“Ma shkretnove zemrën”

0
552

Kjo është kopertina e librit më të fundit të autorit Lulash Nikë Palushaj, shkrimtar, patriot, veprimtar i shquar i çështjes së shqiptarisë, laureat i titullit “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”. Shtypshkrimi i këtij libri tashmë ka përfunduar dhe gjithçka është gati për të dalë në dritën e botimit. Kësaj radhe z. Palushaj, ky malësor fisnik e intelektual me banim në Michigan të SHBA- ve, autor i shumë veprave në prozë, poezi, eseistikë, etnokulturë etj., shfaqet me këtë vepër me karakter sinkretik, me strukturë krejt të pazakontë. Brenda këtij vëllimi alternohen motive, tematika, përjetime, informacione dhe kushtime të ndryshme, vendosur në sfondin e Kosovës martire. Brendia e kësaj vepre është ngjizur nga një substrat shpirtëror, që endej prej dekadash në memorien, shpirtin dhe zemrën e autorit. Lulashi është formuar kulturalisht në viset shqiptare të Kosovës dhe Maqedonisë, që nga koha e shkollimit në Prizren, Prishtinë, Shkup, Kosova u bë atdheu i dytë i tij. Dramat e Kosovës autori i ka përjetuar me ankth e vaj qyshse kanë ndodhur dhe nuk mund të shlyhen kurrë. Në këtë libër Lulash Nika ka shkarkuar gjithë zjarrin e zemrës së tij patriotike, të gjitha mbresat e një kalvari kombëtar, të gjitha pikat e gjakut të freskët me të cilin është larë në çdo pëllëmbë toka martire e Kosovës. Kemi në këtë libër retrospektiva historike, informacione mbi fatalitetin e një kombi të martirizuar, pjesë nga etnogjeneza shqiptare, pasqyruar me gjithë koloritin e shpirtit Kosovar ndër shekuj, por që kulmojnë në luftën për pavarësi. Kulmojnë me këtë dasmë të madhe dhe të përgjakshme të këtij kombi, kremtuar mbi konflagracionet që shoqëruan golgotën e një eksodi biblik të vjetër sa bota dhe paradoksalisht, të ri sa kohët moderne.

Të lumtë mendja Lulash Nika, të paçim edhe shumë e shumë kohë, si modelin e një burri të rrallë, të një patrioti të shquar dhe të një autori dinjitoz! Zija Vukaj