejt te ky fenomen shqiptar, të cilit regjimi ia dogji librat, ia hupi eshtrat, por Fishta veç u naltu ma shumë! Një ish nxanësi i tij, Mark Ndoj, kishte arrit me i marrë do libra të Fishtës e me i ngjit kapak të ndonjë libri sovjetik, për me i shpëtu diktatures. Poashtu, shumë familje  shkodrane, kur u dogj Biblioteka Franceskane, arriten me i marrë disa libra e me i rujt fort deri në vitin e Lirisë, 1991. Masëshumti, këtë arriten me ba realitet , Zef Malaj, i cili u caktu  me qënë në drejtimin e Bibliotekës Kombëtare, si dhe i njohuri Injac Zamputi.

Këto vepra shkojshin dorë më dorë msheftas. Mua më ranë në dorë në vitin e vonë 1988 nga i ndjeri Simon Marku, nje teknik ndërtimi, por që i donte librat, me lutjen për t’i patur kujdes e për t’ia kthy, siç mi kishte dhanë. Ma vonë kam mësu se Simoni i kishte marre nga Lekë Celi e Leka prej të ndjerit Mark Pashko Malota. Unë zgjodha sa munda prej librave të tij, i daktilografova dhe i lidha në formën e një dispense, tuj shënu  sipër “ Libër shenimesh”. Në një orë mësimi të hapun në Shkollën e Mesme të Shenkollit, ia tregova mësuesit të Gjuhës Gjon Mashit dhe mikut tim Pjetër Mili, mësues gjuhe dhe njohës i mire i letërsisë shqipe. Të dy më thanë : “ Mbylle shpejt e mos t’i shoh njeri! Pak i ngutun e futa në çantë dhe e ruajta në shpi.

Se kush ishin miqtë e poetit dhe se ke pelqente ai, nuk po u marrë kohë me i përmend, por du me thanë se ishin ma të njohurit, të paktën në Ballkan nga Zagrebi, Bosnja dhe Potgorica, për t’iu shtu ma vonë edhe letërsia klasike italiane. Vargjet e para i filloi në moshë të re dha ia ka rujt At Bardhi, një nga mësusit e tij në Bosnje. Se kur u shuguru meshtar dhe ku e si shërbeu,

ato i kanë thanë biografët e tij, veçanërisht At Danieli. Se si u vlerësua mendja dhe vepra e tij dihet me dekorata e nalta që i mori nga 5 shtete. Se si u ba akademik i Italisë, po ashtu dihet. Të tana këto e hollësi të tjera, mund ti lexoni edhe në biseden time imagjinare me Gjergj Fishten, publikuar në numrin 4, shtator 2001 dhe e ripunume në vitin 2019.

Më 1907, tek Nakdomonicipedija, krijon me një mjeshtëri të rrallë artistike episodin e një tregtie të çuditshme: Shënkolli, me urdhër të Zotit, del nëpër botë me një barkë ngarkuar me mend. Kush donte t’i shtonte ato që ka, mund të blinte edhe do të tjera.

Më në fund rruga e qiti shejtin në Shëngjin. Në të njëjtën kohë, del në këtë port edhe djalli, që vinte nga Franca me një barkë ngarkuar me shkarpa për t’i shitur. Dhe çfarë blenë shqiptarët, do thoni Ju?!

Dihet, shkarpat! Dhe pse përmendet pikërisht Franca?! Edhe kjo dihet, revolucionet francize kundër zotit!

Për punën e eshtrave ka një paqartësi e disa versione, përveç datës:

Më 20 mars 1967 eshtrat e Fishtës me urdhër të strukturave të shtetit komunist zhvarrosen nga Kisha Françeskane e Gjuhadolit. Eshtrat mblidhen në një thes çimentoje dhe qëndrojnë për tri ditë në një nga zyrat e ndërmarrjes komunale. Sipas burimeve të ndryshme, thesi është hedhur pas tri ditësh në rrjedhën e lumit Drin, në Shkodër. At Zef Pllumi, në kujtimet tij thotë, se nuk është i sigurtë, se eshtrat e Fishtës janë hedhur në lum.

Si dhe pse u keqinterpretua “ Metamorphoza” e At Gjeregj Fishtes, tuj u kap mbas dy vargjesh:

“T’a dijë Shqypnija, prá, e sheklli mbarë, se ma mbas sodit, un s’jam shqyptar.

Kjo poemë është botuar më 1907 në përmbledhjen satirike “Anzat e Parnasit”. Ndaj, Fishta godet modelet e liga të përcaktuara nga ata që shkelin dhe përbuzin shqiptarët e, që veten e deklarojnë si shqiptarë të mëdhenj. Ai ironizon me këtë realitet, sepse të tillët shqiptarë nuk mund të jenë! Bash për këtë, luan me metamorfozën e njeriut të vlerave, sepse vetëm i transformuar dhe i tjetërsuar, mund të jetë pjesë e tyre që s’kanë vlerë morale e kombëtare. Ndaj, në disa vargje thotë, kështu: “A ndiet, Zotni/ që rrini m’shkam?/ Un mâ me sodjet/ Shqyptár nuk jam”; “Pse krejt sod jetën/ Un ndrrue e kam/ Kam lé per s’dytit/ Shqyptár mâ s’jam”; “T’a dijë Shqypnija/ Prá, e sheklli mbarë/ Se mâ mbas sodit/ Un s’jam Shqyptár”!

Në këtë poemë, si dhe në çdo krijim tjetër të tij, edhe sot identifikohet realiteti shqiptar. Injorantët dhe keqbërësit sundojnë e të tillët edhe mund të thonë: “Luftët e Kastriotit/ e t’Dukagjinit/ un kam me i mbajtun/ per dokrra hînit/ sot per mue Leka/ e Skanderbegu/ janë Palok Cuca/ e Jaho Begu”!

Ne na habit një fakt, pse studiuesit e asaj kohe nuk përmenden vargjet, që kishin, veç vlerave letrare shumë vlera edukative për të rinjtë, pse nuk thanë të kundërtën e këtyne  që përmendem ma nalt, si për shembull:

Dersa t’mundem me ligjrue
E sa gjall me fryme un jam,
Kurr Shqypni, s’kam me t’harrue,
Edhe n’vorr me t’permende kam. Poezia “ Atdheu”

Si e parandjeu Fishta komunizmin? Fishta profet!

E shka t’lânë kta katër ujq,
Qi i kërcënohen shoqi-shojt
Thonë, do t’dalë nji dreq i kuq,
Qi pa dhimbë do t’i a njesë thojt.
Edhe m’duket se për ne,
Mor’ Shqyptarë, ky djall i zi
Sa mâ para ka me lé
Pse na dreqnit kem kojsh i…

Lahuta e Malcis, kjo vepër e naltë  epike, e ribotuar në Romë më 1958, në Lubjanë më 1990, rishtas në Romë më 1991, është përkthyer në gjermanisht (Maksimilian Lamberc), italisht (Imzot Jul Bonati, Ernest Koliqi), e së fundi, edhe në anglisht (Robert Elsie).

Po pse nuk e duam Gjergj Fishten edhe sot. Shpesh ndeshim me një moral puritan, ku tjetër flasin e tjetër bëjnë. Ansjëri nuk mund ta mohoj, por dhe kur e përmendin nuk flasin me za të plotë, nuk këmbëngulin të argumentojnë pse Fishta ishte Poet Kombëtar, Poet i madh?!

  • Tetor 2021

*I.Kadare