Mal i Zi/Folklori burimor dhe arti i bukur dramatik i anamalasve

0
218

Gjeke Gjonaj

Ana e Malit  është zonë  e vlerave kombëtare  e cila zë vendin e duhur në botën e kulturës shqiptare. Që ta njohësh folklorin e kësaj zone  duhet të hysh  në jetën e banorëve anamalas, të përjetosh nga afër realitetin e  saj. Kjo trevë në tërësi ka krijuar dhe  vazhdon  të ruaj vlera të trashëgimisë etno-kulturore  të zonave autoktone shqiptare. Ana e Malit paraqet një venbdbanim   me interes nga pikëpamja kulturore. Në këtë aspekt  ajo është shumë e pasur. Ka një thesar të pasur popullor.  Brenda gjithë atij thesari ka shumë trashëgimi. Këngët, instrumentet muzikore,  vallet popullore, kostumet me ngjyra,  që rrezatojnë shpirtin e anamalasve,  janë dëshmi e  pasurisë shpirtërore te kësaj zone. Këto vlera kombëtare  anamalasit  i kanë ruajtur me fanatizëm  nëpër shekuj, pavarësisht rrethanave jo të favorshme   historike  dhe trysnive të vazhdueshme politike ,  maltretimeve e  diskriminimeve që i bëheshin kësaj popullate. Për ta forcuar identitetin e tyre kombëtar   dashamirët vullnetarë të  folklorit të kësaj zone , siç  shkruan  njohësi i mirë i trashëgimisë folklorike  të kësaj trevë Haxhi Zeneli, në librin e tij  “ Me këngë  nga vendlindja në Amerikë”  organizimet e para  kulturore – artistike  i nisën  pas Luftës së Dytë Botërore në Shkollën Fillore “ Bedri Elezaga” në Katërkollë,  ku  drejtor i asaj kohe ishte  Jonuz Divani , i cili  nga  banorët e kësaj zone vlerësohet si njeriu  me kontribute dhe  me merita  më të mëdha në  edukimin, arsimimin  dhe emancipimin e tyre .  Këto aktivitete  me nxënës   të  drejtuesve dhe mësimdhënësve të kësaj shkollë  i paraprinë  një  fillimi të mbarë të  organizimit të jetës  kulturore në  Anë të Malit.

Shoqëria  Kulturore – Artistike “ Buna”, pioniere e kulturës folklorike  në Anë të Malit  

Këtë vit   kalendarik  do të mbushen  54 vjet nga krijimi ( formimi) i Shoqërisë Kulturore-Artistike “ Buna” ( sipas emrit të  Lumit Buna) , institucioni i parë amator  kulturor i ngritur  me nismën e disa veprimtarive dhe adhuruesve të  shquar të asaj kohe  të trashëgimisë  kulturore, artistike të përcjellë ndër breza, të cilët dolën  nga  shkolla fillore e Katërkollës.   Përkujtimi i kësaj ngjarjeje mendojmë se ka një rëndësi shumë të madhe për kulturën folklorike të anamalasve , sepse ky ansambël folklorik i vuri themelet e zhvillimit të jetës kulturore artistike   në këtë trevë dhe bëri të mundur ruajtjen, kultivimin  dhe promovimin e  folklorit anamalas  përmes     koncerteve  e festivaleve  të ndryshme brenda  dhe jashtë vendit. Pavarësisht  nga kushtet  shoqërore-historike në të cilat jetonin popullata e Anës së Malit në regjimin komunist – titist , i cili nuk i shihte me sy të mirë organizimet e këtilla kulturore të shqiptarëve në ish-Jugollavi,  ky ansambël folklorik  lindi si një nevojë jetike  e organizuar vullnetarisht nga vetë anamalasit  që bën çmos  që  të ruajnë vlerat folklorike kombëtare. Sipas Haxhi Zenelit  SHKA “ BUNA “ u themelua në Katërkollë në  vitin  1969 , kryetar i së cilës u zgjodh  Elez Muça. “  Kjo shoqëri  ishte e para  në Anë të Malit, ku pasi punoi për disa vite  rrethanat e asaj kohe  bënë që të pushojë, deri në riaktivizimin e saj në janar të vitit  1978 me shfaqjen e një koncerti  në hollin e Shkollës Fillore “  Bedri Elezaga “ në Katërkollë.   Kjo shoqëri  ka dhënë disa koncerte  nëpër qendra të tjera  gjatë kësaj kohe”, shkruan  Zeneli.

Shoqëria Kulturore Artistike  “ Lipoja”

Me një lule nuk çelë  pranvera,  thotë  një fjalë e urtë popullore . Prandaj  gjashtë vite më pas u formua  Shoqëria-Kulturore – Artistike “ Lipoja” në vitin 1975 , në fshatin  Krythë.   Ajo e mori emrin e malit të lartë  Lipoja në Anë të Malit.  Punën e saj,  siç pohon   Zeneli,  e  udhëhoqën  Musa Pali, arsimtar i gjuhës shqipe dhe Ramazan Bërkani ( aktor i teatrit të Gjakovës).

