NË KUJTESË TË 88 VJETORIT TË LINDJES TË PJETËR ARBNORIT- MANDELËS SHQIPTAR… (1935-18 janar-2023).

0
159

Nga Ndue Bacaj

Pjetër Arbnori ka lindur në qytetin e Durrësit me 18 janar të vitit 1935 nga prindërit Shkodran Gjystina e Filip Toma. Pjetër Arbnori në moshë të re, por ideale të mëdha në zemër e mendje arrin të mbarojë shkëlqyeshëm (me medalje) shkollën e mesme, por pa ju dhënë e drejta për momentin të vazhdojë të lartën. Gjithsesi vitet kaluan dhe Pjetër Arbnori arrin të përfundojë në kohë rekord (me korespondencë) dhe shkëlqyeshëm fakultetin e Filologjisë në Tiranë. Në vitin 1960 emrohet mësues letërsie, por zemra dhe shpirti i këtij mësuesi ishin të lënduara nga diktatura komuniste që çdo ditë dënonte, persekutonte, pushkatonte e burgoste shqiptarë nga më fisnikët e patriotët. Pjetër Arbnori me shokët e tij antikomunistë krijuan në ilegalitet një organizatë social–demokrate, programin e së cilës e kishte përgatitur ky vetë, si dhe ndihmonte shokët e tij në shpërndarjen e trakteve antikomuniste. Në pranverën e vitit 1961 arrestohet dhe pas dy vite hetuesi dhe gjygje e dënojnë me vdekje, dënim që ia kthejnë në 25 vite burg, por që edhe në atë ferr dënohet edhe me 10 vite të tjera, pasi edhe në burgje propogandonte lirinë e demokracinë. Pjetër Arbnori qëndroi në burgjet komuniste 28 vite rresht, duke u ndeshur si dragoi me kulçedrën e kuqe, e cila nuk mundi as ta mposhtnin e as ta hanë, përkundrazi kulçedra u rrëzua dhe dragoi Pjetër Arbnori mbijetoi, duke prekur nga afër ëndrrat e lirisë e demokracisë për të cilat u sakrifikua gjatë.  Megjithse në kushte të vështira në burgje filloi të shkruajë e përgadisë ato libra që i realizoi në demokraci, dhe që janë një pasuri e madhe, letrare, historike e mbi të gjitha humane, pasi tregojnë vlerat e një shpirti që ndonëse vuan vetë, nuk dëshiron të vuajnë të tjerët, madje librat nuk japin mesazhin e urrejtjes as për ata aktor e regjizorë që bënë të vuajnë Pjetër Arbnori e mijëra shqiptarë të tjerë, por përkundrazi japin mesazhin e paqes, tolerancës e mëshirës… Disa nga 14 librat e tij të shkruara (novela, romane, studime e intervista e tjerë) nga viti 1992 e deri kur ndërroi jetë janë: “Kur dynden Vikingët”, “Mugujt e Mesjetës”, “Bukuroshja me Hijen”, “E Bardha dhe e Zeza”, “E panjohura – Vdekja e Gebelsit”, “Shtëpia e mbetur përgjysëm”, “Vorbulla”, “Letër nga Burgu”, “Nga jeta në burgjet komuniste”, “Brajtoni një vetëtimë e largët”, “Lufta për të mbetur njeri” etj…Vlen të cilësohet se në vitin 1989 Pjetër Arbnori pasi ishte liruar nga burgu, si armik i regjimit dërgohet të punojë në punë të rëndomta, por nuk përkulet përsëri. Pa kaluar veçse një vit nga burgu i vogël i Burrelit në atë të madhin Shqipëri socialiste, si një ylber shumë ngjyrësh lart në qiell, por që pa vonuar do të uleshin në tokë, për t’i prekur e shijuar vet zoti Arbnori dhe Shqiptarët. Natyrisht ndër të parët që e kuptuan këtë ishte ky Pishtar drit–shumë i lirisë e demokracisë. Me 14 janar 1990 mori pjesë në demonstratën antikomuniste për rrëzimin e bustit të Stalinit. Me 12 dhjetor 1990 në Tiranë në emër të Shkodrës, Pjetër Arbnori, në tribunën themeluese të PDSH u dorzon zotërinjve Sali Berishës dhe Azem Hajdarit mesazhin e Shkodrës demokratike.  Të nesërmen me 13 dhjetor hidhet në erë busti i diktatorit Enver Hoxha në Shkodër. Me 3 janar 1991 në mitingun e Shkodrës Pjetër Arbnori shpall krijimin e Partisë Demokratike të Shkodrës, por këtë fat e kishte edhe Malësia e Madhe me 21 janar në mitingun e Bajzës… Nga viti 1991 e vazhdimisht ishte antar i kryesisë së PDSH. 5 herë rresht ishte deputet e Kuvendit Popullor i zgjedhur direkt nga populli (1991-2005). Në vitet 1991-1996 është zgjedhur Kryetar i Parlamentit Shqiptar, ku do të mbahet mend gjatë për drejtimin e tij ligjor, edhe mbi të gjitha për tolerancën dhe shpirtmadhësinë e treguar ndaj komunistëve (me emrin e ndryshuar në socilist) apo bijve të tyre deputetë, të cilët kishin qenë aktorët dhe autorët e tragjedisë të vetë Arbnorit dhe Shqiptarëve. Nga viti 2000 ka qenë kryetar i forumit të Drejtave të Njeriut kundër dhunës policore, si dhe që nga viti 2004 është zgjedhur edhe President i Institutit të kërkimeve politike “De Gasperi”. Veprimtaria e Demokratit të orëve të para Pjetër Arbnori u vlerësua kombëtarisht e ndërkombëtarisht, sa ishte gjallë dhe pas vdekjes. U dekorua me titullin Adademik, nga Akademia Ndërkombëtare e Nju Jorkut, nga Instituti Biografik Amerikan, nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me titullin “Pishtar i Demokracisë”, nga Asambleja parlamentare e vendeve frëngjishtfolëse ju dha titulli “Oficer i madh i urdhërit të Plejadës”. Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova i ka dhënë medalionin e argjendtë “Nënë Tereza”, dhe prerjen e artë Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Papa Gjonpali II i jep Medaljen e Argjendë të Familjes. Bashkia Vau Dejës titullin “Qytetar Nderi”, Bashkia e Shkodrës “Krenaria e Shkodrës”, Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës i jepet emri i Pjetër Arbnorit. Përsëri Shkodra me datën 7 korrik me rastin e përvjetorit të parë të vdekjes i jep Titullin e lartë “Qytetar Nderi” i Shkodrës e deri “së fundi” “Nderi i Kombit” etj.

Pjetër Arbnori është shquar jo vetëm si shkrimtar, demokrat e politikan, por edhe si përkthyes i shumë librave nga Anglishtja, Frangjishtja e tjerë. Gjithashtu emri dhe vepra e Pjetër Arbnorit i ka kaluar kufijtë e Shqipërisë dhe Europës, duke u quajtur “Mandela” i Shqipërisë, Ballkanit e më gjërë, dhe si rezultat është takuar me shumë personalitete të Botës të atyre kohëve, si me Papa Gjonpalin e II, Presidentin Amerikan Bill Klinton, Nënë Terezën, Presidentin dhe desidentin çek antikomunistin Vaclav Havel, me kryeministrin e Turqisë Demirel, me  kryeministrin e Greqisë Micotaqis, me Presidentin e Senatit Francez Rene Monri, me Mbretin e Spanjës Huan Karlos, me Presidentin e Gjermanisë Herzog, me politikanin e famshëm Izraelit Shimon Perez, me Kryetarin e Autoritetit Palestinez Jaser Arafat, me Presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova, e tjera personalitete politike, shtetërore si dhe nga fusha të tjera të artit e kulturës e tjerë. Përmasat e këtij burri të mençur e patriot sa vinin e rriteshin. Në vitin e zi 1997 Pjetër Arbnori ishte ndër të paktit Demokrat apo politikan të djathtë që e kishte rrugën të hapur në të gjitha skajet e Shqipërisë. Në gusht të këtij viti, Pjetër Arbnori vendosi të vesakrifikohet, duke hyrë në një grevë urie vetëm për të mbrojtur të drejtat e Opozitës të atëhershme (PD dhe aleatëve të djathtë) me akses fjalën e lirë në masmediat televizive të kontrolluara dhunshëm nga shteti socialist. Një personalitet si Pjetër Arbnori alarmoi botën demokratike e cila detyroi komunistët e rinj të bëjnë lëshime.  Pjetër Arbnori edhe pas kësaj punoi natë e ditë për alternativat e Partisë Demokratike, të elektoratit që i besoi votat, si dhe në krijimin e imazhit të mirë në kancelaritë e Europës së Bashkuar, Amerikës e më gjërë. Mjerisht politika shqiptare kishte fare pak Pjetër Arbnorë. Në zgjedhjet e tre korrikut të vitit 2005 Pishtari i pashuar i Demokracisë Shqiptare, vjen kandidat për deputet në zonën nr.1 të Malësisë së Madhe. Këtu mendohej një fitore e padiskutueshme, pasi Malësia e Madhe dhe Pjetër Arbnori ishin dy simbole lirie e demokracie, që historia e persekutimit të diktaturës komuniste nuk i kishte mposhtur ndër dekada lufte e përpjekjesh e jo më do t’i thyente në pluralizëm e demokraci… Unë gjatë fushatës elektorale pata fatin të isha zëdhënësi i shtabit të fushatës dhe i Pjetër Arbnorit, ku gjatë kesaj kohe bëra dhjetra deklerata e shkrime në medie të shkruara e vizive që nga ato lokale e deri në ato kombëtare…  Fatkqesisht në atë kohë në Degen e PD-së Malësi e Madhe kishte filluar “shitblerja” e disa “demokratve” si dhe inatet dhe përçarja, me “justifikimin”; PËR INAT TË SIME VJEHRE SHKOJ E FLEJË ME MULLIXHINË. Këta “demokratë”ditën bënin sikur ishin me PD-në dhe Pjetër Arbnorin, ndërsa natën spiunonin, raportonin, shiteshin e bliheshin dhe punonin për Partinë Socialiste dhe alternativen e saj… Mjerisht Malësia e Madhe pasi kishte qëndruar 60 viteve në luftë (me komunizmin), dorëzohet në paqe, madje duke tradhtuar vehten dhe bashkësimbolin e saj Pjetër Arbnori. Kjo humbje është borxhi më i madh që Malësia i ka Demokracisë e simbolit të saj zotit Arbnori, i cili natyrisht këtë humbje (jo të tij si deputet), por të bastionit të Demokracisë Malësisë Madhe e kishte peng në zemër dhe e mori me vete edhe kur ndërroi jetë me 8 korrik 2006…