Artdashësit e tubuar në këtë ansambël  më punën e tyre vullnetare  dëshmuan   vlerat e çmuara të trevës në fushën e artit folklorik  dhe kulturës  sonë kombëtare, bukurinë dhe larminë dhe e kostumeve popullore, simfoninë e instrumenteve popullore , që dëshmojnë lashtësinë e shpirtit  artistik  të  anamalasve.

Shoqëria Kulturore Artistike  “ Zgjimi”

Tri vite pas themelimit të   shoqërisë së dytë kulturore – artistike në Anë të Malit   fillon punën  edhe një shoqëri e re për ruajtjen e trashëgimisë folklorike. Në verën e vitit 1978, disa studentë që studionin në Universitetin e Prishtinës   u organizuan dhe në dhjetor të  atij viti themeluan    SHKA “ Zgjimi”. Kryetar i kësaj shoqate u zgjodh Zija Kraja,   nënkryetar  Faik Avdiu  dhe sekretar  Junuz Ujkashi .  Siç mësuam nga njëri prej bartësve  të veprimtarisë dhe aktiviteteve  të kësaj shoqërie  Gjlaver Avdiu, këta të rinj entuziastč,  plot vullnet e energji, pas shumë provave  çdo pasdite  në mjediset e shkollës fillore   në  vitin  1978 shfaqën koncertin e parë  për banorët e Bashkësisë Lokale të Sukubinës.    se “ SHKA “ Zgjimi” , e përbërë nga grupi i djemve  dhe vajzave  shfaqi me sukses  koncerte në të gjitha trevat shqiptare në Mal të Zi, si në Sukubinë, Katërkollë, Ostros, Tuz e Ulqin, pastaj në  Festivalin Republikan Folklorik, në Festivalin Ballkanik  të Folklorit në Ohër etj. Ajo  i befasoi edhe përfaqësuesit e strukturave  udhëheqëse komunale dhe republikane, të cilat dolën me vlerësime  se veprimtaria e saj nuk përkonte me frymën  e vëllazërim-bashkimit jugosllav dhe si e tillë duhej hetuar nga Administrata e Sigurimit Shtetëror të UDB-ës jugosllave, e cila filloi t’i thërrasë  në biseda informative  themeluesit  dhe anëtarët e kësaj shoqërie, gjoja për të gjetur armiqtë e vërtetë të cilët ishin  të indoktrinuar  nga irendentistët kosovarë”, shkruan  Avdiu  në librin e tij “ Pishtarët e lirisë”.

Teatri për fëmijë “ Zgjimi”, ringjalli  artin skenik

Në kuadër   të SHKA “ Zgjimi” nga Sukubina,    nga viti 1996 -2000 ,  me mjaft sukses ka vepruar  edhe Teatri për fëmijë, i pari  dhe i vetmi  këtij lloji në trevat shqiptare në Mal të Zi.  Falë vullnetit dhe entuziazmit të Shefqet Lucës , regjisor i këtij teatri  dhe aktor shumëvjeçar  amator në trupat teatrore “ Sandër Prosi” dhe “Aleksandër Moisiu” të Mitrovicës , me rreth 50 fëmijë  të moshës 5-13 vjeçare, ringjalli artin skenik jo vetëm në këtë  lokalitet  kufitar,  por edhe në Komunën e Ulqinit. Gjatë punës së vet, siç na njoftoi regjisori dhe aktori Luca,    ky teatër  ka vënë në skenë    tri shfaqje premierë: “ Me Lizën në pritje të Vitit të Ri” ( dhjetor 1996), “ Një zemër e humbur” ( maj 1997)  dhe  “ Klasa e çapkënëve” ( prill 1998)   me të cilat është prezantuar para publikut vendas  dhe mbarëshqiptarë.

Këto tri shoqëri kulturore-artistike  në atë kohë patën një veprimtari të dendur artistike. Koncertet e shfaqura në të gjitha trevat shqiptare në Mal të Zi u pritën shumë mirë nga shikuesit. Mirëpo pas  vitit 1985 filloi rënia ose një pasivitet i këtyre shoqërive. Në pasivitetin e tyre ndikuan  demonstratat   e vitit 1981 në Kosovë , pas  të cilave  edhe në Anë të Malit filluan të ashtuquajturat “diferencime” politike, nga e cila valë  e pësuan edhe disa nga anëtarët e këtyre shoqërive, kurse disa të tjerë u detyruan të pezullojnë ose ta pakësojnë veprimtarinë e vet.

Shtojmë se aktualisht  në Anë të Malit  në mënyrë aktive nuk vepron asnjë shoqëri kulturore-artistike. Tri ansamblet e para f0lklorike bashkë me tetarin për fëmijë   janë shuar, kurse dy  shoqatat e fundit kulturore-artistike  “ Tradita”  dhe “ Ana e Malit “ figurojnë vetëm  në letër.  Për ringjalljen  e tyre   duhet një  mbështetje e qëndrueshme  financiare.